Gazmend Butka, autori i panjohur, me të cilin u njohëm përpara disa javësh, dërgoi në agjencinë tonë mediatike një dokument të fshehtë të Shërbimit Informativ të Shtetit mbi organizatën “Matroshka”. Në këtë dokument është një udhëzim i SHISH për themelimin dhe organizimin e një organizate të fshehtë në vitin 2010.
Kujtdo që i kanë lënë mbresa zhvillimet e fundit me ish-eksponentë të rëndësishëm të krimit të organizuar, sot politikanë, e gjen përgjigjen në këtë dokument. Përgjegjësia për interpretimin e ngjarjeve është e medias. Çdo ngjarje apo personazh i përmendur që ka ngjashmëri me ngjarje apo individë realë nuk është rastësi.
Ky udhëzim publikohet për herë të parë, pa pretenduar se kemi të drejta të autorit dhe pa vendosur “watermark”, sepse këto të drejta i ka institucioni shtetëror që e ka lëshuar këtë dokument.
Në faqen e fundit të udhëzimit vendosen disa kritere për “asgjësimin” e bashkëpunëtorëve sipas kodeve procedurale “Mumja”, “Adams” dhe “Hiroshima”. Për hir të kureshtjes së publikut, ne i kërkuam SHISH të na sqarojë në lidhje me vërtetësinë e dokumentit dhe interpretimin e kodeve. SHISH nuk komentoi mbi vërtetësinë, por refuzoi shprehimisht të interpretonte kodet me arsyen se këto ishin procedura të klasifikuara. Pyetjes sonë nëse fjala “asgjësim” nënkuptonte eliminimin fizik të individëve, SHISH nuk iu përgjigj.
Një deputet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, i cili dëshironte të qëndronte anonim, u shpreh se “si Kryetar i Komisionit nuk mund ti përgjigjem pyetjeve të tilla, por si anonim po ju zbuloj faktin se asgjësimi është fizik, ndërsa kodet përmbajnë procedura të eliminimit.” Ai refuzoi të komentojë mbi kodet dhe u shpreh se hollësi nuk dinte, por ai ftoi gazetën tonë të ishin të pranishëm në konferencën e shtypit të javës së ardhshme, ku ai do të zbulonte përfshirjen e një institucioni shtetëror në përgjimin e kryetarit të opozitës në vitin 1996, si edhe të gjithë emrat e përfshirë në këtë sipërmarrje të paligjshme.
Gazeta iu drejtua një eksperti të fushës në çështjes e sigurisë kombëtare, z. Kastrat Moftari, i cili kishte ndjekur një kurs specializimi disa ditor në një konferencë për sigurinë rajonale pranë Akademisë së Mbrotjes së Botsvanas. Sipas ekspertit, kodi “Mumja 4.43” pas atij 3.34 ishte procedura më aktuale për zhdukjen e një individi të vetëm nëpërmjet mumifikimit, murosjes, betonimit, djegies në impiantet e plehrave apo grirjen në guroren në hyrje të Laçit.
Gurorja në hyrje të Laçit, sipas ekspertit, ishte një sipërmarrje private por që kryente edhe shërbime publike me prokurim të drejtpërdrejtë. Në database të prokurimeve publike gazetarët tanë investigues nxorën se SHISH kishte prokuruar shërbime nga kjo firmë mbi 10 herë brenda vitit 2012, dhe mesatarisht 25.2 here në vit ne harkun kohor e 10 vjetëve. Kërkesës sonë për informacion në lidhje me këto shërbime, SHISH iu përgjigj se firma ishte pajtuar për të ndërtuar murin e pasmë dhe rikonstruktuar tunelet e arkivës. Vëzhgimet e gazetarëve tanë në terren i verifikuan ndërtimet, por ata nuk gjetën lidhjen ndërmjet gurores dhe ndërtuesve.
Hulumtimet e gazetarëve tanë në industritë e tjera të përfshira, si ajo e betonit në Fushë-Krujë apo e impiantit të plehrave industriale në Shkodër, nuk nxorën asnjë rezultat. Edhe pse ndërmarrjet ishin atje prej vitesh, sikur konfirmohet nga imazhet e Google Earth dhe nga intervistat me banorët përreth, në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve nuk kishte asnjë dokument që dëshmonte për ekzistencën e tyre, as pranë Ministrisë së Mjedisit që licencon veprimtari të tilla me lejen e mjedisit. Sidoqoftë, vetëm nga një vëzhgim disa mujor i gazetarëve tanë pranë këtyre dy firmave u numëruan mesatarisht 3 deri në 4 kamionë që hynin e dilnin nga mjediset e ndërmarrjeve. Ndërmarrja e betonit në Fushë-Krujë, e cila sipas disa punëtorëve prodhon edhe dinamit për guroret e Beratit dhe Skraparit, kishte rritur madje prodhimin në këta muaj. Një punëtor, që nuk donte të përmendej me emër, u ankua se prej muajsh punonin 4-6 orë më shumë, e madje u duhet të vinin në punë kur porositë ishin urgjente.
Sipas ekspertit z. Kastrat, kodi “Adams” përshin procedura të zhdukjes së disa individëve, nga një familje bashkëpunëtorësh, apo të një organizate në rast të infiltrimit nga shërbime të huaja apo private. Ndërsa kodi “Hiroshima” mund të përshijë edhe zhdukjen e një rezidence apo të një organizate njëherazi. Këto kode simbolizojnë zhdukjen nga kujtesa institucionale të çdo gjurme, si edhe eliminimin e individëve me mjete të asgjësimit masiv: tritol, raketa tokë-ajër, helmime kolektive pa konsideruar numrin e personave të papërfshirë, përdorimin e helmeve radioaktive si Polonium etj. Prandaj edhe shteti e ka kontrolluar me ligj përdorimin e tyre.
Secili kod ka numër të veçantë që tregon sa aktual është në përdorimin e teknologjisë më të fundit, por edhe sa human është në përmasat e përfshirjes se civilëve. Kodi “Hiroshima 1.12”, sipas ekspertit, është përdorur në 1996 ndaj organizatës “Vendeta për Arbërinë”, e ndërsa “Adams 2.34” për familjen e Kalajve në Tropojë.
Hulumtimet tona mbi natyrën e organizatës dhe qëllimin e saj nuk nxorën asgjë në dritë. Si eksperti ynë, edhe deputeti anonim i Komisionit të Sigurisë, nuk pranuan të prononcoheshin për këtë organizatë. Roja e SHISH na zboi nga ndërtesa sapo e përmendëm. Vëzhgimet në terren nuk sollën asgjë. Asnjë prej të intervistuarve në qendrën e Tiranës dhe afër Pallatit të Kulturës nuk dinte gjë. As rojet e stadiumit Qemal Stafa, apo ish-truprojat e deputetëve T. D. dhe M. F.
Por, ne nuk e pranuam dështimin. Prandaj po informojmë publikun e nderuar se kjo organizatë përbën një kërcënim për rendin kushtetues dhe sigurinë e jetës së deputetëve. Nuk kemi arsye të besojmë se ajo rrezikon jetën e qytetarëve, por kemi arsye të besojmë e ajo është e fshehtë dhe duhet zbuluar. Është qëllimi i gazetës sonë ta zbulojmë. Disa gazeta do të shkruajnë për këtë organizatë, por mos harroni se ne kemi shkruar të parët. Na ndiqni!