Kemi parë, prej kohësh, dhe ngjarjet e tanishme në jetën politike të Tiranës e konfirmojnë, se sistemi i atjeshëm jo vetëm që nuk është në gjendje t’i zgjidhë vetë problemet që përfton (të vetë-riparohet), por edhe haptazi po e pranon këtë, duke kërkuar, në çdo moment krize, që zgjidhja t’i ofrohet nga një palë jashtë sistemit.
Kemi parë edhe që të kërkohet me këmbëngulje ekspertiza “e huaj” për çështje deri edhe nga më banalet që duhej të ishin trajtuar në mënyrë rutinë nga organet e ruajtjes së rendit; tani së fundi, kësaj kërkese për ekspertizë të huaj, mundësisht “amerikane”, iu shtua edhe kërkesa tjetër, e bërë me gjysmë shaka, për të ftuar në tryezë ekspertët psikiatrikë.
Natyrisht, si edhe shumë herë të tjera në konfliktet politike, psikiatria thirret në skenë si një lloj “policie mjekësore”, e cila duhet të ndërhyjë për të larguar nga skena një aktor të caktuar, e cila manifeston shenja flagrante të disonancës konjitive – ose, më në përgjithësi, “ka dalë nga kontrolli.”
Ky është edhe “i çmenduri”, për logjikën e politikës në Tiranë: përftuesi ose megafoni i një diskursi akuzues dhe agresiv, por të pambështetur me fakte ose prova; ose ofruesi i një vizioni të paverifikueshëm, ose “të paverifikueshëm” të ngjarjeve. Më të dijshmit mes politikanëve e quajnë këtë ndonjëherë edhe “skizofreni.”
Mediat njoftuan sot, mes të tjerash, se kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili është akuzuar nga deputeti i PS-së Tom Doshi se ka paguar dikë për ta vrarë, tha se “akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi janë halucinacione. Tom Doshi duhet të vizitohet në psikiatri që të hidhen poshtë këto halucinacione.”
E kotë të shtoj që kjo lojë diskursive nuk ka të bëjë as me psikiatrinë, as me personat që kanë vërtet probleme dhe vështirësi mendore dhe që, me përjashtimet e detyruara, nuk mund të krahasohen për nga integriteti moral dhe intelektual me protagonistët e diskursit politik të Tiranës.
Përkundrazi, ajo është një mënyrë komode për t’i vënë etiketa kundërshtarit, me bindjen se kështu po luhet edhe me paragjykimet e masës për njerëzit me probleme mendore; ose “të çmendurit”, të cilët si të tillë përjashtohen vetvetiu.
Natyrisht, edhe Tom Doshi nuk zhgënjeu, duke iu përgjigjur Ilir Metës se “në familjen time, ndryshe nga familja e Ilir Metës, nuk ka pasur kurrë të sëmurë mendorë, dhe të gjithë kanë jetuar gjatë dhe në moshë të madhe.”
Më tej edhe Doshi i shpjegoi veprimet e Metës si “pjellë e një mendjeje të sëmurë.” Vëreni edhe referimin e Doshit ndaj “familjes”, që vjen me dy nënkuptime: një teori për shkaqet e sëmundjeve mendore, dhe një teori për rrënjët fisnore të shëndetit të mirë (dhe autoritetit politik).
Edhe një herë, kjo rrëshqitje e konfliktit nga politika në psikiatri veç tradhton pamundësinë e sistemit për t’i përballuar me mjetet e veta problemet që përfton – çka quhet edhe dështim.
Nga ana tjetër, nëse në mitologjitë politike të Tiranës, “i çmenduri” është ai lojtar që “ka dalë nga kontrolli”, atëherë kushedi ia vlen të kërkohet se cili do të ishte pikërisht ky kontroll; ose këto rregulla të lojës, që nuk po respektohen. Dhe menjëherë njeriut i shkon mendja tek omertà-ja e grupeve parakriminale dhe mafioze, ose nevoja imperative për ta ndërtuar figurën publike, ose të dukshmen, mbi një nënshtrat masiv të padukshëm; dhe për ta mbajtur kufirin midis të dukshmes dhe të padukshmes të pacenuar.
Më thjesht akoma, kontrolli do të ishte ai i grupeve të interesit ndaj individit, qoftë ky edhe i shquar; ose i tillë që të kujtojë se e vërteta c’est moi.
Dhe çfarë ndodh kur dikush diagnostikohet si “i çmendur” nga politika? Natyrisht, i kërkohet të vizitohet te mjeku; sikurse i kërkohet edhe “të marrë ilaçet.” Kjo e ilaçeve është nga batutat më të konsumuara, të paktën në Parlamentin e Tiranës – një dhomë që nuk shkëlqen për intelekt.
Kështu, lexoja para pak ditësh në MAPO se “Gjatë seancës të së enjtes, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta përsëriti disa herë thirrjen ndaj ministrit të Brendshëm që të sillte mjekim për ish- kryeministrin Sali Berisha.”
Ideja këtu është se “i çmenduri” duhet të marrë diçka “për t’u qetësuar”; që nuk i largohet shumë vizionit mesjetar, kur “të marrët” i hidhnin në lumë ose i digjnin në zjarr.
Kjo sepse “i çmenduri”, gjithnjë në kuptimin primitiv që i jep kësaj fjale politika, me veprimtarinë e vet “jashtë kontrolli”, e cenon rendin e sendeve; ose pikërisht atë rend që politika ka aq qejf ta mbajë në kontroll dhe ta rregullojë sipas interesave të vet; dhe pastaj ta paraqitë si të diktuar nga ligjet e termodinamikës.
Kjo e ilaçeve, që dikush i merr tashmë, dikush ka harruar t’i marrë, dikush i ka ngatërruar pa dashur dhe dikush duhet t’i marrë, është ana obverse e një diskursi tjetër këmbëngulës – atij të drogës që marrin politikanët.
Ramës ia kanë thënë këtë me dhjetëra në mos qindra herë, duke i kujtuar edhe disa eksperienca hipotetike nga Parisi; por nuk është se ia kanë thënë vetëm Ramës.
P.sh. “Ristani: Dritan Prifti ka parë Ramën të marrë kokainë.”
Droga dhe ilaçet janë komplementare – në kuptimin që një njeriu normal i duhet drogë për t’i bërë ballë stresit të politikës; dhe pastaj, duke “u droguar”, përfundon në gjendje maniakale ose “çmendet”; dhe për pasojë duhet të fillojë të marrë ilaçe për t’u kthyer prapë në gjendjen normale.
Këtë qark vicioz do ta quajmë edhe qark të normalizimit të politikanit; sepse ilaçet (ose zhdroga) vërtet normalizojnë, por vështirë se mund t’ia kthejnë dikujt pafajësinë që kish në vijën e nisjes.
Shumë interesant vështrimi. Kalimi nga politika në psikiatri e diskursit politik në Shqipëri tregon së fundi edhe mungesën e argumenteve që normalisht duhet të përbënin arsenalin e përfaqësuesit të qytetarëve. Kur politika nuk është më e tillë (mbyllja e saj në kullën e fildishtë dhe kriza e përfaqësimit në themel) atëherë i detyrohet fushave të tjera, duke kërkuar në thelb delegjitimimin e kundërshtarit. Duke e quajtur dikë “të çmendur” ose “të droguar” praktikisht e delegjitimon si bashkëbisedues, sepse nuk mund të hysh në dialog normal me një të paaftë mendërisht ose të alteruar nga substanca narkotike.
Nga ana tjetër, vetë akti i etiketimit të tjetrit me cilësorë të tillë krijon një farë hierarkie nga pikëpamja mendore dhe e intelektit, sikurse krijohet midis doktorit e pacientit në kuadrin e patologjisë. Ajo “unë të diagnostikoj” mund të përkthehet edhe “unë jam superior ndaj teje”, sepse të dallova që je jashtë kufijve të normalitetit. Problemi është se vetë përdorimi i kësaj gjuhe në ligjëratën publike të nxjerr automatikisht jashtë binarët normalë e nga qëndrimi decent.
E kam të vështirë të mendoj se politikanët duan t’i zgjidhin çështjet politike duke iu drejtuar psikiatrisë. Ata i drejtohen kësaj fushe në mënyrë instrumentale, thjesht për të treguar se kundërshtari duhet të trajtohet atje, jo brenda politikës; pra nuk kërkojnë literalisht, mendoj, që politikani i kampit tjetër të shkojë të marrë certifikatë shëndetësore. Me akuzën “i çmendur” i shkelet syri publikut duke i thënë se “ky ka luajtur fare nga trutë, nuk duhet marrë seriozisht”.
Rrëshqitja në fushën me baltë të psikiatrisë e të anormalitetit në përgjithësi dëshmon se politika nuk përdor gjuhën e saj, të politikës pra, që ka lidhje konkrete me qëndrime publike për të mirën e përbashkët. Dështimi është i qartë.
Ja pse pres, herët e vonë, që në parlament politikanët t’i thonë njëri tjetrit “hajde dalim jashtë tek fusha e ta sqarojmë tek e tek çështjen” (apo e kanë e thënë?). Kështu bënin gangsterët e lagjes sime, të cilët gjithsesi e respektonin vendin ku mund të plaste grushti instinktivisht. Por këtë nuk mund ta themi për politikanët tanë që Parlamentin e kanë dhunuar duke përdorur në atë tempull edhe sharjet, edhe grushtet.
Ja një pasazh i intervistës më të fundit të Ilir Metës:
Nuk e kam shumë të qartë se cfarë e bënë këtë në sytë e prokurorisë të ndryshëm nga Doshi. Ky po shantazhon hapur një deputet të parlamentit dhe kryetarin historik të opozitës me videot e djalit të vet.
Nuk ka ky për detyrë t’ia dorëzojë këto prokurorisë… ose ndryshe t’i kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi sikurse edhe Doshit?