Nuk e di nëse është në romanin e Moravias a jo, por jam e sigurtë që në filmin Konformisti ka një moment kur Jean-Louis Trintignant i thotë pak a shumë kështu Sandrellit të frikësuar nga zhurma e turmës në rrugë: do dal në rrugë; dua të shoh si bie diktatura. Syri tipik bosh e çmendurak i Trintinjant duket sinqerisht investigues, filozofikisht kurioz dhe pa dritë paramendimi të lig.
Por, megjithëse ai vetë i ka hyrë nën lëkurë rolit të konformistit që i është bërë natyrë e vetja, ne e dimë fatin e heroit që jeton në lëtyrë morale, sado i zakonshëm e i mesëm qoftë ai në çfarëdo sistemesh autoritariste. Gjatë dekadave fashiste, Trintignant ka bashkëjetuar me ndyrësinë (nga nevoja), dhe ka pozuar çdo shtirje që të arrijë komoditetin e jetës së përdistshme, familjes, karakterit konform. Edhe atë ditë “kur po binte diktatura”, ashtu doli në rrugë: jo për idealizëm njohjeje që pastaj të filozofonte se ç’ndodh kur bien diktaturat, por me kuriozitetin skuth të të voglit që gjen ditën kur bëhet deti kos, dhe duhet ta mbushë lugën edhe ai. Dhe me planin e paformësuar ende qartë, që të përdorë atë moment kaosi për të ndërtuar profilin e ri të njeriut që nuk i takon diktaturës së djeshme, por erës së re demokratike. Ne, si të thekur nga tranzicioni, e dimë që në erën e re ky tip do dijë të përshtatet njëlloj, të bëjë karrierë, dhe të besojë sinqerisht në ideale të tjera, përmbajtja e të cilave ka pak rëndësi.
Si duhet të ketë qenë turma e njerëzve që u derdh rrugëve të Tiranës kur po ngrysej gjysmë-shekulli komunist shqiptar, që “të dërrmonte” socializmin e të rrëzonte Enverin e gurtë? Konformiste, tinëzake e ndërgjegjeprishur si Trintignant, apo idealiste, mendjehapur dhe e gatshme të realizonte një kauzë të re joautoritare? Ishte e përzierë, plot frikë e falsitet, joautentike, me sytë e dridhshëm që kërkonin rikonfirmim publik në një konformizëm të tipit të ri, sigurinë e vazhdimësisë së ekzistencës në kaosin e krijuar nga boshllëku i së keqes me të cilën ishin mësuar? Apo stabël, dinjitoze e largpamëse, bartëse e kulturës demokratike së cilës edhe po i hapte rrugën? Unë s’dua ta zgjedh përgjigjen këtu, sepse secili duhet ta gjejë vetë përgjigjen e vet. Ky lloj kërkimi brenda vetes i mungon Ballkaneve të Perëndimit. Po ashtu, unë kisha ikur nga Shqipëria dy muaj para asaj periudhe. Ndaj, dua të gjej racionalisht përgjigjen time, bazuar në njohjen direkte që kisha për popullin miks të atyre ditëve, dhe të elitës së re që po stabilizohej në vitet e para 1990. Dua të bëj ontologjinë e continuumit anti- e prosocialist kur po binte diktatura jonë dhe pas atij viti.
Tirana, sido që ishte qyteti ku jetonte pjesa më aktive e sistemit qendror komunist, ishte edhe qyteti ku mund të gjeje një masë të konsiderueshme njerëzish kundërshtarë të regjimit. Këtu nuk flas për luftëtarë të hapur apo të fshehtë të regjimit, sepse të tillë nuk kishte tek ne veç të çmendurve, fjalë përdorur këtu në kuptimin e vet mjekësor. Grupi më i madh antikomunist ishin njerëz të deklasuar të cilëve, ose u ishte marrë gjithçka, ose u ishin ekzekutuar e burgosur të afërmit, ishin lënë në gjendje mizerjeje e pa shtëpi, pa mundësi shkollimi e punësimi sipas meritave. Këta ia panë çehren komunizmit që në ditët e para dhe për ta nuk u desh kohë të ndërronin vështrim. Përbënin një grup homogjen dhe me solidaritet të admirueshëm ndër vete, sido që përgjimi nuk lejonte shumë liri solidarizimi. Edhe kur kishin gjetur ndonjë punë të mirë në sistem, këta kishin një urrejtje të paluajtshme për regjimin. Kish im atë miq të tillë, herë bojaxhinj e zanatçinj të vegjël, por më shpesh artistë, teknikë apo inxhinierë, shpesh të lidhur me televizionin, kinostudion apo institucione të artit e kulturës. Këta s’i kam parë kurrë të luhaten në talljet apo në shprehjen e pështirës që u krijonte sistemi, dhe më konkretisht komunistët. Ky grup shtohej veç nga rritja natyrore, sepse mundësinë e rekrutimit dhe influencës direkte e kishte zero, dhe pakësohej nga vdekshmëria e lartë. Brezat e rinj mes tyre rriteshin me një filozofi të ngjashme antikomuniste, sido që kish raste kur pas martesash e degradimi gradual intelektual si pasojë e pamundësisë për shkollim, binin në gjendje pasive ku të qenët kritik vritej nga frikërat e ndryshme dhe humbja e detyruar e dinjitetit njerëzor. Vajza të rëna nga vakti martuar me bij partizanësh e komunistësh pasivizoheshin frikshëm dhe ndiqnin me bindje vijën e familjes, edhe kur ajo nuk i aprovonte kurrë plotësisht. Rrjedhimisht fëmijët dalë prej përzierjesh të tilla ishin shpesh “qypa” totalë nga ana ideologjike, dhe s’kishin as grimcën më të vogël të vështrimit kritik (lëre pastaj antikomunist) të realitetit.
Grupi i dytë me kundërshtarë të regjimit, relativisht përfaqësues e masiv dhe që vinte e rritej, ishin burokratë e pushtetarë të bindur e shpesh shembullorë të regjimit që, për hir të luftës për pushtet dhe mbajtjes së një gjendjeje të vazhdueshme terrori e lufte klasash, duhet të burgoseshin, vriteshin a masakroheshin rregullisht. Përgjithësisht, nuk duhet të kishe vlera të veçanta për të qenë këtu, mjafton të qëlloje në hallkën e gabuar në kohën e gabuar. Ishte çështje fati dhe trilli të sipërorëve të tu. Rrallë ata të cilëve u ikte koka qëllonin të ishin njerëz me më shumë iniciativë e kurajo, ose njerëz që vërtet iu rrebeluan sistemit. Ky grup, para se të binte nga fiku, kish gëzuar privilegjet e pushtetit, kish përlyer veten me fëlliqësi të ngjashme me ata që ende ishin në fuqi, dhe kish qenë pjesëmarrës aktiv a pasiv në keqtrajtim njerëzish. Ky brez kish arritur të merrte shkollim të mirë dhe ishte i pajisur me aftësi praktike të larta që vinin nga njohja dhe manipulimi i të dy botëve, gjë që e bënte të vetëndihej si “superior” ndaj grupit të parë. Megjithatë, konsiderimi i këtij grupi si rebel a disident apo si një grup që zotëronte ndonjë lloj idealizmi anti-komunist, do ishte qesharak. Mendoj se Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu nuk ishin më të mirë ose më pak kriminalë sesa Pali Miska apo Lenka Çuko. Përkundrazi. Këtij grupi, po t’i ktheje fuqinë e humbur, kish gjasa të bëhej edhe më i egër në zbatimin e vijës së Partisë sesa kish qenë më parë. Arsyetimi vlen njëlloj për të tjerët në hallkat pushtetare më poshtë. Këta u bënë anti-komunistë me zor, ose se kështu deshi detyra, Enveri dhe Partia.
Kish edhe një grup shumë të kufizuar e të rastësishëm që nuk formon dot një kategori sipas një kriteri të caktuar, por ku thjesht bien individë që për arsye nga më të ndryshmet kthehen kundër regjimit. Mund të ishin më mendjehapur e largpamës se tufa e butë, mund të ishin influencuar nga një takim rastësor me një ish- mësues apo artist nga grupi i parë që u kish lënë mbresë, mund t’i kishin ndarë me zor nga i dashuri apo e dashura, mund të mos duronin dot shërbimin ushtarak, mund të kishin aftësi të veçanta, ushtrimi i të cilave në një vend tjetër të botës do i kishin bërë të pasur, ndërsa në Shqipëri nuk i lejonte komunizmi, mund të ishin notarë të mirë dhe që s’i rezistonin dot dëshirës për ta provuar talentin në arratisje e në rrezik, ku edhe pastaj i kishin kapur rastësisht.
Dhe kaq ishin antikomunistët! Pjesa tjetër pastaj ishte shumica. Nga dy grupet e para, ata që dolën nëpër rrugë kur komunizmit i erdhi fundi, ishin pjesa më e vogël. Tani çfarë ishin këta që ishin pjesa më e madhe në ditët kur diktatura po binte dhe në ditët tona pa fund të tranzicionit problematik? Tufa ishim ne të tjerët, sido që mund të kishim edhe copa që na lidheshin me dy grupet specifike më lart. Nuk llogaris këtu Byronë Politike me familjarët e vet ose pjesëtarët e Bllokut famëzi, se ata, sado të fuqishëm, ishin një grup i përbindshëm, jonatyral, që jetonte si domosdoshmëri mekanike që sistemi të funksiononte. Gjithashtu, ishin shumë pak. Më interesojnë grupet që përbënin shumicën, atë që pati vazhdimësi si kategori edhe pas “rënies së diktaturës”.
Mikeshat e mia, me përjashtim të atyre (më të pakëtave) që u takonin dy grupeve armiqësore më lart, ishin qejflie muzike e mode “borgjeze”, adhuronin çdo gjë “të jashtme”; por kjo s’i bënte aspak anti-komuniste. Të gjente e zezë e madhe të thoje gjë kundër Enverit me to, madje edhe të diskutoje në përgjithësi sistemin me synim kritik, edhe pse natën më parë kishin parë televizor fshehurazi tek sllavi dhe kishin kërcyer rock tiranas. Familjet e tyre ishin ose “të lidhura me Partinë”, ose në shërbim direkt të Partisë. Sa herë më ka pjellë belaja se më gënjente mendja që isha shumë e afërt me ndonjërën, dhe doja “të shprehesha”. Sa herë më është dredhur mishi nga frika nëpër mbledhje kur mund të më nxirrnin emrin për ndonjë gjë që kisha thënë a bërë me vrull e budallallëk rinor. Çfarë më fuste edhe më shumë në siklet ishte të qenët gjithnjë ndër “të parët e klasës”, shpesh edhe ndër të zgjedhurit nëpër organizata të ndryshme. Pra, duhej të isha shembull pozitiv i padiskutueshëm. E mbaj mend në gjimnaz A., një gocë të butë e të zgjuar babai i së cilës ishte aktivist i dalluar në lagje, si u ngrit të thoshte në një konferencë para gjithë shkollësh se zëvendës-sekretarja e rinisë së gjimnazit (që isha unë), nuk e meritonte atë vend, se një natë më parë i kish treguar se nuk besonte tek paradat, olimpiadat, dekadat dhe “njeriu i ri”. A. u çua në këmbë, mori fjalën, tha se rininë duhet ta drejtojnë njerëz që besojnë tek socializmi, bëri një çorbë të madhe se nuk ia thoshte dot goja që personi në fjalë isha unë, më futi mua një nga sikletet më të mëdha ku e kam parë veten. Në fund i tha sekretares së Partisë se e kishte pasur kritikën në përgjithësi, dhe u ul duke qarë. Ne u prishëm qetësisht pas kësaj; prishje “me kujdes”, se unë gjithnjë kisha frikë nga sa kisha thënë. Në universitet ishte edhe më keq se, kur bëheshin gati të të nxirrnin në mbledhje, bëhej fjalë për njerëz më të rritur. Enveri kish komisarë plot të reja e të rinj me favorite, ma pantallona kadife, që ëndërronin Las Vegasin, dhe që ditën kur vdiq e qanë dhe e nderuan me pasion të virgjër.
Pastaj vinin mikeshat e miqtë e mi aktivistë, fatosa apo pionerë të dalluar, komandantë çetash, sekretarë rinie. Me ta unë isha nëpër mbledhje si edhe nëpër konferenca apo përshëndetje. Të rinj, pak a shumë të edukuar, me dëshira e ambicje të forta për të qenë më mirë, plot ëndrra për karrierë. Disa ishin thjesht nxënës të shkëlqyer, dhe pritej të bënin edhe këtë punë. Nuk ishin shokët e mi të afërt, por ishin njerëz me të cilët unë ndaja disa orë në javë, si dhe histori për mjekësinë, pikturën, filozofinë, poezinë. Nuk flisnim kurrë as për politikë, as për ideologji veçse nëpër mbledhje, por kjo sepse unë isha specie e rrallë në atë stan, dhe kisha ndarë qartë botën e mbledhjes, nga bota jashtë saj. Kur erdhi radha ime, unë s’pranova të bëhesha komuniste (siç u bënë miqtë e mi nga ky grup) dhe gjeta arsye që, kuptohet, s’thoshin se s’doja. Ishte edhe periudhë e mbarë, se para 1985 nuk guxonte kush të thoshte “jo” kur të propozonin “atë nder”. Të bërët komunist ishte perspektiva e padiskutueshme për gjithë këtë grup aktivistësh. Dhe, në fakt, të gjithë u bënë, kush më parë e kush më vonë.
Pastaj ishte tufa e madhe e kushërinjve, komshinjve dhe miqve të rastësishëm të shtëpisë. Ishin gjithësojesh, por të gjithë pak a shumë njerëz të bindur, të matur dhe që s’e thoshin llafin e gabuar kollaj. Unë u rrita mes mësuesesh, nga që ime më ishte mësuese. Ishin të gjitha të kujdesshme, përgatisnin informacionin politik të martave, bënin rregullisht ditarin ku parimi ideologjik ishte udhëheqës, konspektonin format politike të të premteve, u mësonin nxënësve poezitë e duhura. Zbor ky i vazhdueshëm propagandistik i nivelit të ulët, që t’ua mbante mendjen dhe aktivitetin nën kontroll. Punëtorët e fabrikave, pastaj, ishin si masë ingranazhesh, dhe kur bëja punën prodhuese nëpër uzina, nuk e imagjinoja dot se si mund të ishin të lumtur kur kalonin aty pjesën më të madhe të ditëve. Fabrika i kish përçudnuar në atë pikë sa, për tezen time dhe të shoqin që u rropatën në dy ndër fabrikat më industriale që kishim në Tiranë, unë s’e merrja vesh si kishin pasur aftësi të bënin dashuri e të kishin pjellë kushërinjtë e mi.
Me fshatin puna ishte edhe më keq akoma. Lidhja ime me fshatin ishte nëpërmjet Kolonjës ku kisha dy teze dhe kaloja shpesh javë verore, me Himarën ku bëja plazhin në verë, dhe me fshatrat ku bëja zborin a aksionin. Fshatari ishte pjesa më e dërmuar e popullit socialist: gjithçka rëndonte mbi shpatullat e tij dhe ai pushonte, gëzonte, hante e pinte më pak se kushdo tjetër. Por fshatari ishte edhe grupi më i bindur ndaj Partisë dhe më i dashuruari pas Enverit. Mbaj mend kujdesin e time mëje që, kur shkonim në fshat nga tezja, i thoshte tim eti të mos i jepte gojës si t’i vinte, se nuk i dihej. “Mos fol kundër, se na pi e zeza ne, dhe fut edhe dynjanë në siklet! Njerëzit nuk duan të dëgjojnë çfarë thua ti; janë rehat në hallet e veta. Mos i cyt të të bëjnë keq!” Kjo tufë e madhe dhe përfaqësuese e shqiptarëve është sot pak a shumë siç qe atëherë: mësues, punëtorë, shitës, bujq, mjekë, zanatçinj, shkrimtarë, inxhenjerë, balerinë, hidraulikë që ndonjëherë bëhen edhe ministra, por mbeten kategori “punonjëse” që me mund e halle ecën nga dita në ditë.
Pas dekadash historish punësimesh e heqjesh nga puna, martesash e divorcesh, krushqish, miqësish e gjakprishjesh, ndërrimi shtëpish e shkollash, takimesh të qëllimshme e të rastësishme, masakrimesh enveriste me fushata lufte kundër armikut të klasës, kategoritë e mësipërme në fund të viteve 80 ishin përzierë e bërë lëmsh. Qëllonin familje shumëngjyrëshe që kishin brenda vetes zogistë, partizanë, komunistë, të pushkatuar, ish-komunistë, kandidatë partie, të arratisur, mësues e të burgosur. Njerëzit ishin mësuar t’i fshihnin pjesët e veta të padëshirueshme ose “njollat në biografi”, dhe të kallëzonin me krenari pjesën që i bënte “familje me biografi të mirë”. Kish plot familje ku pjesëtarët nuk i flisnin njëri-tjetrit për dekada për këto arsye, ose si thoshte nona ime “ishin ndarë për së gjalli”. Unë, tiranase e vjetër nga një familje së cilës regjimi i kish marrë gjithçka, i kish pushkatuar e burgosur anëtarë e persekutuar të tjerë më pas, me mama kolonjare prej një gjaku me Josif Pashkon, (por që isha komandante çete, e më pas sekretare rinie gjimnazi e universiteti), u martova me zhurmë me një njeri që sapo kish dalë nga burgu, por gjithsesi m’u lejua të vazhdoja të isha pedagoge në universitet, sepse prindët e tij ishin “partizanë e komunistë të vjetër që i kishin dhënë më të mirën partisë dhe atdheut për shumë dekada”. Megjithë lëmshin e madh politik ku kishin rënë pa dashje familjet shqiptare, ideologjikisht e kulturalisht lidheshin pas njërës prej kategorive që përshkruaj më lart. Çuditërisht unifikimi pas një boshti të caktuar bëhej natyrshëm: kishte aq elemente sa të fitonte konformizmi dhe atëherë familja quhej si “e Partisë”, ose nuk kishte, dhe atëherë, mjerë ajo, se quhej si “kundra”. Në fakt, ishte konformiste në të dy rastet.
[vijon]
Ju lutem lexuesve të komentojnë për këtë shkrim pasi të publikohet pjesa e dytë dhe e fundit.