Si efekt anësor i zhurmës që u bë rreth një kandidature për ambasador të Republikës së Shqipërisë në Vatikan, të rrëzuar nga Presidenti, doli në dritë një lajm që konfirmokësh ca lidhje tepër të koklavitura, por gjithnjë aktivisht vepruese, midis gruas së Presidentit Nishani dhe të ngarkuarës së tanishme me punë të Republikës së Shqipërisë në Vatikan, të materializuara në themelet e kishës katolike Shën Piu X në Elbasan.
U tha se Gjykata e Lartë kish vendosur që kjo kishë të prishej, që trualli t’u kthehej pronarëve të ligjshëm, familjes Karaosmani, së cilës i përkitësh edhe “zonja e parë,” Odeta Nishani. Sipas lajmit të botuar nga TemA, gjykata e paskësh bërë këtë “e urdhëruar nga gruaja e Presidentit”; edhe pse, siç është stili tashmë i konsoliduar i gazetarisë shqiptare, nuk jep asnjë provë për këtë pohim kaq të guximshëm, që vë në pikëpyetje vetë rendin kushtetues të Republikës.
Sipas deklaratës së plotë të komuniteteve fetare, në formë ankese drejtuar kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Parlamentit Meta, të cilën e ka botuar sërish “TemA” në linkun e sjellë më lart, “më 5 shkurt 2015 Gjykata e Lartë në Republikën e Shqipërisë vendosi lirimin e truallit nga ana e Kishës Katolike, megjithëse ajo është ligjërisht pronare e certifikuar, e legalizuar nga Shteti Shqiptar dhe realisht ushtron aktivitetin e saj prej 23 vitesh.”
Mbi këtë deklaratë u ndërtua pastaj edhe një editorial i M. Bazes, të cilin mund ta lexoni këtu.
Natyrisht, këtu kemi të bëjmë me dy çështje krejt të ndara nga njëra-tjetra: nga njëra anë, statusin e truallit mbi të cilin është ndërtuar një kishë në Elbasan, me të cilin është marrë tani së fundi Gjykata e Lartë; nga ana tjetër, ndikimin jashtë-institucional që mund të ketë Presidenti Nishani dhe aq më keq gruaja e tij, mbi një institucion të lartë të pavarur, siç është Gjykata e Lartë dhe konflikti i mundshëm i interesave mes tyre.
Sot u bë publike një deklaratë, sërish kolektive, e pronarëve pretendues të truallit ku është ngritur Kisha Katolike në fjalë, ku thuhet mes të tjerash se “kisha nuk ka pretenduar asnjëherë që ka qenë pronare e truallit”, në një kohë që pasardhësit e familjes Karaosmani “asnjëherë nuk kanë kërkuar prishjen e kishës”; dhe, më tej akoma, që vendimi i formës së prerë të Apelit, në favor të pronarëve pretendues, është i datës 12 qershor 2012; dhe se komisioni i kthimit të pronave e ka njohur pronësinë e familjes ndaj truallit që në vitin 1994.
Secila prej deklaratave ndërton realitetin e vet, jo pa koherencë të brendshme; edhe pse këto dy realitete e përjashtojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se të paktën njëra prej palëve drejtpërdrejt të përfshira në këtë çështje, gënjen ose e lexon realitetin në mënyrë psikotike.
Nga ana tjetër, efekti i këtyre dy deklaratave, ndaj konsumatorit të informacionit nga mediat në Shqipëri nuk mund të jetë veçse pështjellues; sepse këtij lexuesi i ofrohen si njëkohësisht “të vërteta” dy versione kontradiktore të realitetit.
Nëse gazetaria shqipe do të funksiononte në mënyrë profesionale, atëherë pikërisht mbi bazën e kësaj kontradikte flagrante një gazetar do të niste hetimin e vet, duke parë dokumentacionin e pronës dhe duke intervistuar palët e përfshira në konflikt – më parë ato të përfshira drejtpërdrejt dhe pastaj të tjerat; dhe më në fund t’i paraqiste publikut të interesuar një raport të hollësishëm dhe faktik për çfarë ka ndodhur. Pikërisht këtë pritet që ta bëjnë mediat, sepse kjo është arsyeja e ekzistencës së tyre, si faktor në jetën publike dhe në komunikim.
Por sa janë gjasat që gazetaria të funksionojë kështu?
Kam frikë se janë praktikisht zero; dhe janë zero – supozoj – jo aq sepse gazetarët nuk dinë ta bëjnë punën e tyre, por vetëm sa shkruajnë pamflete dhe përcjellin batutat e politikanëve, duke u shtuar nga pak salcë anash; por sepse media në Shqipëri nuk ka aq interes të zbulojë të vërtetën dhe të informojë publikun për të, sesa të kontribuojë, në mënyrë sistematike, për krijimin, mirëmbajtjen dhe riprodhimin e grupeve antagoniste, të bashkëngjitura partive politike, për synime të marrjes, ruajtjes dhe konsolidimit të pushtetit.
Publikut nuk i jepet ndonjë raport informues për realitetin, sesa i ofrohet ai version i para-konfeksionuar i realitetit, që i shërben drejtpërdrejt këtij apo atij grupi në pushtet ose që synon pushtetin – i cili kështu merr edhe trajtën e pushtetit ndaj së vërtetës. Me kalimin e kohës, ky deformim i përcillet edhe publikut, i cili tani – për arsye edhe thjesht psikologjike – kërkon atë lloj informacioni, që ia konfirmon bindjet që ka.
Këtë efekt e kanë quajtur edhe ekspozim selektiv (kam shkruar këtu më gjerë, duke cituar edhe burime).
Prandaj, kur vërejmë se, autori i edhe një lajmi të zakonshëm të përcjellë në mediat e ka të vështirë, në mos të pamundur, të mbajë të ndara faktet nga pandehmat e veta (dhe të bosëve të vet) dhe nga reagimet e veta emocionale (ose reagimet që mendon se duhet të ngjallë te publiku), duhet ta kuptojmë se është fjala jo aq për inkompetencë të rastit, por për inkompetencë të studiuar, ose për një shkollë të caktuar të gazetarisë, që synon rrafshimin e të menduarit kritik te publiku, nëpërmjet përforcimit të disonancës konjitive.
Si rezultat, shumë qytetarë shqiptarë nuk janë në gjendje të shpjegojnë arsyet e informacioneve që zotërojnë, as të argumentojnë sigurinë e tyre për gjithfarë teorish komploti, insinuatash dhe akuzash të përbindshme ndaj figurave publike – siç e konfirmon edhe një seancë e vetme e Kuvendit, ku përfaqësuesit e zgjedhur të popullit debatojnë mes tyre në mënyrë krejt demenciale, jo sepse janë të lënë nga mendtë, por sepse vetëm kështu mund të komunikohet në një forum ku rregullat e të menduarit logjik nuk veprojnë më.
Edhe një herë, synimi i atyre shkëmbimeve të çuditshme nuk është zbulimi i ndonjë të vërtete çfarëdo, por përcjellja e mesazheve të fshehta, shantazhimi dhe, para së gjithash, kompaktësimi i fronteve përkatëse, të palëve ndërluftuese. Ironia është se ky abuzim i paparë me fjalën publike është rezultat i palavdishëm i zbatimit të lirisë së fjalës në rrethanat e një forumi ku pjesëtarët nuk kanë ç’t’i komunikojnë shoku-shokut, veç armiqësisë herë rituale, herë mortale; armiqësisë që nuk i ndan më, aq sa ç’i mban së bashku.
Shënim: ky material është pronë e autorit dhe e blogut Peizazhe të Fjalës. Ndalohet riprodhimi i tij pa leje nga mediat.
Thelbi i medias në Shqipëri është pikërisht qëndrimi ndaj së vërtetës e roli i saj në skenën publike. Mekanizmat që zotërojnë përgjithësisht mediat aktuale shqiptar janë ato të fshehjes të së vërtetës dhe jo të zbulimit të saj. Kjo nuk është e thënë të bëhet në mënyrë të vetëdijshme e të programuar, por thjesht si rezultat i veprimtarisë mediatike tashmë të konsoliduar, që nuk e shikon të vërtetën si yll polar, por e mban kokën ulur drejt interesave të ndryshme. Kjo për arsyen se mediat shqiptare janë vazhdimi i veprimtarisë ekonomiko-politike me mjete të tjera. Si të thuash janë pjesë e lojës, janë brenda arenës, janë armë në duart e gladiatorëve. Ose të paktën sillen si të tilla. Në këtë kuadër mishmashi, të kërkosh të vërtetën është si ajo puna e gjilpërës në kashtë.
Ndonjëherë kam përshtypjen se mediat shqiptare sillen sikur të ishin softuer për t’ia kriptografuar informacionet publikut, por kjo nuk e përjashton që në mjedise të tjera, atje ku kodet njihen, ato mesazhe të mos jenë të lexueshme. Përkundrazi. Në këtë mënyrë mediat shërbejnë, patjetër, por jo për qytetarët.