Ndoshta më karakteristiket e fjalëve që kanë hyrë në shqipe nga turqishtja osmane, janë ato me prapashtesën –llëk, të tilla si maskarallëk, ustallëk, boshllëk, bollëk, beqarllëk, pisllëk, fodullëk, sakatllëk, hajvanllëk, etj. Ka me dhjetra të tilla, zakonisht tashmë të kufizuara në ligjërimin bisedor dhe të thjeshtë, dhe që paraqiten si emra abstraktë të mbiemrave tematikë (maskara -> maskarallëk, etj.)[1].
Në turqishte, prapashtesa formon edhe emra të llojeve të tjerë, si p.sh. emra vendi (ndonjë gjurmë e këtij funksioni ka mbetur në shqipen e vjetruar dhe dialektore haremllëk por shih tani edhe xhamllëk), por jo vetëm.
Si edhe në rastin e prapashtesës –xhi, edhe këtë morfemë shqipja e ka “abstraguar” dhe e ka përdorur pastaj për nevojat e veta fjalëformuese, duke ua bashkuar temave jo-turqishte.
Prapashtesa –llëk, tashmë aktive brenda shqipes, formon lirshëm emra abstraktë të cilësisë brenda ligjërimit bisedor, të cilët si rregull mbeten brenda kufijve të këtij ligjërimi.
Ka edhe përjashtime: njerëzillëk, spiunllëk, palaçollëk, gomarllëk, zotnillëk, nikoqirllëk, zjarrllëk, memecllëk e ndonjë tjetër tashmë janë “neutralizuar” stilistikisht dhe janë pjesë e leksikut standard.
Megjithatë, shumica e këtyre formimeve brenda shqipes mbeten të nivelit bisedor: kopillëk, freskllëk, kurvllëk, kalamallëk, çilimillëk, qelbësirllëk, kafshllëk etj.; ose edhe më keq, të nivelit të ligjërimit të thjeshtë: karllëk.
Disa nga këta emra, si nga huazimet prej turqishtes osmane, ashtu edhe nga krijimet brenda shqipes, përdoren kryesisht në shumës: maskarallëqe, merakllëqe, budallallëqe, hajvanllëqe, palaçollëqe, spiunllëqe, kalamallëqe, etj. Shumësi i një emri abstrakt zakonisht vjen me efekte semantike: budallallëqe janë veprime ose fjalë karakteristike për budallain; kalamallëqe janë veprime ose fjalë karakteristike për kalamajtë; e kështu me radhë.
Kjo që ndodh me shumësin e emrave në -llëk, lidhet me atë mekanizëm semantik të mirënjohur, të njëjtit emra abstraktë të cilësisë mund të shënjojnë edhe një veprim ose një fjalë që vjen si efekt i asaj cilësie: maskarallëk nuk është vetëm cilësia abstrakte e dikujt që është maskara, por edhe një veprim tipik prej maskarai. Mekanizmi vepron në njëjës, por pastaj mbizotëron në përdorimet e këtyre emrave në shumës.
Kjo do të thotë edhe se emrat abstraktë me -llëk, kur përdoren në shumës, vijnë e shënjojnë kryesisht veprime të përsëritura, si efekt i karakteristikës që shënjon tema. Si për ta theksuar edhe më tej përvetësimin që ia ka bërë prapashtesës, shqipja edhe e palatalizon k-në fundore, duke e shndërruar në –q– .
Nga ana tjetër, prapashtesa –llëk, në shqipen bisedore, pothuajse është gramatikalizuar, në kuptimin që me të folësi mund të ndërtojë emra abstraktë të cilët i duhen për nevoja sintaksore të çastit, p.sh. për nominalizime: nga profesor mund të krijohet profesorllëk, nga shef mund të krijohet shefllëk, nga student mund të krijohet studentllëk, nga shofer mund të krijohet shoferllëk, nga berber mund të krijohet berberllëk, nga ushtar mund të krijohet ushtarllëk, nga aktor mund të krijohet aktorllëk e kështu me radhë. Morfologjikisht, duket sikur formime të tilla ndërtohen më lehtë mbi tema që shënjojnë persona sipas profesionit ose cilësisë.
Krijime të tilla zakonisht nuk arrijnë të bëhen fjalë të mirëfillta: janë efimere dhe e fillojnë dhe e mbarojnë jetën brenda kufijve të thënies ku janë shfaqur.
Ndokujt do t’i kujtohet, me këtë rast, “fjala” kingllëk e cila u shfaq në kryetitujt e tabloidëve të Tiranës para pak muajsh – më tej për këtë kapriçio leksikore mund të lexoni këtu.
Kushdo mund të thotë nesër: “blogllëkut nuk ia pa kush hajrin” ose “ia ka ndier lezetin drejtorllëkut” ose “i ka hije ambasadorllëku” – edhe pse asnjë nga këto formime nuk i ka kartat në rregull, për t’u pranuar si fjalë e shqipes, madje as në nivele të ulëta të ligjërimit. Për nga statusi, këto mund të krahasohen me përcjelloren e anglishtes, e cila shpesh është thjesht formë gramatikore e foljes (blogging didn’t do any good to me).
Hulumtime të kujdesshme të leksikut të shqipes së folur, me siguri do të identifikojnë edhe plot pseudo-turqizma mes këtyre formimeve; ose formime edhe të ngjashme me harbutllëk (sa kohë që harbut vetëm duket si orientalizëm, pa qenë e tillë), edhe të tjera që janë nisur vërtet nga tema turqizmash por nuk që në turqishte vetë nuk ekzistojnë; dhe më në fund bashkime spontane të kësaj prapashtese me tema turqishte, për nevoja të çastit ose “gramatikore” të ligjërimit (të tilla si marifetllëk, etj.).
Edhe një herë, trajtimi që ua kanë bërë tradicionalisht orientalizmave gjuhëtarët tanë preskriptivë (të cilët flasin për “dëbim” nga gjuha) nuk i përgjigjet realitetit; si edhe në rastin e prapashtesës –xhi, shqipja ka reaguar ndaj zhvillimeve kulturore dhe politike duke u gjetur përdorime të reja mjeteve të vjetruara, të paktën në ato raste kur kjo ka qenë e mundshme.
Kështu, edhe prapashtesa –llëk të turqishtes, në vend që të “dëbohet”, është specializuar në nivelin bisedor të ligjërimit, duke ndihmuar kështu edhe me kristalizimin e ligjërimit formal (libror) si një lloj ligjërimi ku mungojnë formimet më –llëk, ashtu edhe me kristalizimin e vetë nivelit bisedor – ku formimet me –llëk jo vetëm janë të pranishme, por edhe përftohen spontanisht.
[1] Nuk arrij dot t’i gjej një burim fjalës tangërllëk, të cilën Dizdari nuk e ka, por që më rezulton nga më të shpeshtat e këtij grupi në shqipen e sotme bisedore, veçanërisht në Tiranë (ku dëgjohet si tongërllik). Deri më tash them se vjen nga tagër “e drejtë” me kuptimin “sjellja e dikujt që kujton se ka të drejtë” (righteousness); duke pasur parasysh edhe shpjegimet e Dizdarit për tagër, të cilën e nxirrkan (Xhuvani) nga turqishtja doğru. Nëse është kështu, atëherë tangërllëk mund të krahasohet me doğruluk e cila në turqishten e sotme ka edhe kuptimet “integritet, ndershmëri, virtyt, drejtshmëri” (uprightness, rectitude, veracity).