Kur trajtuam deklaratën e Edi Ramës gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me kryeministrin italian Matteo Renzi në fund të vitit të kaluar, e më pas intervistën që kryeministri shqiptar i dha televizionit “La7″, nuk na e mori mendja se tema e sindikatës do të dilte sërish në nivel ndërkombëtar.
Deklarata e parë e Ramës se imprenditorët italianë duhet të investojnë në Shqipëri sepse nuk ka sindikata, u shoqërua nga batuta e kryeministrit italian i cili tha “Bën shaka, bën shaka”, sipas gjasës për të shmangur ndërlikime të tjera. Deklarata e dytë, në mediat italiane, në emisionin “Invasioni barbariche”, kur Kryeministri shqiptar u shpreh se “nuk e ndjente mungesën e sindikatave” pati si përgjigje reagimin e menjëhershëm të gazetares Daria Bignardi që po e intervistonte: “E thënë nga një sekretar i një partie socialiste bën një farë përshtypje”.
Kontradikta e parë që has qëndrimi i Kryeministrit shqiptar është pikërisht kjo: si ka mundësi që një parti e majtë nuk e ndjen nevojën e ekzistencës së sindikatave? Në këtë pikë nuk po zgjatemi, sepse kemi folur herë tjetër, por vështirë të besohet se një parti e majtë nuk ia ndjen mungesën forcave shoqërore që merren me kushtet e pjesës më të dobët të shoqërisë.
Lufta ndaj shfrytëzimit të njeriut, kushtet e punës, pagesa e punonjësve, siguria në punë, të drejtat e grave, të drejtat e migrantëve dhe pakicave, sigurimet shoqërore, puna e zezë, puna gri, aksidentet në punë, mbrojtja e shëndetit, sëmundjet profesionale, lufta ndaj diskriminimeve, kontratat e punës, solidariteti, mbrojtja e familjes, paqja, mjedisi, vendosja e ligjit, e të tjera beteja të sindikatës, përkojnë shpeshherë me përpjekjet e së majtës. Madje e majta politike ka marrë në histori energji të madhe falë betejave sociale që kanë bërë shoqatat e punonjësve.
Shpjegimet e kësaj kontradikte mund të jenë të shumta, deri edhe ngatërresa tradicionale midis të majtës e së djathtës në Shqipëri dhe kriza e përfaqësimit në vendin e vogël ballkanik. Mirëpo, problemi qëndron ende, për sa kohë Partia socialiste shqiptare e konsideron veten të majtë dhe është anëtarësuar në nivel evropian me koalicionin e majtë.
Para pak ditësh, mediat njoftuan se një studim i Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN) ka dalë në përfundim se kapitalizmi i dhjetëvjeçarëve të fundit ka bërë që të arrihen përfitime të mëdha e të përqendrohen pasuri të pallogaritshme në duart e pak personave. Kjo ka ndodhur, gjithnjë sipas studimit, për faktin se sindikatat e kanë humbur disi fuqinë kontraktuale, çka është shkaktuar nga ulja e numrit të punonjësve që regjistrohen në sindikata.
Studimi në fjalë, që titullohet “Power from the people” (në botim e sipër), përgatitur nga Florence Jaumotte e Carolina Osorio Buitron, ka dalë në konkluzionin se dobësimi i sindikatave ka sjellë forcimin e kapitalit ndaj punës; kjo ka çuar në rritjen e pabarazive sociale e në shpërndarjen jo të ekuilibruar të të ardhurave. Si shembull mund të merret edhe rritja marramendëse e rrogave të menaxherëve drejtues të ndërmarrjeve shumëkombëshe. Problemi është se pabarazitë – çka kujtohet edhe nga studimi – mund të shkaktojnë rritje të ulët ekonomike e pambajtshmëri sociale, sepse përqendrimi në pak duar të fuqisë, ofron mundësinë e manipulimit të sistemit ekonomik e politik.
Kontradikta e dytë e qeverisë shqiptare fillon e duket pikërisht këtu. FMN-ja ka autoritet të jashtëzakonshëm në Shqipëri dhe dikton politikat ekonomike së bashku me institucionet e tjera ndërkombëtare. Por siç dihet, Fondi Ndërkombëtar Monetar nuk është ithtar i politikave të majta. Përkundrazi, ka mbështetur dhjetëvjeçarët e fundit politika liberaliste tejet të diskutueshme për vendet në zhvillim. Tani, dy studiueset e lartpërmendura, të cilat janë pjesë e Departamentit të kërkimit shkencor (IMF’s Research Department), pohojnë të kundërtën, duke pranuar rolin e sindikatave të punonjësve në shpërndarjen e të ardhurave e në zhvillimin ekonomik.
A thua do ta dëgjojë FMN-në qeveria shqiptare? Po të jetë kështu, kursi duhet të ndryshojë rrënjësisht, jo vetëm duke mohuar deklaratat e mëparshme, por edhe duke ndihmuar në rimëkëmbjen e sindikatave në Shqipëri.
Që në Shqipëri ka pabarazi të thella midis të ardhurave dhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është bërë gjithnjë e më humneror konfirmohet edhe nga të dhënat empirike. Këtë mund ta dallojë lehtë edhe një qytetar i thjeshtë që bredh në rrugët e Tiranës. Por atë çka qytetari i thjeshtë nuk mund të marrë me mend është se kjo pabarazi në fakt është pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Si të thuash, pabarazia sjell moszhvillim, kurse ky shkakton pabarazi. Një lloj rrethi vicioz nga ku duhet dalë patjetër.
Nuk e lakmoj pozitën e Kryeministrit shqiptar, sepse nga një anë duhet të vërtetojë se është në krye të partisë së majtë socialiste dhe nga ana tjetër duhet t’i bindet FMN-së. Por të dyja veprimet kalojnë nga mohimi i deklaratave për sindikatat në Shqipëri dhe nga ndryshimi i kursit të deritanishëm. E kush prej nesh nuk do ta pranonte gabimin për hir të zhvillimit socio-ekonomik të vendit?
Unë gjithashtu nuk e lakmoj pozitën e Kryeministrit të Shqipërisë për pikërisht ato arsye që përmend ti, Pishak.
Gjithsesi, më duket tërësisht e amoralshme që Kryeministri (dhe këtu s’ka pikë rëndësie i majtë apo i djathtë), të nxitojë falas të shpërndajë deklarata të pakërkuara (unsolicited) mbi sa mirë është që sipërmarrësit e vendit të pasur fqinj kanë mundësinë e artë të shfrytëzojnë punonjësit e vendit të varfër pa kokëçarjet që sjellin ata ngatërrestarët sindikalistë.
Të ndalemi këtu: sindikalistët janë ngatërrestarë pikërisht në vendet dhe kontekstet me traditë dhe suksese të sindikalizmit, qa nga java 40 orëshe, sigurimet shoqërore e shëndetësore, etj. etj.
Për publikun shqiptar, i cili reagoi vakët (madje shumica as që e vunë re) ndaj serisë së deklaratave të nxituara e servile të Kryeministrit shqiptar, sindikatat aktualisht përfaqësohen nga disa tipa të cilët pasi flirtuan me një regjim të dalë nga përmbysja e një regjimi tjetër, u majmën nga privatizimi I aseteve të sindikatave (gjasme) të social-komunizmit shqiptar. Them gjasme sepse ato asete nuk ishin të krijuara nga sindikatat, por ishin të dhuruara nga shteti totalitar një mekanizmi të quajtur Bashkimet Profesionale që ishte thjesht në shërbim të tij (shtetit) dhe përçonte frymën e regjimit. Ndaj edhe, për shakak të mosbesimit të thellë ndaj të ashtuquajturve “”sindikalistë shqiptarë”, për fat të keq deklarata e kryeministrit nuk u përcoll me vëmendjen e merituar dhe paradoksalisht pati më shumë jehonë në Italinë fqinje se sa në Shqipëri.
E pastaj çuditemi që Industria e Fasonëve shitet për mrekulli ekonomike shqiptare kur dihet publikisht që ajo rekruton njerëz të paguar shumë keq, me paketa përfitimi thuajse inekzistente dhe tërësisht të pafuqishëm për të negociuar kushtet e tyre të punës. Pikërisht sepse s’ka sindikata dhe asnjë zë që të jetë në gjendje ose i motivuar të vërë kushte në emër të punonjësve.
Mua nuk më duhet nëse është I majtë apo I djathtë kryeministri që lëshoi deklaratën në mënyrë të përsëritur – me demek o ju që nuk e dëgjuat herën e parë, dëgjojeni mirë herën e dytë se mua nuk më shpëtoi goja po desha dhe e thashë.
Mua më intereson që kjo deklaratë iu drejtua një publiku të huaj dhe tregtimi i interesave të punonjësve shqiptare në favor të interesave të sipërmarrësve të huaj më duket më shumë se sa thjesht i papjekur dhe i pandershëm. Përdorimi i një gjuhe aq cinike demoralizon edhe atë më optimist dhe lë në baltë edhe atë më qyqar e hallexhi.
Pishak,
Shkrimi shumë i mirë. Nxjerr në pah qartësisht mënyrën tërësisht kontradiktore se si menaxhohëet ekonomia në nivelet më të larta, në politikë dhe strategji. Asgjë nuk e dëmton më shumë një ekonomi sesa mungesa e vizionit dhe kontradiktat në këto nivele.
Problemi i sindikatave nuk është i majtë apo i djathë – ai është problem strukturor i ekonomisë. Vetë lindja e sindikatave e ka shoqëruar industrializmin si një pjesë integrale a saj, në kuptimin që mirëmbajtja e fuqisë puntore është aq e nevojshme për industializimin po aq sa edhe procesi I mirmbajtjes së makinerive.
Por më e rëndësishmja sindikatat janë të vetmemt që do mund tanxjerrin atë pak industri që kemi nga informaliteti. Përndryshe, ajo kostoja e “krimit të djersitur” që flet Xha Xhai, do kalojë përherë në supet e atyre që janë të papërfaqsuar dhe të pambrojtur nha kjo lloj ekonomie që promovon Rama.
Është e vërtet se në vëndet të cilat bëjnë ose kanë bërë kalimin nga ekonomia industriale në atë financiare, të paktën në US, ka një zhvendosje të vëmëndjes në intersimin ndaj sindikatave. Por t’i marrësh këto si vlera do të thotë të injorosh nivelin e ekonomisë tonë (t’i veshësh brreshkës patkonj).
Kurse paragrafi i fundit të vret pak veshin sepse dihet që pozita e kryeministrit Shqiptar nuk është fare nën trysni. Për këtë i vlen edhe mungesa e sindikatave. Fal mungesës së presionit ai ka edhe luksin të flasi sipas qejfit.
… dy studiueset e lartpërmendura, ….pohojnë … rolin e sindikatave të punonjësve në shpërndarjen e të ardhurave e në zhvillimin ekonomik.
Ky pohim i dy studiueseve ndoshta ne rastin e vendit tone i shkon per shtat “sindikates se krimeve” (trafiqet, tenderat, korrupsioni kapilar)
E kuptoj ironinë tënde, por që të shmangim keqkuptime nga lexues të rastësishëm, le të kujtojmë se organizatat kriminale e mafioze vetëm sa japin përshtypjen e shpërndarjes e të zhvillimit. Në të vërtetë ato përbëjnë pengesën kryesore për zhvillimin e një vendi.
Pranimi i gabimit nga ana e Rames do te kishte vetem vlere politike dhe, si te thuash, imazhi personal, por asnje vlere praktike. Nuk mund te pritet qe kryeministri te ndikoje ne fuqizimin e rolit te sindikatave. Nuk eshte detyra e tij.
Dobesimi i sindikatave eshte dukuri globale dhe parakupton qe sindikatat jane dobesuar atje ku me pare ishin te fuqishme dhe perbenin faktor te rendesishem, ne vende te zhvilluara industriale, atje ku ka pasur nje kulture dhe tradite te konsoliduar levizjesh te majta.
Ne rastin e Shqiperise nuk mund te flasim per dobesim, sepse ne nuk kemi pasur ndonjehere sindikata te fuqishme, madje ne nuk kemi pasur kurre nje kulture te majte dhe nje tradite levizjesh te majta. Komunizmi shqiptar ishte aksident politik qe na u imponua nga rrethana historike dhe gjeopolitike te jashtme, pra nuk erdhi si pasoje e natyrshme e kultures dhe levizjeve shoqerore te majta.
Socialistet shqiptare nuk jane dhe nuk kane qene asnjehere te majte. Partia socialiste ne fillim te viteve ’90 lindi si perfaqesuese e drejtperdrejte e interesave te nje klike qe sapo kishte humbur pushtetin dhe nuk u be kurre perfaqesuese e idealeve te majta. Une nuk mbaj mend ne Shqiperi ndonje levizje shoqerore me fryme te majte, ndonje proteste masive punetoresh per arsye ekonomike etj. Grevat me te bujshme qe jane organizuar ne Shqiperi qysh nga viti 1990 kane pasur gjithmone arsye dhe shtysa politike.
Ç’te thuash per eksponentet e partise socialiste sot? Po per deputetet e saj qe jane thuajse te gjithe bisnesmene dhe milionere? Ç’lidhje kane ata me te majten?
E majta shqiptare nuk ka lindur ende.
Pranimi i gabimit nga ana e Ramës, për çka deklaroi në rastet e mësipërme, do të çonte direkt në pranimin e rolit të sindikatave. Në përgjithësi do të çonte në pranimin e shoqërisë civile e të organizmave të ndërmjetëm shoqërorë. Mirëpo Rama nuk pranon as ekzistencën formale të sindikatave. Për mua do të thotë se ka një vizion politik populist, që ka në qendër lidhjen e drejtpërdrejt të liderit me popullin e që rreket t’i përjashtojë nyjëtimet e ndryshme të shoqërisë civile, ngaqë i duken si rrodhe në trup, ose si shkurre nëpër këmbë. Pra Kryeministri, me zgjedhjet e tij politike, mund të ndikojë në “fuqizimin” e sindikatave, kur kjo kuptohet si pranim i rolit të tyre në shoqëri. Përndryshe, forcimi i sindikatave, që bëhet nga poshtë e jo me dekret nga lart, bëhet edhe më i vështirë.
Sa për Partinë socialiste, mund të jem dakord që ka krizë përfaqësimi, sikurse e thashë më lart, porse është ajo që deklaron se është e majtë dhe merr pjesë në organizmat ndërkombëtarë të së majtës. Edhe ngjyrat kështu flasin.
Tani, ka edhe një opsion tjetër: Kryeministri mund të dalë e të thotë publikisht se FMN-ja e ka gabim. Sindikatat nuk duhen. Si të thuash, unë jam në çdo rast për qartësinë.