Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Politikë / Sociologji / Totalitarizëm / Urbanistikë

KOMBINATI (IV)

E sotmja e së nesërmes

Për çfarë ka nevojë sot Kombinati? Si shumë periferi ka nevojë urgjente të dëgjohet. Në pak vite banorët e tij kanë pësuar ndryshime epokale. Me forcën e tsunamit, të rejat e post-murit kanë fshirë vende identitare, kanë lëngëzuar kufij, kanë tëhuajësuar hapësira.

Humbja e vendeve dhe e funksioneve e ka hedhur lagjen në përhumbje totale, duke e detyruar të strehohet në të kaluarën, pa pasur kurajën ta shikojë horizontin e së ardhmes.

Protagonizmi i Kombinatit, herë i vërtetë dhe herë i supozuar, nganjëherë i perceptuar e nganjëherë i vetëperceptuar, së bashku me krenarinë kryeneçe të lagjes, i kanë lënë vendin parëndësisë dhe padukshmërisë, në një agoni graduale e mizore, që kishte filluar në kohët e totalitarizmit.

Lëvizjet demografie janë baras me ato të pllakave tektonike, nuk dallohen me sy, por kanë pasoja gjigante. Kombinati ka pësuar në njëzetë vitet e fundit migracione të jashtme e të brendshme me rëndësi të madhe. Mijëra kombinatsa kanë shkuar jashtë shtetit, të tjerë janë zhvendosur drejt qendrës së Tiranës. Nga ana tjetër në Kombinat kanë ardhur imigrantët nga krahina të tjera të tjera të Shqipërisë, duke ndryshuar strukturën demografike të lagjes. Duhet thënë se deri më sot Kombinati u ka bërë ballë valëve migratore pa shumë probleme për sa i përket integrimit të të ardhurve të rinj, sipas gjasës falë edhe adn-së kulturore, i përbërë nga diversiteti e alteriteti që nga lindja e tij. Megjithatë problemet nuk mungojnë, disa syresh pa precedentë, sidomos po të krahasohen me periudhën kur zbatohej me grusht të hekurt kontrolli politik e social.

Kombinat-lulishtja e gastronomitNga pikëpamja urbanistike, Kombinati i sotëm është më pak periferi se dikur. Distanca e dikurshme me Tiranës, reale ose e perceptuar qoftë, është shkurtuar ndjeshëm, falë edhe automjeteve private. Kundërshtia qëndron në faktin se ndërsa lagjja po bëhet më qytet se më parë, ajo po i nënshtrohet një procesi periferizimi në aspekte të tjera. Ndjenja e banorëve të Kombinatit se po jetojnë në lagje fjetore, në anë të qytetit, është shumë e fortë. Kjo i detyrohet humbjes së autonomisë e të identitetit që lidheshin kryesisht me aspektin industrial, por edhe rritjes së kontakteve me jashtë. Tani topoi identitare gjenden në disa hapësira të qytetit e multi-përkatësia e relativizon identitetin kolektiv.

Çështja e punës nuk është më pak e rëndësishme. Heshtja e fabrikave flet qartë. Rrugët që nuk gumëzhijnë më nga punëtorët thonë shumë më tepër se trishtimi i dukshëm. Puna bën pjesë në personalitetin e individit dhe ka të bëjë me dinjitetin e tyre si njerëz. Punëtorët e Kombinatit, në një farë kuptimi, realizonin veten në punë, nëpërmjet të cilës mbanin jo vetëm familjet, por dhe marrëdhëniet sociale, megjithëse nuk ekzistonte kultura e vërtetë e punës, që t’i çonte drejt ekuilibrit përmasat e ndryshme të njeriut.

Nostalgjia aktuale për punën gjatë periudhës totalitare duhet parë edhe si kalim i munguar nga puna totalizuese dhe alienuese, në punën respektuese të personit e të kërkesave të tij ekonomiko-sociale. Për ta thënë me fjalët e Papës Gjon Pali II “është puna për njeriun e jo njeriu për punën”; për fat të keq në Kombinat puna, dikur e gjithkundgjendshme, sot nuk ekziston më, duke kaluar pra nga një skaj në tjetrin. Mbyllja e fabrikave, si zgjedhje ose detyrim, shkaktoi pashmangshmërisht plagosjen e subjektivitetit, të dinjitetit e të profesionalizmit të shumë personave që aty kanë kaluar jetën. Si pasojë kanë cenuar solidaritetin, lindur e rritur në bankat e shkollës profesionale e në makineritë e tekstilit, pra kanë cenuar idenë e komunitetit e të mirës së përbashkët, ndonëse të shtrembëruara nga propaganda totalitare.

Kombinati duket se gjendet në një limbo identitare. Nga një anë e njeh hapësirën e vet në historinë e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë, nga tjetra nuk arrin ta ndërtojë historinë e vet në realitetin e sotëm. Piedestali i Stalinit, ende bosh pas njëzet vjetësh, përveçse të bën përshtypje si çdo piedestal pa statujë, tregon qartë perëndimin e djeshëm, veçse e nesërmja nuk dallohet ende në horizont. Fakti që Kombinati u ka tërhequr vëmendjen studiuesve, vendas e të huaj, do të thotë shumë për kombinatsit. Nuk janë gjetur ende të gjitha çelësat për ta lexuar realitetin e kësaj lagjeje të njohur tiranase, e nëpërmjet saj të gjithë Shqipërisë. Në rast se projektorët e ndezur mbi lagje, përveç për njohjen e saj, do t’i ndihmojnë banorët për të jetuar më mirë, për të reflektuar për historinë e vet, për të gjetur një horizont të ri, pra për ta rigjetur vetveten, do të jetë suksesi i parë kryesor i atyre që flasin për të.

Sa për kombinatsit, e djeshëm e të sotëm, e për të gjithë ata që jetojnë në periferi, duhet të kujtojmë vetëm fjalët e Jean-Luc Godard, sipas të cilit: “Është ana ajo që e bën faqen e shkruar”.

 

[fund]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin