Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

DRONI YNË NË VJENË

Mediat shqip dhe rrjetet sociale e filluan Vitin e Ri me aheng:

Shkëlzen Doli, Unser Mann in Wien, ngriti dronin me flamurin shqiptar në Koncertin e mirënjohur të Vitit të Ri 2015.

Në repertorin e këtij viti, dirigjenti Zubin Mehta dhe orkestra e Filarmonisë së Vjenës kanë përfshirë dhe një kolazh me muzikë tradicionale shqiptare.

Shkruante gazeta “Shqip”, duke theksuar pastaj ndjenja të patriotizmit, të krenarisë kombëtare dhe të tjera emocione sublime që e përfshinë publikun shqiptar.

Ndërsa “Shqiptarja.com” vërente se:

Këtë vit koncerti i Vjenës ka përcjellë përmes tingujve magjik të muzikës emocione të rralla, sidomos për Shqipërinë, kjo pasi për herë të parë, nga zemra e Vjenës u luajt muzikë me motivet më të bukura shqiptare.

Por duhet të ketë qenë fjala për një film promocional 20-minutësh me titull  “Der Boulevard – Die Wiener Ringstraße 1865-2015” të regjisorit Felix Breisach, që i kushtohet 150 vjetorit të një rruge të famshme në Vjenë dhe që është shfaqur në pushimin e koncertit.

(Origjinali gjendet këtu, por për arsye copyright-i mund të shihet vetëm në Austri për momentin.)

Ndryshe nga si u paraqit prej shumëve, filmi nuk ka ndonjë lidhje të veçantë as me shqiptarët, as me shqiptarinë; muzika shqiptare është përfshirë aty si kolonë zanore, ngaqë autorëve u është dukur e bukur dhe shoqëruese e përshtatshme për filmin.

Në titrat e mbylljes, muzika identifikohet si e ofruar nga grupi “Philharmonic Ensemble – Vienna”, i përbërë nga Shkëlzen Doli (violinë), Holger Groch (violinë), Sebastian Bru (cello) dhe Gottlieb Wallisch (piano).

Ky grup muzikantësh ka marrë pjesë edhe më parë në evente që i shoqërohen Koncertit të Vitit të Ri në Vjenë.

Përkundrazi, videoja që ka qarkulluar në Internet dhe në rrjetet sociale, me bekimin deri të institucioneve më të larta publike, është vetëm një pjesë e shkëputur (e cunguar) nga filmi promocional i Breisach-ut.

Videoja e plotë e koncertit mund të shihet këtu; i hodha një sy – nuk kam durim ta ndjek të gjithën – por nuk pashë as dëgjova gjëkundi të luhej muzikë shqiptare; ky ”fakt” nuk përmendet as në programin zyrtar të koncertit.

Të kenë gënjyer pra, mediat kombëtare? Ta kenë dizinformuar publikun edhe këtë herë?

Pa Komente

  1. Mesoj nga nje koment ne murin e Peizazhe te Fjales ne Facebook se nje televizion shqiptar ka “bashkepunuar” ne kete projekt i cili eshte xhiruar ne vere te vitit te kaluar. Nese ndonje lexues ketu ka me shume njohuri rreth ketij bashkepunimi, i lutem te ndaje dicka me ne ketu.

  2. Për të krijuar një ide si operojnë mediat, lexoni citatin e mëposhtëm, nga “Shqip”:

    Në violinë ishte anëtari i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, një shqiptar virtuoz me origjinë nga Kosova. Po aq të shkëlqyer ishin në violinçelë Edison Pashko, në klarinetë Hekuran Xhambali, ndërsa koreografia shqiptare u përfaqësua me balerinin Eno Peçi.

    Eno Peçi është balerin profesionist i Operas Shtetërore në Vjenë dhe nuk përfaqëson gjë “koreografinë shqiptare” – meqë ai kërceu në valset dhe polkat gjatë koncertit; Edison Pashko nuk mori pjesë në koncert këtë vit (informacion që ma dha Ilir Polena në FB); dhe më në fund Shkëlzen Doli ka lindur në Elbasan.

    1. Me sa me kujtohet, sepse kam shume vite qe nuk e ndjek koncertin e Vjenes, gjate koncertit ka disa “musical intermezzos” informative per teleshikuesin te pakten, sepse nuk di se cfare ndodh brenda ne salle, nese ka ndonje monitor televiziv ne salle per pjesmarresit.

      Kater minuteshi me muzike shqiptare do te kete qene pjese ne repertorin e njeres prej ketyre nderprerjeve. Keshtu ma merr mendja mua, por mund te jem edhe gabim. Besoj se te gjithe qe e kane ndjekur kete tradite, nuk i shkon ndermend se segmenti “shqiptar” eshte pjese e koncertit live, i cili besoj eshte strictly straussian. 🙂

      1. Shkruan:

        Besoj se te gjithe qe e kane ndjekur kete tradite, nuk i shkon ndermend se segmenti “shqiptar” eshte pjese e koncertit live, i cili besoj eshte strictly straussian.

        Shumica e mediave e paraqitën eventin shqiptar si pjesë të Koncertit të Vjenës. Në fakt ka qenë pjesë e një filmi promocional (me pak kujdes, do ta gjesh linkun në shkrimin tim më sipër) të shfaqur në pushim të koncertit (sikurse thuhet sërish qartë në një link tjetër që kam sjellë).

        1. Jo vetem mediat por kudo ne mediat sociale u paraqit si te ishte pjese e koncertit, nderkohe qe e shumta qe mund te thuhet eshte se u paraqit gjate transmetimit te festivalit. Lexoj diku se ne versionin qe u transmetua ne PBS (televizioni publik ne U.S.A) ky segment nuk u shfaq meqe natyrisht pervjetori i bulevardit nuk perben ndonje vlere per shikuesin ketu.

          Po jap vetem ca shembuj shkeputuar nga mediat sociale ku te jepet pershtypja se segmenti vertete qe pjese e koncertit. Jo ishte pjese e transmetimit te tij. Kur pyeta disa miq nese kishin dijeni se ne c’pjese te koncertit u dha ky segment te gjithe pohuan se nuk e kishin pare Live por thjesht kishin bere share videon, per ta tashme nje fakt i kryer:

          Edi Rama: Qoftë i mbarë për të gjithë ky vit i nisur bukur me tingujt e muzikës shqiptare në Koncertin botërisht të famshëm të Vienës ditën e Vitit të Ri!

          Mirela Kumbaro:
          – Nje vit i ri fillon mbare me kulturen!
          Proud of: ‪#‎ShkelzenDolli‬, violinisti shqiptar ne Koncertin tradicional vienez http://t.co/znVDMXEcnr

          – Po, po viti fillon mbare me kulture!
          Proud of: ‪#‎EdisonPashko‬, viloncelisti shqiptar ne Koncertin tradicional vienez! http://t.co/znVDMXEcnr

          – Jamais 2 sans 3! ‪#‎VitiMbare‬! ‪#‎KultureeBukur‬!
          Proud of: ‪#‎EnoPeci‬ balerini shqiptar ne Koncertin e pare te vitit! http://t.co/znVDMXEcnr

          Statusi i Edi Rames eshte bere share plot 907 here, me komente shoqeruese qe shprehin krenari per muziken shqiptare ne vete koncertin. Statuset e Ministres Kumbaro po ashtu lene vend per te krijuar nje lidhje mes prezences se ketyre artisteve te koncert dhe muzikes shqiptare qe u perfshi ne spotin festiv per bulevardin.

        2. Mund te kete qene pjese e nje filmi promocional, por segmenti prej kater minutash me muzike shqiptare duket se eshte shfaqur pikerisht ne intermezzo-t ne fjale, qe e ben pjese te te gjithe package te ofruar dje.

          Te pakten keshtu e marr me mend une. Nese dikush e ka ndjekur dje koncertin ne tv, le te jape versionin e sakte.

          1. Read Me, linkun e koncertit të këtij viti ta kam vënë në shkrim: kontrolloje vetë po të duash.

            (Të jam lutur edhe më parë: kontrolloji linket, para se të komentosh! Gjasat janë që do ta gjesh aty përgjigjen.)

          2. Xhaxha, ketu flitet per nje intermezzo, interval, segment, qe mund te mos jete perfshire ne videon ne fjale(youtube). Koncerti mund te jete ndjekur nga 90 milione njerez ne vende te ndryshme te botes, dhe programi televiziv mund te mos kete qene i njejte.

            Per shikuesin shqiptar apo europian, spoti ne fjale mund te kete qene pjese e programit televiziv. ne kete po perqiqemi te bejme, te marrim nje informacion me te sakte, me duket. 🙂

            1. Koncerti i Vitit të Ri transmetohet me Eurovizion – ka vetëm një feed video, që u jepet të gjitha televizioneve që e kanë blerë të drejtën.

              Pjesë e këtij feed-i duhet të ketë qenë edhe filmi promocional në fjalë (edhe pse nga mënyra si është transmetuar koncerti, duket se nuk ka qenë pjesë e programit të blerë).

              Disa televizione kanë parapëlqyer të mos e japin këtë film në pushim të koncertit – më thonë se kështu ka bërë PBS në ShBA.

              Por filmi është një i tëri – dhe unë do të isha kurioz të dija se kush e ka shkëputur që andej pjesën “Albanian soul” për ta paraqitur më vete, por pa e sqaruar se është fjala për një fragment.

              Read Me, unë të propozoj që të gjesh pak kohë dhe ta shohësh vetë koncertin e këtij viti, në këtë link:

              https://www.youtube.com/watch?v=hhcDr_4DKWk

              Filmi promocional fillon në 38:48 dhe mbaron në 1:00:06.

              Ndërsa ky link i Vienna Philharmonic në Facebook të shpjegon edhe çfarë është pikërisht filmi i përcjellë:

              https://www.facebook.com/media/set/?set=a.780027832075028.1073741898.320213934723089&type=1

              Një promovim i shëndetshëm i kryeqytetit austriak, me synime kulturore dhe turistike.

            2. Kur e pashe per here te pare videon qe kish postuar KM Edi Rama u corientova se nuk po e beja lidhjen mes muzikes dhe pamjes, meqe per mua dhe per shume te tjere nuk ishte akoma e qarte qe ky ishte nje segment nga nje material me i gjate kushtuar 150 vjetorit te Ringstraße. Po ashtu nuk e kisha te qarte nese videoja qe u perhap ishte vete video qe ishte paraqitur dhe per ata prezent ne sallen e koncertit meqe askund nuk ishte bere e qarte qe behet fjale per kohen e pushimit. Mendova se mos video eshte nje perfaqesim i asaj qe eshte luajtur ne koncert por as kjo nuk ishte.

              U bera kurioze se si doli kjo video kaq shpejt ne internet nderkohe qe vete koncerti akoma nuk ishte hedhur ne internet. Versioni i plote qe ka sjelle 2Xha me siper eshte hedhur shume ore me vone se versionet qe u perhapen nga shqiptaret.

              Videoja e pare qe eshte hedhur ne YouTube nga Jeton Arifi, me titullin “Albania Soul – Shkelzen Doli” eshte postuar ne 1/1 ne oren 12:33 UTC. Informacioni shoqerues perfshin kete reference: Der Boulevard – Die Wiener Ringstraße 1865 – 2015.

              Videoja qe ka shperndare KM dhe qe ishte postuar ne YouTube me titullin “MOTIVE SHQIPTARE NË KONCERTIN E VJENËS” eshte postuar ne daten 1/1 ne oren 14:07 UTC. Pra 2 ore me pas por as ketu e as ne FB e KM nuk permendet qe ky segment eshte pjese e materialit mbi Ringstraße.

              Per shume prej nesh Shkelzen Doli u be i njohur papritur vetem per segmentin Albanian Soul nderkohe qe ai ne pjesen tjeter ofron muzike nga Mozarti, Debussy e Strauss. Pra e gjithe arritja e tij si muzikant vjen e reduktohet ne 5 minutshin e muzikes shqipe. Eshte fatkeqesi pra qe arritja e tij te cungohet vetem per te ushqyer patriotizmin tone. A do kish patur me pak arsye per t’u ndjere ne krenare nese Doli nuk do kish luajtur muziken tone? Po ne rastin kur kjo muzike te ishte luajtur nga muzikante austriake?

            3. Ja si e paraqet këtë lajm Top Channel:

              http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=290536

              Titulli: Vjenë, interpretohen pjesë shqiptare në Koncertin e Vitit të Ri

              (Dizinformim: asnjë “pjesë shqiptare” nuk u interpretua në koncert; por një pjesë me motive shqiptare tradicionale, e titulluar “Albanian Soul” dhe pas gjase e orkestruar nga Shkëlzen Doli, shoqëronte si kolonë zanore një film promocional të shfaqur në pushim të koncertit, ku tregoheshin, mes të tjera gjërash, edhe vetë muzikantët që luanin në vende turistike të Vjenës.)

              Në repertorin e këtij viti, dirigjenti Zubin Mehta dhe orkestra e Filarmonisë së Vjenës kanë përfshirë dhe një kolazh me muzikë tradicionale shqiptare.

              (Sërish dizinformim: asnjë lidhje nuk ka mes dirigjentit Zubin Mehta dhe as orkestrës së Filarmonisë së Vjenës, me kolonën zanore të filmit në fjalë, i cili nuk ishte pjesë e programit të Koncertit.)

              Tani më thoni, mbase më thua edhe ti Floknaja, nëse çlirojnë gjë atdhedashuri të ndershme këto lajme të paqena, apo mos vallë efekti që japin është i kundërt?

              (Më korrigjoni lirisht po ta kem gabim, por me fakte: sillni links. Ky është forum interneti, jo tabelë fletërrufesh.)

          3. Pas insistimit tend Xhaxha, e pashe prezantimin ne fjale. Bera mire dhe te falenderoj. Sic edhe e permend, eshte nje dokumentar i shkurter publicitar per Unazen e Vjenes ne rretheqarkun e te ciles permblidhet edhe jeta kulturore-artistike e Vjenes. Muzika dhe Ringstraße, nje binom i pandare.

            Duke pare ate me erdhen ne mend disa konstatime.

            Hapja me disa pjese te repertorit etnomuzikor shqiptar. Ky kater minutesh ishte i vetmi i tille, i llojit etnomuzikor, sepse ndiqej pastaj nga Mozart, Debussy, Richard Strauss(pjese nga Der Rosenkavalier Walzer, koincidence e habiteshme, duke patur parasysh permendjen e tij, meditimin tim ne komentet e meparshme), pastaj Truan-i dhe se fundi nje mbyllje e gjetur, une e kam per zemer, tangoja Per una Cabesa te Gardel-it.

            Pastaj grupi i instrumentisteve natyrshem futet ne ambjentet e filarmonise vjeneze per t’iu bashkuar pjeses tjeter te familjes muzikore, orkestres per provat(rehearsals) te koncertit te pervitshem te drejtuar nga Mehta. Nje mbyllje domethenese dhe qe rrjedhimisht hap perden e koncertit serisht.

            Pavarsisht se cfare emri duam t’i veme ne ketij prezantimi ne intermezzo, apo cfare (diz)informon shtypi i fandaksur shqiptar, nje fakt del i qarte qe muzika shqiptare po prezanton dhe po prezantohet ne Vjene e ndjekur, e vene ne nje plan me majat e muzikes(klasike) cilesore te listuar me siper.

            Protagonisti i saj dhe meritat i takojne parasegjithash nje talenti si ai i Shkelzen Dolit dhe grupit te tij, Besoj se eshte nderhyrja e tij qe pjeset shqiptare u bene pjese e pervjetorit te 150te te Ringstraßes dhe koncertit te fundvitit. Pavarsisht gjithshkaje tjeter, cfaredo konsiderate, Doli, thjesht per meritat dhe respektin qe ka ne rrethet muzikore vjeneze, ka inkorporuar muziken shqiptare ne nje eveniment te tille.

            Une kaq kisha. 🙂

            Le ta fillojme mbare kete vit, 2015! Nje dolli per muziken shqiptare dhe Shkelzen Dolin!

  3. Nuk e kuptoj shkrimin, fakti qe nuk u permend askund Shqiperia nuk e zh’ben dot faktin tjeter qe ne (interval apo jo)u luajt muzike shqiptare nga muzikante shqiptare… virtuoze edhe… kjo do t’i bente nder cdo shqiptari me atdhedashuri te shendetshme… vertet nuk e kuptoj fare kete menyre te kendveshtruari…

    1. Nuk u luajt gjëkundi muzikë shqiptare. U luajt një film promocional, në Eurovizion, për 150 vjetorin e Ringstrasse të Vjenës – ku ishte përfshirë edhe muzikë shqiptare si kolonë zanore. Unë si shqiptar kam të drejtë ta konsideroj fare normale që muzika shqiptare pëlqehet dhe dëgjohet anembanë botës – sa kohë që unë vetë dëgjoj lirisht muzikë maleze, kubane, greke, japoneze, polake, venezueliane dhe kushedi ç’tjetër për kënaqësinë time, dhe shkoj në koncertet përkatëse sa herë që kam dëshirë. Përkundrazi, nuk duroj dot gënjeshtrën ditën për diell; dhe më duket shumë antikombëtare, kur bëhet publikisht. Më thuaj, Floknaja: sa prej atyre që entuziazmuan me këtë lajm e kishin parë, në fakt, koncertin të plotë?

  4. Edhe dicka tjeter, per te kuptuar rolin e Shkelzen Dolit dhe te ansamblit te tij filarmonik; nje ide me te qarte ta jep bio-ja e tij si anetar i Vienna Philharmonic (orkestres); eshte merite ne fund te fundit e nje shqiptari, kontributit te tij, qe te perzgjidhet, shfaqet dhe ndiqet muzika shqiptare pergjate Koncertit Vienez te Vitit te Ri.

    http://iaov.org/professor/shkelzen-doli/

  5. Të hedhësh dyshimin se mediat gënjejnë, tregon në fund të fundit ekzistencën e një mendimi të lartë për to: që ato e dinë apo e kanë mësuar paraprakisht të vërtetën dhe pastaj gënjejnë. Unë dyshoj në diçka tjetër: se niveli i analfabetizmit funksional ka arritur e ka fituar në Shqipëri një nivel e një dimension të ri, të panjohur në perëndim, ndaj dhe të paklasifikuar deri tani e të pakuptueshëm për shumëkënd që nuk jeton këtu.
    Ja një shembull i freskët. Raportimi i fundit nga media, që po lexoja para se të lexoja këtë shkrim tek PTF, lidhej me ngjarjen në det të hapur me tragetin “Norman Atlantic” dhe incidentin në rimorkiatorin “Iliria” (http://shqiptarja.com/home/1/kapiteneria-italian-t-braktis-n-tragetin-n–flak–ndaj-nd-rhym—263332.html). Zyrtari shqiptar i porteve flet për “këputje të cimës [litarit]” që çoi në vdekjen e dy marinarëve të “Ilirisë”. Pak rreshta më tutje, gazetari nga xhepi i vet flet për “shkëputje të litarëve”. Ky brez ka një problem serioz, fillimisht, me të kuptuarit e asaj që shikojnë, dëgjojnë apo lexojnë vetë – raportimi “profesional” vjen më pas.

  6. Popullatës i ofrohet shenja e barazimit midis koncertit dhe transmetimit të tij televiziv, dhe i shitet reklama si pjesë e koncertit. Këtu nuk bëhet më fjalë për disinformimin apo krijimin e lajmit (spinoff), në kuptimin që gazetarët apo edhe të tjerë, politikanë apo artistë, i japin të drejtë vetes të krijojnë edhe një lloj sensacioni që çon përpara një narative kombëtariste (nëse ky mund të ketë qënë qëllimi). Ajo që nuk kuptohet, apo që nuk duan ta kuptojnë ngase e shofin popullatën si një qënie që duhet manipuluar me çdo kusht, është krijimi i një lloj miti urban i ngjashëm me këto këtu https://peizazhe.com/2014/09/04/mitet-greke/.
    Këto lloj mitesh përlahen e gëlltiten pa u përtypur fare nga shumica që përpiqet ta mbysi ndjenjën e hidhur të inferioritetit kolektiv me karamele kombëtariste.

  7. Akoma jam konfuze se kur Krenaret shqiptare (qe sa vijne e shtohen pas çdo suksesi apo deshtimi titanesh) e perdorin “proud of being albanian” dhe “proud of feeling albanian”. “Ne mutlu Türküm diyene” qemalian gjen simotrën apo sivëllaun e saj shqiptar tek “Oh sa mirë me ken shqiptar”.

    1. Kam frikë se shprehjes “Proud of being Albanian” ia gjen simotrën në një lidhje më të shkurtër se ajo me Turqinë. “Proud of being Serbian”, edhe kjo e shprehur gjithashtu në anglisht duket si një paraardhëse më e logjikshme. Kjo e fundit është gjithësesi thirrje lufte për çetnikët e motivuar nga ideologji e qartë nacionaliste, dhe muk e kam të qartë se ç’synon pasqyrimi i saj në Shqipëri. Përveçse e përdorur nga tifozë jo shumë të vëmendshëm porse e promovuar nga grupe që kanë për mision vëtem t’u shplajnë trutë njerezve, e meriton një analize të mirë.

    2. Turqit kane edhe nje barcolete me Temelin, nje personazh ca i ndryshem nga Nastradini, qe vjen nga Trabzoni e qe rendom ben shejtan budallain. Nje here Temeli qellon ne Paris duke kaluar nje ure permbi Siene tek degjon nje ze qe vinte nga lumi. “Temel, Temel, me shpeto, po mbytem, jam turk!”. Temeli e veshtron, picerron syte nga tymi i cigares dhe ja kthen: “Ne mutlu turkum diyene!” (O sa mire me qene … turk!) e vazhdon rrugen tutje.

  8. Une nuk e ndoqa koncertin e Vienes, por ate mbasdite nje shok me tha pak a shume se orkestra e Filarmonise se Vienes kishte ekzekutuar edhe muzike folk shqipetare. Ngela pak i befasuar dhe duke ditur llojin e muzikes qe aty luhet sot e kusur vjet me pare, e pyeta nese e kish pare e degjuar vete. Jo -me tha – por e kishte degjuar ne mediat tona. Me vone, u bera kurioz dhe e pashe e degjova kolazhin muzikor qe ishte percjelle bukur nga grupi i muzikanteve. Por qe nuk kish asnje lidhje mesa trumpetuan mediat tona te pavarura por te mjera.

  9. Pse, vras mendjen, u zgjodh te luhej muzike me motive shqiptare ne kete film?
    A ka historia jone (shqiptare) ndonje fare lidhje me kete unaze? Ndonje konference, a ndonje muzeum?

    1. Grupi i Shkelzen Dolit, “Philharmonic Ensemble – Vienna”, ne 20 minuta ofron nje perzgjedhje te repertorit te tyre. Kush e ndoqi me kujdes materialin e pergatitur e di qe ky grup pas asaj shqiptares ofroi dhe muzike te Mozart, Debussy, Strauss, Gardel e te tjere. Natyrisht propozimi per te luajtur muzike shqiptare ne nje promovim te Ringstraße do kete ardhur nga Doli por vendimin perfundimtar e ka marre tjeter kush. Meqe permenda mundesine qe nje televizion shqiptar te kete bashkepunuar ka mundesi qe nje pala shqiptare te kete dhene me shume se perkrahje emocionale.

      1. Ndoshta austriakeve pergjegjes per programin iu ka rene ne vesh me c’fanatizem qesharak (per mua) ndiqej Koncerti ne Shqiperi, dhe menduan te na falenderojne me nje homazh muzikes shqiptare bash ne ate Koncert, ku audienca shqiptare, sic edhe u provua, qe e pranishme. 🙂

  10. U krenuan njerëzit për asgjë më herët këtë vit. Përsëri e nisim me krenari disi të turbullt këtë vit. Uroj që viti 2015 të na sjellë mend e vullnet për t’u ulur e për të punuar që në të ardhmen të mos ndihemi krenarë 5 vjet rresht se një soprano shqiptare ka kënduar në kolonën zanore të një filmi të Hollivudit por të krenohemi se ia kemi krijuar kushtet vetes që të rrojmë si njerëz në atdhe e të mos marrim rrugët e botës …

  11. Teksa krejt shqiptaria po qiste pushkë n’ajrí për të kremtuar Shkëlzen Dolin që “i ra violinës në Koncertin e Vjenës” m’u kujtua një ditë imja në Tiranën e vitit 1993 ose 1994 – nuk e kujtoj dot me saktësi – kur në shoqëri të disa miqve të mi italianë nga Napoli, u futa të ha një drekë në hotel Dajti.

    Por pa u ulur mirë në tavolinë, u ndjeva i nëpërkëmbur kur pashë se orkestrina që zbaviste drekëtarët në verandën e hotelit udhëhiqej nga Ibrahim Madhi – pikërisht, i madhi dhe mjeshtri Ibrahim Madhi, ose “miku i mirë i kohëve të vjetra, violinisti dhe pijetari virtuoz”, siç e cilësoi kryeministri Rama, me rastin e vdekjes.

    Në atë moment, për ta thënë me Militschi-n, mua më erdhi turp që isha shqiptar.

    Ndryshe nga Ibrahim Madhi, produkt i shkollës shqiptare të muzikës që e shkriu jetën dhe talentin e vet për muzikën – jo doemos shqiptare, por në Shqipëri dhe për shqiptarët – Shkëlzen Doli studioi në Novi Sad dhe në Vjenë dhe tani ia dhuron talentin e vet një publiku tjetër.

    Nuk ndjej absolutisht asgjë, kur dëgjoj për shqiptarë që bëjnë karrierë dhe kontribuojnë në kultura të vendeve të tjera – edhe pse po t’i njoh personalisht, mund të më bëhet qejfi për ta, që janë realizuar individualisht. Përkundrazi, përulem me nderim para të gjithë atyre bashkatdhetarëve, që besuan se Shqipëria mund të bëhet – edhe në kulturë. Pa çka se këtë besim e paguan ndonjëherë duke i rënë jolisë në restorante.

    https://www.youtube.com/watch?v=PgkXLOb7Q-A

  12. 1. “Mediat shqip dhe rrjetet sociale e filluan Vitin e Ri me aheng: Shkëlzen Doli, Unser Mann in Wien, ngriti dronin me flamurin shqiptar në Koncertin e mirënjohur të Vitit të Ri 2015.”
    Kam vërejtje se si nuk bëhen komente rreth faktit se a është apo jo pozitive, por fillohet me një fjalë shqipe që ne e dimë se është në sensin fyes “aheng” (Kabaja e Përmetit nuk ishte aheng dhe as Hapi syt e zezë, ndaj përgjithësimi se për klipin si “ageng” është fyes për dicka të madhe që iu fal Shqipërisë prej Austrisë me ndihmën e artistëve shqiptar ku shquhet artisti gjakovar Shkëlzen Doli).

    2. Autori thotë: “Ndryshe nga si u paraqit prej shumëve, filmi nuk ka ndonjë lidhje të veçantë as me shqiptarët, as me shqiptarinë; muzika shqiptare është përfshirë aty si kolonë zanore, ngaqë autorëve u është dukur e bukur dhe shoqëruese e përshtatshme për filmin.”
    Autori e thotë në mënyrë kategorike “nuk ka ndonjë lidhje” (pra as edhe ndonjë) dhe nuk ka as edhe modestinë të thotë “une mendoj se nuk ka lidhje”. Autori nuk na thotë autorët e klipit mos ishin edhe edhe ata ahengxhinj të Vienës apo nga specialistët më të mirë që ka bota e artit, që Viena di t”i zgjedhë. Nëse u pëlqente muzika pse i vunë titullin “Albanian Soul” me titra? Le ta linin ashtu me referenca (Për këtë material u shfrytëzuan meloditë X, Y dhe Z nga folku i Shqipërisë”. Kjo do të thotë se ata ishin të interesuar mbi propagandën për shpirtin shqiptar, që nuk është dicka vetëm tingullore e bukur, por që shtrihet jashtë muzikës dhe këtë e dinë vetëm ata, por që nuk diskutohet se është një sinjal shumë i mirë për Shqipërinë.

    3. Nga vetë autorët u tha në Top Channel se ne kishim ndërmend të bënim Shtrausin në fillim, por zgjodhëm meloditë shqiptare se na u duk më e gjallë se e jona. Mendoj se është e qartë se ashtu ishte e vendosur nga lart dhe nuk ka qenë dhe aq gjetje artistike se të ishte për art në variant tjetër, ata kanë me mijëra idera.

    4. Autori thotë “Të kenë gënjyer pra, mediat kombëtare? Ta kenë dizinformuar publikun edhe këtë herë?” a thua se shqiptarët nuk kanë haber nga Koncerti i Vienës dhe duhet të presin lajmet e mediave, a thua se edhe ata që nuk e shohin, të gjithë nuk kanë kulturën e vërtetimit të informacionit.

    1. Nga nxitimi për të kundërshtuar çdo gjë që kam shkruar unë, ke bërë një gabim elementar në të kuptuarit e tekstit tim: fjala “aheng” atje i referohet jo muzikës që luajti Doli, por mënyrës si e festuan këtë mediat.

      Shkruan:

      Nëse u pëlqente muzika pse i vunë titullin “Albanian Soul” me titra?

      I nderuar, ke probleme me të kuptuarit e gjërave. Titrat Shkëlzen Doli, “Albanian Soul” identifikonin pjesën muzikore që po luhej. Atë titull ia kish vënë pjesës autori i saj, Doli. Kur mbaron “Albanian Soul”, filmi vazhdon me një pjesë tjetër, të titruar: Menuetto, Trio, W.A. Mozart (minuta 5:00). Dhe ashtu me radhë, edhe pjesët e tjera që luhen, identifikohen sipas titullit që kanë, me titra. Titrat janë të filmit, jo të Eurovizionit, as të televizionit austriak!

      Shikoje edhe një herë filmin.

      Shkruan:

      Autori thotë “Të kenë gënjyer pra, mediat kombëtare? Ta kenë dizinformuar publikun edhe këtë herë?” a thua se shqiptarët nuk kanë haber nga Koncerti i Vienës dhe duhet të presin lajmet e mediave, a thua se edhe ata që nuk e shohin, të gjithë nuk kanë kulturën e vërtetimit të informacionit.

      Me këto që po thua ti këtu, vërteton pikërisht tezën time – ose që je një prej të gënjyerve nga mediat. Më thuaj të vërtetën, të lutem: ti vetë, e pe Koncertin e Vjenës, apo e more vesh lajmin nga fishekzjarrët në rrjetet sociale?

      1. 1. Nuk kam keqkuptuar se “ahengu” në koment i referohet mediave, por duhet të na bëni për të trashë që “ahengu” nuk erdhi nga “kuptimi i parë” i ahengut të Hekuran Xhambalit që është fakt dhe jo interpretim.

        2. Vërtet që ju na bëni të kuptojmë se çfarë të dojë Shkëlzen Doli bëhet në Vienë dhe jo e kundërta. Sigurisht që Shkëlzen Doli është i nderuar të mbajë autorësinë. Por nuk na thoni ju që botoni se cili është roli i redaktorit dhe botuesit dhe aq më tepër në një koncert me të cilën Viena i hapet botës një herë në vit.

        3. Fakti që po mbeteni përciptas në atë që shihni vjen prej dëshirës suaj për të zvogëluar çdo gjë që u bë dhe ndaj nuk shkoni përtej. Nuk e kuptoj se si pikërisht një faqe letrare nuk na sheh asnjë “metaforë” në një vepër artistike që punon pikërisht me metaforën dhe na e quan interpretimin e violinistit shqiptar në Vienë si të ishte violinist që po lyp në shkallët e metrosë.

        4. Është vërtet për të ardhur keq që ju arrini të deri në nivelin e komentit që e keni më poshtë:

        Ju citoj ju: “Me këto që po thua ti këtu, vërteton pikërisht tezën time – ose që je një prej të gënjyerve nga mediat. Më thuaj të vërtetën, të lutem: ti vetë, e pe Koncertin e Vjenës, apo e more vesh lajmin nga fishekzjarrët në rrjetet sociale?”

        Ndodh më shumë se sa të dëgjojmë Koncertin e Vienës, frymëzohemi prej saj ashtu siç ndodh edhe me ju të frymëzoheni për të shkruar çfarë shkruani duke devijuar komentet nga “analizë pse Viena bëri atë që bëri” në analizë “pse gëzohen kot shqiptarët, duke i nxjerrë ata si handikapatë”.

  13. 1. Autori vijon “Teksa krejt shqiptaria po qiste pushkë n’ajrí për të kremtuar Shkëlzen Dolin”. Nuk mund të
    mendohet sa shumë fyerje ka në këto fjalë dhe sa pak ka rëndësi ka për autorin gëzimi popullor për një dukuri jo pozitive por shumë pozitive që për më tepër nuk është vetëm muzikore. Nuk mund t”i mbushet mendja askujt që aty rol ka patur vetëm muzika. Nejse…

    2. Vijon autori “Në atë moment, për ta thënë me Militschi-n, mua më erdhi turp që isha shqiptar.” Autori ia lejon me dëshirë vetes turpin si shqiptar, por nuk e duron krenarinë shqiptare për fenomene pozitive, por ato janë të lidhura të dyja “Kush ka krenari kombëtare ka edhe turp kombëtar dhe anasjelltas”. Nëse krenaria duket boshe, atëherë bosh duhet të jetë edhe turpi i të qenit shqiptar.

    3. Është skandaloze të nënvletësosh Shkëlzen Dolin si shembull që jo vetëm ruajti gjuhën, por ruajti edhe muzikën, dhe jo vetëm e ruajti, por e propagandoi në një eveniment që së paku po të ishte me pagesë do të paguhej jo më pak se 30 milionë dollarë (lidhur me shifrat e shikueshmërisë) dhe t”i kërkosh llogari se pse ai paska studiuar në Novi Sad, pse paska shkuar në Vienë. Problemi me shqiptarët nuk është pse shkojnë jashtë, por pse nuk e marrin me vete (pse nuk e ruajnë) Shqipërinë aty ku janë. Shkëlzeni është burimi më i madh i frymëzimit për shqiptarët që jetojnë jashtë dhe ai është frymëzim Shqipërie jo frymëzim Austrie.

    4. Më duket pa sens krahasimi “Ibrahim” – “Shkëlzen”. Secili ka fatin e vet dhe secili ka dhënë nga pozicioni ku ka qenë. Të dy do të kujtohen. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për aktorët shqiptarë të Hollivudit që duket qartë se kanë humbur cdo gjë që i lidh me Shqipërinë (gjuhën të parën) dhe më shumë janë amerikanë me atë që bëjnë. Ata nuk i sjellin ndonjë vlerë, përvecse statistikore kulturës shqiptare.

    5. Autori thotë “Nuk ndjej absolutisht asgjë, kur dëgjoj për shqiptarë që bëjnë karrierë dhe kontribuojnë në kultura të vendeve të tjera – edhe pse po t’i njoh personalisht, mund të më bëhet qejfi për ta, që janë realizuar individualisht.” Të thuash këto fjalë në kontekstin e klipit të Vienës, do të thotë se ata i paskan rënë kot “fyellit” dhe s”na paska asnjë lidhje me ne. Kjo është “finokëri” në debat sepse autori e di mirë se vlerësimi i publikut nuk është për arritjet e ftohta të Xhon Belushit, por për arritjet e nxehta shqiptare të gjakovarit Shkëlzen Dolit i cili i ka në youtube arritjet e veta shqiptare, qe me shumë gjasa do të ngelin në historinë e muzikës shqiptare dhe jo austriake.

    6. Autori thotë: “Përkundrazi, përulem me nderim para të gjithë atyre bashkatdhetarëve, që besuan se Shqipëria mund të bëhet – edhe në kulturë. Pa çka se këtë besim e paguan ndonjëherë duke i rënë jolisë në restorante.” Kjo të lë të kuptohet se ajo që bën Shkëlzen Doli, Edison Pashko, Hekuran Xhambali dhe Eno Peci nuk paska qenë kulturë shqiptare.

    Po pse nuk qeshka dhe nuk u frymëzonka njeriu i “kulturës shqiptare” kur dëgjonka një mrekulli dhe kur mësonka një lajm “Austria na do”?

  14. E di si dukeni shpesh here ju qe rrini jashte si ato sorrat neper deget e nje peme te thare qe beni vetem krra krra me njera tjetren, vrisnin veshet e njerzve dhe zboni ata qe dine te kendojne.

  15. Ndryshe nga cmendojne jo pak lexues, shqetesimi kryesor mbetet tek mungesa e seriozitetit ne median shqiptare dhe perdorimi i krenarise (teresisht e natyrshme dhe e merituar) si kapital nga elitat ne krye. Ky mbetet nje shqetesim pertej diskutimit qe mund te behet njekohesisht per krenarine dhe anen e erret te saj qe luhatet nga etnocentrism ne autoracism.

    XhaXhai solli si shembull dizinformimi lajmin e para ca ditesh te Top-Channel. Dizinformim qe nuk i falet asnje media e jo me asaj qe paska qene pala shqiptare ne kete bashkepunim e detyrimisht do duhet te kishte dhene informacion te sakte ne kanelet e saja e nuk duhet te kishte keputur brockulla se vete Mehta e ka perfshire kete kolazh ne koncert. Dje, Top-Channel i ka dedikuar nje ore ketij evenimenti ne emisionin Exclusive. Ja si e paraqet ne faqen e saj ne FB:

    “Top Channel” shkon në zemër të një prej traditave më të vjetra muzikore europiane dhe sjell për herë të parë, atmosferën e xhirimeve për videon përshëndetëse të koncertit të madh të Vitit te Ri, si dhe historinë e një eventi të përbotshëm.

    Tani, si ta kuptojme neglizhencen e Top-Channel per te informuar paraprakisht publikun shqiptar per kete ndodhi te vecante? Kane investuar seriozisht per te cuar nje gazetare dhe ekipin xhirues deri ne Vjene dhe “harrojne” ti bejne reklame te mjaftueshme emisionit exclusiv? Mos duhet te mendojme se KM dhe Ministria e Kultures e moren vesh njeheresh me publikun diten e koncertit dhe nuk kishin dijeni paraprake? Ne qofte se kane patur atehere pse u shtremberua kaq shume lajmi?

    Ne emision behet e qarte se behet fjale per nje tradite ku gjate pauzes se pjeseve te koncertit shfaqet nje video muzikore ku antare te orkestres luajne muzike jashte salles. Kete vit kjo pjese i eshte besuar Shkelzen Dolit dhe ansamblit te tij dhe behet e qarte se ky ansambel, dhe jo orkestra e koncertit, do te luaj muzike shqipe. Doli vete shprehet se behet fjale per nje film gjate PAUZES se koncertit dhe qe i dedikohet jubileut te unazes se Vienes… tani si dolem tek “muzika shqipe ne koncertin e Vjenes” kete vetem KM e di.

    Emisini i Top Channel mund te ndiqet ketu:
    Pjesa 1
    Pjesa 2

    Per te mos mbetur pas, Gazeta Panorama e ka amenduar artikullin e saj duke i dhene nje “pergjigje” shkrimit ketu ne blog (natyrisht pa e permendur) duke pretenduar se meqe dokumentari ishte paralajmeruar si pjese e programit te shfaqjes se koncertit atehere dhe muzika shqipe ishte pjese zyrtare e saj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin