Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

EMOCIONE ME POROSI

Një zënie ndaj të gëdhirë në një lokal nate – pas gjase për motive banale, ose “të dobëta” siç i quajnë tani mediat; të shtëna dhe pastaj të vrarë, disa prej tyre me siguri për të vetmin faj – edhe pse nuk është faj i vogël – që nuk ishin në shtëpi në atë orë, duke fjetur në krevat. Gjithsesi, lajm për faqen e kronikës së zezë, sikur të mos kish qenë vrasësi – hë për hë i supozuar – bir i një deputeteje të PS-së dhe, sërish pas gjase, recidivist, që kish përfituar nga sistemi gjyqësor.

Natyrisht, kjo ngjarje që, le të mos harrojmë, mori jetë njerëzish ua shpëtoi ndërkohë jetën mediave edhe një ditë tjetër, teksa këto u ngutën të vënë në dukje të gjitha aspektet ngashënjyese të saj: që i dyshuari kish vrarë edhe më parë dhe kushedi do të kish qenë më mirë, sidomos për të sapo-vrarët, që të kish mbetur edhe ca kohë prapa hekurave; që trajtimi i tij aq i butë nga organet e drejtësisë kushedi kish edhe ndonjë lidhje me statusin e së jëmës Luiza Xhuvani, deputete dhe power mom; dhe të tjera marifete të specializuara.

Tek e fundit, një nga prerogativat e mediave sot, dhe jo vetëm në Tiranë, është të integrojnë banalitetin në skema globale, të barsura me farën e revoltës ndaj ekzistueses – pa çka se edhe kjo e fundit është katandisur po aq banale sa edhe rikosheti.

Gjithsesi, efekti i vrasjeve – siç u pasqyrua në mediat dhe në Internet – më kujtoi sakaq një vërejtje të filozofit Paul Virilio, për “bombën e informacionit” e cila, për ta thënë me fjalët e tij “mundëson sinkronizimin e emocionit,” çka ia kalon edhe fuqisë që kishte standardizimi i opinionit, tipik për mass mediat në gjysmën e dytë të shekullit XX; dhe ky sinkronizim emocioni, gjithnjë sipas Virilio-s, siguron tranzicionin nga një demokraci e opinionit në një demokraci të emocionit; e cila funksionon në bazë të “përgjigjeve të kushtëzuara” (The Administration of Fear, Semiotext(e), 2012, f. 30-31).

Të gjitha elementet e bombës-lajm që shpërtheu rishtas erdhën me potencialin për emocion negativ: vrasja e disafishtë, vetë statusi i të dyshuarit K. Xhuvani si recidivist në krim, privilegji i këtij personi për shkak të së jëmës dhe familjes së afërt me elitat e tanishme në pushtet; dhe ashtu emocioni negativ mbizotëroi.

Tani, emocionet kolektive shquhen, mes të tjerash, edhe për thjeshtësinë e tyre të skajshme; ndryshe nga arsyet, që mund të jenë të shumëllojta, emocioni pa shumë ndërmjetësim mund të reduktohet në [+] dhe [-]; çfarë na pëlqen dhe çfarë nuk na pëlqen; çfarë na zbavit dhe çfarë na mërzit; çfarë na prek shpirtërisht dhe çfarë na shqetëson; çfarë na frikëson dhe çfarë nga ngushëllon; çfarë na mbush me ngazëllim dhe çfarë na revolton, e kështu me radhë. Ose [+] ose [-] – njëlloj si kodi binar i digjitalizimit.

Dhe nëse është kështu, atëherë mund të rrekemi t’i japim një lexim të ri dorëheqjes publike të deputetes Xhuvani, nënës së vrasësit, në praninë dhe me mbështetjen vëllazërore të kryeministrit dhe kreut të PS-së Rama; duke e kërkuar çelësin, afërmendsh, te kjo [-] që kaploi publikun, pas lajmeve për vrasje, gangsterë, alkool, prostitucion, impunitet, privilegje, drejtësi e korruptuar, favoritizëm.

gunDy komentatorë që thanë fjalën e tyre ditën pas ngjarjes, Andi Bushati dhe Mark Marku, e vunë në dukje këtë [-] që u përhap në mënyrë virale në rrjetet sociale; dhe që vetvetiu u shndërrua, nga një reagim i natyrshëm përballë një krimi të shëmtuar, te refuzim i masës anonime për qeverisjen Rama; e cila njëfarësoj ishte asociuar me vrasësin dhe familjen e tij.

Bushati dhe Marku shënuan edhe nevojën, për Ramën dhe makinën e tij të Public Relations, që të administrojnë dëmin e shkaktuar nga ngjarja.

Luiza Xhuvani doli para kamerave, për të lajmëruar dorëheqjen e saj si deputete e PS-së: dhe emocionet që shoqëruan këtë zhvillim të ri ishin të gjitha pozitive: vetë figura e Luizës, si aktore e njohur, e shquar dhe e dashur për publikun [+], dhimbja e nënës para një djali të shkuar dëm [+], lotët e saj live [+], solidariteti njerëzor i treguar, sërish live, nga kreu i ekzekutivit Rama [+].

Madje, madje, ndryshe nga vrasja banale, dhe kushedi edhe aksidentale, e katër të panjohurve në një lokal nate, dalja e tanishme e deputetes Xhuvani dhe publiciteti i dramës së saj prej nëne, kishin kuptim; dhe vetë kuptimi i një ngjarjeve ia shton pozitivitetin emocionit [+].

Mund të flasim, pra, për dy shpërthime bombash informacionale – gjithë duke ruajtur metaforën e Virilios: i pari që përhapi në publik një morí me [-]; dhe i dyti, që e kundërshtoi këtë “infeksion memetik viral” me një kundër-mori me [+]. Dhimbja e vështirë për t’u mapuar, për një krim banal që mori jetë anonimësh (por e shoqëruar me revoltën dhe zemëratën [-], këto lehtësisht të mapueshme, për një pinjoll të privilegjiuar nga pushteti i tanishëm, që kish vrarë edhe më parë, për t’u ndëshkuar gati simbolikisht), kjo dhimbje fillestare, pra, e shoqëruar me frikën e natyrshme (sa më anonim dhe rastësor krimi, aq më i rrezikuar ndihem unë që dëgjoj për këtë nga mediat [-]), ia lë vendin dhimbjes tashmë të kodifikuar dhe të stërvitur nga qindra puntata telenovelash meksikane dhe turke, për lotët e nënës.

Pa Komente

  1. Megjithate nuk me duket se “lotet e nenes” kete rradhe paten ndonje efekt pozitiv ose [+] sic permendet ne shkrim. Me ç’kam pare andej ketej kane shtuar negativitet, pra [-], duke u konsideruar nga shumica e komentuesve si hipokrizi dhe script i parapergatitur. Vleresimi im, gjithsesi pa ndonje pretendim te veçante.

  2. E veshtire t’i ndash lotet e tragjedise personale te jetuara ne ekran nga ato te filmit te pare ne ekran, aq me teper kur i derdh i njejti person.
    I frymezuar nga shitstorm i komenteve qe provokoi Ajnshtajni ne blog, iu hodha nje sy komenteve qe vijuan kete ngjarje. Miresevini ne tragjikomedine shqiptare. S’ruan dot seriozitetin, te deperton karnevalizmi, e qesh por kur kujtohesh qe ky joni s’eshte as i perkohshem, as riperterites, qan.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin