Sapo kishim mbaruar shkollën e mesme – “Sami Frashërin” në Tiranë – kur në vjeshtë të vitit 1977 na çuan për një vit punë të detyruar, ose stazh në prodhim, siç e quanin atëherë, në Fabrikën e Tullave në Vorë, gjysmë orë larg Tiranës. Tre prej nesh u caktuan të punonin në repartin e remontit, si ndihmës-mekanikë; sentencë zemërgjerë, krahasuar me ç’pësuan të tjerët.
Por edhe si ndihmës-mekanikë të remontit nuk ia thoshim shumë, pse nuk shquheshim për ekspertizë, as për fuqi fizike (përdorim të varesë); askush nuk kish idenë më të vogël se ç’të bënte me ne.
Si edhe herë të tjera, ia behu në ndihmë ideologjia. Godinës kryesore të fabrikës, disakatëshe, i munguakësh zbukurimi ose dekori politik – asnjë flamur as banderolë as citat zotues për bé; prandaj na dhanë detyrën që të përgatitnim një mbishkrim me shkronja të mëdha llamarine, të larta gati 1.5 m, të cilin do ta vendosnim pastaj në buzë të tarracës, që të shihej nga larg, nga sa më larg, për t’ia zbardhur faqen fabrikës. Mbishkrimi do të lexonte: RROFTË SHOKU ENVER HOXHA.
Iu futëm punës me zell; tek e fundit, ndryshe nga çmontimi i ingranazheve të rënda të reduktorëve dhe pastrimi i mullinjve blojtës të qymyrit, puna e re diç kish të bënte me të shkruarit, veprimtari në thelb mendore, pothuajse intelektuale. Pa çka se të shkruash fjalë të holla në letër është një gjë, dhe të konturosh e pastaj të presësh, me gjithfarë mjetesh të forta, shkronja të mëdha llamarine, është gjë tjetër. Në mediumin metalik, shkronjat merrnin konsistencë tjetër, i rezistonin dorës, herë duke u ngurtësuar, si T-të dhe H-të; herë tjetër duke u spërdredhur, si R-të dhe S-të.
Shkronjat më parë i vizatuam, pastaj i premë; dhe pasi i premë i lyem vetëkuptimisht me bojë të kuqe – duke qenë e kuqja ngjyrë zyrtare e propagandës së regjimit. Më në fund, na dërguan nga poshtë një saldator, proletar prej vërteti, për të na ndihmuar t’i ngjitnim të gjitha, sipas radhës, në buzë të tarracës – nga ku edhe e hodhën vështrimin e tyre pushtues mbi hapësirën poshtë.
Mbishkrimi u rezistoi kohërave dhe elementeve, duke qëndruar mbi atë ndërtesë shumë vjet. Sa herë që më qëllonte të kaloja me makinë afër fabrikës, që gjendej mu buzë rrugës për në Rinas, më përshëndeste, për të më kujtuar se, edhe pse shkrimtar nuk po bëhesha dot, së paku ia kisha hapur vendin vetes në botë si shkrues; më ngjallte krenari, ndonëse kjo s’ishte nga ato lloj krenarish që mund t’i ndaje lehtë me të tjerët; aq më tepër që asgjë timen specifike nuk kishte aty, në atë parullë mes parullash, shëmbëllim standard i makijazhit standard të fasadave shqiptare; e aq më e vërtetë u bë kjo, pasi Enver Hoxha vetë vdiq, pavarësisht nga vullneti i urimeve për jetë të gjatë që unë, ne, ju, ata, ato kishim shkruar e llangosur e gdhendur anembanë vendit.
Kush nuk e mban mend Shqipërinë e para 1990-ës, pse tepër i ri në moshë ose ngaqë përkundrazi e ka lënë kujtesa pse tepër i vjetër, nuk e ka të lehtë të rindërtojë, në përfytyrim, mjediset publike ku asnjëherë nuk mungonin mesazhet me natyrë politike dhe ideologjike – që nga pasthirrmat dhe urimet, si ai që shkruam ne me llamarinë, në tarracën e fabrikës buzë rrugës; deri te zotimet e citatet gjithfarësh, që i gjeje deri edhe anës pistës së vrapimit e mes tifozëve, në stadium.
Vendin atyre mbishkrimeve sot ia kanë zënë reklamat e rëndomta për ujë mineral dhe këpucë atletike; nëse dje përpjekja synonte mendjen, sot i drejtohet dëshirës dhe xhepit. Në të dy rastet, pllakatet e mëdha, me shkronja dhe figura, u flasin të panjohurve dhe kërkojnë t’i bëjnë të ndihen pjesë e diçkaje më të madhe, e një komuniteti kushedi të lakmuar, ose më cilësor; komunitet që dje mobilizohej për të vënë në jetë vendimet “historike” të këtij apo atij Kongresi të Partisë së Punës; ndërsa sot kërkon të hedhë në dorë sa më shpejt një iPhone ose një biletë avioni për të kaluar pushimet në Sharm el Sheikh.
Kaq të pranishme ishin, para 1990-ës, këto parulla e citate, në fasada pallatesh, në tarraca institucionesh, në banderola të varura pezull mbi rrugët kryesore e në mure gjithfarësh, sa kishin përfunduar në shenja dalluese, identifikuese të hapësirës publike (ngaqë edhe në shtëpi nuk i afishonte kush). Ishin mesazhe që banonin lartësinë si shpezët e që nuk dihej me saktësi prej kujt vinin madje as kujt i drejtoheshin; herë konstatime, herë zotime; herë urime, herë përgjërime; herë kërcënime, herë përshkrime. Në raste festash, mesazhet shumoheshin, si për ta bërë hapësirën publike të gumëzhinte me entuziazëm; dhe kur vinte koha e paradës, zakonisht në 1 maj, turma do t’ia ofronte udhëheqjes në tribunë, duke i mbajtur shkronjat në krahë.
Më i thjeshti nga këto mesazhe, dhe njëkohësisht më enigmatiku, ishte dyfjalëshi PARTI ENVER, që e gjeje kudo – pa çka se nuk tingëllonte as si urim, as si dëshirë, as si përshkrim, as si konstatim; por më tepër si shenjë e marrjes në zotërim të territorit, nga ky çift hyjnor ose anasjelltas, si provë e përkushtimit total të hapësirës, ndaj pushtetit të tyre. Në mënyrën e vet, ai rimerrte mbishkrimin DUX, që e ndeshnim në filmat italianë dhe në librat e historisë; edhe ky njëlloj hermetik, i zhveshur nga çdo forcë predikative; dhe bash për këtë arsye, bartës ideal i së mundshmes.
Të gjithë ne, që jetonim mes këtyre fjalëve, ishim mësuar të mos i vinim re; t’i shpërfillnim, me një gjest jo aq proteste dhe refuzimi, sa indiference; sa kohë që edhe e pranonim se hapësira e sunduar prej tyre nuk na përkiste. Përkundrazi, mungesa e tyre shqetësonte; sepse ishte mungesa që mund të binte në sy, të interpretohej si rebelim dhe të ndëshkohej. Sikur të mundej, regjimi do ta kish mbushur mbarë fytyrën e territorit me tatuazhe të tilla, të cilat më shumë i flisnin njëra-tjetrës.
Që të funksiononte mirë, të pritej me ngazëllim dhe të shoqërohej me përgëzimet përkatëse prej autoriteteve, parulla politike duhej të ishte e madhe dhe e vendosur lart; mundësisht gjigante; jo vetëm për të shënjuar, konotativisht, madhështinë dhe lartësinë e idesë që përçonte ose të dëshirës që shprehte, por edhe për të dëshmuar mundin fizik dhe sakrificën e atyre që e kishin shkruar; dhe e mundit të atyre të tjerëve që, sipas rastit, e kishin ngritur në një fasadë pallati, ose e kishin mbërthyer në ballkone, kolona ndërtesash e institucionesh, ose skela për t’u mbajtur në parakalim ditën e paradës.
Madhësia i shërbente edhe virtytit të mesazheve të tilla për t’u lexuar nga larg, ose për t’u përcjellë në hapësirë, si të ishin valë radioje. Në një kohë kur ekranet e mëdha elektronike nuk ishin shpikur ende, parullat e varura në ndërtesat më të larta të qytetit funksiononin edhe si njoftime publike, ose burime “të rejash” monotone, për njerëz që ndërtonin socializmin e forcat e veta, ose i uronin lavdi marksizëm-leninizmit. Ishin grimca të një diskursi pothuajse fetar, që nuk kishin nevojë për subjekte thëniezimi, për të qarkulluar në shoqëri; të shkëputura nga thënësit e tyre dhe të adresuarit, e çonin jetën e tyre komunikative duke u kapur pas kujtdo që i lexonte.
Njëlloj si altoparlantët e vendosur në sheshet dhe antenat e radiostacioneve, edhe këto mesazhe me të cilat na fliste regjimi na vështronin të gjithëve nga lart.
[vijon]
Klikoni këtu për një PDF të esesë në versionin e plotë.
Shënim: Këtë ese të gjatë ma patën kërkuar në 2013, për një botim të posaçëm të Tirana Institute of Contemporary Art, i cili pastaj dështoi (siç dështojnë rëndom ose mbeten në gjysmë të rrugës projekte të tilla pompoze). Tani që videoja e Armando Lulajt, mbi të cilën ndërtohet eseja ime, është integruar në trilogjinë me të cilën ky artist përfaqësohet në Bienalen e Venezia-s, mendova që t’ia sjell veprën time lexuesit të Peizazheve të Fjalës pjesë-pjesë, që të mos më shkojë puna dhe përkushtimi dëm, por edhe për hir të perspektivës semiologjike që kam zgjedhur për analizën.
(c) Peizazhe të Fjalës, 2015. Ndalohet çdo lloj riprodhimi, pa lejen eksplicite të autorit.