Sapo i hodha një sy lajmërimit të radhës për “Të hënën televizive” te ResPublica: Në Channel One në 21:00 është “Debati” nga Roland Qafoku ku 6 juristë do të analizojnë çështjen “Doshi”. Ndërsa në TV Klan, kryeparlamentari Ilir Meta flet për çështjen “Doshi”, akuzat për vrasje dhe kërkesën për dorëheqje.
Më tej: në A1 Report, në 21:00 në studion e Babaramos do të jetë kreu i grupit parlamentar Edi Paloka. Në 21:00 në Agon Channel është “A” nga Adi Krasta ku i ftuar është Arben Ristani. Do të flitet për përballjen e tij në gjyq me kryeministrin Edi Rama dhe për zhvillimet politike.
Edhe pse tek-tuk ka edhe orvatje për ta shpërthyer këtë hegjemoni të plehut, sërish e hëna televizive vetëm sa konfirmon përshtypjen se, që prej ditësh, mjetet e komunikimit masiv në Shqipëri i ka pushtuar çështja “Doshi” – ose e një vrasjeje politike fantazmë, së cilës i është përkushtuar tani një hetim po aq fantazmë.
Dhe këtu lind edhe pyetja ime: kush e vendosi dhe pse, që kjo histori akuzash të pakonfirmuara, intrigash dhe insinuatash të kapë peng publikun shqiptar?
Një herë e një kohë, roli i mediave, përfshi edhe mass mediat, ishte të përcillnin ngjarjet që ndodhnin vërtet: për shembull, pasi festohej 1 maji me një paradë në bulevardin e madh të Tiranës, jepej lajmi për të në gazetë të nesërmen dhe pas nja një jave edhe filmi në “kinoditar” në sallë të kinemasë.
Televizioni në krye iu përmbajt kësaj skeme, por pastaj erdhi duke iu larguar, për shkak të transmetimit live: tanimë parada e 1 majit mund t’i jepej publikut, e mediatizuar, në të njëjtën kohë kur zhvillohej.
Që këtej edhe me lehtësi vetë parada u shndërrua hap pas hapi në një event televiziv – ku jo vetëm parakaluesit performonin përpara tribunës ku kish dalë Enver Hoxha, por edhe Enver Hoxha vetë, me gjithë ekipin e vet, performonin së bashku me parakaluesit përpara kamerave.
Ky ekskursion historik, sado i shkurtër, mund të ndihmojë për të kuptuar se shumë lajme dhe “çështje” që kapin kryetitujt e mediave sot, duke filluar nga televizioni, marrin rëndësi pikërisht ngaqë dikush i vendos në kryetitujt.
Por çfarë rëndësie ka vërtet, për fatet e Shqipërisë dhe të qytetarit të republikës, “l’affaire Doshi”?
Dhe më tej akoma: çfarë rëndësie kanë për publikun televiziv skenat a dir poco të neveritshme të teatrit, në parlamentin e Republikës së Shqipërisë?
Asnjë rëndësi nuk kanë, veç pompimit artificial që u bëjnë mediat vetë, duke filluar nga televizioni.
Ja disa nga lajmet që kish vendosur sot Tema në krye të faqes:
Frroku rrëzon sërish sy më sy versionin e Doshit: Toma nuk reagoi pas dëshmisë sime
Berisha tjetër gjë para mediave, tjetër gjë para prokurorëve. Tahiri: Javës tjetër të merret si i akuzuar
Intervista e “Tonit” zbulon se Doshi nuk ia kishte “besën” Tahirit
DEBATI/Berisha-Doshit më 12 shkurt: Desh të… e di mirë ti, e ka marrë vesh gjithë Tirana
Dhe kështu me radhë.
Po çfarë përmasash do të kish arritur të merrte kjo intrigë, sikur mediat ta kishin shpërfillur, ose të paktën t’i kishin dhënë një vëmendje në përpjesëtim me peshën e saj reale?
Vëmendja e tanishme do të ishte përligjur vetëm në rast se vrasja e përfolur do të kish ndodhur vërtet; për fat të mirë të Doshit dhe të gjithë të tjerëve, kjo nuk ndodhi – pa çka se, për aparatin e llogjeve, vrasja tashmë ka ndodhur.
Mjaft të numërosh sa herë del togfjalëshi “vrasja e Doshit” në Google.
Doshi është gjallë e shëndoshë; por njëkohësisht gëzon të drejtat dhe privilegjet e një viktime të një krimi politik – i cili ka ndodhur në një hapësirë dhe kohë të imagjinuar, edhe pse jo imagjinare.
Pishaku fliste pardje për një shkëputje të klasës politike nga qytetari; kësaj ndoshta mund t’i shtohet edhe një shkëputje e mjeteve të informacionit nga realiteti.
Që televizioni e krijon vetë realitetin që i duhet, kjo nuk është ndonjë shpikje e tanishme; por duhet t’i kthehemi dhe t’i drejtojmë projektorët, në mënyrë që të mos përfundojmë edhe ne, si publik, bashkëfajtorë në këtë procedurë gjysmë-magjike.
E përsërit: këtë protagonizëm mbytës të një intrige – meqë në fakt askush nuk është lënduar – e kanë vendosur mediat vetë, për arsye politike. Dhe them ‘arsye politike’ sepse nuk më duket që publiku në Shqipëri të tërhiqet vetiu dhe të ngulet me dëshirën e vet 24 orë para ekranit, për të marrë vesh se çfarë thotë, çfarë mendon dhe ku shkon z. Tom Doshi.
Argumenti që mund të sillet nga mediat, se ato i japin publikut çfarë publiku kërkon nuk i bën ballë kritikës; edhe nëse e lëmë mënjanë truizmin se publiku kërkon të informohet për gjëra që i interesojnë drejtpërdrejt, do të themi se kureshtjen e publikut, ose spektaklin e ‘informimit’ si një formë dëfrimi (infotainment) e ndërtojnë mediat vetë.
Prandaj duhet të kthehemi edhe një herë tek momenti aq vendimtar, por që gjithnjë mbahet jashtë objektivit të kamerës – te përzgjedhja e kryetitujve dhe e kryetemave, ose te scaletta: kush e harton këtë dhe si?
Formidable censure, do ta quante Pierre Bourdieu te Sur la télévision (1996), këtë ndërhyrje të gazetarit, moderatorit, producentit, regjisë së emisionit, etj. në procesin e përzgjedhjes së lajmeve; edhe pse mass mediat nuk funksionojnë dot normalisht, përveçse duke përzgjedhur; pa çka se çdo akt përzgjedhës është edhe akt përjashtues.
(Faktorët teknikë që ndikojnë në këtë proces, sa i përket televizionit, janë tirania e kohës së kufizuar dhe sekuencialiteti, ose fakti që lajmet jepen njëri pas tjetrit, dhe kjo vendos detyrimisht një hierarki mes tyre. Të gjithë e kemi përjetuar mbretërimin e pakontestuar të cakut kohor, në një debat televiziv ku idealisht duhej të ushtrohej dhe të riprodhohej fjala e lirë. Në fakt, e drejta e kohës televizive për të qenë e shkurtër merr gjithnjë përparësi ndaj së drejtës së fjalës.)
Kjo do të thotë edhe se, sa herë që qytetarit i përplaset në fytyrë l’affaire Doshi, diçka tjetër është lënë jashtë, qëllimisht ose ngaqë është gjykuar si e parëndësishme nga një figurë jopublike, e cila i jep vetes kompetencat e kryekuzhinierit që harton menynë e ditës.
Sikurse do të thotë edhe se parimi i funksionimit të mass mediave nuk është liria e fjalës, por censura; dhe kjo nuk është aq censurë ndaj fjalës, sesa censurë ndaj vetë veprimit publik, në atë masë që asgjë publike nuk mund të ndodhë larg kamerave.
Ma merr mendja që edhe mediat vetë, përfshi këtu edhe profesionistët që punojnë atje, janë të kënaqura me këtë gjendje të punëve, ose me këtë kthinë informacionale të gërditshme, ku e kanë kyçur veten kushedi edhe pa e kuptuar mirë.
Pyetja është e saktë: kush e vendos hierarkinë e lajmeve në mediat shqiptare? Kush e përgatit të ashtuquajturën agenda setting? Publiku sigurisht që jo. Madje publiku, siç thotë shkrimi më lart, është viktimë e paraqitjes mediatike.
Mediat jo vetëm mund ta përfaqësojnë realitetin por edhe mund ta krijojnë atë në një farë mënyre. Në rastin shqiptar realiteti i mediatizuar nuk ka lidhje fare me realitetin e vërtetë. Këtë e dëshmon edhe çështja Doshi, që tashmë ka tiparet e fiction. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se televizioni është mjet komunikimi njëdrejtimsh, në kuptimin që presupozon një publik pasiv, që shumë shumë mund t’i bjerë me nallane ekranit.
Qe media shqiptare shet pleh gjithe diten kjo nuk mund te mohohet! Por jo kete rradhe.
Kemi nje deputet qe akuzon Kryetarin e Kuvendit per orvatje vrasjeje!
Kjo nuk ndodh perdite, le ta pranojme. Nuk ka media qe do te mund te rrinte e paperfshire pa rrezikuar te akuzohej si, kete rradhe, media e paguar nga qeveria.
Plehu kete rradhe eshte ne vendin e duhur, dhe ne kohen e duhur.
Se harrova. Nje pyetje per stilin e Blogut: a eshte korrekte ne shqip qe te ve presje pas “dhe” si ne fjaline e fundit te komentit apo eshte gabim?
Cilen shkolle ndjek drejtshkrimi shqip?
Flm
ky rast kerkon vemendjen e duhur, se jane bere corap interesa biznesi qe nxjerrin ne pah kriminalitetin e ulur kembekryq ne qeverine qendrore e ate vendore. patjeter qe ofrojne edhe nje lloj telenovele, “lugina e ujqerve” citohet gjerazi ne facebook, sidomos per grarine e mbyllur ne shtepi. Por edhe per mua eshte shume interesant, dhe e kam ndjekur me kersheri.
Nuk ka asgje fantazme ne kete histori xhaxha. Tom Doshi, nese trillon, luan me nje predispozite te publikut per te pritur vrasje politike. Kundershtaret e tij luajne me dispoziten e publikut per te pritur se te pakenaqurit do e nxjerrin kryen e tyre ziliqare. Ne mes eshte media qe i ushqen dhe kuron keto predispozita. Loja kerkon lojtare e spektatore.
Por, kjo lloj vemendje ne cdo levizje shahu shperqendron vezhgimin nga motivet e verteta per perplasjen. Te gjithe jane marre me aspektet logjistike, si, qysh e tek, por pak kush “pse?”. Dhe ketu media nuk jep asgje, sepse mendon se publiku eshte i uritur per spektakel: sa leke u dhane, si do ta hidhnin ne ere, me qites, apo me ndonje aksident te rasti? Rrjedhjet nga prokuroria te deshmive, tjeter prove sesi funksionon fshati.
E gjitha mund te jete nje teater, por skenari po luhet mbi kurrizin e publikut qe do te vuaj dhunen, nese shperthen jashte institucioneve, apo konsesusin, nese arrihet jashte institucioneve. Prandaj kerkon vemendjen e duhur, e sado batak e mjegull te hidhet, veshet e syte ti mbajme ngritur qe te mos na marrin per leshko.