Loja e tretë e match-it për titullin botëror në shah sapo përfundoi me fitoren e sfidantit, indianit Vishi Anand.
Menjëherë më pas, po i hidhja një sy lojës së komentuar në Chessbase, ku vura re – jo pa habi – se deri në lëvizjen e 20-të, lojtarët kishin ndjekur rekomandimet teorike; dhe se kjo radhë lëvizjesh ishte ndjekur, përpikmërisht, edhe në një lojë të nivelit të lartë, Aronian-Adams, të vitit 2013.
Që shahistë të kalibrit botëror e mbështetin suksesin e tyre edhe në njohjen e përsosur të teorisë së hapjeve kjo dihet; aq më tepër që sot, me përdorimin gjerësisht të kompjuterit dhe softuerit të specializuar në analizat, mosnjohja e teorisë do të ishte vetëvrasje.
Por, le të mendojmë për një çast: pjesa më e madhe e lojës në fushë, gati dy të tretat, ndoqi një skenar të përcaktuar, të mësuar përmendsh nga Anand-i me siguri dhe kushedi edhe nga Carlsen-i; dhe jo për të mashtruar njeri, por ngaqë çdo shmangie nga ky skenar rrezikon të sjellë humbjen.
Është njëlloj si ekuilibristi që ecën mbi një kavo të shtrirë mes dy ndërtesave: e ka pak a shumë të përcaktuar se si do t’i hedhë hapat, meqë shmangiet ose opsioni për të ushtruar lirinë në zgjedhje, mund të kushtojë me jetë.
Shahisti i këtyre niveleve jo vetëm arrin të kalkulojë një numër të madh lëvizjesh dhe variantesh të përfytyruara, por edhe mëson përmendësh lëvizje dhe variante të ofruara nga një superfuqi e kalkulimit: kompjuteri.
Dhe ky përvetësim skenaresh në fushë të lojës është pjesë e nevojshme e përgatitjes për një matç ose turne.
Ishte një përkim i rastit që kjo fitore kaq mirë e përgatitur e Anand-it erdhi pikërisht kur në shtypin shqiptar (dhe serb), përfshi këtu edhe rrjetet sociale, vazhdohet të flitet me të madhe, për “incidentin” gjatë takimit Rama-Vuçiç në Beograd – secila palë sipas avazit të vet.
Pa çka se takime të nivelit kaq të lartë, mes dy kryeministrash, përgatiten me kujdes nga diplomacia në tavolinë dhe Rama, me siguri, nuk shkoi në Beograd (thjesht) “për t’ua përplasur” serbëve punën e Kosovës.
Disa prej nesh po duan vërtet që t’i lexojnë këto takime në mënyrë rapsodike, si të ishte fjala për bejlegun e Mujit me Behurin të përcjellë heroikisht me lahutë; mirëpo, njëlloj si në një ndeshje shahu të kalibrit botëror, shumica e lëvizjeve të bëra në tavolinë janë të skriptuara, të kolauduara më parë, të mësuara përmendësh; madje përfshi edhe ato që, syrit të pamësuar, mund t’i duken si coups de théâtre.
Çdo analogji çalon; dhe kjo imja me shahun lë të kuptohet sikur, megjithë përgatitjen dhe skenarët, vjen një moment kur lojtarët duhet të luajnë vetë, pse i kanë shpenzuar të gjitha taktikat dhe i kanë konsumuar rreshtat e mësuar përmendsh.
Por si ta zbatojmë këtë shtjellim, në rastin e summit-it të Beogradit? Edhe aty do të ketë pasur të fituar dhe të humbur, siç mund të pritej, pa çka se teatri i “provokacioneve” dhe i “protestave” i ka shërbyer më tepër maskimit të humbjes, sesa materializimit të saj.
Për t’u kthyer te ndeshja e sotme, Carlsen-i e vazhdoi lojën, sipas teorisë, në hullinë ku e kish futur Anand-i që në 3-4 lëvizjet e para, gjithë duke e ditur se lojërat e mëparshme në këtë variant i kishin dhënë të drejtë zgjedhjeve të së bardhit; por, sikurse e shpjegoi vetë në konferencën e shtypit, kish pasur shpresë se mund të gjente diku një rrugëdalje, nga pozicionet e njohura dhe të analizuara më parë.
Ndonjëherë, edhe kampionët e dinë që janë duke humbur; por përpiqen ta bëjnë këtë me dinjitet, por edhe ngaqë druhen se çdo përpjekje e dëshpëruar për ta shmangur këtë humbje, mund të përfundojë në katastrofë.
Dua të them: Serbia e di që e ka humbur përfundimisht Kosovën, dhe nuk kish nevojë që këtë t’ua kujtonte Rama. Sfida praktike e politikanëve serbë sot është si të dalin nga kjo humbje me kosto sa më të ulët, në sytë e një publiku të cilin e kanë kushtëzuar, prej kohësh, që të ushtrojë instinktet nacionaliste.
Dhe, doemos, ka pasur një moment, edhe gjatë summit-it të Beogradit, kur dy palët e kanë mbaruar skriptin dhe u është dashur të improvizojnë; por vështirë të besosh se ky moment të ketë qenë përmendja e Kosovës prej Ramës, në konferencën publike. Tek e fundit, edhe vetë dalja ose shmangia nga “skripti” mund të jetë fare mirë e skriptuar; dhe takime të tilla, si ky i dy kryeministrave, do të vlerësohen nga rezultatet, jo nga gam-gamet në mediat dhe nga shoë para kamerave.
Dhe nëse është kështu, atëherë të vjen keq që edhe Ramës i duhet ta luajë, për hir të publikut të vet, këtë lojë të nxjerrë nga analet shahistike të shekullit XIX.
Interesant ky paralelizmi mes shahut dhe diplomacise. Veçse ka nje dallim thelbesor mes ketyre te dyjave. Shahu shume-shume mund te kete tifoze qe e vezhgojne lojen se jashtmi dhe nuk ndikojne as duan te ndikojne ne fatet e saj.
Ndersa takimet diplomatike te ketyre niveleve percaktohen jo aq nga aftesite negociuese te protagonisteve, as nga deshirat e tyre, por nga efektet ne opinionin e brendshem publik te vendeve perkatese. Edhe ketu kemi nje lloj perllogaritjeje prej shahistesh. Levizjet e tyre ishin te detyruara. Rama nuk mund te mos e permendte Kosoven pa u linçuar si tradhtar nga opozita dhe nje pjese e mire e opinionit, Vuçiç nuk mund te mos “zemerohej” para kamerave pa paguar edhe ai nje çmim te larte politik dhe elektoral.
Keshtu dolen te dyja palet te fituar. Nuk pati humbes. Ndeshja doli pat.