Po e prisja prej muajsh albumin e fundit të Pink Floyd, The Endless River, edhe pse pa entuziazëm – sidomos qëkur kisha lexuar se bëhej fjalë për një koleksion pjesësh instrumentale të llojit ambient, të mbështetura në materiale që kishin “tepruar” gjatë regjistrimit të albumit të mëparshëm të grupit, The Division Bell.
U tha edhe se ky album do të ishte një tribut për Richard Wright, tastieristi veteran i këtij grupi, që vdiq në vitin 2008.
Sot më mbërriti albumi dhe e kam dëgjuar dy herë deri më tash; mjaft sa për një përshtypje fillestare.
Nuk di çfarë do të gjejnë aty ata që nuk e njohin muzikën e Pink Floyd; por unë veç gjeta stilema të ricikluara nga albume të mëparshme; karakteristike për kitarën dhe konceptin krijues të Dave Gilmour-it, por që nuk e kanë vlerën e origjinaleve.
Në përgjithësi, krejt albumi më ngjau si një version i holluar (i çdramatizuar) i albumit Wish You Were Here, të vitit 1975; çka edhe mund të shpjegohet, sa kohë që ky tjetri ishte tribut për një tjetër pjesëtar aq të vajtuar të grupit, Syd Barrett-in.
Për fat të keq (timin të paktën), muzika e mëparshme e Pink Floyd është kaq rëndshëm e pranishme tek albumi i ri, sa nuk të lejon ta përjetosh këtë si vepër më vete: efekti pastiche mbizotëron, deri në frymëzënie.
Ndodh gjithnjë kështu, me artistë që ti i ndjek prej vitesh, teksa ata përpiqen të nxjerrin gjëra të reja: nevoja për të ruajtur individualitetin çon në përsëritje; dhe vjetrimi shprehet si mungesë guximi, në mos idesh.
Pa folur pastaj që pjesët e albumit janë praktikisht të gjitha orkestrale – kitara mbizotëruese e Gilmour-it e shoqëruar nga droni i tastierave dhe perkusioni në sfond, me struktura që – qofsha i gabuar – m’u dukën sikur kishin dalë, të gjitha, prej orkestrimit origjinal të këngës Welcome to the Machine nga albumi i larcituar i katër dekadave më parë.
Teksa e dëgjoja albumin e fundit, m’u kujtua një shaka e vjetër e Mark Twain-it, i cili e pat shkruar romanin vet The American Claimant duke lënë qëllimisht jashtë tekstit çdo lloj përshkrimi të motit; dhe duke i mbledhur të gjitha këto përshkrime të munguara te një apendiks në fund të veprës, të cilin lexuesi ftohej ta konsultonte herë pas here.
Ky marifet kish lidhje, pas gjase, me bindjen e atij autori se paragrafet me përshkrime të gjata të motit, në veprat letrare, ishin zakonisht të mërzitshme për lexuesin.
Edhe pjesët orkestrale të albumit The Endless River do të kishin qenë kushedi më të pranueshme, si kalime nga një këngë në tjetrën, si coda ose intermezzo, ose për t’i lënë kohë dëgjuesit të marrë frymë, në kuptimin muzikor; por të mbledhura bashkë, kanë të njëjtin efekt me apendiksin meteorologjik, në romanin e Twain-it.
Por kushedi një brez i ri dëgjuesish do ta përjetojë albumin si një farë orvatjeje post-rock; dhe do ta shijojë për çfarë është, dhe jo si unë, që po kërkoj ta shijoj për çfarë nuk është.
Tek e fundit, për mua albumi i parë i plotë që kam dëgjuar nga Pink Floyd ka qenë The Final Cut, produkt floydian atipik, i dëmtuar nga paranojat dhe arroganca e Roger Waters-it; e që mua atëherë gjithsesi m’u dëgjua si kryevepër.
Nota ime: 6/10.
Xha xha ne youtube https://www.youtube.com/watch?v=ADOQQiwgU0Y perpara 10-11 ditesh eshte hedhur, ose pretendohet se eshte hedhur albumi i fundit i Floyd-save. Mirpo nga disa komente aty me poshte thuhet se eshte fake one. Meqe ju keni degjuar albumin origjinal, te lutem me konfirmo nese ky tek youtube eshte i Pink Floyd apo ………. Megjithate, mua kitara me ngjan shume me stilin e Gilmour-it.
Jo, nuk është ky – ky është tribut.
Po mendoja – kush kërkon të dëgjojë muzikë si ajo ku bënë histori Pink Floyd në vitet 1970, le të eksplorojë albumet e grupit Riverside, duke filluar nga ky i fundit, Shrine of New Generation Slaves (gjendet i tëri në YouTube).
Sapo iu shtua “Depth of Self-delusion” playlist-es sime.
Mesa kam lexuar Gilmuri e ka quajtur kete albumin e fundit qe do te beje grupi, keshtu qe edhe analogjia me apendiksin e tregimit te Tuejnit, pervecse e goditur, ka shume gjasa te jete e vertete. Per me teper nje nga kenget e albumit titullohet “Things left unsaid”.
Personalisht, kam pritshmeri te pakta per kete album. Kjo jo vetem se behet fjale per dinozaure qe kane gjysem shekulli qe bejne muzike por edhe pse kjo lloj muzike qe Pink Floyd e qajne, nga te qenit “cool” disa dekada me pare, ka perfunduar sot ne ambalazh produktesh tregu gje qe e rrit veshtiresine e pozicionimit te krijuesit si ne raport me muziken si dhe ne raport me degjuesin. Por ato dy pjese qe degjova ne Youtube me pelqyen. Por une iu nisa me pritshmeri te ulta. Dhe natyrisht qe duhet degjuar gjithe albumi se ka mundesi qe ato pjese qe une degjova te jene me te mirat.
http://www.youtube.com/watch?v=Jb4CHveIS50