Gazmend Butka (2000) Vallja e qyqit. Sh.B. “Shtëpia e Arbrit”: Tiranë.
Gazmend Butka është një shkrimtar të cilin bashkëkohësi i tij N. Josifi e cilëson si “të humburin në kode”. Edhe pse veprat e tij të mëparshme nuk kanë tërhequr vëmendjen e publikut, novela e tij e fundit “Vallja e qyqit” është një triumf ndaj mungesës totale të vëmendjes. Vepra e tij vazhdon të injorohet.
Për shkrimtarin ky është bekim. Nëse mendimi e vështrimi i tij origjinal do të përkulej të nderonte çdo interes përtej ekzistencës së tij, vepra e tij do të ishte një arnim pa konsistencën që karakterizon mendimin e tij politik.
“Vallja e qyqit” është një vepër politike mbi historinë e një kryetari bashkie, Durim Xhuveli, i cili edhe pse produkt i intrigave të një province afër Tiranës vendos të veprojë moralisht e të përballet me interesa e personazhe të rëndësishme pas një epifanie që përjeton për pasojë të një aksidenti, ku i vdesin fëmijët dhe bashkëshortja. Në projektin e një rruge që përshkon provincën, përplasen interesa të bizneseve lokale, interesat ekonomikë të deputetit të zones, ndërhyrja e shërbimeve sekrete vendase dhe atyre të huaja, si edhe problemi i strehimit të familjeve të prekura nga shpërngulja.
Rrëfime mbi kryetarët e bashkisë kanë qenë përherë në vëmendjen e medias dhe të artit. Këta gjithmonë kanë mishëruar simbolikën e pushtetit mediokër e ndërmjtësisë, midis shtetit dhe provincës, pjesës dhe tërësisë, borgjezisë provinciale dhe fshatarësisë. Karakterizimi i tyre në artin kinematografik vendas e të huaj është thuajse përherë negativ, p.sh. në “Koncert në vitin 1936” (1978), në Chocolat (SHBA, 2002) apo së fundmi në Leviathian (Rusi, 2014). Në media kryetarët e bashkive ose paraqiten kur dhurojnë medalje, ose kur akuzohen për korrupsion.
Rritja e vëmendjes ndaj politikave vendore është pasojë e decentralizimit. Skepticizmi ndaj rolit të tyre është rrjedhojë dhe e përmasave të vogla që zë statura e tyre në politikat e shtetit. Sidoqoftë, Butka vendos ta kthejë këtë histori të njohur me kokë poshtë e të tregojë një kryetar bashkie të fuqishëm për të bashkëvepruar me pushtetin qëndror, por të dobët për të vepruar kundër.
Vepra është një arritje në formën origjinale të rrëfimit. Rrëfimi është si një kaleidoskop i disa historive dhe jo linear. Karakteret vetëm marshojnë në vepër, pa u zhvilluar psikologjikisht. Dialogjet mungojnë tërësisht. Historitë e personazheve nuk puqen asnjëherë. Në 200 faqe rrëfim (autori i ka të gjitha veprat 200 faqe) nuk ka asnjë monolog.
I përkushtuar ndaj numerologjisë autori ndjek një sistem algjebrik dhe gjeometrik (gjeometri fraktale) në vepër që për të iluminuarit mund të jenë shenja për të ardhmen. Paragrafët janë të numëruar, maksimumi 50 për 8 kapituj të konceptuara si oktagon pasi përkojnë me 8 histori të rrëfyera në secilin kapitull. Kapitujt nuk kanë numra rendorë, ato lëvizin si një tren, por lexuesi mund ti rendisë, si kam vepruar unë. Kapitulli 5 takohet në faqen 50, 100 e 150. Kapitulli 3 takohet në faqen 33 dhe 133 e me rradhë. Nëse mblidhen paragrafët e fundit të faqeve sipas numrit rendor, për kapitullin një dhe paragrafi një, për kapitullin 2 paragrafi 2 e me rradhë, del një rrëfim tjetër pa lidhje me historinë, kapitulli 9, ndoshta një kapitull nga një liber në të ardhmen.
P.sh. në fq. 20, paragrafi 07, kapitulli 1 tregohet historia e zgjedhjes së kryetarit të bashkisë, që mund të hamendësohet se është viti 2007. Në kapitullin e dytë, fq. 44 (24 muaj më shumë nga faqja 20 në vitin 2007), në paragrafin 09 (për vitin 2009), rrëfehet mbi rizgjedhjen e tij. Në paragrafin 13 (për vitin 2013) rrëfehet sesi kryetari i bashkisë merr titullin doktor i shkencave nga një universitet prestigjioz në fushën e bujqësisë. Nga hulumtimi im, kjo histori duket se është e ngjashme me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun, madje deri në detaje.
Gazmend Butka nuk është një profet, por ka aftësinë të përdorë metoda të vendimmarrjes racionale e të parashikojë në hollësi ndodhi të së ardhmes. Formulat matematikore qe ai përdor nuk janë transparente për çdokënd, prandaj edhe numerologjia.
Historia e personazhit kryesor fillon në një ballo më maska. Sikur një rrëfim i Edgar Allan Poe, por asgjë e ngjashme nuk ngjet. Vdekja në fantazinë e personazhit rrëmben disa familjarë të tij. Këtë nuk e dimë me siguri, personazhi e përmend njëherë shkarazi. Nuk dihet nësë aksidenti ka ndodhur, as kur ka ndodhur, apo është thjeshtë trillim i imagjinatës së personazhit kryesor, i cili në paranojën e tij konspiron edhe kundër vetes. Të gjitha historitë nisin e përfundojnë në atë ballo, dhe me vallen e qyqit.
Vallja është simbolika kryesore e veprës. Duket sikur paragrafët, kapitujt e rrëfimi vallëzon rreth një personazhi, por ky nuk është kryetari i bashkisë. A është vallë “qyqi”, sikur titulli? Kryetari i bashkisë vetëm sa duket se i bie lodrës e vendos ritmin.
Por leximi është edhe më mistik. P.sh. nëse paragrafi 15 i kapitullit 15 do të lexohej mbrapsht, por fjalët do të kryqëzoheshin diagonalisht dhe leximi do të bëhej majtas, duke zëvendësuar kryefjalët e çdo fjalie me fjalinë pararendëse dhe kallëzuesin me fjalin e dytë pararendëse për ato fjali ku kallëzuesi është në pozicionin e tretë të fjalisë, historia mbi organizimin e festës së pavarësisë do të lexohej ndryshe: si një histori korrupsioni për dhënien e një licence për ndërtim pallati. Nga përllogaritjet e mia në bazë të paragrafëve dhe kapitujve, sikur edhe nga mbledhja e të githa shkronjave në fjalën e pestë të çdo fjalie, në këtë paragraf del emri i Shpëtim Gjikës, kryetarit të bashkisë së Vlorës, i akuzuar për korrupsion.
Që t’i kthehemi edhe njëherë mungesës së vëmendjes ndaj këtij autori shumë të ndërlikuar. Është afërmendsh që publiku nuk duhet kurrsesi të njihet më këtë autor. Edhe pse të kuptuarit është i vështirë, të lexuarit është aspak i sforcuar. Stili i autorit është gati fëmijënor, sikur paraqiten në këta rreshta përpara ballos dhe frikës së kryetarit të bashkisë se maskat që vendoste më shumë ja zbulonin se fshihnin fytyrën përpara turmës.
“Mori njërën prej tyre që ngjante si një vemje ngjyrë vjollcë me një gojë të shtrëmbëruar sikur thartuar nga pështirosja. E peshoi në dorë dhe ndjeu me gisht relievin e rrudhave të atij biçim surrati. Duart iu shkumëzuan si nëpër dallgë. E shtrydhi atë copë plastikë me duart e tij të stërvitura dhe e flaku tej nga dritarja. Aty anash rrëmbeu më të dy duart një maskë pirate dhe e shqeu në dysh. Puplat e kapeles i mbllaciti me inat. Në pasqyrë i pëlqeu më shumë ajo që shihte.” (fq. 33, paragrafi 05, kapitulli 33).