IMJA PËR TA DHËNË NJË XHIRO

“Si do ta përshkruanit rininë tonë?”, u pyet presidenti i Shoqatës Zvicerane të Psikologjisë për Fëmijë e Adoleshentë, në një gazetë nga ato që përmbytin trenat e tramvajet çdo mëngjes dhe që mbrëmja i gjenë të zgërlaqura qosheve e kazanave të letrave. Pyetje me vend. Vijonte pas një lajmi, të cilin, pata rastin ta lexoja në praninë e shumë të tjerëve që i hypin lavjerrësve tokësorë për t’u hedhur nga një koordinatë në tjetrën, çka bëri të mundur të perceptoja edhe shokun kolektiv.

Lajmi sa i pështirë e pështjellues qe ky: Meshkuj adoleshentë detyrojnë të dashurat të kryejnë marrëdhënie seksuale me shokët e tyre, madje shpesh duke qenë vetë prezentë e  duke ftuar edhe të tjerë në spektaklin që inskenojnë. Nëse vajza refuzon, atëherë nisin kërcënimet derisa ajo thyhet dhe pranon. Arma më efikase në dorën e pronarit të mitur është dashuria. Në do të ma vërtetosh se më do (me dashurinë e pakondicionuar që sot propagandohet si esenca e dashurisë me vlerë), atëherë shko një xhiro me shokun tim. Përgjunjëzimin dhe shërbimet e vajzës i dashuri i shkëmben për para e sende luksi të shokut, ose të paktën çka konsideron sende statusi egoja aguridhe adoleshente. Sikur një xhiro mos të mjaftonte, akti i detyruar merret në video, e cila përdoret si mjet shantazhi për ta mbajtur prenë në grackën ku është kapur, sa t’i pëlqejë e t’i leverdis gjahtarit. Kemi të bëjmë me prostitucion të të miturve, të organizuar prej të miturve.

S’besoj se i shpëton njeriu lidhja perverse mes vlerës dhe ndjenjave, lidhje që vë kapital me dashurinë autentike, me vlerë ekzistenciale për vajzën, por të shkëmbyeshme në pazarin e vaniteteve kapitaliste për djalin.

Edhe presidentit të shoqatës së lartpërmendur, Philipp Ramming, nuk duket se i shpëton lidhja, sepse për të uria e vajzave për dashuri vlen të tematizohet para çdo elementi tjetër të relacioneve njeri-mall që nxjerrin në pah kësisoj shkëmbimesh. Pyetjes ç’i shtyn djemtë në të tilla ndërmarrje ai i përgjigjet me kundërpyetje: “Pyetja korrekte është: përse ua lejojnë vajzat?” Është e rrezikshme, thotë ai, nëse vajzat përftojnë vetëvlerësim nëpërmjet trupit, dhe jo familjes, shokëve, shkollës, ose hobby-ve. Për to, dashuria i ngjan substancës narkotike, për të cilën janë gati të bëjnë gjithshka. Më tutje, ai konkludon me anti-patriarkalizma të vakëta, të tipit, vajzat janë mësuar të binden.

Ky arsyetim çalon në disa drejtime. I pari – më themelori – të cilit i përqasem në fund, është zhvendosja e hetimit nga djemtë tek vajzat. Por pa shkuar thellë dhe pa ndonjë ndjeshmëri akute për debatet rreth barazisë gjinore që ia kanë ndryshuar faqen perëndimit në shekullin e fundit, të bie në sy se logjika e psikologut kapet në fije kashte, kur, pasi e sheh problemin tek mbivlera që vajzat i atashojnë trupit, ofron alternativën e shokëve dhe hobby-ve, në një kohë që realiteti në diskutim tregon se, në shkëmbimet përshkruara më sipër, vlerën që i mvishet trupit të femrës e diktojnë pikërisht shokët. Pra, ndodh që shokët për vajzën e rrezikuar, janë aq shpëtim sa ç’është kasapi për cjapin.

Ndërsa kundërvënia trup-hobby, të bën të pyesësh në ç’skutë të Pampas jetojnë njerëzit, të cilët ende s’kanë kuptuar se the body is the hobby, në kulturën narzistike të fitness-, diet- & selfie-generation, që vetëshpaloset 24 orë në shtatë ditë facebook-rave, instagram-ëve, cicërrimave, e kush e di sa legjione pasqyrash virtuale. Sa për vajzat që s’refuzojnë, të mos harrojmë se flitet për 12 deri 16 vjeçare, ende moshë tejet e varur prej investimit afektiv, ku dashuria që i dhurohet egos përzjehet në trajta konfuze me dashurinë që egoja u dhuron të tjerëve.

Absolutisht i verbër ndaj ekpozimit të cekët që i bëhet sot trupit të individit, psikologu shton se ilaçi për këtë sëmundje duhet të prodhohet nga laboratori “familja”, meqë ajo mund dhe duhet t’ju komunikojë vlerësim, respekt e admirim fëmijëve. Dhe ja, këtu ritroket mentaliteti ishullor viktorian, për nga epoka, dhe kapitalist e industrial për nga origjina, i cili e imagjinon familjen/shtëpinë si  një ishull të mbruajtur e të mbrojtur nga korrupsioni shoqëror, së pari prej engjëllit nënë.

Këtu haset zhvendosja, nëmos delegimi themelor, që i bën sfera publike në shoqëritë civile përgjegjësisë që këto kanë kundrejt të miturve dhe familjes, organizmit që merr përsipër pjesën më të madhe të detyrës edukuese, por që kurrsesi nuk mund të funksionojë i shkëputur nga oksigjeni që thith e tërë shoqëria. Dhe me oksigjen nënkuptohen vlerat, besimet, pikësynimet që krijojnë komunitete mes njerëzve. Me pak fjalë, familja duhet të jetë e pastër sikur mos të ishte e kësaj bote, por edhe t’ia njohë botës aq mirë kontaminimet sa të mund të prodhojë lloj-lloj kundërhelmesh efikase. Kështu familja nis t’i ngjaj një prezence hyjnore që lëvrin në këtë botë, por nuk është e kësaj bote.

Salvator Dalí, Leda dhe Mjellma

Salvator Dalí, Leda dhe Mjellma

E parë si pjellë e mendësisë ishullore, zhvendosja e vëmendjes nga djemtë që detyrojnë të dashurat, pra nga keqbërësit, tek vajzat viktima, përsërit zhvendosjen në nivelin e superstrukturës kapitaliste. Ashtu si sfera publike, tradicionalisht edhe ende mishëruese e vlerave mashkullore, ia delegon përgjegjësitë familjes, qelizës më në kontakt me etikën femërore, edhe psikologu e kërkon korrekturën fillimisht tek vajzat, e më tutje tek familja dhe vlerat interrelacionale që kjo kultivon. Pyetjes së pashmangshme, të cilën ai preferon ta anashkalojë, se si ka mundësi që meshkuj të mitur, përpilojnë monstruozitete me efekte pas gjase shkatërrimtare për Tjetrën, psikologu i jep këtë përgjigje: djemtë përftojnë vetëvlerësim duke luajtur rolin e sipërmarrësve të vegjël.

Kaq është kristal e kthjellët. Madje zor ta quash shpjegim. Sepse pyetja mbetet përse vajzat përftojnë vetëvlerësim përmes një ideali humanist sublim si dashuria, ndërsa djemtë përmes skenareve të ekonomisë së tregu. Ndarja gjinore mes djemëve sipërmarrës surrogato dhe vajzave skllave seksi, e kapërcen cakun  e vëzghimit të fenomenit e të çon tek rrënjët që e mundësojnë. Arsyet janë të shumta dhe vlen të diskutohen: mbiseksualizimi i shoqërisë, rritja e konsumit –  ndër të tjera por jo vetëm – pornografik (rinia e celularëve intelligjentë është quajtur edhe rinia e pornove ose e bordelove, sepse i frekuenton më shpesh se brezat paraardhës), imazhet e femrës të shpërndara në media, risia dhe naiviteti ndaj mediave të reja, mentaliteti i maksimalizimit të përfitimit (këtë e ka përkufizuar bukur Klaus Hurrelmann, i cili i quan 15-30 vjeçarët e sotëm Egotaktiker, me pak fjalë, strategë të egos që i analizojnë situtatat, duke shkoqitur esëll  nevojat dhe dëshirat e tyre, për të nxjerrë nga çdo situatë përfitimin maksimal për egon).

Sa për ta gërvishtur sipërfaqen e tematikës, duhet vënë re se djemtë që shkëmbejnë të dashurat për para apo sende, përfaqësojnë një replikim demoniak të vetë thelbit të kapitalizmit, ashtu siç e ka kuptuar Marksi, si treg të dirigjuar nga komodifikimi, procesi i kthimit të objekteve, krahut të punës, shërbimeve në mall shkëmbimi. Komodikifimi, pasojë e ndarjes së hallkave të prodhimit, e shndërron marrëdhënien e prodhuesit me produktin, duke e bërë vetë procesin e punës të huaj (Entfremdete Arbeit, alienated labour), meqë punëtorët apo konsumatorët nuk janë pjesë e gjithë zinxhirit të prodhimit (ndryshe nga shoqëritë paraindustriale). Kështu gjithshka e prodhuar kthehet në mall shkëmbimi, ndërsa vlera e mallit nuk korrespondon me vlerën e përdorimit (use value), por me vlerën që përfton pikërisht nëpërmjet shkëmbimit (exchange value). Nga një anë, shkëmbimi komodifikues nuk e skandalizon shpirtin perëndimor, sepse është buka dhe kripa e biznesit të përminutshëm. Nga ana tjetër, klithma e etikës bëhet e papërballueshme, kur vajza njëmbëdhjetë vjeçare shkëmbehet një xhiro për një palë atlete Nike. A nuk kemi këtu një replikim të thukët të fetishizmit të mallit (Warenfetisch, commodity fetishism), të tregtarëve e sipërmarrësve që i vënë etikën e vlerës njëri-tjetrit në bazë të parasë dhe mallit që ofrojnë për shkëmbim?

Siç them më lart, në fazën industriale të shekullit të XIX, antidoti kundra komodifikimit që e bën të huaj produktin, gjehet në familje, sidomos tek figura e nënës, duke ia caktuar kësaj menaxhimin e familjes, duke i besuar rritjen e fëmijëve, duke iu mësuar se ato duhet t’i vrojtojnë të miturit nga hapi i parë e derisa dalin në jetë të pavarur. Veç kështu fëmija nuk kthehet në një produkt të shtetit apo i shoqërisë publike, i huaj për ata që e kanë sjellë në jetë. Sidoqoftë, kjo është veç gjysma e së vërtetës, sepse baballarët, të cilët thërriten (kupto: interpelohen) jashtë qelizës familjare, për t’u përplasur me dallgët e shkëmbimeve kapitaliste, përfundojnë qenie të huajësuara prej jetës së familjes, prej vetë produktit fëmijë. Këtë praktikë që ka rezultuar në gjenerata të tëra fëmijësh të pababa (fatherless, vaterlos), jeta shoqërore perëndimore ende s’e ka shkundur nga gjymtyrët e saj. Ende vazhdon të pretendojë prej vlerave femërore (vajzave, familjes, sferës private) që këto të kompensojnë, nëmos të korrigjojnë, keqformimet e një filozofie armiqësore, e cila rrezikon të komodifikojë edhe vetë njeriun.

Në këtë pikëpamje, psikologu me të drejtë i përgjigjet pyetjes hapëse “Si do ta përshkruanit rininë tonë?”, duke deklaruar me optimizëm, se rinia funksionon shumë mirë (“Unsere Jugend macht es super”). E ngjizur dhe e formuar në një shoqëri, e cila s’ka gjetur formulë për të përjashtuar mundësinë e shndërrimit të njeriut në objekt shkëmbimi, troç fare në mall, ku mbizotëron predispozicioni për të analizuar viktimat, të miturat të cilat s’i bëjnë dot ballë shfrytëzimit seksual, por jo shëmbëlltyrat demoniake të principeve bazë kapitaliste që komplikojnë kategoritë keqbërës-viktimë (sepse të tillë duhen konsideruar sipërmarrësit e mitur) – vërtetë – punët mund të ishin shumë më zi. Por fakti, që kështu si janë, pa çka se shokuese, nuk mjaftojnë për të provokuar dyshim rrënjësor tek ADN-ja e kapitalit, bën të besosh se hipoteza që citon Frederic Jameson, se perëndimi e ka më të lehtë të imagjinojë fundin e botës se sa fundin e kapitalizmit, s’është larg shenjës.

 

Nuk ka komente

  1. Milisch,

    Soado që shumëkush mund të mos bjerë dakort me absolutizimin e vlerave Marksiste (used value) nuk e mohon dot efektin ç’rrënjues të relativizimit që sjell “exchange value” dhe kapitalizmi global, që duket se e ka të vështirë t’i kontekstualizojë gjërat.

    Ndaj merr rëndësi ndjeshmëria që shfaqet në shkrim ngase buron prej dhimbjes që është tërësisht e kontekstualizuar. Në atë masë që kurrë nuk do të ishte shkruar dot prej një mashkulli (në kuptimin e besueshmërisë).

  2. Ujku i zi, ia ka vënë kritika marksiste emrin këtij sindromi: false consciousness. Pyes veten prej kohësh, ku mbaron vetëdija e rremë dhe nis indoktrinimi?

    1. Militschi,

      Kritika marksiste sigurisht që ka vlerë në dyshimet apo pyetjet që ngre, por gjithmonë sipas mendimit tim nuk është se ka arritur t’i jap ndonjë përgjigje adekuate dhe zgjidhje shoqërisë. Dhe jo se këtë e ka arritur ndonjë filozofi tjetër me përqasje totale sikurse Marksizmi.

      Nëse aty-këtu ka edhe zgjidhje të përshtatshme këto shpesh jepen të fragmentalizuara, ndaj mendoj se ia detyrojnë suksesin kontekstit.

      E megjithatë siç e thashë edhe në komëntin më sipër, konteksti nuk shfaqet në mungesë të djeshmërisë – ndaj dhe vlera e kritikës tuaj.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: