SHAHU NË PALERMO

Po e nis me një histori pak të njohur.

Edhe pse me prejardhje nga periudha e Rilindjes Europiane, mbrojtja siciliane (1.e2-e4 c7-c5) është një nga hapjet më popullore në shah – dhe gjithsesi nga mënyrat më të preferuara për t’iu përgjigjur lëvizjes së parë e2-e4 nga i bardhi.

Natyrisht, nuk mjafton që lëvizjes e2-e4 të së bardhit i ziu t’i përgjigjet duke shtyrë dy kuti përpara ushtarin c; meqë mbrojtja siciliane kërkon edhe lëvizje të tjera dhe, në përgjithësi, konsiston në disa konfiguracione tipike që arrihen në fushën e lojës dhe në disa strategji të caktuara që lidhen me to.

Siç mund të merret me mend, shahistët në Republikën e Sicilisë, për arsye edhe thjesht patriotike, tradicionalisht i kushtonin vëmendje të veçantë kësaj hapjeje.

Sicilian

Pozicioni fillestar i mbrojtjes siciliane

Me kalimin e viteve, shumë shahistë që luanin me gurët e zinj e përqafuan Sicilianen si të vetmen mënyrë, me të cilën mund t’i përgjigjesh lëvizjes fillestare e2-e4 nga i bardhi; ndërsa ata kolegë të tyre që ende përdorin hapje të tjera, filluan të shihen shtrembër.

Propozimi i bërë nga Federata Siciliane e Shahut, që në lojërat e kampionatit kombëtar të Sicilisë të përdorej vetëm mbrojtja siciliane u miratua në ligj, me aklamacion, nga parlamenti i republikës.

Që të zbatohej ligji, duhej edhe bashkëpunimi i lojtarëve me gurët e bardhë – meqë siciliania kërkon që edhe i bardhi ta fillojë lojën duke shtyrë përpara dy kuti ushtarin e mbretit (e2-e4).

Kësisoj, pas pak vitesh, opinioni publik dhe shoqëria civile në Sicili filluan të prisnin që çdo lojë shahu në ishull të fillonte me lëvizjen e2-e4, meqë vetëm kjo lëvizje do t’ia mundësonte të ziut që të përgjigjej c7-c5 dhe ashtu loja të kalonte në mbrojtjen siciliane.

Nuk vonoi dhe Federata Siciliane e Shahut u kërkoi mjeshtërve sicilianë që në çdo turne ndërkombëtar, ku ata paraqiteshin me flamurin e republikës, të përdornin sicilianen sa herë që mundeshin; ose kur u rastiste të luanin me gurët e zinj dhe kundërshtari e fillonte lojën me e2-e4.

Tash e tutje çdo përgjigje tjetër, ose çdo shmangie nga siciliania në rrethanat kur siciliania ishte një nga opsionet, do të konsiderohej e papranueshme dhe antikombëtare.

Në këtë kohë filluan të shprehen haptazi në publik edhe pikëpamjet e disa teoricienëve sicilianë të shahut, sipas të cilëve hapje të përdorura rëndom, si gambiti i damës ose mbrojtja Karo-Kann, ishin në thelb anti-shah, sepse – ndryshe nga mbrojtja siciliane – krijonin pozicione artificiale në fushë, ku shahistët pengoheshin që ta shprehnin potencialin e tyre shpirtëror dhe intelektual.

Veçanërisht të ashpër u treguan këta teoricienë me hapjen Ruy Lopez të njohur ndryshe edhe si spanjolle (1.e2-e4 e7-e5; 2. Kg1-f3 Kb8-c6; 3. Ff1-b5…) dhe me mbrojtjen sllave (1.d2-d4 d7-d5; 2. c2-c4 c7-c6); çka mund, por mund edhe të mos kish lidhje me faktin që Sicilia kish qenë në luftë për një kohë të gjatë edhe me Republikën e Spanjës, edhe me Republikën Sllave.

Pati edhe zëra kritikë ndaj këtyre teorive: disa mjeshtër të shkollës së vjetër u ankuan se brezi i ri i shahistëve sicilianë, të mësuar që të luanin ekskluzivisht mbrojtjen siciliane në ishull, nuk po konkurronin dot mirë në turnetë ndërkombëtare, ku luheshin rëndom hapje të tjera. Këto zëra nuk preknin thelbin e teorive të mësipërme, por vetëm ndaleshin në efektet praktike të tyre.

Por kjo ndodh, u shpjegua me durim nga Federata Siciliane e Shahut, ngaqë ne nuk kemi arritur ende të bindim botën që mbrojtja siciliane është e vetmja hapje e mundshme e cila i përgjigjet natyrës dinamike të shahut modern.

Nuk është rastësi, thanë ata të Federatës, që mbrojtja në fjalë, shprehje e gjallë e shahut romantik dhe pasionant, ka marrë pikërisht emrin e nderuar të ishullit tonë.

Në fakt, disa historianë të shahut nga universiteti i Palermos, duke qëmtuar në arkivat sekrete të Vatikanit, thanë se kishin zbuluar atje që edhe vetë loja e shahut, ashtu siç luhet sot, ishte shpikur në Sicili dhe që andej ishte përhapur pastaj në botën mbarë.

Edhe gjuhëtari i madh sicilian Pietro Corleone vërejti, me këtë rast, se nga sicilishtja, fjala scacchi kish kaluar në gjuhë të tjera të lashta të botës, përfshi këtu persishten shah dhe shqipen shah.

Kësaj periudhe të ndërmjetme i përket edhe ashpërsimi i qëndrimit ndaj atyre shahistëve sicilianë të cilët kishin vazhduar të përdornin, në turne ndërkombëtarë, hapje të ndryshme nga mbrojtja siciliane edhe në ato pozicione kur i kishin mundësitë për të ndjekur lëvizjet karakteristike të kësaj hapjeje.

Dhe pikërisht: (1) Të gjithë ata shahistë që paraqiteshin me flamurin e Sicilisë, por që, duke luajtur me gurët e bardhë, i kishin nisur lojërat me një lëvizje të ndryshme nga 1.e2-e4 (duke u hequr kështu edhe mundësinë teorike kundërshtarëve që të përgjigjeshin me c7-c5 dhe të kalonin kështu në mbrojtjen siciliane); (2) Të gjithë ata shahistë që paraqiteshin me flamurin e Sicilisë, por që, duke luajtur me gurët e zinj dhe kur kundërshtari e kish nisur lojën me 1. e2-e4, kishin parapëlqyer të përgjigjeshin me një lëvizje të ndryshme nga 1. … c7-c5.

Kjo fushatë më shumë bindëse se detyruese, u kurorëzua me përjashtimin nga radhët e Federatës Siciliane të Shahut të mjeshtërve të mëdhenj ndërkombëtarë, përkatësisht Pietro Musacchio dhe Pietro Chiappa; meqë të dy kishin refuzuar “kategorikisht dhe sistematikisht”, siç u vërejt në deklaratën e Federatës, për t’i nisur lojërat e tyre si të bardhë me lëvizjen 1.e2-e4.

Pasi u qetësuan ujërat, pjesëmarrësit në kampionatin kombëtar të shahut në Palermo u njohën me një realitet të ri: fushat e lojës, para fillimit të ndeshjeve, ishin rregulluar paraprakisht në mënyrë të tillë që ta përmbanin tashmë pozicionin karakteristik të mbrojtjes siciliane, ashtu që çdo lojë tash e tutje të fillonte me lëvizjen e dytë.

Njëkohësisht me këtë zhvillim, Federata Siciliane e Shahut i dërgoi një letër FIDE-s, për t’i propozuar që lojtarëve me gurët e zinj, në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare, t’u kërkohej luanin hapje karakteristike kombëtare: rusët mbrojtjen ruse, spanjollët hapjen Ruy Lopez ose spanjolle, austriakët hapjen vjeneze, francezët mbrojtjen franceze, skandinavët mbrojtjen skandinave e kështu me radhë; kjo do të kompensonte edhe për atë pak avantazh teorik që ka i bardhi, ngaqë lëviz i pari, në çdo lojë shahu.

Nëse do të miratohej, një masë e tillë tematike do të kërkonte, megjithatë, bashkëpunimin e të bardhit.

FIDE e konsideroi këtë kërkesë të papranueshme; madje u kërkoi autoriteteve siciliane të shahut që të lejonin shahistët në Sicili të përdornin edhe hapje të tjera veç asaj sicilianes përndryshe…

Përndryshe, erdhën punët që Federata Siciliane e Shahut u tërhoq nga pjesëmarrja në FIDE dhe që nga ajo kohë Sicilia nuk u përfaqësua më në veprimtaritë shahistike ndërkombëtare.

Pa çka se shahu, në versionin kombëtar sicilian, ishte futur tashmë si lëndë në shkollat e ishullit; dhe në katedrën e Mbrojtjes Siciliane, në Universitetin e Palermos, vijonin të mbroheshin doktoratura ku arsyetoheshin epërsitë e hapjes në fjalë në krahasim me të tjerat dhe paraqitej i vetmi version “shkencor” i historisë së shahut.

Ashtu edhe parlamenti i Sicilisë vendosi që pozicioni karakteristik i sicilianes të integrohej në flamurin kombëtar të Republikës.

Që nga ajo kohë, të shpreheshe në favor të sicilianes filloi të konsiderohej jo vetëm si formë patriotizmi, por edhe si një mënyrë legjitime, për çdo banor të ishullit, për të përjetuar përkatësinë e vet kombëtare.

Qeveria në Palermo nuk e lejon më tashmë hyrjen e literaturës shahistike në ishull, si dhe ka bllokuar aksesin në të gjitha sajtet shahistike online; teksa sicilianëve nuk u lejohet më të ndjekin zhvillimet në shahun ndërkombëtar, madje as në ato raste kur mbrojtja siciliane ende praktikohet edhe “përtej detit.”

Dijetarët e teorisë së shahut në Palermo, Catania dhe Agrigento kanë konkluduar se, edhe në ato raste kur shahistë jo-sicilianë zgjedhin të luajnë mbrojtjen siciliane, ata nuk arrijnë të interpretojnë drejt filozofinë e kësaj hapjeje; dhe prandaj, çdo lojë e luajtur në këtë mënyrë, nga të huajt, synon të cenojë natyrën e vërtetë “heroike” të mbrojtjes në fjalë, duke futur aty elemente të dekadentizmit shahistik, përfshi këtu edhe prirjen për pasivitet, lojë të theksuar pozicionale dhe barazime të shpejta.

Vetëm një shahist që ka gjak sicilian në deje, theksojnë këta dijetarë, mund ta interpretojë drejt mbrojtjen siciliane në lojë e sipër.

Nuk është rastësi, arsyetojnë ata më tej, që kjo hapje shahu u quajt “mbrojtje siciliane” në vazhdën e përpjekjeve heroike të popullit sicilian për t’u mbrojtur ndaj pushtimeve të huaja gjatë shekujve.

Mbrojtja siciliane është kështu pjesë e kodit gjenetik të kulturës siciliane, e trashëguar në shekuj dhe bartëse e virtyteve të lashta të trimërisë, dashurisë për liri dhe shpirtit luftarak të banorëve autoktonë të ishullit.

Në këtë mes, erdhi dhe u harrua fakti që bëhej fjalë, tek e fundit, për një lojë; në kuptimin që nxënësit në shkollë vazhduan të mësojnë mekanikisht rregullat e shahut dhe pozicionet dhe të zgjidhnin problemet në tekstet – por pastaj nuk luajtën më shah, as në shkollë dhe as më tej në jetë.

Vetë kampionati kombëtar i shahut, dikur farkë e palestër kampionësh e mjeshtrish të mëdhenj kontinentalë e më tej, tashmë erdhi e u shndërrua në një ceremoni, ku përfaqësues të krahinave të ndryshme të ishullit, në kostume shahistike kombëtare, kryenin lëvizje rituale në një fushë shahu gjigante, në Piazza Indipendenza, në Palermo, me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta të ishullit dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe minoriteteve etnike.

Sot është vështirë të gjesh një sicilian, nën moshën 30 vjeç, që të shpjegojë se çfarë është ai vizatim me kuti në flamurin kombëtar të Republikës. Shumë syresh të thonë se bëhet fjalë për paraqitjen e stilizuar të një beteje të lashtë, ku populli sicilian doli fitimtar ndaj pushtuesit saraçen të ardhur prej detit.

Megjithatë, në hyrje të Akademisë Shahistike në Palermo, vizitori ende mund të lexojë, të gdhendur në mermer, mbishkrimin e mëposhtëm:

Scacchi è nu jocu di tàulu di cchiù diffusi e famusi du munnu. Si joca ‘n capu na scacchera fatta d’ottu quatrati pi latu, artirnati janchi e nìuri, ogni jucaturi havi a dispusizzioni sìdici pupi, un jucaturi l’havi janchi e l’àutru nìuri.

Thashë që po e nis me një histori, por tani që historia mbaroi nuk kam ç’të shtoj më.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin