Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

TATUAZHI NË GUR (IV)

Totalitarizmi e ka pasur obsesion gjigantizmin në projektet publike, në organizimin e hapësirës, në propagandë, madje edhe në ligjërim – ku shprehet nëpërmjet trajtave sipërore, absolute dhe relative, të mbiemrave; por edhe thjesht në orët e fjalimeve (Fidel Castro-ja në OKB) dhe kohëzgjatjen e duartrokitjeve frenetike në kongreset.

Si mund të shpjegohet kjo mani në kufi të delirit, nga regjime që kërkonin të paraqiteshin si “populli në pushtet”?

Një shpjegim do të ishte nevoja për të treguar, para botës, por edhe vetvetes, fuqinë e fituar rishtas.

Është shpjegim që ta sugjeron një tjetër aspekt i shfaqjes së këtij preokupimi me “madhësinë” në të gjitha trajtat e publikes – këmbëngulja me përdorimin e shkronjave të mëdha, ose kapitale.

Shumë prej nesh i lidhim, në mendje, shkronjat e mëdha me fëmininë, ose kohën kur mësonim të hidhnim shkronjat e para në letër; edhe pse, në kontekste të tjera, këto lloje shkronjash shënjojnë zërin e ngritur, të bërtiturit, atë lloj ligjërimi që duhet dëgjuar me frikë.

Shkronja e madhe ka qenë edhe arma bazë e luftës kundër analfabetizmit – siç na e tregonin në fotot, pikturat dhe filmat për “vitet e para” pas Çlirimit, ose kur të rriturit erdhën e u bënë fëmijë, për të mësuar shkrim e këndim; dhe në ato foto gjithnjë do të gjeje fjalë si PARTI, më rrallë LIRI, të shkruara në dërrasën e zezë, me shkronja të mëdha e të shtrembra; të njëjtat fjalëkyçe, të njëjtat mantra, të njëjtat formula besnikërie dhe përkushtimi.

Çuditërisht, sot e kësaj dite graffiti-t në qytetet shqiptare i sheh gjithnjë me shkronja kapitale: edhe pse regjimi ka ndërruar, së bashku me format e marrëdhënieve që vendosim me autoritetin, prapë se prapë i rrituri anonim, që merr shkumësin, furçën ose kanoçen e spërkatësit për të shkruar në publik, e ndien veten fëmijë – në prani të syrit të gjithëfuqishëm, që sheh nga lart e nga përtej.

Përndryshe njerëzit gjithnjë kanë shkruar aty ku kanë mundur – duke filluar nga trupi i tyre; pa përmendur që tatuazhet nuk kanë qenë kurrë më në modë se sot. Ky lloj të shkruari performativ është edhe mënyrë për ta marrë në zotërim sipërfaqen, për ta shënjuar territorin njëlloj siç bën maçoku kur ngre këmbën e pasme; dhe sa më i pamësuar të jetë anonimi me të shkruarit, aq më të pazakonshme do të jenë kanavacat ku do ta ushtrojë dorën. Deri edhe afresket e David Selenicasit në Voskopojë i kanë përdhosur, duke shkruar mbi to emra – të gërvishtur me gurë të mprehtë, kushedi edhe bajoneta, gastare, kocka dashi ose thika gjahu.

Kush e mendon të shkruarit si prerogativë të individit monastik, le të hedhë një sy në rrënojat e qytetërimeve, të vjetra dhe të reja, për të parë mbishkrimet ende të pazbardhura krejtësisht – e që e ruajnë ende vetvetishmërinë e gjestit, si përligjje të kontrastit mes shenjës jetëgjatë dhe kuptimit të kotë të një emri çfarëdo.

Ka një nivel në praktikën e të shkruarit anonim, ku gërvishtja e pak shkronjave të mëdha, mbi një sipërfaqe të fortë, është barasvlerë e firmës ose e imponimit të një pranie përndryshe të papërfillshme, në mos të shpërfillshme; se veç ashtu mund të lexohet emri që i mbivendoset një pikture për ta shfytyruar; inicialet e të dashurve të kruara me thikë në një trung rrapi; ose edhe mbishkrim/nënshkrimi që gjithsekush prej nesh do të ketë lënë në ndonjë bankë shkolle (a nuk e shpjegon edhe Çabej, etimologjinë e foljes shkruaj në shqipe, duke e vënë këtë në lidhje birërie me foljen tjetër, kruaj?).

Dhe kjo firmë, ky a-firm-im vijnë edhe si akt emancipimi, nga poshtë lart; si akt i fëmijës që kërkon t’i hapë vend vetes duke lënë gjurmë në kanavacën sociale, qoftë edhe thjesht në trajtë të një të çare, ose ndërprerjeje të vijueshmërisë; dhe që në akt e sipër kërkon pjekurinë, pa çka se mbetet fëmijë, përkundrejt atij që emancipimin ia ka lejuar.

Lufta kundër analfabetizmit, në Shqipërinë komuniste, u nyjëtua në dy faza: më parë masat e rraskapitura, të sapodala nga Lufta, mësuan shkronjat, të cilat do t’u duheshin për të lexuar skripturat e reja, të rendit të ri politik që do të ndërtohej; dhe nuk është përkim i kotë që shkronjat e atyre që po alfabetizoheshin na dalin në dokumentet e kohës si po aq të mëdha, po njëlloj kapitale, sa edhe shkronjat e parullave në mure dhe në banderola dhe kryetitujt e gazetave të regjimit; sepse komunikimi i Partisë me popullin kryhej, para së gjithash, me shkronja të tilla, të mëdha dhe të fuqishme, madje shurdhuese; ose të tilla që të mund të shprehnin vetëm mendime të drejta, të thjeshta dhe të shkurtra; jo gjarpëruese dhe dinakërisht të përdredhura, si ato të armikut të klasës (në muzetë e luftës së klasave do të shihje ndonjëherë dorëshkrimet subversive që u kapeshin këtyre të fundit, gjithnjë me shkrim të dendur dhe kursiv, në përmasa të vogla, si të tkurrur nën peshën e disfatës së pashmangshme; pa folur pastaj që një nga karakteristikat e intelektualit antipopullor dhe armik ishte që ai “spërdridhej si kurvë” para kritikës që i vinte nga poshtë).

Në një fazë të dytë, u erdhi radha masave që të shkruajnë – nën nxitjen e drejtpërdrejtë të udhëheqësit të tyre, Enverit, i cili në fjalën e tij të 6 shkurtit 1967, “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe i pushtetit” (më pas të njohur si “Fjala e 6 shkurtit”) dha porosinë që “Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruajë çfarë mendon ai për punën dhe për njerëzit” (Vepra 35, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1982, f. 50).

Shkronjat e mëdha do të simbolizonin, në këtë kontekst, zërin e ngritur të masës – duke marrë përsipër të shprehnin, grafikisht, autoritetin e shkruesit anonim, të panjohur dhe të pasofistikuar; që shkruante me shkronja të mëdha si fëmijë, por edhe me të njëjtën gjuhë si edhe parullat në mure, pllakatet dhe banderolat; ose të gjitha ato vende ku përftohej dhe riprodhohej shqipja totalitare në trajtat e veta më foragjere, ose si shujtë për popullin.

Natyrisht, Enver Hoxha e kish fjalën për fletë-rrufetë, instrument antiburokratik dhe anti-autoritar, të cilat do të zëvendësonin “gazetat e murit aktuale dhe shumë qesharake”; prandaj edhe shkronjat e mëdha, me të cilat mishërohej me shkrim zëri i masës, do t’u kundërviheshin shkresave të imta të burokratëve dhe, pse jo, intelektualëve. Kursivit të diskursit intelektual do t’ia linte kështu përfundimisht vendin shqipja e re, në formacion ushtarak, e shkronjave të mëdha dhe vijave të hekurosura.

Në vetvete, shkronjat e mëdha nuk e identifikojnë dot burimin e ligjëratës: me to përçohej fjala e regjimit drejtuar masave, sikurse shkruhej fjala e masave, drejtuar udhëheqësit; duke qëndruar kështu në mes, dhe duke përkufizuar më shumë llojin e diskursit (tipologjinë), sesa subjektet ndërfolëse dhe marrëdhëniet mes tyre. Shqipja e shkruar në publik me shkronja të mëdha do të shprehte kështu mendësinë e re, revolucionare, të masave; mendësi që, nga ana vet, do të paraqitej si nyjëtimi, në nivelin popullor elementar, i vullnetit absolut të leaderit totalitar.

Totalitarët fashistë shkruan qytete; kolegët e tyre komunistë u kundërpërgjigjën duke shkruar peizazh – të dyja palët vetëm për mungesë ambicieje nuk i qorton dot.

Madhësia e kulluar, ose tejpërmasimi i shënjuesve i referohet pikërisht kësaj ambicieje, ose vullnetit për të realizuar diçka të jashtëzakonshme mbi dhé.

E megjithatë, tundimi për të shkruar në natyrë përfaqëson një shkallë të mëtejshme të manisë për t’u shprehur nëpërmjet gjeoglifesh, ose mesazhesh të lexueshme nga lart ose, së paku, vetëm nga larg. Njëzet-e-pesa me shifra romake në faqen e kaltër të Dajtit ishte veç një nga materializimet e shumta të kësaj manie; ose të paktën provë se edhe natyra mund të vihej në shërbim të propagandës.

[vijon]

Klikoni këtu për një PDF të esesë në versionin e plotë.

(c) Peizazhe të Fjalës, 2015. Ndalohet çdo lloj riprodhimi, pa lejen eksplicite të autorit.

Pa Komente

  1. Mbyllja e kësaj pjese, sidomos, më kujtoi panoptikonin e Bentham-it, por në Tiranën totalitare, gjithëparësi nuk është në qendër, por në periferi e në majë, si syri mbi piramidë (tjetër arkitekturë moniste), dhe mbi të gjitha merr formë të shkruar, dmth prezencë e shkruar, që tradicionalisht, prezenca lidhet me fjalën e thënë, dhe mungesa me të shkruarën. Pa “telos”, ky koment, Xha Xha. Në intermezzo, mes kësaj dhe pjesës së ardhshme, disa mendime në bluajtje e sipër rreth natyrës së disiplinimit iluminist dhe atij totalitar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin