Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KATOLIKË, JOKATOLIKË DHE MYSLIMANË

Një incident në lidhje me sugjerimin e emrit të Visar Zhitit si ambasador i mundshëm i Republikës së Shqipërisë në Vatikan i ka përflakur mediat këtë fundjavë.

Nuk di se nga erdhi pikërisht ky sugjerim, por lexova që imzot George Frendo, ipeshkëv ndihmës i dioqezës Tiranë-Durrës dhe sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike është deklaruar (1) se do të ishte më e përshtatshme që ambasadori i Shqipërisë në Vatikan t’i përkiste besimit katolik dhe (2) që shteti shqiptar, gjatë procedurave të përzgjedhjes së emrit të ambasadorit të Republikës në Vatikan, mund të ishte këshilluar edhe me ipeshkvinjtë katolikë.

Mirëpo mediat që kam lexuar e përcollën këtë lajm duke theksuar se Ipeshkvinjtë (ose edhe më keq, Vatikani vetë) nuk dëshironin që Shqipërinë ta përfaqësonte pranë Selisë së Shenjtë një mysliman.

E lexova me kujdes intervistën që imzot Frendoja ia dha Gazetës Shqiptare: ai nuk e përmend atje asnjëherë përkatësinë fetare të Zhitit, as thotë që është kundër përfaqësimit të Shqipërisë nga një mysliman; por vetëm përsërit se do të dëshironte që në atë post të dërgohej një katolik.

Fenë e supozuar të Zhitit e përmend, në intervistë, gazetarja F. Nikolli, e cila thotë “kisha është kundër një ambasadori mysliman në Vatikan”… “një mysliman si Zhiti” etj.; lexuesi mund ta verifikojë vetë.

Prandaj më duket se e gjithë stuhia në mediat është mbështetur në një keq-interpretim: imzot Frendoja nuk e cilëson shprehimisht përkatësinë fetare të Zhitit, sepse nuk ka se nga ta dijë këtë; por vetëm e themelon pozicionin e vet mbi premisën që Zhiti nuk është katolik – çka ai e di, sepse ky lloj informacioni përfshihet në “jurisdiksionin” e tij.

Ndaj kësaj interviste reaguan një numër analistësh, mes të cilëve do të veçoj M. Nanon; i cili edhe ai lexon në fjalët e imzot Frendos diçka që ky, qoftë edhe thjesht duke u treguar i kujdesshëm, nuk e ka thënë (argumentimin në bazë të përkatësisë fetare të Zhitit); por pastaj me të drejtë shpjegon se pretendimi ose dëshira që Shqipërinë ta përfaqësojë në Vatikan një katolik nuk ka bazë; meqë identiteti fetar në një vend laik si Shqipëria, ku punët e fesë janë të ndara nga ato të shtetit, nuk ngre peshë në fytyrën publike të qytetarit.

Reagoi pastaj edhe z. Zhiti vetë, i cili duke u përpjekur që të shpjegojë pse karakterizimi i tij si “mysliman” është i gabuar, shpjegon afërsinë e tij shpirtërore me katolicizmin, duke arritur deri në hollësi të tipit “unë shkoj në kishë dhe ndez një qiri.”

Edhe intervistën Zhitit ia ka bërë e njëjta gazetare që intervistoi imzot Frendon, F. Nikolli, e cila thotë që në krye se Visar Zhiti ndihet i habitur, i tronditur dhe i pikëlluar, pasi “Kisha Katolike doli publikisht kundër kundër emrit të tij për ambasador të Shqipërisë në Vatikan, me arsyetimin se është mysliman.”

Sërish (por mos më lini të lajthit), unë nuk e kam parë gjëkundi këtë arsyetim – dhe sidomos nuk e pashë në intervistën e imzot Frendos.

Dhe nëse është kështu, atëherë ky debat e ka thelbin të krimbur. Në vend që të debatojmë nëse ka apo jo ndonjë detyrim shteti shqiptar që të këshillohet me ipeshkvinjtë në emërimet diplomatike në Vatikan, po debatojmë se ç’të keqe ka të jesh edhe mysliman edhe përfaqësues i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë.

Përgjigjja e Zhitit është e sinqertë, por e papërshtatshme: ai thotë se ka përkthyer poezi të Papës, ka shkruar katër libra për Nënë Terezën, se kardinali Gianfranco Ravasi citon poezitë e tij të dielave, se ka njohur priftërinj katolikë në burg, se ka një personazh katolik të persekutuar në romanin e vet dhe se libri i tij i fundit “është një himn për priftërinjtë e masakruar nga komunizmi” – të cilat sillen të gjitha për të argumentuar se ai “nuk është mysliman fanatik”, por i do dhe i vlerëson katolikët dhe se ka shumë miq priftërinj.

Në fakt, e vetmja gjë që duhej të thoshte Zhiti është që ai është qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe, nëse do ta pranojë ftesën që i bëhet për të përfaqësuar shtetin e vet pranë Selisë së Shenjtë, do t’i shërbejë shtetit që e ka dërguar me besnikëri qytetare. Asgjë më tepër se kaq.

Nuk pashë të përfshihen, në këtë tallaz mediatik, ata që e propozuan emrin e Zhitit për ambasador – për t’i dalë zot kandidatit të tyre; dhe për të mos e lënë të gabojë kështu publikisht.

Është e dhimbshme për mua që të dëgjoj një person të nderuar dhe të sfilitur shpirtërisht si Zhiti të përbetohet, në media, për lidhjet e tij të shumta me katolikët, Papën, Nënë Terezën, priftërinjtë dhe të tjera punë të asaj feje; sidomos ngaqë ai nuk do të shkonte në Vatikan si përfaqësues i katolikëve të Shqipërisë – thjesht ngaqë këta nuk kanë nevojë t’i përfaqësojë kush në Vatikan; sikurse është e dhimbshme ta dëgjoj atë të flasë për “inkuizicion”, thjesht ngaqë një ipeshkv preferon që Shqipërinë në Vatikan ta përfaqësojë një katolik… Edhe në këtë rast, keq-interpretimi fillestar ka prodhuar keqkuptime dhe teprime përndryshe krejt të shmangshme.

Nuk kuptoj as se nga doli dhe mori dhenë ky informacion, që z. Zhiti është “mysliman” – meqë nuk ka asgjë në emrin, sjelljet dhe biografinë publike të këtij personi, që ta identifikojë si të tillë. Vetë Visarit, viktimë të dhunës totalitare dje, nuk do t’i ketë shpëtuar që këtë identifikim të tjetrit në bazë të përkatësisë fetare të supozuar nuk e dallon gjë, në thelb, nga identifikimi që u bëhej njerëzve në totalitarizëm, në bazë të përkatësisë klasore. Meqë çështja është fare e thjeshtë: kush ka tagër të vendosë përkatësinë e dikujt në një komunitet të caktuar fetar?

Edhe më i papranueshëm, në këtë polemikë, është presupozimi, herë i heshtur dhe herë më pak i heshtur, se të qenit mysliman njëfarësoj e skualifikon dikë nga e drejta/privilegji për t’u parë sy më sy me Europën, përfshi këtu edhe Vatikanin dhe Europën katolike; edhe pse më duhet ta theksoj se këtë presupozim nuk e pashë as e lexova gjë në intervistën e imzot Frendos, i cili bënte atje – për arsye të vetat – diskriminim pozitiv (e duam katolik) jo negativ (nuk e duam mysliman).

Është tejet fyes dhe antihuman ai kontekst – qoftë mediatik qoftë social – kur një qytetar i nderuar dhe personalitet i kulturës si Zhiti ndihet i detyruar të japë shpjegime në publik për identitetin e vet fetar dhe marrëdhëniet e veta me Islamin, Krishterimin, Kishën Katolike dhe klerin përkatës. Prandaj mendoj se viktima e parë dhe më e rëndë e kësaj polemike është vetë Visar Zhiti, i lënë në mëshirë të hijenave.

Pa Komente

  1. Ja disa nga gabimet që dalloj në këtë polemikë publike:

    1. Mungesë komunikimi. Kjo e metë shfaqet në disa rrafshe. Shteti shqiptar nuk flet me Kishën Katolike, kjo nuk flet me Vatikanin, i cili nga ana e vet nuk flet me Shtetin shqiptar. Moskomunikimi mbretëron sovran edhe mes institucioneve shqiptare, ku siç dihet, majat e shtetit nuk flasin me njëra tjetrën, përveçse me gjuhën e muskujve, alias komunikatave të shtypit. Madje dalloj edhe një mungesë komunikimi midis partive, që mund ta ketë shpjegimin e vet, por që nuk i ka hije vendit e temës.
    2. Personalizimi i çështjes. Megjithëse formalisht nuk flitet për emra, të gjithë aktorët publikë flasim me emra të përveçëm. Këtu nuk është puna tek Visar Zhiti, shkrimtar i mirënjohur, njeri i mirë e i nderuar, por tek përkatësia fetare e kandidaturave. Profili fillimisht bëhet pa emra, pastaj i ngjitet emri i duhur. Kur fillojmë e lakojmë emra njerëzish diskursi rrezikon të degradojë në çështje personale. Kështu fillon e përflitet kandidatura, me rrezikun që të digjet. Në mishmashin e përgjithshëm futen edhe emra të tjerë.
    3. Përhapja publike e çështjes. Kandidatura e ambasadorit duhet të ishte diskutuar fillimisht brenda aktorëve diplomatikë e publikë, pastaj t’u ishte hedhur për mish topi medieve. Cilado kandidaturë duhet të ishte prezantuar më parë shtetit të interesuar, pastaj aktorë të tjerë të ndjeshëm. Në fund, bëheshin konkluzionet e vendosej përfundimisht. Arena publike vetëm sa e vështirëson zgjidhjen e çështjes.
    4. Spekulime të gjithanshme. Nuk ka asnjë kushtëzim formal, me sa di unë, që një ambasador i huaj pranë Vatikanit të jetë katolik. Pastaj edhe kjo duhet sqaruar: çdo të thotë katolik? Me origjinë, me gjysmë origjinë, me letra, katolik praktikues, laik…? Sepse spekulime mund të bëhen gjithnjë, meqë ka katolik më katolikë se vetë Papa. Ambasadori pranë Selisë së Shenjtë mund të jetë i krishterë ortodoks? Edhe ky diskutim më vete. Diskutime që duhen bërë me qetësi, pa kaluar në spekulime mediatiko-politike.

    E të mendosh që kandidatura nuk i ka shkuar ende Presidentit, madje as Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë. Pa llogaritur faktin që mendimin e Vatikanit do ta merrnim vesh në rastin se do t’i kërkohej agrimenti Selisë së Shenjtë. Por edhe aty, mund të mos vinte asnjë përgjigje zyrtare. Po, ky debat filloi e po vijon si mos më keq. E po ashtu do të përfundojë, nëse vazhdohet në këtë mënyrë,

    1. shtet rrumpall.. se selia e shenjte ka kanalet e veta te komunikimit, e nuk do te perdorte gazeten per te shprehur miratimin e saj – ambasadoret perpara se te akreditohen nga vendi prites, diskutohen me diplomatet perkates.

      Pra ose media eshte e perfshire ne kete diskutim per interesa te vogla te njerit apo tjetrit person (ndoshta ky gjekmarkaj do te behet ambasador? 🙂 ), ose ministria e jashtme dhe kryeministria kane mbyllur kanalet e komunikimit me seline e shenjte dhe duan te dergojne “njeriun e tyre ne Vatikan”

  2. se pari nuk e kuptoj se pse shqiperise i duhet nje ambasade ne vatikan? ne kemi mbyllur nje sere ambasadash e konsulatash ne vende me te cilat kemi interesa tregtare e politike, e mbajme me parate e shqiptareve kete ambasade. Nese ISISS neser nderton kalifatin, shpresojme te mos dergojme dike edhe atje e te kercase sherri se kush do te emerohet.

    Para ca kohesh plasi nje sherr per ambasaden ne arabi saudite – keto pozicione jane te kendshme se ambasadoret vijne verdalle e nuk bejne as pune pervec se kur hane neper gostite e bollshme. Jane bere gazetat si mure ku ngjisin parrullat per cdo pakenaqesi apo aspirate individuale burokrate te gjithefaresoji.

    Pastaj se me c’lecke vishet gjithe ky sherr interesash personale – dikush tjeter i lidhur me kishen katolike ja kish pergatitur vetes ate kolltuk – pak rendesi ka.

    1. Megjithëse e kuptoj komentin provokues, dua të shtoj se nuk duhet të biem në kurthet qualunquiste. Përfaqësimi diplomatik shqiptar pranë Vatikanit duhet patjetër. E kanë të gjitha vendet serioze. Edhe puna, në qoftë se duan ta bëjnë, nuk mungon. Në qoftë se institucioni nuk funksionon (në rastin tonë një ambasadë çfarëdo) nuk është faji i tij, por i drejtuesve në vend e nga qendra.

  3. “Kam thene qe eshte e pershtatshme te jete katolik”-deduksioni: Zhiti nuk eshte katolik .Vatikani parapelqen dike qe ne origjine eshte katolik, dhe aq me mire, nese eshte edhe prakitkant. Kur ne Shqiperi ka nje komunitet katolik, kur brenda ketij komuniteti mund te gjenden figura qe perfaqsojne denjesisht shtetin shqiptar, perzgjedhja e Zhitit , eshte nje lloj karshilleku per ndjeshmerite e Selise se Shenjte dhe komunitetit katolik shqiptar. Qe Zhiti eshte nje burre i mire, nje njeri i persekutuar, nje intelektual i spikatur, shkrimtar , perfaqsues i moderuar i PD , qe ka perkthyer poezite e Nene Terezes , me shpirt te krishtere etj. keto nuk pine uje ne argument. Imzot Fendo nuk ka thene shprehimisht se “Zhitin se pelqejme pasi eshte mysliman” , ama ka lene hapsire per fantazine e medias e cila kapet pas prejardhjes fatare te Zhitit i cili mund te mos ndjehet fare mysliman.Mund te jete deist, agnostik, afetar, budist, spiritualist.
    Ajo qe me duket pa takt dhe jodiplomatike, eshte letra e Fendos sepse gjerat mund te konsumoheshin ne nje bisede konfidenciale. Nje gje kaq teknike dhe qe duhej te zgjidhej brenda kanaleve diplomatike, behet ceshtje publike, fillojne variacionet rreth nje teme nga shtypi, ngrihen dyshime, aludime, konspiraci, cfare tek e fundit demton raportet e Vatikanit me shtetin shqiptar.

  4. Gjithë kjo zhurmë është ca shterpe dhe është mirë t’u adresohemi gjërave me emrin e tyre të vërtetë – tërë kjo histori vërtitet rreth një derri të kënaqur, që në rastin në fjalë është pronari i Klanit A. Frangaj dhe interesi i tij për rrëzimin e çfarëdo emri ambasadori të propozuar për atje. Sikur përveç M. Nanos t’u kishit hedhur një sy edhe editorialeve të tjera në shtypin shqiptar, do kishit parë se tërë këtij diskutimi është pronari i Temës M. Baze që i ve emrin që meriton. Le të mos krijojmë nga hiçi diskutime për tema të mëdha e gjëra të larta kur lënda në dispozicion s’e mundëson diçka të tillë. Me llucë pellgu nuk ndërtohet dot as një kasolle, le më pallate.

    1. Mund të jetë kështu, por Meroja i mbështet arsyetimet e veta në informacione të brendshme, të cilat unë nuk i verifikoj dot. Unë mjaftohem të komentoj për çfarë është bërë publike nga fjalët e imzot Frendos dhe të z. Zhiti.

      Me fjalë të tjera, gazetaria shqiptare, në Tiranë, duhet të investigojë dhe tregojë bindshëm se si ka ndodhur që Frangaj e ka kapur shtetin, dhe jo të mjaftohet të na thotë se “Frangaj e ka kapur shtetin.” Vetëm kjo e fundit nuk mjafton dhe aq më tepër mund të përdoret nga një i tretë (si unë) për ta çuar përpara një debat çfarëdo.

      Përndryshe, thonë edhe se Napoleoni e humbi betejën e Waterloo-së ngaqë atë ditë po e ngacmonte për vdekje majasëlli. Mund të jetë e vërtetë, mund të mos jetë – nuk e verifikojmë dot as këtë. Por një historian serioz nuk do ta merrte në konsideratë këtë dhe do të përqendrohej në analizën e të dhënave të tjera.

    2. “Kapjen e shtetit” që përmendni, gazeta që unë referoj e ka shpjeguar gjerë e gjatë në publikimet e saj të prej më shumë se 3-4 vjetësh tani, me fakte, me dokumente, me shkrime e analiza. Mund të mos ju pëlqejë ta lexoni, nisur nga si janë trajtuar shkrimet tuaja aty dhe unë e mirëkuptoj këtë pjesë, pasi as mua s’më pëlqen praktika që ndjek gazeta lidhur me komentet, por linja e politikës së komenteve që ajo gazetë mban nuk më pengon mua të lexoj shkrimet apo informacionet që jepen atje herë pas here (dhe që, si rrallë në shtypin shqiptar, janë shumë më të argumentuara sesa në plot fletushka të tjera kombëtare) – thjesht lexoj vetëm shkrimet që më interesojnë, pa lexuar komentet. Edhe interesat e Frangajt në ambasadën tonë në Vatikan fare publike janë – familjarët e tij drejtojnë de facto prej kohësh atë ambasadë. Pse shërbimi diplomatik shqiptar kështu është shndërruar, në fole të ngrohta për të afërmit e “kolonave” të pushtetit.
      Keni të drejtë që V. Zhiti është viktimë e këtij diskutimi (për mënyrën si është trajtuar) – por vetëm kaq. Nuk ka rreziqe të tjera, as të hapura, as të fshehura në historinë siç e keni sjellë. Ka një rrezik tjetër, ama, ai i një grupi njerëzish të fshehur pas një manteli “katolikocentrizmi” e që nis nga Klani e përfundon tek Mapoja e Panorama, që për interesa të tyre janë gati të hapin çfarëdolloj debati nën atë mantel, që mund t’i verë flakën plot gjërave, mjafton që të mos jenë sendet e tyre e atyre t’u shkojë puna vaj. Në rastin në fjalë, është fare e dukshme që është shfrytëzuar një gazetare (si bëhen këto në Tiranë, është lehtë t’i mësosh; dhe kush e ka lexuar intervistën e parë që referoni në shkrim, e kupton fare lehtë se bëhet fjalë për një sulm të menduar ndaj të intervistuarit), ku i kërkohet me ngulm një prifti të thotë me patjetër diçka që nuk e ka ndërmend, ndërkohë që gjërat që thotë janë shumë të logjikshme. Një njeri që drejton një familje të madhe e në një moment do t’i duhej të niste një të dërguar në esnafin e, ta zëmë, këpucarëve për të përfaqësuar interesat e familjes atje, natyrshëm që një nga nipërit që punon në punishten familjare të këpucëve do të dërgonte, se merr vesh nga ajo punë, jo ndonjë nga nipëria që punon në punishten e argjendit apo në atë të drurit. Argumenti i tij se një katolik mund të manovrojë më mirë në ambientet e Vatikanit është krejt i natyrshëm dhe s’ka lidhje me atë çfarë duan të lexojnë të tjerët në deklaratën e tij, për interesat e tyre, apo atë çfarë do t’i vërë me forcë në shprehje intervistuesja.
      Nga ana tjetër, unë jam mysliman, jam bektashi, dhe s’ndihem aspak i kërcënuar nga ky lloj argumentimi, përkundrazi e shoh me tërë natyrshmërinë e nevojshme një përfaqësim të tillë, në rast se edhe kriteret e tjera të përzgjedhjes do të ishin po aq të argumentuara. At Frendoja vetëm duhet falenderuar se ka nxjerrë në shesh disa të palara të mënyrës së funksionimit të shtetit. Siç është rasti i emërimit të mëparshëm të A. Ndrecës, emërim i cili – siç thuhet në atë intervistë – binte ndesh me rregullat e vendosura nga Vatikani për emërimin e përfaqësuesve shtetërorë pranë saj (që lidhen me një nga punët që ai kryente), rregulla që shteti shqiptar s’i kishte vënë hiç në peshore kur e kishte ndërmarrë atë emërim. Frendoja gjithashtu përmend anashkalimin e praktikës së konsultimit paraprak me përfaqësuesit e klerit katolik në emërimin e V. Zhitit, praktikë që ishte zbatuar më parë. Dhe e palara e fundit, thënë nga vetë presidenti i vendit, është anashkalimi i praktikës së konsultimit me të për emërimet e ambasadorëve, kujtdo ambasadori. Presidenti ynë vërtet mund ta ketë treguar në plot raste veten një idiot margjinal kur vjen puna tek mënyra si e ka drejtuar Presidencën këto vite, por shkelja e rregullave dhe praktikave të vendosura në këtë fushë nuk e bën më të mirë qeverinë, ministrin e jashtëm apo edhe vetë kryeministrin. Frendoja ka nxjerrë në pah edhe diçka tjetër që shumëkush e anashkalon në këtë vend – dobinë e përfaqësimit nga grupet e interesit. Dhe s’është vendi t’u sulemi katolikëve në këtë rast, vetëm se kanë shprehur nëpërmjet një përfaqësuesi të klerit të tyre interesat e komunitetit të tyre, në emër të gjoja rrezikut të paragjykimit të myslimanëve. Përkundrazi, sikur në këtë vend të gjitha grupet e interesit të kishin mundësinë të organizoheshin e t’i shprehnin publikisht interesat e tyre, siç kanë bërë katolikët në rastin në fjalë, ky vend do të ishte shumë më i mirë për njerëzit e shumë më i vështirë për t’u nëpërkëmbur nga pushteti, në të gjitha format me të cilat ai mishërohet, si politikë, si qeveri, si media, si biznes. (Besoj shumëkujt do t’i kujtohet fodullëku i fundit pordhac prej pushtetari arrogant i kryeministrit aktual, kur ftonte biznesin italian të investonte në Shqipëri, se do të kishte fitime të mira ngaqë “këtu s’ka sindikata”.)
      Ky diskutim mund të shfrytëzohej për të debatuar për politikën e emërimit të ambasadorëve shqiptarë nëpër botë. A kemi një politikë të arsyeshme në caktimin e njerëzve që përfaqësojnë interesat e shtetit në qendra të tilla strategjike si Gjermania, SHBA, Anglia, Franca, Kina, Rusia, Vatikani, Turqia, Irani apo Arabia Saudite? Apo në qendra të tilla fqinje me rëndësi strategjike si Italia, Greqia, Serbia, Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi? Por diskutime të tilla janë të vështira.
      Dhe e fundit, nuk bën që një maskarallëk privat si historia e rastit në fjalë njerëzit ta marrin e ta përdorin për interesat e tyre, në vend që t’i venë emrin që ka ai maskarallëk e të nxjerrin diçka me vlerë të përbashkët. Ju e merrni se mos po paragjykohen myslimanët, nisur nga një shqetësim juaji qytetar që vjen prej sinjaleve të shtuara vitet e fundit në shtyp e në vende të tjera. J. Topalli shkon për herë të parë në komisionin e jashtëm të Kuvendit dhe bërtet në stilin e saj për “drejtësinë” e emërimit të Zhitit, se ashtu kujton se bën njëfarë presioni mbi grupin e Klanit, ngaqë kohët e fundit e vetmja dritare mediatike që i ka ngelur është Facebook-u. B. Blushi bërtet në atë komision për presionin e klerit ndaj shtetit, se po i ushqen kohët e fundit vetes ëndrrën e folesë së ngrohtë të Presidencës, dhe e ka nisur këtë punë me të nuhatur mundësinë e mbështetjes nga fqinjët grekë të kandidaturës së tij, ndaj dhe po bën zhurmë në shtyp kohët e fundit si ciprist e si majtist i thekur pas zhdukjes së mjerimit, bashkë me rolin e etatistit laicist që i ka veshur vetes, si luftëtar kundër gjithë fondamentalizmave. E kështu me radhë e plot të tjerë duke zbritur poshtë, gjer tek ndonjë analist i zellshëm shtypi në stilin alla-letraresk që e ëndërron për vete folenë e asaj ambasade, ndodh kështu që secili sheh në këtë diskutim diçka nga ku mund të çojë përpara idetë apo synimet e veta. Për të përfunduar gjer tek strumbullari i kësaj meseleje, i caktuari Zhiti, që nuk duket në lartësinë e emërimit që i kanë caktuar. Mjafton t’i shohësh deklaratën se misioni i tij madhor është të ngrerë shtatoren e Nënë Terezës në Vatikan, për të kuptuar se ç’përfaqësim do t’u bëjë interesave shqiptare në Vatikan.

      1. Jo, nuk kam ndonjë problem pikërisht me “Temën” – në kuptimin që ata ndjekin një politikë të caktuar moderimi, por nuk e bëjnë këtë vetëm me shkrimet e mia. Çfarë nuk më pëlqen, është që ata marrin shkrimet e mia pa më pyetur, siç kishin bërë edhe me këtë të sotmin – dhe megjithëse unë jam lutur disa herë që të mos e bëjnë këtë. Por do të ishte edhe më keq për mua, sikur të humbja kohë duke u kacafytur me redaktorët që m’i marrin shkrimet: jeta është e shkurtër për këto gjëra. Dhe, më në fund, secili jep në këtë debat atë që mundet: Meroja të vetat, Mustafai të vetat dhe unë të miat. Gjithsekush ka një kënd që e zgjedh, sepse aty ndihet më kompetent ose më i informuar; ose ngaqë e gjykon si me rëndësi themelore. Mua veçanërisht më shqetësuan dy gjëra në këtë mesele: mënyra si u transformuan fjalët e imzot Frendos për të përcjellë mesazhin se “Vatikani nuk i do myslimanët” dhe zelli i tepruar i një njeriu të tronditur, si z. Zhiti, për të treguar simpatinë e tij për Krishterimin, a thua se kishin vënë një njollë të madhe, kur e kishin quajtur “mysliman”. Për mua – ngushtësisht për mua – këto dy gjëra janë shumë më të rëndësishme se z. Frangaj dhe motra e tij dhe çfarëdo tjetër lidhet me këta dy persona.

        1. Meqë nuk i lexoj ndonjëherë gazetat direkt, por përdor sistemin RSS me Feeddemon për të parë rubrikat që më interesojnë, titujt, autorët dhe rreshtat e parë të shkrimit sa për t’u informuar në kanë interes leximi për mua apo jo, mund t’ju them se shkrimin e ka botuar edhe Dita, paçka se me tjetër titull – në ju bëftë punë ky informacion. Si mund ta zgjidhni këtë problem, s’di se ç’t’ju them.
          Ajo që më shqetëson është rritja me kalimin e kohës e një dallge në median shqip sikur myslimanët në Shqipëri po u persekutokan. Nuk është problemi se kjo s’është e vërtetë, sesa tek potenciali i rrezikshëm që bart kjo në vetvete, nëse nesër këtij komuniteti njerëzish i mbushet mendja vërtet se është i tillë. Ky vend ka boll probleme reale, për të sajuar edhe të paqena. Pastaj, si na sheh bota ne a si i sheh myslimanët në përgjithësi, atë s’e zgjidhim dot. E kemi treguar me fakte se s’jemi të zotë të rregullojmë këtë palo vend këtu apo atë tjetrin, të riun matanë kufirit, jo më të ndryshojmë botën pastaj.

  5. Ajo ç’ka m’u duk me interes ne kete post ishte rikonstruksioni me gjera te pa thena hapur të profilit te V. Zhitit ne kete mesele te pakendeshme per te, shfaqja e dobesive njerzore, kur ne horizont shfaqet gjesendi joshese. Aty ku disa pane vetem nderhyrje cinike te prifterinjve ne punet e shtetit, te tjere pane vetem Zhitin si viktime te pafajeshme, nderkohe qe ky post i 2xha na i ktheu syte te pjesemarrja e pavullneteshme e Zhitit ne te, shkurt te kontributi i tij ne viktimizimin e vetes. Interesante ne nje veshtrim.
    Me tej, germimi shtrese pas shtrese, gjetja e Frangat si manipulator i atij priftit me emrin Frendo dhe aftesite e tij te panjohura demoniake ne kapjen e shtetit (e kam patur student dhe nuk kam vene re nje koeficient intelektual mbreselenes te ai) , i tjerrjes se konupve prej lini, te korrur ne keneten e Lezhes dhe i shtrirjes se litarve te tij e te familjes se tij ne te dy anet e Adritikut, pasi jane lidhur pisk te shtyllat e Vatikantit, se paku me deshperon. Eshte shprehje jo thjesht e gjetjes se zgjidhjeve nepermjet teorise elementare te kompllotit, por se prej gjysme shekulli nuk po lejon zhvillimin e mendimit intelektual te besueshem. Operohet gjithnje me module folklorike te kuptueshem e te tretshem kollaj per masat. Gjendet gjithnje nje shkurtore kompllotiste.
    Po folur pastaj per idete e çuditeshme te manipulimit aq te kolljshem te te emruarve apostolike, gje qe me kujton akuzat per lidhjet e djeshme te klerit katolik me fashizmin dhe sot… me dinastine Frangaj!

    1. Këto ngacmimet anti-konspiracion e anti-“kompllot” më sjellin ndërmend dy histori nga SHBA. Njëra është ajo e parave që shpenzon Pentagoni dhe që plasi pas auditeve në fillim të mandatit të Bushit jr. U cek pak herë shkarazi nga media pa lënë kushedi ç’gjurmë, ndaj deklarata më e famshme është ajo e vetë ministrit të mbrojtjes Ramsfeld, i cili në 10 shtatorin e 2001-it deklaronte se ministria që ai drejtonte nuk gjurmonte dot plot 2,3 trilion dollarë shpenzime. Trilionë. Me një fjalë, paratë ishin shpenzuar, por s’e gjente dot kush se për çfarë dhe ku ishin shpenzuar. Punë burokracie, me një fjalë. Një ditë më vonë rastisi të ndodhë ajo që ndodhi dhe s’u mor më njeri me këtë histori dhe u harrua. Historia e dytë është përbetimi i Bushit jr., pas 11 shtatorit dhe përpara se t’i sulej Afganistanit, se bin Ladeni kërkohej gjallë a vdekur prej amerikanëve. Përpara pushtimit kjo. Muaj më vonë, pas pushtimit, pasi ishin harxhuar dhjetëra e dhjetëra miliardë dollarë duke bombarduar skërkat e Afganistanit me pretekstin se “maleve gjendeshin bunkerë të sofistikuar”, Bushi u pyet se në ç’pikë ndodheshin për gjetjen e bin Ladenit. As që më intereson ai njeri, nuk dua t’ia di për të, qe përgjigja.

    2. Në fakt ato që thotë Tema, të sjella këtu në komente, janë thashetheme oborri dhe jo teori konspirative, në kuptimin që Berisha dhe Rama e shohin veten në rolin e sundimtarit, kurse Frangaj dhe Baze në rolin e njërzve të afërt me “oborrin”. Ndërsa Nishani bën rolin e shërbëtorit besnik në përpikshmëri.

      Por këto role nuk janë aspak konspirativë sepse palët nuk janë përpjekur asnjëherë t’i fshehin e kamuflojnë. Përkundrazi i përforcojnë përdita siç është edhe rasti.

      Rama që nuk pyet kënd se kë do emëroj është tërësisht në natyrën e vet. Berisha në rolin e bariut që shqetësohët se mos ndonjë dele i del nga vatha është po ashtu në natyrën e vet. Frangaj, Baze, Kokëdhima e të tjerë pronar të shypit që pas mësimit të madh të 97-ës kanë kuptuar fuqinë e shantazhit ndaj pushtetit janë po ashtu në natyrën e vet.

      Pastaj, se si përdoren, apo e lejonë veten të përdoren, Kisha Katolike dhe Zhiti në këtë mesele është dytësore. Ajo që duket qartë është që janë të vetmet palë që nuk janë natyrshëm në rolet e veta, ose siç thotë imzot Frendo, si peshku në zall.

  6. Tashmë kandidatura e Visar Zhitit dhe emri i tij i mirë kanë ngecur përfundimisht në baltat kënetore të mediave. Përveç shkrimeve e komenteve tejet të diskutueshme që dolën në ueb, gazeta “Shqiptarja” vë online një sondazh me pyetjen: “Sipas jush si rrodhen ngjarjet, a nuk duhet me domosdoshmeri qe shkrimtari Visar Zhiti te emerohet ambasador i Shqiperise ne Vatikan?”. Ku nuk votova për respekt ndaj vetes. Shpresoj të mbyllet sa më shpejt kjo polemikë e Ambasadori ynë të fillojë punë sa më shpejt në Përfaqësinë shqiptare pranë Selisë së Shenjtë.

  7. Mbrojtja me fanatizëm e statuskuosë në ambasadën shqiptare në Vatikan apo, thënë ndryshe, nderi që presidenti Nishani po i bënte Frangajt, kishte sidoqoftë një pikë të errët për mua si lexues i shtypit: përse duhej ta bënte presidenti këtë punë, për çfarë i hynte në punë lënia e përfaqësimit shqiptar atje në duart në të cilat është? Se thjesht për t’i bërë ndere të tjerëve, dukej ca e tepruar.
    Me ç’merret vesh sot, edhe kjo pikë e errët u sqarua. Mediat botojnë një letër alarmi që përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Elbasan – janë bërë të gjithë bashkë në këtë pikë – i drejtojnë autoriteteve të shtetit, për të kundërshtuar prishjen e një famullie katolike me pretekstin e “kthimit të pronës pronarëve”. Prona, që i është kthyer njëherë kishës, tani del se, me një vendim të ri gjykate, u ka kaluar pronarëve të tjerë “për kthim”, pronarë të cilët rezultojnë të jenë njerëzit e bashkëshortes së presidentit. Prandaj dhe i duhet ajo përfaqësuese e Shqipërisë që është aktualisht në Vatikan presidentit, që “t’ua sqarojë siç duhet” këtë punën e prishjes së famullisë kur të vijë puna që ata të pyesin si përfundoi ashtu ajo punë.
    Lajmin dhe letrën, kush do, mund t’i lexojë këtu: http://www.gazetatema.net/web/2015/02/11/skandalnishani-ndikon-tek-gjykata-elbasanit-te-prishim-kishen-per-ti-kthyer-token-gruas-tij/.

    1. Ka nja dy gjëra te kjo punë që nuk i marr vesh.

      E para, a është kaq për t’u lakmuar posti i së ngarkuarës me punë pranë ambasadës shqiptare në Vatikan? Nuk më duket se ka ndonjë shans që kjo zonjë, Majlinda Dodaj, të shpallet si ambasadore atje; dhe nga ana tjetër, si motër e një personi me fuqi kaq të mëdha dhe të gjithanshme, si A. Frangaj, nuk besoj se ka nevojë për këtë post – më shumë prestigjioz se të pushtetshëm – për të realizuar ambicjet e saj.

      E dyta, a është e vërtetë që A. Frangaj ka bërë demarshe gjëkundi për ta mbajtur motrën e vet në atë post, apo këto janë thjesht deduksione – për të mos përdorur ndonjë term tjetër – të mediave, të mbështetura në lidhjet e gjakut mes atyre të dyve?

      E treta, vallë ka nevojë Vatikani që informacionin për shpronësimet në Shqipëri ta marrë nga e ngarkuara me punë e Republikës Shqiptare atje, dhe jo nga strukturat e veta që i ka të shpërndara anembanë vendit dhe goxha mirë të organizuara, të përgatitura dhe me influencë?

      E katërta, mbi ç’ bazë supozohet se kjo gjykatë që ka urdhëruar shpronësimin ka vepruar me komandë ose pëlqim të Presidentit? A ka gjë prova për implikim të drejtpërdrejtë të Presidentit në këtë mesele, apo edhe këtë herë, ka vepruar fuqia deduktive e medias, e mbështetur në lidhjet e gjakut, këtë herë të gruas së Presidentit?

      Unë nuk i besoj këto gjëra, pra; dhe lidhjet e gjakut mund të jenë shumëçka, por jo argument. Kjo nuk do të thotë se shpjegimet dhe hipotezat e ofruara janë gënjeshtra; por vetëm se ato po paraqiten në një mënyrë të tillë që i zhvendos drejt një hapësire ku nuk veprojnë më mekanizmat e verifikimit; ose i përgjigjen një mënyre të menduari konspirative, e cila e bllokon kërkimin e së vërtetës.

      Dua të them: kjo mënyrë e leximit të ngjarjeve u shërben veç atyre që u pëlqen të peshkojnë në ujë të turbullt; sepse me teori konspirative nuk del dot përtej pragut të kafenesë; dhe aq më keq sikur të jenë “të vërteta” – mjafton mënyra si po shtrohen, për t’i zhvlerësuar.

      1. Hidhini një sy kësaj videoje të raportimit të lajmit nga televizioni A1 Report (https://www.youtube.com/watch?v=emragKlwD3Y). Unë shpresoj që vendimi i Gjykatës së Lartë të zbatohet, kështu që të kem mundësi – në krye të pesë viteve, maksimumi – t’u kthej përgjigje pyetjeve tuaja, pasi të ketë përfunduar ndërtimi i pallatit joint-venture (këtij biznesi fitimprurës miliona eurosh) në gjithë atë shesh, që realisht do të jetë edhe më i madh nga ç’duket tani që kisha s’është prishur akoma. Gjer atëherë, le t’i lemë këto supozimet e mia në rangun e teorive konspirative e të ëndërrojmë të kënaqur se në Shqipëri gjërat funksionojnë ashtu siç thoni ju. Mua s’më prish ndonjë punë të pres aq kohë e as Shqipërisë, siç është katandisur, nuk do t’i prishë punë një pallat më shumë.

        1. Unë nuk e di si funksionojnë gjërat në Shqipëri, kam shumë dëshirë ta mësoj. Por teoritë konspirative, si ato që sollët edhe ju këtu, nuk ndihmojnë për asgjë; as mua që të marr vesh ndonjë gjë, as ju që të gjeni rrugëdalje nga bataku. Tek e fundit, problemet janë drejtpërdrejt tuajat dhe vetëm tërthorazi të miat – dhe tema e këtij shkrimi nuk lidhej shumë me çfarë po diskutojmë ne tani; meqë unë ia lejoj vetes të shprehem për disa gjëra delikate, që nuk më prekin drejtpërdrejt thjesht ngaqë nuk jetoj në Shqipëri. Megjithatë, më duket e shëndetshme për gjithkënd që të jetë në gjendje të dallojë faktet nga pandehmat; dhe ta bëjë këtë dallim sistematikisht dhe sidomos në premisat e arsyetimeve që bën. Shkrimi im më lart mbështetej në analizën e dy fakteve të pajetërsueshme: intervistat që kishin dhënë publikisht më parë imzot Frendoja dhe pastaj z. Zhiti. Këto për të cilat po flasim tani janë përkundrazi pandehma – në kuptimin që i përkasin një niveli tjetër. Për fat të keq, këtë mangësi që për mua ka natyrë kognitive e vura re te shumë prej atyre që u ngashëryen kur u kundërshtua kandidatura e Zhitit.

          1. Diku tjetër përmenda në këtë blog se në Shqipëri nga dy konvencionet kryesore, paraja dhe shteti, funksionon vetëm e para. Ndërsa i dyti, nga marrëveshje mes qytetarësh që duhej të ishte, në fakt është thjesht mbulesë për grupet financiare më të fuqishme, që janë pushtet edhe në qeveri, edhe në opozitë, edhe në media e gjithandej tjetër.
            Nuk dini si bëhen punët në Shqipëri? Ja si bëhen, lexoni këtë: http://www.gazetadita.al/lulzim-basha-jep-parkimet-e-tiranes-me-koncension/. Natyrisht, gazeta e tepron ca kur thotë se të ardhurat bruto ditore nga ky biznes shkojnë deri në 500 mijë dollarë – realisht janë aty tek 100-150 mijë dollarë në ditë, ndërsa fitimet private neto do jenë diçka më shumë se gjysma e të ardhurave ditore. Për 35 vjet. Por si zor t’ua ketë zënë veshi këtë lajm, pasi tërë Shqipëria po merret me bombat me tritol që desh plasën “krejt papritur” rrugëve të Tiranës nga hiçi. (Në fakt, thonë se “i kanë vënë terroristët e krimit”, po këtë s’kemi për ta marrë vesh ndonjëherë, si çdo gjë tjetër të rëndë, në këtë vend ku jetohet me pandehmat tona, jo me faktet tuaja.)

  8. Mënyra se si u zhvillua ky debat, i cili lehtësisht mund të merret edhe si tipik se si zhvillohet ai në Shqipëri, fletë pari për mungesën e respektit ndaj kundërshtarit. Kjo në kuptimin Aristotelian që në mardhëniet publike respekti përfaqson një lloj “miqësie pa intimitet” të domosdoshëm për cfarëdo lloj debati në publik.
    Për aq kohë sa argumentat pro dhe kundër janë shumë të dobët dhe nuk po e zgjidhin problemin, është mungesa e kjëtij lloj respekti, apo miqësie jo intime, që kundërshtarët nuk po duan t’ia afrojnë Zhitit, dhe që të irriton.

    Por kjo lloj mungese respekti nuk është se shfaqet vetëm kundrejt Zhitit – thjeshtë bëhet më e dukshme në rastin e tij sepse ai e imponon atë për shumë arsye, që nuk po i rendis.

    Mungesa e respektit shfaqet edhe kundrejt presidentit, kur ai siç thotë edhe vetë nuk konsultohet për gjëra që duhet të marrin aprovimin e tij. Mungesa e respektit shihet edhe kundrejt Kishës Katolike, e cila edhe ajo nuk konsultohet.Por mungesa e respektit shihet edhe ndaj Kryeministrit për mënyrën se si I kundërshtohen atij kandidaturat, pavarësisht mirëkuptimit që ishte ai I pari që e derdhi gotën e respektit.
    Për të mos folur pastaj për personalizimin e cështjeve, që i tjerr shtypi dhe medja si mos më mirë, çka e ligjeron përfundimisht këtë mungesë..

    Dhe më në fund ‘icing on the cake’, vijon edhe me mungesën e respektit që shfaqet në formën e ligjit, sic është vendimi I Gjykatës së Lartë për t’i kthyer pronën pronarit të ligjshëm në Elbasan. Nëse ne nuk mund të flasim dot për drejtësinë e këtij vendimi nga pikpamja ligjore, nuk e injoron dot karakterin e tij të dhunshëm, i cili e ka burimin po ashtu tek mungesa e respektit që kemi ne për tjetrin. Nuk e kam shumë të qartë rolin e Gjykatës së lartë në interpretimin e ligjit, por do desha të besoja se ajo duhet të ketë jo vetëm më shumë hapësirë, por edhe për detyrë interprtim dhe opinionin ndaj ligjit në favor të zgjidhjes së konflikteve ligjore.
    Dhe bëhet kjo akom edhe me shumë evidente kur indirekt, në këtë konflikt përfshihet një figurë publike si ajo e Presidentit, I cili e ka gjithashtu për detyrë unitetin kombëtar, dhe për më tepër zgjidhjen e cdo konflikti me karakter personal në favor të interesit publik. Dhe kjo jo për respekt, por për hirë të detyrës – përndryshe ai fare mirë mund të marri rolin e një qytetatri të thjesht, pra të japë dorheqjen, në pamundësi të zgidhjes në favor të intresit publik, edhe pa cënuar ‘shënjtërinë’ e pronës private.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin