Meqë jemi në diskutimin që hapi Lyss për përmbatjen e faqeve të internetit dua ta flas edhe për një tjetër problem që sjell semantika e rrjetit (web semantic). Mundësitë teknologjike për përpunimin e teksteve kanë hapur avaze edhe me të dretat e autorit.
Ka disa vite që New York Times boton rregullisht artikuj mbi problemet e shkaktuara nga “web aggregators” (Feed Aggregators, Specialty Aggregators, User-Curated Aggregators dhe Blog Aggregators), mbledhin të dhëna nga njëra faqe dhe e vendosin në faqen e tyre për të rritur trafikun, vëmendjen e publikut apo të përfitojnë nga klikimet, të cilat i shiten makinave të kërkimit si GOOGLE (biznes disa miliarda dollarësh në vit).
P.sh. në vitin 2012 në një artikull David Carr shprehet se shifrimi i fjalëve dhe artikujve gjatë viteve të internetit mundësoi shkuljen dhe përsëritjen e tyre gjithkund. Sipas Carr fjalë si “përshtatja” dhe “agregimi” u kthyen në gjuhë të zanatit. Procesi i krijimit të përmbatjes tanimë përshkruhej sikur të ishte thjeshtë gjenerim i përmbatjes. Duke përmendur këtu sjelljen e HuffingtonPost dhe justifikimin e agregatorëve të ngjashëm ai shprehet se:
“Organizatat tradicionale të medias shihnin sesi të tjerë u rëmbenin punën, jo vetëm duke u marrë përmbajtjen por, gjithnjë e më tepër, duke u marrë me vete edhe audiencën. Praktikantët e rendit të ri i dëgjuan ankesat dhe sugjeruan se mediat kryesore duhet të heshtnin së qarravituri dhe të fillonin të konkurronin në një botë të ndryshuar, ku çfarë është e jotja, nuk mund të jetë më nëse të tjerë kanë gjetur mënyrë tjetër ta paketojnë.”
Jo pak herë agregimi ka qenë objekt në paditë e mediave tradicionale ndaj këtyre mbledhësve (psh. Associated Press vs. Google News). Kështu që për të zgjidhur këtë situatë janë vendosur disa udhëzime e rregulla për faqet e internetit kur bëhet fjalë për “fair use” (përdorim të kufizuar të materialit për qëllime fisnike). Si p.sh. vendosja e lidhjes me artikullin origjinal (shih edhe General Public License).
Në Shqipëri “agregimi” është një problem i përhapur në përfaqësimin në internet të shtypit shqiptar. Në të gjitha faqet gjen informacione të ngjashme, pa burime, pa autor dhe të marra nga faqet e tjera sa nuk kanë dallim mediat tradicionale nga agregatorët (p.sh. Gazeta Tema apo Dita). Sipas ALEXA.com faqja e parë që renditet në gjuhën shqipe pas Facebook, Google dhe disa mediave në Kosovë (po ashtu agregatorë si Telegrafi.com) është Ikub.al – një agregator i gjithçkaje shqip (që nga dokumentet zyrtarë deri në lajmet e përditëshme). Në 25 e parët e listës së Alexa gjenden edhe agregatorë ndërkombëtarë si lockerdome, që orientojnë makinat e kërkimit drejt spame-ve apo mashtrimeve të zakonshme në internet. Në WordPress faqja e parë për gjuhën shqipe është sërish një blog agregator: Press Review Albania.
Agregatorët kur janë tematikë, pra mbledhin informacione mbi tema të caktuara në bazë të disa fjalëve kyçe, janë të dobishëm, edhe pse tërheqin audiencën nga faqja origjinale. Por në këto raste është mirë të vendoset lidhja e faqes origjinale dhe autori, në fillim të artikullit dhe në fund (sipas GNU-së). Unë kështu veproj në blogun tim kur shkrimi nuk është origjinal. Në shumë blogje shqiptarësh kjo nuk është praktikë pune dhe në këto raste është vjedhje e pastër. Gjithashtu, agregatorët si Google-cache ruajnë faqet e internetit kur ato zhduken për arsye të ndryshme, e shërbejnë si një lloj kujtese (edhe pse për këtë është web.archive.org).
Në kërkim gjithkush besoj se është ndeshur me agregatorë të tillë që mbledhin çdo fjalë për të tërhequr klikimet nga faqja e tyre. Unë një pjesë të këtyre i kam bllokuar në google search (ikub.al, lajme-shqip.com). Kështu që kam shpëtuar, por sa herë kërkon ndonjë libër agregatorët e regjistrojnë dhe e paraqesin në makinat e kërkimit si gjetje. Një tjetër lloj shpifaraku që përdor fjalët për të tërhequr vëmendjen janë edhe kacavjerrësit apo kacarrëmuesit (crawlers), të cilët rrëmojnë për fjalë duke rritur artificialisht numrin e shikimit të blogut a faqes së internetit – blogu im, jo shumë i ndjekur, e ka mbi 25% të vizitave nga semalt.com.
Përdorimi i semantikës në internet (web semantic) mundëson përpunimin e shpejtë të informacionit edhe pse është i lidhur me problematika, sikur ato që u përfolën në artikullin e Lyss. P.sh. përdorimi i metadata-ve si tags apo meta-name që funksionojnë si adresa për makinat e kërkimit lehtësojnë gjetjen e informacionit dhe lidhjen ndërmjet tyre, por ato nuk mund të zëvendësojë faktorin njerëzor që i jep kuptim atyre fjalëve. Gjithashtu, është thuajse e pamundur të pengohen ata njerëz që e do ta përdorin teknologjinë për qëllime përfitimi. Kjo është një garë.
Zoti Autor, ju lutem mos merrni per referim Alexa.com, pasi sapo hyra tek kjo adrese dhe faqja Ikub.al rezulton e 14-ta, dhe para saj jane dy faqe te tjera shqiptare. Megjithate, nese merrni ndopak vesh nga teknologjia nuk duhet t’a merrni ne konsiderate Alexa.com. Pasi dihet boterisht se e perdor renditjen per te vjelur para!
nese ke ndonje renditje me te mire, bujrum .. por edhe google page rank perdor Alexa
Nje studim interesant mbi mediat ne Shqiperi, por kuptohet se me ndryshimet e shpejta qe ndodhin ne hapesiren digjitale eshte i vjeter, i 2012. http://www.institutemedia.org/Documents/PDF/OSF-Media-Report-Albania-02-17-2012-final-WEB.pdf
por faqja e Institutit te Medias eshte vetem ne anglisht – se keta komunikojne vetem me financuesit, jo me perfituesit (ne shqip faqja eshte ende ne ndertim, qe prej 1995, krijimit te institutit)
Misioni i tyre: te trajnojne gazetaret (prandaj i kemi aq te dobet, mesojne te shkruajne ne anglisht qyqaret); te bashkerendojne e mbeshtesin veprimtarite trajnuese dhe ato te zhvillimit te medias (ne anglisht edhe kete);