KALLASHI

nga Paskal Stafa

Kur më zunë sytë para disa kohësh këtë fjalë, të shkruar me shkronjë të madhe në fillim, mendova instinktivisht se mos ka dalë ndonjë “i fortë” i ri, ndonëse miqtë shpejtojnë gjithnjë të më sigurojnë se era e tyre ka mbaruar, se edhe ndonjë tireks aty-këtu nuk e ka të gjatë e që, sidoqoftë, edhe këta të fundit janë urtësuar goxha,

qyshkur u shfaqën vrasësit imcakë thatimë, të zbehtë në të verdhë dhe gjakftohtë si reptilë, të cilët nuk ta përtojnë shumë, por të qërojnë pa bujë me silenciator, pa çka se nuk druhen as të të hedhin në erë nganjëherë me ndonjë kallëpth tritol.

Vjet a parvjet na zuri dreka në Durrës, tek Hekurudha: (mirë t’ju bëhet, po pse mër vlla… ç’ne atje ju?… shko mër daku n’Lalz…. qenë komentet që dëgjuam paskëtaj) e na mori uria. Kur u ulëm të fusnim ndonjë çapë në gojë, erdh kamarierja, një grua me gushë që i varej e byzylykë, vinte një si erë, kthej kokën, ngjitur me ne ish një pusetë, që përdorej edhe si tavolinë, pra vjen kamarierja e na pyet: Ç’ka po doni? Kena pasul e gullash. A e din se çka asht gullashi?

grosz3Kjo m’u ndërmend kur e hasa për herë të dytë Kallashin. Ishte kudo. I bërë kureshtar tashmë kërkoj foto e më dalin tejshumë të tilla, pasi modellja shqiptare prej kohësh poston mizëri imazhesh flakë të nxehta; më të freskëtat mëngjesin e sotëm në Instagram.

Ajo na rrëfen të pasmet në një foto shumë provokuese doggy. Shumë fansa s’kanë pasur kështu nevojë të marrin kafenë e parë, por janë bërë esëll nga shkulmet e adrenalinës që u ka shkaktuar K. Komentet s’kanë të sosur, ndërsa shumë vlerësime janë thjesht pasthirrma: oh, ah, uh dhe uf. Prej disa muajsh Kallashi është bërë hiper aktive në rrjetet sociale duke postuar pa pushim zona erogjene të kurmit të saj.

Disa fansa, sidoqoftë, janë bërë skeptikë e shprehin dyshimin se K. po punon me fotoshop, ndërsa ajo siguron që jo vetëm nuk e zotëron këtë program, por as word-in.

Ajo u ka premtuar se dikur, ashtu si Tuna para do kohësh, do u prezantojë “zogun”, por ngjan se ky është veç një trik për të thithur sa më shumë vëmendje. Që funksionon: numri i fansave, kryekëput virila mashkullorë, siç merret thjesht me mend, është katërfishuar brenda tri ditësh.

“Më mirë një trumcak në grusht, se një tufë pëllumba në shesh”- citon një proverbë të lashtë kineze, e pyetur nga një gazetar i një së përditshmeje të njohur, Kallashi.

Dhe habiten pastaj ca Bovuare kur ndonjë katallani i ikën petlla, (gjerm. mund të jepej me schnitzel: po m’ikën shnitzlla), apo zari, i ikin bletët, ndoshta kukureci ( po m’ikën kukureci, m’rrëshqiti kukureci – e autorit kjo e fundit, all rights reserved) dhe i rritet deri në rrezik pasioni…

Çik’ të koklavitura këto aktet e balancës mes trash-it që sjell me vete, siç makina e plehrave sjell me vete edhe ndonjë kufomë maceje të pafajshme, të vrarë nga çunakët mizorë të lagjes tek shihte të gjente ndonjë kokë peshku kazanëve të mbushur deri në vetëderdhje, këto aktet e balancës pra mes treshit: integritetit, shitjes së vetes për gjësende, apo dhe kot, e dilemës së identitetit.

Zonja Simon de B.me siguri ka patur ndonjë imazh tjetër në kokë, kur shkroi seksin sekundar, nën ndikimin e kokëtulit macho që kish në krah e të cilin e furnizonte me kofsha pulastrenesh… sorry, me mish të freskët studentesh.

A do të kishim ndonjë seks të tretë si titull, androgjen ndoshta, nëse e ndjera do të endej ende mes së gjallësh e do t’i duhej të përballej me argumenta llokshëm të përkundërt si qerrataetizmi e, luaj vendit, Kallashi? Për këtë s’jemi fort të sigurt, aq më tepër që kjo nuk do të vërtetohej dot, nisur nga mungesa objektive e kontrahentit (es)…

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: