Ja një gjëzë për të cilën më duhet ndihma juaj që ta shkoqit.
Lapsi.com boton faksimile dokumentesh zyrtare, të cilat pas gjase provojnë se janë bërë abuzime, me fondet e caktuara për pritjen e Papës në Tiranë.
Akuzat e Lapsit janë konkrete: bëhet fjalë për kompani të afërta me eksponentë të lartë të pushtetit, që kanë fituar tendera shumë-milionësh, edhe pse pothuajse nuk kanë pasur kënd të punësuar.
Opozita ka treguar me gisht, si burimin dhe kushedi edhe përfituesin kryesor nga këto marifete, ministrin e Mirëqenies Sociale Erion Veliaj.
E mbështetur në dokumentet e nxjerra në dritë prej Lapsit, Grida Duma ka denoncuar sërish qeverinë dhe mënyrën si u trajtuan gati 400 milion lekë fonde të caktuara për vizitën e Papës.
Natyrisht, kjo nuk vërteton gjë që të ketë pasur abuzime; vetëm se akuza e opozitës këtë herë nuk është e çartur, si ato që vijnë zakonisht prej Berishës (të tipit piove governo ladro), por mbështetet në disa dokumente të bëra publike nga Lapsi.
Sërish, edhe dokumentet e Lapsit mund të kundërshtohen, madje të nxirren si të paqena: thjesht botimi i tyre nuk garanton autenticitetin.
Prandaj nuk kuptoj, në këtë kontekst, atë pjesë të përgjigjes së kryeministrisë që ka përfunduar e cituar nga Shekulli (BalkanWeb e jep më të plotë):
Është për të ardhur keq që Partia Demokratike vazhdon të hedhë baltë mbi pritjen madhështore që populli shqiptar i rezervoi Papa Françeskut. Asnjë fakt, asnjë seriozitet, madje asnjë përpjekje për ta kamufluar shpifjen e vrazhdë të radhës, po vetëm përsëritja e një recitimi banal para kamerave.
Paragraf ky i formuluar me një gjuhë të drunjtë dhe manipulative, ku spikat klisheja “hedh baltë mbi pritjen madhështore”, e qepur me penj të bardhë, si çdo klishe tjetër e diskursit politik.
“Asnjë fakt”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Kryeministrisë, edhe pse materialet e sjella nga Lapsi i përmbushin kriteret për t’u quajtur “fakte”.
Në fakt, më poshtë në përgjigje, jepen sqarime më teknike për akuzat e bëra nga Lapsi dhe pastaj të rimarra nga PD-ja; por këto sqarime duken të pamjaftueshme.
Është fjala për një akuzë korrupsioni, që mund të jetë serioze; por edhe për një zëvendësim të komunikimit politik midis institucioneve me një shkëmbim klishesh që vetëm sa riprodhojnë pozicionet e palëve.
Dhe, doemos, këtu nuk bëhet fjalë për “të hedhur baltë mbi vizitën e Papës” – por për t’i kërkuar llogari qeverisë, në lidhje me mënyrën si po përdoret paraja publike, e cila nuk ka as ngjyrë, as erë, dhe as përkatësi fetare.
Investigimi që po bën Lapsi kërkon përgjigje serioze, nga të gjitha palët e prekura, pse transparenca është po aq virtyt i qeverisë, sa ç’është gatishmëria për kritikë të argumentuar virtyt i opozitës dhe investigimi i fakteve virtyt i shtypit.
Nëse ka pasur abuzime me fondet, gjatë vizitës së Papës, akuza hedh baltë mbi abuzuesit, jo mbi vizitën vetë.
Nuk jemi në gjendje të themi gjë për vërtetësinë e akuzave të bëra (madje shpresojmë që të jenë pa bazë); por veç vërejmë këtu se klishetë dhe referimet boshe ndaj një autoriteti moral të pacenueshëm, por pa lidhje me muhabetin, nuk i shërbejnë transparencës, as komunikimit me publikun.
Shënim: ndalohet marrja dhe riprodhimi i këtij materiali nga mediat. Të interesuarit janë të mirëpritur ta lexojnë dhe ta komentojnë në blog.
faktet e renditura nenkuptojne (por nuk nxjerrin qarte) lidhjen ndermjet A. Veliaj, vellait te E.V, dhe G. Skenderaj. E vetmja lidhje eshte nje adrese fizike e ketyre bizneseve ne ekstraktin historik te QKR-se.
Dihet se shume kompani ne Shqiperi, me detyrimin per tu regjistruar ne QKR, kane adresa fiktive (e ngjashme me P.O.B ne USA, nje kuti postare) qe veshtiresojne edhe punen e tatimoreve (levizshmeria eshte shkathtesi). Nuk eshte cudi qe edhe zyrat e avokateve apo kontabilisteve, qe zakonisht merren me regjistrimin e ketyre biznesve ne QKR (eshte lodhje koke te merresh me administraten), te perdorin te njejta adresa per thjeshtesi veprimesh.
Nga ana tjeter, eshte e mundur qe Veliaj te kete ndikim ne ministrine perballe asaj te vetes, sidomos per te tilla kontraktime, parate e te cilave shkojne edhe ne buxhetin e partise. Por keto jane akuza qe nuk jane deshmuar bindshem. Dokumentet merren me situaten financiare te kompanise se kontraktuar, e lidhja me Veliajn nuk eshte arsyetuar.
Hetimet kerkojne ndjekjen e parave, listen e kompanive te nenkontraktuara (se punet nuk jane realizuar me pese vete), dhe nese keto sherbime jane realizuar pa paguar tatimet. Kjo eshte shume e thjeshte per tu vertetuar. Mjafton te shqyrtohet deklarimi tatimor ne fund te tremujorit, i kompanise kryesore dhe i atyre te nenkontraktuara. Gjithashtu duhen verejtur procedurat e prokurimit dhe lista e shpenzimeve. Por meqe kompania nuk eshte treguar transparente, dhe nuk ka pse te deklaroje ne publik te dhenat e biznesit, atehere akuzat do te ngelin ne rrafshin e thashemeve – vetem nese prokuroria dhe drejtoria e tatimeve ndermarrin hetime per kete rast (sic u kerkohet sipas ligjit nese ka akuza publike).
Une them se ne rastin me te mire ka nje tymnaje ne keto akuza.dhe pergjigja e qeverise eshte e pershtatshme perderisa akuzave u mungon substanca. Pergjigjet teknike te qeverise mbi akuzat mund te shkaktonin autogol nese ne nje moment te dyte ato do te vertetoheshin, ose do ti jepnin pales kundershtare me shume barut per goditje. P.sh. prokurori Lllalla doli edhe njehere te shantazhoje qeverine, sic ka bere keto vite sa here ne konferenca ku deklaron per dosje politikanesh, edhe pse nuk ka cuar askend deri tani ne gjykate.
“Ja një gjëzë për të cilën më duhet ndihma juaj që ta shkoqit”
Kete gjeze o Xha Xha mund ta shkoqite vetem nje hetim serioz nga organet kompetente, me kusht qe ato te jene vertet te paanshme dhe te pavarura.
Normalisht akuzat e PD-se duhet te vene ne levizje prokurorine e cila, pasi te kryeje hetimet e nevojshme, duhet te beje publike rezultatet e tyre.
Por nga pervoja dime qe kjo nuk ka gjasa te ndodhe. Pas tri ditesh do te harrohet gjithçka dhe ty do te te mbetet gjeza e pashkoqitur.
Tani Lapsi.com e ka hallin se si i beri punimet firma fituese duke mos patur punetore apo pretendon se i morri parate dhe nuk beri punen? Punen, pra regullimin e sheshit, pastrimin e fasadave te godinave perreth, mbjelljen e barit apo gjelberimin, dekorin per meshen e Papes, fonine, fotot e banderolat etj. et. i pane te gjithe. Atehere mbetet te aludojme se punet jane bere me frymen e shenjte!! Por a eshte vjedhje apo abuzim nese firma fituese ka nenkontraktuar Frymen e Shenjte?
Por, gjithashtu, ca te tjere thone se nuk eshte shume e nevojshme Fryma e Shenjte; mjafton te nenkontraktosh individe apo firma te tjera nepermjet kontratave te sherbimit per te realizuar aspekte te vecanta te puneve per te cilat je angazhuar. lol
Nuk ka dyshim se qeveria duhet t’u përgjigjet akuzave pa kaluar nga dega në degë e pa ndryshuar muhabet. Mirëpo, desha të shtoj se për fat të keq edhe institucioni, nëse mund ta quaj kështu, i akuzës publike, që mund të bëhet normalisht nga media ose nga opozita, sikur është inflacionuar vitet e fundit në Shqipëri. Arsyeja qëndron tek abuzimi që është bërë me të në sferën publike. Po të thërrasësh gjithnjë “ujku!”, “ujku!”… Kjo bën që edhe akuzave të mbështetura në dokumentacion, siç duket rasti i Lapsit.com, i bëhet bisht me klishé standard duke e devijuar çështjen.
“Kjo bën që edhe akuzave të mbështetura në dokumentacion, siç duket rasti i Lapsit.com, i bëhet bisht me klishé standard duke e devijuar çështjen.
Pishak per cfare dokumentacioni beni fjale? Nga sa lexova Lapsi.al (http://www.lapsi.al/lajme/2014/11/08/investigimi-dyshime-p%C3%ABr-abuzime-me-miliona-nga-buxheti-i-shtetit#.VGB5sDTF_Nk) nuk konstatova ndonje dokument qe te hidhte sado pak drite mbi ndonje abuzim financiar te mundshem.
Nuk jam as ekspert fiskal, as hetues. Nuk e kam idenë se si është procedura e prokurimeve publike dhe kriteret që duhen ndjekur. Pashë disa dokumenta të paraqitura nga një media shqiptare, në mbështetje të një akuze specifike. Për mua mjafton që akuza, e mbështetur ose jo, të përgënjeshtrohet nga qeveria. Për mua, ekziston gjithnjë prezumimi i pafajësisë, por disa akuzave publike, që shoqërohen me dokumentacion ose në daç pseudo-dokumentacion, u duhet përgjigjur shpejt e shpejt e me argumenta në dorë, qoftë për të treguar haptazi se akuza ishte e pabazuar. Pastaj mund të mendohet nëse kemi një tjetër vepër penale, siç është shpifja.