Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Totalitarizëm

GJUHA DHE HEQJA E LIRISË

Pushteti politik, veçanërisht i mishëruar në format autoritare, ka një marrëdhënie të dyfishtë me fjalën e lirë: jo vetëm të ndalon të thuash atë që dëshiron ti, por edhe të detyron të thuash atë që dëshiron ai.

Në vështrim të parë, duket sikur këto nuk janë veçse dy forma të së njëjtës shtysë për koercion – meqë japin për rezultat, në të dy rastet, deformimin ose përkuljen e hapësirës së fjalës. Mirëpo ndalimi, si koercion negativ dhe detyrimi, si koercion pozitiv kanë ndryshim thelbësor mes tyre.

Mund të bëjmë krahasim me regjimin e heqjes së lirisë: në burgun A, të dënuarve thjesht ju mohohet e drejta për të lëvizur; në burgun B, ata detyrohen edhe të punojnë, p.sh. në minierë.

Njëlloj edhe me lirinë e fjalës publike: qytetarët të cilëve veç u mohohet kjo liri okupojnë nivelet më të ulëta të hierarkisë sociale; për të bërë përpara, nuk mjafton të mos thuash atë që nuk i pëlqen pushtetit, por duhet të thuash atë që i pëlqen pushtetit.

Kështu, në totalitarizëm, pastruesja e një ministrie mund ta çojë jetën të qetë thjesht duke bërë kujdes me gojën; ndërsa ministrit i duhet të praktikojë, nga mëngjesi në darkë, gjuhën totalitare.

Detyrimi nuk ka lidhje thjesht me çfarë komunikohet nga gjuha – kjo do të kish qenë tepër e thjeshtë; por prek edhe mënyrën si artikulohet gjuha në publik.

Në vitet e regjimit totalitar në Shqipëri, shprehja “PPSh me shokun Enver Hoxha në krye” tingëllonte krejt ndryshe nga “PPSh nën drejtimin e sekretarit të parë Enver Hoxha” – edhe pse kuptimi i përçuar në thelb nuk ndryshon.

Praktikisht, qytetarëve u kërkohej që, kur flisnin në publik, të konformoheshin me disa intertekstualitete (klishe) të cilat të tregonin se këta e kishin përvetësuar “zhargonin” totalitar. Natyrisht, përmbajtja e këtyre klisheve nuk ngrinte peshë – ose nuk ngrinte aq peshë sa të qenët e tyre klishe, ose formula rituale të rimarra nga tekste të mëparshme. Sepse pikërisht aty e kishin vlerën, ose te virtyti i të mbijetuarit në kohë, që i kish ritualizuar gradualisht.

Ose, të marrim një shembull tjetër, togfjalëshin “materializmi dialektik dhe historik” – që nuk mund të shndërrohej në “materializmi historik dhe dialektik” pa u marrë seriozisht në pyetje folësi, se “për ç’arsye e kish shtrembëruar këtë.” Natyrisht, edhe materializmi dialektik dhe materializmi historik janë dy aspekte legjitime të filozofisë marksiste, por renditja e paracaktuar e mbiemrave nuk ka të bëjë me filozofinë, as me inercinë diskursive – pse aty shprehet koercioni, ose marrëdhëniet që vendos pushteti me ty folësin.

(Të gjithëve na kujtohet edhe si, në përrallat, një formulë magjike duhet shqiptuar ekzaktësisht, për të pasur sukses.)

Pushteti sidomos ai autoritar e deformon hapësirën diskursive duke e përkulur, në kuptimin relativist; ose siç përkul një trup qiellor masiv p.sh. Jupiteri hapësirën rreth vetes duke krijuar një të thelluar gravitacionale. Idealisht, kjo përkulje do ta bënte edhe objektivisht lirinë e fjalës të pamundur: një nga konfirmimet e para të relativitetit einstein-ian ishte vrojtimi i përkuljes së rrezeve të dritës, kur këto kalojnë afër një ylli.

Stereotipizimi diskursiv shpjegon edhe konfliktin – mjaft të pranishëm në tryezat e redaksive të gazetave atë kohë – midis këtyre dy shprehjeve: “me forcat e veta” dhe “me forcat tona”; ata që kërkonin të ishin ideologjikisht korrektë, anonin për nga shprehja e parë, pa çka ajo gramatikisht e kërkonte foljen në vetën e tretë; atë që thoshin “me forcat tona” ishin të detyruar ose të mbeteshin rob të vetës së parë, ose të shkelnin edhe ata rregullat elementare të gramatikës, për të qenë në rregull me gramatikën e pushtetit. Çfarë e shkaktonte këtë përplasje, ishte nevoja për ta mënjanuar ndryshueshmërinë e pronorit, në mënyrë që shprehja të ngurtësohej edhe leksikisht; dhe “me forcat e veta” duket se i përshtatej më mirë kontekstit. Prandaj “Ne e ndërtojmë socializmin me forcat e veta” ishte gramatikisht jokorrekte, por retorikisht korrekte; ose i bindej një gramatike të epërme.

Për rusishten e periudhës sovjetike, këtë dukuri e ka përshkruar mirë Alexei Yurchak.

Ky pllakat që nuk do të ishte realizuar dot kurrë në Shqipërinë totalitare. Gramatika diskursive e totalitarishtes nuk e lejonte që Enveri të rreshtohej përkrah klasikëve.

Edhe një shembull që i kapërcen kufijtë e gjuhës: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, ose “katër klasikët”. Këta pushteti i konsideronte si filozofë të rëndësishëm, pa çka se kjo sot mund të diskutohet. Por unë dua të tërheq vëmendjen te renditja e tyre fikse – e cila nuk është vetëm kronologjike, por shpreh mes të tjerash edhe një marrëdhënie filiacioni. Dhe nëse dikush guxon ta prishë këtë renditje dhe të thotë “Stalini, Engelsi, Marksi dhe Lenini” atëherë kjo menjëherë do të interpretohet si kundërvënie ndaj rendit politik dhe ideologjik.

Kishte, pra, një formë “të mbarë” të të shprehurit në publik, një gramatikë si disiplinim të marrëdhënieve të individit folës me pushtetin, të cilën regjimi nuk e impononte drejtpërdrejt, por nëpërmjet stereotipizimit dhe retorikës – ndryshe nga ndalimi eksplicit i lirisë së fjalës ose i diskursit subversiv, dallim i cili mund të shoqërohej edhe me masa penguese policore.

Detyrimi pozitiv, ose shtrëngimi për t’u shprehur në publik në mënyrë “të miratuar” nga pushteti, vjen nëpërmjet vetë gjuhës.

Në leksionin e tij përurimor (leçon inaugurale), mbajtur me rastin e emërimit profesor në Collège de France, në 7 janar 1977 (i cili mund të dëgjohet këtu), Roland Barthes skandalizoi duke thënë:

“Gjuha, si manifestim i një sistemi komunikues, nuk është as reaksionare as progresiste, por thjesht fashiste; sepse fashizmi nuk është moslejim i fjalës, por detyrim për të folur.”

(La langue, comme performance de tout langage, n’est ni réactionnaire, ni progressiste ; elle est tout simplement : fasciste ; car le fascisme, ce n’est pas d’empêcher de dire, c’est d’obliger à dire.)

Pati intelektualë – deri edhe George Steiner – që e quajtën Barthes-in “kloun”, ngaqë e karakterizoi gjuhën kështu; por kritiku frëng vetëm sa po çonte deri në ekstrem një tezë të njohur, në linguistikë, të Roman Jakobson-it: gjuhët nuk dallojnë mes tyre aq nga çfarë të lejojnë të thuash, sesa nga çfarë të detyrojnë të thuash.

Kështu, në shqipe, unë nuk mund të përdor një emër, pa përcaktuar njëkohësisht gjininë e tij gramatikore – duke u detyruar, nga gjuha, ta trajtoj bukën si femërore, ndërsa djathin si mashkullor. Për të njëjtën arsye, do të them se bari është i gjelbër ndërsa jonxha e gjelbër – edhe pse, në këtë rast, dallimin midis i gjelbër/e gjelbër nuk do ta shpjegoja dot kurrë duke iu referuar barit ose jonxhës, si objekte jashtëgjuhësore.

Në të njëjtën mënyrë, jam përgjithësisht i detyruar që, kur e përdor një folje si kallzues në fjali, të përcaktoj edhe kohën se kur ndodh veprimi të cilit i referohet folja: në të tashmen, në të ardhmen ose në të shkuarën.

Nga ana tjetër, nëse më duhet t’i shpjegoj një anglezi ose një italiani dallimin midis nuk (nuk shkove) dhe mos (mos shko), do të detyrohem të mbaj një leksion të gjatë dhe të mërzitshëm për modalitetin e foljes; pa çka se, për mua si shqipfolës, interpretimin modalitetit ia bën gjuha vetë.

Ky është një farë detyrimi si të thuash naiv, që na vjen prej gjuhës; por që nuk kalon pa efekte edhe në sfera të tjera, p.sh. në simbolizëm ose në mitologji. Për shembull, në mitologjinë gjermanike, Hëna është burrë ndërsa Dielli grua: si në një përrallë të njohur bavareze, ku rrëfehet për Frau Sonne dhe Herr Mond. Kjo varet, natyrisht, nga gjinia gramatikore e këtyre dy fjalëve në gjermanisht.

Ky lloj koercioni i gjuhës, në nivelin më elementar, i shërben Barthes-it veç si shembull; meqë atij i intereson gjuha në marrëdhënie me pushtetin. Ai përmend përsëritjen, si mishërim të “gregaritetit” – duke hequr një paralele midis stereotipisë gjuhësore dhe disiplinës “fashiste”; në kuptimin që çdo akt gjuhësor, në atë masë që i referohet asaj çka është thënë më parë, konfirmon vetvetiu “servilitetin.”

Që këtej teza e tij se mund ta arrijmë lirinë vetëm “jashtë gjuhës”; një pamundësi, sa kohë që “le langage humain est sans extérieur.”

Për implikimet filozofike të këtij provokimi të Barthes-it mund të diskutojmë sa të duam; por ndoshta ka më vlerë, në momentin e tanishëm, t’u hedhim një sy implikimeve politike.

Në fakt, pushteti i gjuhës mbi individin, dhe përdorimi i gjuhës nga ana e pushtetit si mjet për nënshtrimin e qytetarëve nuk është se morën fund me rrëzimin e totalitarizmit; përkundrazi, format e kolauduara mirë të ushtrimit të këtij pushteti u shfrytëzuan menjëherë nga të tjerët, për shkak të efektshmërisë së tyre ndaj qytetarëve të mësuar t’i nënshtrohen autoritetit diskursiv të parive.

Nga ana tjetër, diktatit të diskursit totalitar ne si individë mund t’i kundërviheshim, siç edhe iu kundërvumë, nëpërmjet një diskursi alternativ – atij liberal, për të drejtat e njeriut, lirinë, pluralizmin, demokracinë, etj.; madje jo vetëm iu kundërvumë, por edhe shpesh e ndërtuam identitetin tonë publik mu në hapësirën e kësaj kundërvënieje.

Jo duke përqafuar me çdo kusht filozofinë që përcjell dhe përfton diskursi liberal; por tek akti i përdorimit të këtij diskursi për t’iu kundërvënë hegjemonisë së diskursit totalitar.

Problemi që kemi sot, është se gjuha e pushtetit nuk është më pak “fashiste” se ajo e djeshmja; dhe pikërisht ngaqë vijon të na detyrojë të shprehemi në mënyra të caktuara.

Dhe na detyron jo në mënyrë të vetëdijshme, ose jo duke na tërhequr zinxhirin; por thjesht nëpërmjet mungesës së alternativave.

Le t’i kthehemi sërish shembujve klasikë, për koercionin e leksikut ose të gramatikës: kur shqipja na detyron të përcaktojmë gjininë e emrave (dhe më tej, p.sh. të përdorim dëftorin kjo kur kemi parasysh tavolinën ose shtëpinë; dhe dëftorin ky kur kemi parasysh traktorin, përdorime që përndryshe nuk kanë kuptim), e bën këtë duke na privuar nga alternativat.

Me fjalë të tjera, pas rënies së regjimeve totalitare në Lindje, diskursi liberal i çuar përpara nga Perëndimi mbeti pa alternativa; çka nuk do të thotë se nuk po lejohemi të formulojmë një kritikë të modelit Perëndimor të pushtetit politik (koercioni negativ); por thjesht se na mungon një diskurs me të cilën ta ndërmarrim këtë kritikë.

Triumfi i Perëndimit ndaj Lindjes, së paku në Europë, pati për efekt anësor katastrofik katandisjen e diskursit politik kritik në memecllëk, ose në një ga-ga-ga të çartikuluar.

Dhe kjo mungesë sot e bën diskursin Perëndimor më autoritar dhe më “fashist” (gjithnjë në kuptimin barthes-ian) se ç’ishte dje; meqë hapësira dialektike e konfrontimit diskursiv dhe e konfliktit, ku të ndërtohet vetëdija kritike individuale, nuk ekziston më.

Diskursi kombëtarist, që përpiqet ndonjëherë të imponohet si alternativë e atij liberal Perëndimor, jo vetëm ka një sferë më të ngushtë të zbatimit (p.sh. në vende dhe shoqëri ekonomikisht dhe kulturorisht të margjinalizuara), por edhe e përjashton, me përkufizim, individin – duke e parë detyrimisht si pjesë përbërëse të një komuniteti përfshirës.

Çka vlen, mutatis mutandis, edhe për diskursin multikulturalist.

Diskursi marksist, në format paleo ose edhe më të reja e të sofistikuara, përfshi edhe shartimet me psikanalizën, nuk mund të mbahet akoma në këmbë veçse si zombie – i pavdekshëm thjesht ngaqë i pavdekur (undead).

Pa shtuar pastaj këtu se, edhe kombëtarizmi, edhe multikulturalizmi edhe marksizmi janë, për nga natyra, diskurse autoritare – që e kërkojnë hegjemoninë edhe thjesht duke ia mbyllur gojën diskursit “kundra”.

Edhe kur jemi të pakënaqur, pra; edhe kur ndihemi të parealizuar; edhe kur e kuptojmë se po bëhet një padrejtësi, ndaj nesh ose të tjerëve, nuk arrijmë ta artikulojmë kundërvënien në mënyrë racionale, sepse na mungon një diskurs i përpunuar për këtë.

Barthes-i sugjeron se nga burgu i gjuhës mund të dalim veçse duke paguar çmimin e të pamundshmes, ose nëpërmjet “singularitetit mistik”, në kuptimin që i jep kësaj Kierkegaard-i; ose nëpërmjet amen­-it nietzsche-an; në një kohë që ne vdekëtarëve s’na mbetet veçse “t’ia hedhim” gjuhës (tricher la langue).

Dhe si pikërisht? Nëpërmjet atij karremi të madhërishëm që, për Barthes-in, është letërsia.

Pjesë nga leçon-i i Barthes-it mund t’i lexoni këtu.

Pa Komente

  1. Një miku im vërejti njëherë se e veçanta e bashkëqytetarëve të tij ishte se, ndryshe nga njerëzimi në përgjithësi, vuanin nga hipokrizia për t’u shfaqur më të këqinj se ç’ishin. Besoj se ishte e vërtetë, por besoj gjithashtu se është e vërtetë për shqiptarët në përgjithësi, madje për të gjithë atë pjesë të njerëzimit të prekur nga procesi dehumanizues i modernizmit. Kjo sepse e keqja sot është seksi dhe seksi është bota e re.

    Në shoqërinë e shkollës apo të lagjes sot është turp të thuash babi apo mami. Baba dhe nona mund të kalojnë disi në mënyrë klandestine. Por për të qenë tamam në linjë duhet të thuash plaku dhe plaka. Në artikulimin e gjenitaleve duhet të jesh virtuoz. E kështu me radhë. Por kjo nuk vlen vetëm për gjuhën e rrugës, madje as për atë të parlamentit. Skatologjia dhe pornografia, tabuthyerja, janë imperativi i artit modern, i kinemasë, i letërsisë, i asaj më “elitare” po deshe e sidomos i asaj. Po kështu edhe cinizmi. Syzet e diellit, ateizmi, në mos agnosticizmi, relativizmi moral, etj. Duhet të jesh i gëzuar, të marrësh pjesë në gëzimin e përgjithshëm, në promocionet dhe ofertat. Përndryshe më e pakta do të të pyesin: “Pse je mërzitur? Si është puna? E ke një hall!” dhe do të ndjesh një ngërç gjuhësor në përpjekjen për të shpjeguar se nuk je i mërzitur, por po mendon, po shijon një monolog me veten dhe në fakt je thellësisht i lumtur. Pak a shumë si ngërçi për të shpjeguar se me supën ndihesh i ngopur e i përmbushur gastronomikisht dhe nuk dëshiron të hash byrek, sallatë, tarator, tavë mishi, perime të ziera, ëmbëlsirë dhe fruta, madje as të pish kafe. Kjo jo sepse gjuha është e paaftë apo shtrënguese, por sepse qëndrimi i tjetrit të jep të kuptosh se ai nuk është i prirur ta kuptojë, aq më pak ta mirëkuptojë, këtë gjë dhe ti nuk ke nerva apo dëshirë të vësh në punë strategji komunikative, ose thjesht, për çfarëdolloj arsyeje nuk i ke zhvilluar ato gjatë jetës. Por fajin nuk e ka gjuha. Aq më pak gramatika, fosilet e së cilës nuk janë më pak të vlefshme si të tilla se sa ato që gjëmojnë natyralistët nëpër gurë, për të thënë më të paktën. Gjuha është thjesht përçuese e mekanizmave të shtrëngimit apo të çlirimit, që kanë të bëjnë me frikën apo guximin, sinqeritetin apo hipokrizinë etj, shkurt me virtytet njerëzore. Nëse njeriu ka zemër për të komunikuar, gjuha është gati t’i përgjigjet. Çdo marrëdhënie ndërnjerëzore ka një kod të veçantë gjuhësor, në përshëndetje, në ton, në fjalor, tematikë e kështu me radhë, dhe kjo jo në varësi të zotërimit të gjuhës, por në varësi të relatës e sidomos të virtytit të asaj marrëdhënieje dhe besoj se këtë mund ta konfirmojë kushdo nga përvoja vetjake. Në këtë kuptim gjuha është ndoshta përjetimi më intim i vetes dhe i botës si qenie morale. Nëse diskursi perëndimor sot është autoritar dhe fashist, për vete nuk dyshoj aspak se vetë Perëndimi si bartës i këtij diskursi është autoritar dhe fashist, siç është edhe kryerryma e filozofisë perëndimore, me Barthes-in dhe Nietzsche-n ndër të tjerë (në një shkrim të para disa muajve, Xhaxha, pate cekur se si ky i fundit rebelohej ndaj gjuhës si pengesë për të “vrarë” Zotin – Zot na fal! – çka në fakt është pak a shumë edhe implikimi filozofik i asaj që thotë Barthes-i).

  2. Shumë e drejtë Xha Xha. Si ata që praktikojnë gjuhën politikisht korrekte, ashtu edhe rrebelët ndaj establishment-it sot tingëllojnë fallco (sikurse klishetë totalitare).

    Në oqeanin e hipokrizisë që të mbyt është bër vështirë të gjesh kullota të fjalës (no pun intended).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin