Ky shkrim sillet në vazhdim të ciklit për trajtimin “krijues” që ua ka bërë shqipja e sotme bisedore disa huazimeve nga turqishte-osmanishtja. Sikurse e kam saktësuar tashmë, si bazë dhe pikënisje e analizës më shërben Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, nga Tahir Dizdari.
leverdi me kuptimin “dobi, e mirë, përfitim, fitim” ka zënë vend në të gjitha regjistrat e shqipes, përfshi edhe atë libror (leverdi ekonomike); përkundrazi, folja leverdis që duket morfologjikisht e afërt me të priret drejt regjistrit bisedor. Të regjistrit libror janë edhe disa neologjizma, të tipit i leverdishëm, leverdishmëri, i paleverdishëm, paleverdishmëri (të gjitha të nxjerra nga FShS, botim i vitit 2006). Duket si turqizëm, por etimologjinë nuk e ka aq drejtvizore. Dizdari e nxjerr nga një el vermek, me kuptimin “mjafton, përshtatet, bën” (el verdi do të ishte forma e aoristit, me të cilën kanë hyrë foljet e osmanishtes në shqipe). Nëse është kështu, atëherë leverdis është huazimi i mirëfilltë, ndërsa leverdi një formim prapavajtës (njëlloj si batërdi nga batërdis, katandi nga katandis, kërdi nga kërdis, ujdi nga ujdis, bezdi nga bezdis).
gjerdan në shqipen e sotme shënjon një lloj stolie që varet në qafë; por edhe një rrip për të mbajtur fishekët, që shtrëngohet zakonisht tërthor gjoksit. Vjen nga osmanishtja gerdan, e cila ka megjithatë vetëm kuptimet “gushë, fyt, qafë” duke iu referuar pjesës së trupit; në një kohë që vetë stolia quhet gerdanlık (në përgjithësi, diçka që vihet në qafë: përfshi edhe jakën, edhe gushoren). Kalimi kuptimor i llojit metonimik duket të ketë ndodhur brenda shqipes.
hain (e shqiptuar edhe si hajn në gegnishte), sot fjalë dialektore dhe e ligjërimit të thjeshtë në kryeqytet, është huazim nga osmanishtja hain, me kuptimin “tradhtar, i pabesë”, por qysh herët ka zhvilluar në gegnishte kuptimin “kusar, hajdut”, me të cilin del që në Fjalorin e Bardhit (Dizdari). Që këtej edhe pastaj hajní, me kuptimin “vjedhje, hajdutëri (hajdutllëk), kusari”. Gjithnjë sipas të dhënave që jep Dizdari, kuptimi i ri nuk del gjë në gjuhë të tjera ballkanike, të cilat duket të kenë ruajtur kuptimin origjinal të turqishte-osmanishtes. Pas gjase, bazë e kësaj risie kuptimore brenda shqipes do të ketë qenë përfytyrimi se hajduti kur vjedh e pret tjetrin në besë, ose kryen një akt pabesie.
hajgare, nuk përdoret shumë në Shqipëri dhe aq më pak në ligjërimin bisedor jo-dialektor, por ndeshet shpesh në shqipen bisedore në Kosovë (veç për hajgare po ta them); FShS e jep si fjalë krahinore. Sipas Dizdarit, fjala është në thelb e njëjtë me hájgër, “kalë i destinuar për ndërzim”, që ndeshet në Myzeqe; dhe që Çabej e ka nxjerrë nga turqishtja aygır (ang. stallion). Gjithnjë Dizdari arsyeton se fjala nëpërmjet turqishtes është përdorur edhe me kuptimin metaforik “i ekzaltuar, azgan” dhe pastaj ka përfunduar me kuptimin që ka sot në Kosovë – shaka, por edhe qyfyre, tallje, etj.
harbut, fjalë që ka një histori si të thuash letrare në shqipen, ngaqë është përdorur nga Noli dhe të tjerë shkrimtarë të majtë të viteve 1920-1930, për të shënjuar dikë që i përket shtresës së vegjëlisë; së bashku me neologjizmin “harbutëria”. Gjithsesi, sot përdoret zakonisht me kuptimin “njeri gdhë, i trashë nga zakonet, i pasjellshëm, i vrazhdë, i pagdhendur, i trashë në sjellje”; që këtej edhe harbutllëk. Dizdari shënon se Gustav Meyer-i e nxirrte, me rezervë, si të prejardhur në analizë të fundit nga arabishtja garb, fjalë që shënjon Perëndimin (të kihet parasysh se Fjalori etimologjik i Meyer-it e jep fjalën si garbut); meqë për osmanët viset e Perëndimit ishin vise “barbarësh”; dhe pastaj sugjeron, edhe ai me rezervë, një etimologji alternative, nga Harbrut, “qendër e një vilajeti në anën lindore të Anadollit”; në kuptimin që shqiptarët kanë hyrë në kontakt me banorët në fjalë p.sh. gjatë shërbimit ushtarak, dhe i kanë konsideruar këta si veçanërisht të vrazhdë. Gjithsesi, statusi i kësaj fjale si orientalizëm nuk është dhe aq solid; dhe në këtë pikë afrohet me halldup.
huq me kuptimin “ves, zakon i keq, obsesion, kapriçio” vjen nga turqishtja huy; edhe forma huj, huje ka qenë e zakonshme në shqipen, edhe pse sot tingëllon dialektore ose e vjetruar; por me këtë nuk duhet të ketë lidhje huq me kuptimin “bosh, kot” si në shprehjet i shkoi huq, doli huq etj., meqë kalimi kuptimor nuk përligjet (dhe turqishtja vetë nuk e ka). Kushedi huq me këtë kuptim të dytë ka prejardhje onomatopeike; dhe pastaj mbase ka ndikuar, nga forma, edhe huq me kuptimin e parë (që në krye ka qenë huj).
horr sot në shqipe përdoret zakonisht me kuptimin “njeri me vese të këqija, rrugaç”, duke u larguar disi kuptimisht nga burimi i saj, turqishtja hor, me kuptimin “i përbuzshëm, i ndyrë”. Kuptimi origjinal i huazimit ndoshta është ruajtur në shprehjen e bëj horr dikë (shaj rëndë), edhe pse vetë kjo shprehje është pothuajse e vjetruar ose dialektore. Edhe horrllëk Dizdari e nxjerr nga turqishtja horlik, por nuk po e gjej këtë fjalë në fjalorët e turqishtes.
ibret këtë fjalë FShS nuk e ka përfshirë, por ajo përdoret gjerësisht në shqipen bisedore, kryesisht në togfjalëshin për ibret (ishte bërë për ibret; si e gjetët plakën? për ibret; si i kishte bërë detyrat? për ibret; ndonjëherë e dëgjon edhe në formën për ibret të Zotit), që ka kuptimin “shumë keq, në gjendje të keqe, për faqe të zezë” (të vërehet këtu edhe që shprehja për ibret kërkon pyetje me si). Dhe nëse është kështu, atëherë fjala aktualisht i ka humbur lidhjet kuptimore me burimin e saj, turqishten ibret, që ka kuptimin “shembull, shembull i keq (për të mos u ndjekur, nga i cili të nxirren mësime).”
karabiná përdoret rëndom me kuptimin “skeleti i një ndërtese që ende nuk është suvatuar dhe nuk është pajisur me dyer e me dritare”; lidhja me bina doemos ka mbetur, por vetë fjala karabina në turqishte, siç e konfirmon Dizdari, nuk ekziston; duhet të jetë ndonjë formim i brendshëm i shqipes në bazë të ndonjë shprehjeje të shtrembëruar të turqishtes.
këllëf me kuptimin teknik vjen nga turqishtja kılıf (angl. holster, sheath, casing, cover, case; it. astuccio); por në shqipen bisedore ka zhvilluar edhe kuptimin “njeri i trashë, budalla, kafshë”; që zakonisht i bashkëlidhet trajtës klluf të gegnishtes jugore. Pas gjase, ky kalim kuptimor akrobatik ka lidhje me përdorimin e këllëf si fjalë vernakulare për preservativin (klluf kari, togfjalësh që ka marrë pastaj, gjithnjë në ligjërimin bisedor, edhe kuptimin “trap, hajvan, koqe”). Khs. edhe anglishten dick.