Kontekstet e web 2.0 – përfshi këtu edhe rrjetet sociale dhe shkëmbimet e SMS-ve, janë hapësira ku eksperimentohet më shumë me shqipen sot dhe ku përdoruesit ndihen më të lirë nga shtrëngesat që përndryshe shoqërojnë tekstin e shkruar.
Në shkrime të mëparshme rreth temës jemi pajtuar me tezën që i sheh këto përdorime të gjuhës si një lloj specifik që ka karakteristika të përbashkëta edhe me regjistrin e shkruar edhe me atë të folur, por edhe disa tipare specifike, të vetat.
Mes këtyre, tërheq vëmendjen përzierja e gjuhëve, në tekste të shkruara nga persona që e kanë shqipen gjuhë amtare, por jo më gjuhë të parë, zakonisht ngaqë jetojnë në vende të tjera.
Ja një shembull që më ra në sy, te hapësira e komenteve e një gazete të Tiranës:
Autori përzien lirisht, brenda të njëjtit tekst, shqipen dhe italishten; pas gjase ngaqë jeton ose ka jetuar gjatë në Itali.
Edhe pse kjo lloj përzierje e gjuhëve nuk mund të jetë kurrsesi normative, as brenda kategorisë specifike të shqipes së Internetit, prapë nuk mund të trajtohet as si gabim, ose fryt i njohjes së pamjaftueshme të gjuhës; sepse autori natyrisht është në gjendje të shprehet vetëm në shqip (ose vetëm në italisht), por zgjedh – me dëshirën e vet – që t’i përziejë kodet.
Përftesa ngjan disi me citimin e proverbave ose shprehjeve nga një gjuhë e huaj, brenda një teksti; si në fjalinë anglishte më poshtë:
She has a certain je ne sais quoi about her.
Ku një pjesë është në frëngjishte. Sikurse ngjan edhe me dukuri të qortuar prej kohësh në shqipen e snobëve, të cilët futin vend e pa vend fjalë dhe shprehje të huaja, në ligjëratën e tyre të folur, për t’u dukur – këtë dukuri e kanë qesëndisur deri edhe Rilindësit.
Më në fund, të kujton edhe ndonjë kontekst historiko-letrar, si ai i romanit “Lufta dhe paqja,” të Tolstoi-t, ku aristokratët rusë flisnin rëndom frëngjisht mes tyre; ose ndërkallnin fraza në frëngjisht në dialogun rusisht (dhe këtu nuk po hyj në krahasime me tekste që e marrin monolinguizmin në pyetje, si Ulysses i Joyce-it).
Shembulli që solla më sipër, megjithatë, nuk hyn në asnjë nga këto kategori – meqë nuk është shenjë e “prishjes” ose e degradimit të shqipes së përdoruesit; as përftesë për t’u dukur ose për promovim social; dhe as i referohet doemos Italisë, kulturës italiane ose të jetuarit në Itali.
Përkundrazi, dëshmon – pas gjase – që përdoruesi jeton në Itali, ose ka jetuar atje; dhe e përdor dendur italishten, madje edhe me të afërmit ose miqtë e vet shqiptarë, që e zotërojnë italishten në po atë shkallë.
Të ndërfutësh fjalë dhe shprehje në gjuhën e vendit pritës ndodh rëndom me imigrantët që flasin shqip mes tyre; më ndodh edhe mua, në situata tepër të relaksuara dhe me njerëz shumë të afërm.
Kjo dukuri, detyrimisht e regjistrit të folur, ndodh vetëm në një drejtim – kur dikush flet shqip me bashkatdhetarë dhe përdor herë pas here fjalë dhe fraza të anglishtes (italishtes), i bindur se tjetri do ta kuptojë; por i njëjti person, kur flet anglisht (italisht, etj.) nuk fut zakonisht fjalë dhe shprehje të shqipes.
Ka pra një hierarki të gjuhëve që kombinohen; dhe ku shqipja përbën bazën, ose trungun mbi të cilin shartohen degë a filiza të gjuhës tjetër.
Dhe këtu nuk po flasim ende për shqipen e Internetit; por për shqipen bisedore në përgjithësi.
Shqipja e Internetit e trashëgon këtë dukuri nga regjistri i folur, e ndihmuar edhe nga atmosfera e relaksuar që garanton anonimiteti – p.sh. në komentet; ose, në kontekste të tjera, nga vetëdija se të tjerët do t’i kuptojnë këto kombinime gjuhësore.
Në shembullin më lart, shprehje si mi lascia un po’ perplesso ose fino a(d) un certo punto ose se non sbaglio ose morì come un cane; ose rabbia e brividi kanë ngarkesë citacionale; aq mund të merren edhe si klishe të llojit gjuhësor, ose fraza gjysmë-parazitare, që mund të shtegtojnë lirisht nga një ligjëratë në tjetrën – të domosdoshme për kë flet italishten, pikërisht për shkak të këtij virtyti prej jockey.
Tre të parat (mi lascia un po’ perplesso, fino a(d) un certo punto, se non sbaglio) përmbushin edhe një funksion zbutës në italishte; mund të supozohet se shkruesi i përdor shpesh edhe në atë gjuhë – si mënyra për ta lubrifikuar disi ligjëratën, për ta bërë më të rrjedhshme dhe më të pranueshme. Ndonjë prej tyre kushedi nuk është e lehtë për t’u sjellë në shqipe; ose përdoruesi di ta sjellë, por nuk i zë besë rolit të saj në shqip, në një kohë që me versionin italisht ndihet mirë.
Në raste të tilla, do t’i atribuojmë përdoruesit një synim të caktuar pragmatik, të cilin sipas rastit e përmbush shqipja ose italishtja.
Mirëpo ky përdorim dallon mjaft nga ai i përzierjes së kodeve në situata familjare, mes imigrantësh që njihen mes tyre dhe i kanë të qarta kompetencat dy-gjuhësore të njëri-tjetrit; sepse ai që shkruan në Internet i drejtohet një publiku me kompetencë të panjohur; dhe që, në çdo rast, nuk është e thënë ta zotërojë italishten si një shqiptar që jeton prej kohësh në Itali.
Dhe kjo ia prish efektin fillestar përzierjes së kodeve; sepse italishten e komentit të cituar më lart mund ta kuptojnë vetëm një numër i kufizuar lexuesish; të tjerëve thjesht do t’u bëjë përshtypje a do t’u tërheqë vëmendjen përzierja e kodeve (dhe jo doemos si shenjë snobizmi).
Aq më tepër që në tekst ka edhe shumë fjalë dhe shprehje italishte që nuk janë citacionale, p.sh.:
u kthye nga Parisi ku bënte pedagogen in giurisprudenza me idenë se mund të ishte utile për një vend që do rimëkëmbej
Mund të pyetet pse përdoruesi ka parapëlqyer të shkruajë italisht in giurisprudenza; aq më tepër kur është fjala për një universitet në Paris. Ndoshta ngaqë giurisprudenza tingëllon si më prestigjioze se drejtësi ose juridik; ndoshta ngaqë është synuar efekti stilistik i kundërvënies së giurisprudenza-s që studiohet në Perëndim, me juridikun e Lindjes dhe në veçanti të Shqipërisë; ndoshta ngaqë edhe përdoruesi i ka harruar barasvlerat shqipe, ose nuk po i kujtohen në atë moment. I njëjti diskurs vlen edhe për utile, e cila pas gjase sillet zvarrë në thënie nga giurisprudenza. (Teknikisht, do të flitej për një izotopi të italishtes brenda tekstit shqip.)
Kështu, për efekt induktiv të gjuhës tjetër, mund të shpjegojmë edhe thënien e mëposhtme:
Agitazione e propaganda. 20 anni. Esce nel 65.
Aq më tepër që agitazione e propaganda është përkthim në italishte, verbatim, i një figure penale të “jurisprudencës” totalitare; dhe për italianët vetë nuk ka shumë domethënie, dhe aq më pak konotacionet e shqipes agjitacion e propagandë. Që këtej, edhe vazhdimi i thënies (20 anni, esce nel 65) merr trajtat e një historie që përdoruesi ia tregon një italiani – çka mund të ketë ndodhur vërtet.
Ose më tej:
Fliste në mënyrë perfekte katër gjuhë të huaja. A Parigi aveva la sua casa. Morì come un cane. Tran(n)e qualche parente, non parla nes(s)uno. Vite nascoste. Nderime? … ma che? … Brividi. Rabbia e Brividi.
Këtu ndërrimi i kodit merr përmasa alarmante – në kuptimin që rrëfimi i filluar në shqipe vazhdohet në italishte të pandërprerë (“Nderime?” i referohet në fakt me citim diskursit paraprirës të një komentuesi tjetër, me të cilin autori ynë po bën polemikë). Dhe unë gati-gati do të dalloja, veç italishtes, edhe një teknikë të caktuar të ligjërimit ekspresiv, të marrë nga gazetaria ose letërsia italisht – dhe që përdoruesit i vjen më natyrshëm se po ta provonte në shqip. Pra nuk kemi vetëm interferencë gjuhësore, por edhe stilistike (mbi-gjuhësore); gjithnjë të diktuar nga synimi pragmatik i autorit të tekstit, ose nevoja për të përftuar një efekt të caktuar.
Problemi këtu është se sa përftohet realisht ky efekt. Siç e ceka më lart, ndryshe nga një bisedë në kontekst pak a shumë familjar, me njerëz që ia njohin kompetencën gjuhësore njëri-tjetrit, shkëmbimi i komenteve në Internet mund të ndodhë vërtet në një atmosferë të relaksuar dhe ku rregullat e shqipes së shkruar nuk përfillen shumë; por kjo nuk i ndryshon gjë faktit që ti po u flet të panjohurve; ose njerëzve për të cilët ti vetëm sa di, me një farë sigurie, se ndajnë me ty shqipen. Italishtja, në këtë kontekst, dhe pavarësisht nga origjina e saj, vjen ose si një lloj defekti gjuhësor (idiolektal) i përdoruesit, ose si lajmërim se ky po shkruan nga Italia ose që nga kultura italiane e të folurit. Çka nuk ngre kurrfarë peshe në kontekstin e komenteve në fjalë, sa kohë që nuk flitet për asgjë italiane ose që i referohet Italisë.
Le ta quajmë këtë diskurs të deformuar nga iluzioni i familjaritetit; ose edhe nënprodukt të vetmisë gjuhësore.
Tema është shumë interesante. Problemin mendoj se duhet ta shohim edhe nga shkalla e vetëdijes së folësit lidhur me përdorimin e kodeve dhe kontekstit. Të dyja kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Në qoftë se përzierja e kodeve ndodh në një kontekst të pranueshëm, ku bashkëfolësit kanë të njëjtat kompetenca gjuhësore, e të njëjtin nën-shtresë kulturore, atëherë zgjedhja mund të jetë deri efikase.
T’i përziesh kodet në prani të një personi që nuk i njeh mirë, shqipen ose italishten në rastin tonë, është kundërprodhuese nga pikëpamja e komunikimit. Shembulli që u dha më sipër do të ishte i paefektshëm nga pikëpamja komunikuese, në rast se do të dëgjohej e lexohej nga persona që nuk kanë njohuri fare për gjuhën italiane. Le ta përfytyrojmë pak sikur shqipja të ishte përzier me finlandishten. Kthehem tek pyetja: Sa është i vetëdijshëm personi se po “luan” me kodet gjuhësore dhe se përzierja e tyre e ka një efekt tek marrësi i mesazhit? Më vjen dyshimi se folësi më shumë i flet vetes se sa të tjerëve.
Ka plot prej nesh që i përziejnë në situata të ndryshme gjuhët. Por në prani të një auditori që nuk e njeh njërën nga gjuhët, atëherë shtohet e famshmja “siç thonë anglezët”, ose “siç thuhet në italisht”, çka e ndan kodin kryesor nga erëzat e ndryshme gjuhësore që mund t’i fusim gjatë komunikimit.
Ka raste të tjera kur zotërimi i kodit të ri nga ana e emigrantëve fillon e merr epërsi ndaj gjuhës fillestare, kryesisht për shkak të dendurisë së përdorimit. Kjo sjell edhe përdorimin masiv të gjuhës së re, hapësira e së cilës i jep siguri përdoruesit sidomos në mungesë të gjuhës amtare, pra kur kjo nuk ka mundësi të kultivohet. Mirëpo, hapësira virtuale, përfshirë uebi 2.0, ta jep mundësinë ta përdorësh kodin e një gjuhe. Përse atëherë kjo sallatë mikse? Ndoshta shkruesi mendon se mesazhi është edhe më i efektshëm kur përdoren fjali e fjalë të huaja, të cilat ai i njeh mirë.
Këtu duhet të shohim edhe sasinë e përzierjes. Është e vështirë të flasësh me përqindje, por në qoftë se njëra nga gjuhët përdoret shumë, ose ndahen përgjysmë, atëherë nuk kemi të bëjmë me zgjedhje stilistikore ose komunikuese. Teksti në shqip që flet për situatën politike italiane, ose diçka tjetër që ka të bëjë me Italianë, e pranon gjuhën italiane aty këtu, sepse është në funksion të argumentit, madje i jep shije diskursit. Le të marrim një tjetër situatë konkrete: nëse i flet një grupi bashkatdhetarësh që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, mund të përdorësh ndonjë fjali në anglisht, thjesht për t’u treguar se po futesh në sintoni me ta, se ua njeh prapatokën kulturore, por do të ishte pa kuptim sikur këtyre t’u flisje me citime nga frëngjishtja, ose gjermanishtja. Në rastin më të mirë do të të merrnin për snob.
Më vjen ndër mend personazhi Salvatore i “Emrit të trëndafilit” të Umberto Eco-s. Është personazh tërheqës, sepse flet një gjuhë të përzier midis volgares (gjuhës së popullit në mesjetë) e latinishtes klasike, por edhe kode të tjera gjuhësore. Salvatore fliste një gjuhë babelike, të shkaktuar nga jeta aventurore e plot udhëtime që kishte bërë në jetë. Për t’u kthyer në fund në abacinë benedetine. “Salvatore i fliste të gjitha gjuhët e asnjë prej tyre”, thotë Adso. Nuk besoj se është paraardhësi i emigrantëve të sotëm, por në botën globale disa hapësira moderne siç është interneti, i ngjasojnë kullës së Babelit, e të ftojnë t’i ngatërrosh kodet, duke filluar nga hapësira “kinse” familjare që të ofron ngrohtësia e anonimësisë në ueb dhe rehatia e tastierës në shtëpi.
Shkrimi i mësipërm, midis të tjerash, është edhe një ftesë për studime sasiore në fushën e gjuhës. Natyrisht, për ata që kanë mundësi e fonde për t’i bërë. Megjithatë do të ishte me shumë interes të shihej zhvillimi i këtij “kodi” të ri, ose thjesht efektet e përzierjes së shqipes me gjuhët e tjera.
Unë komentin e sjellë nga Xhaxhai do ta lexoja edhe nëpërmjet ngarkesës emocionale që qartazi mbart.
Në fjalitë e para komentues – i/ja shprehet me shqipe korrekte, apostrofet janë në vendin e duhur, pikat dhe presjet po ashtu ndërkohë që mungesa e ç-ve dhe ë-ve mund të spjegohet thjesht nga nxitimi i çastit. Mendoj pra që nuk është niveli i zotërimit të shqipes arsyeja e përzierjes së të dy gjuhëve.
Po ashtu nuk mund të mos vë re se përdorimi i italishtes zë e shtohet me tekstin. Fillimisht teksti është vetëm shqip, pastaj fillojnë ndërhyrjet e italishtes për t’u kthyer në fund të komentit në një tekst thuajse i tëri italisht.
Në fund, gjithashtu vë re se edhe vetë italishtja transformohet nga narracion përshkrues (mi lascia un po’ perplesso) në narracion emocional (Rabbia e brividi).
I gjithë komenti pra karakterizohet jo thjesht nga përzierja e dy gjuhëve por edhe nga një process rritës / theksues të përdorimit të italishtes si nga ana sasiore ashtu edhe nga trajektorja emocionale.
Mendoj kësisoj se ndërfutja e italishtes është instrument që komentues –i/ja e përdor për t’u distancuar me fenomenin dhe me vendin që e ka pjellë atë fenomen. Për shembull xhaxhai vë re se agitazione e propaganda është përkthim verbatim i një nocioni totalitar. Mbase këtu është inversi i atij fenomeni kur fjala “merda” përdoret në vend të korresponduesit shqip për të zbutur ngarkesën emocionale që ka ky i fundit në gjuhën amtare. Përkthimi verbatim i agjitacion e propagandës mbase synon të fuqizoje ngarkesën emocionale që ka ky togfjalësh në kujtesën e lexuesve shqiptarë (apo të manipulojë fantazinë e atyre lexuesve më të rinj në moshë të cilën nuk e jetuan mirëfilli klimën e agjitacion-propagandës). Duke rritur kështu ngarkesën emocionale të togfjalëshit, komenti synon edhe të shprehë në mënyrë të vendosur revoltën / mllefin / qëndrimin kundër atij fenomeni të cilin komentuies-i/ja e përbuz aq shumë saqë refuzon edhe ta shqiptojë në emrin e vet fillestar (“të humbtë emri”)
Duke mos qenë linguiste më mungon njohuria nëse një fenomen i tillë (pra i përkthimit verbatim për të fuqizuar ngarkesën emocionale) ekziston apo njihet gjetiu. Nëse është kështu (ndihmomë Xhaxha!) do të doja gjithashtu të dëgjoja komentuesit e tjerë në e shohin edhe ata si unë: pra mjet për distancim nga konteksti prej të cilit vjen / rrjedh fjala apo togfjalëshi i përkthyer.
Shumë ngacmues ky koment – më futi edhe mua në mendime.
Refuzimi i llojit “mos ia pafsha më bojën” u ka ndodhur shumë prej atyre që u larguan nga Shqipëria në 1990-ën dhe në pak vitet më pas.
Diçka mund ta dëshmoj edhe unë, sidomos pasi erdha në ShBA në 1996 (më parë kisha qenë në Itali, në Napoli).
Deri në vitin 2001, e kisha të vështirë të shkruaja shqip; dhe nuk kisha ç’të thoja. Madje edhe në debate Interneti, futesha më kollaj në anglishte.
Nuk di të them ç’ndodhi pikërisht, që e ktheu mbrapsht këtë tendencë dhe më afroi rishtas me shqipen; besoj 11 shtatori – që më traumatizoi keq; ose – këto janë gjëra personale dhe vështirë për t’u besuar kur nuk i provon vetë – lënia e cigares dikur nga 2002-shi (edhe ajo traumë).
Nëse është e vërtetë se gjuha që flasim, në të vërtetë na flet dhe na përfton si subjekte, atëherë ne që u larguam përjetuam personalitete të shumëfishta.
Kam dëgjuar shumë shqiptarë, bashkatdhetarë të mi, të flasin italisht në Itali dhe anglisht këtu në NYC; si në një rast edhe në një tjetrin, më është dukur sikur gjuha e adoptuar rishtas i gjunjëzon.
Kjo nuk më rezulton të ndodhë, natyrisht, me njerëz që janë shkolluar në Perëndim.
Ne që ikëm nga Shqipëria “të formuar” si karaktere dhe intelekte, morëm me vete një mesazh që deshëm t’ia përcillnim Perëndimit, me çdo mënyrë. Si pa e kuptuar, shërbyem si korrierë të atij mesazhi – në kuptimin që ai u bë arsyeja e ikjes sonë, e çrrënjosjes sonë.
E kam parë këtë tek të tjerët, dhe e kam marrë me mend se edhe të tjerët e kanë parë tek unë. Të gjithë kemi pasur një hall të madh për të rrëfyer; pa çka se jo gjithnjë na e kanë dëgjuar.
Xhaxhai: “Ne që ikëm nga Shqipëria “të formuar” si karaktere dhe intelekte, morëm me vete një mesazh që deshëm t’ia përcillnim Perëndimit, me çdo mënyrë. Si pa e kuptuar, shërbyem si korrierë të atij mesazhi – në kuptimin që ai u bë arsyeja e ikjes sonë, e çrrënjosjes sonë.”
Po, besoj edhe unë se ikja e madhe e shqiptarëve përgjatë vteve ’90 mbartte një kumt qoftë në pavetëdijen kolektive, qoftë në të vetëdijshmen individuale. Kolektivisht ikja shënonte pamundësinë / pafuqinë që vendi pati për të mbajtur (retain) vlerat e veta mes vedit, çka ndaj shkaktonte mllef legjitim ndër të ikurit. Këtu besoj edhe gjuha e adoptuar si surrogacy e gjuhës amtare shënonte jo vetëm përshtatje e “gjunjëzim” (në termat e tua Xhaxha) por edhe hakmarrjen për braktisjen e neglizhimin që të ikurit pësuan nga vendi që nuk i deshi a nuk arriti t’i dojë, e për pasojë i bëri të ndihen të tepërt.
Ndaj shpeshherë, të dëgjoj bashkatdhetarët që merren vesh me njëri-tjetrin në gjuhën e vendit pritës, më duket jo vetëm si përpjekje për t’u ndjerë pjesë e atij vendi, por edhe si mirënjohje për mundësitë që u dha një vend tjetër i cili nuk kishte detyrime ndaj tyre. Duke e vënë shqipen në qoshe’, shqiptarët në emigracion vunë rrënjët e tyre në qoshe’ dhe i trajtuan ato siç trajtohen orenditë apo gjyshërit që i vëmë në qoshe’: i respektojmë, përpiqemi t’u mësojmë fëmijëve vlerat e tyre muzeale, ndërkohë që ndërveprimin real me sende dhe njerëz e kemi sjellë tashmë në dimensionet e mijëvjeçarit të tretë.
Në fund, më ngacmove me lënien e duhanit të cilës iu referove si traumë: mbase në kontekstin ku ishe lënia e duhanit thellonte edhe më distancën midis identitetit tënd aktual dhe atij të mëparshëm (në Shqipëri, duhanpirës, etj. etj)?