Po shihja në ESPN Deportes ndeshjen e UEFA Champion League midis Juventus-it dhe Olympiakos-it (i shkruaj këto radhë në pushimin midis pjesëve), kur dëgjoj një nga komentatorët hispanikë t’i referohet, në muhabet e sipër, ndeshjes së paradokohshme mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.
Ajo ndeshje u pezullua, shpjegoi komentatori, pasi mbi stadium fluturoi një dron me flamurin e Shqipërisë së madhe (nuk mund ta riprodhoj dot ekzaktësisht; por ESPN do ta mbajë ndeshjen në dispozicion, të regjistruar, dhe komenti në fjalë dëgjohet dikur midis minutës 38 dhe minutës 42 të pjesës së parë).
Se çfarë thotë një komentator futbolli nuk ka ndonjë rëndësi praktike; por merr domethënie të madhe, nëse duam të kuptojmë se si rindërtohet narrativa e një incidenti, pasi ky ka ndodhur.
Koret anti-shqiptare, flamujt e djegur, rrahjen e tanëve prej tifozëve serbë që përmbytën fushën e lojës – të gjitha këto mbetën jashtë narrativës; pse nuk është lehtë t’i përmbledhësh në një fjali të vetme, që të përmbajë edhe shkakun edhe pasojën.
Dhe le të nisemi, gjithsesi, nga premisa e arsyeshme se ky komentator hispanik nuk është paguar nga qarqet nacionaliste serbe.
Mekanizmi përzgjedhës është psikologjik: pezullimi i një ndeshjeje është ngjarje e rëndë, sidomos në nivelin e kombëtareve; dhe nga çfarë e shkaktoi këtë ngjarje, njeriu i çinteresuar do të zgjedhë pikërisht episodin më spektakular, më të pazakontë, më befasues: dronin që fluturoi mbi fushën e lojës.
Dhe do ta zgjedhë këtë jo sepse incidenti me dronin lidhet më mirë logjikisht me efektin e ndërprerjes së ndeshjes; por sepse është më informativ, në raport me incidentet e tjera që i paraprinë kësaj ndërprerjeje: koret, sharjet, rrahjet.
Një dron kaloi mbi fushë dhe ndeshja u pezullua: post hoc ergo propter hoc (vëreni edhe ambiguitetin e lidhëzës pasi). Mund ta marrim këtë si gabim logjik, sikurse mund ta marrim si efekt anësor fatal të narrativizimit.
Deformimi i detyrohet, në këtë rast, mënyrës si përcillet sot informacioni nga mass mediat: i thjeshtuar deri në kockë dhe i ri-renditur në mënyrë të tillë ku lidhjet shkak pasojë të riformulohen në mënyrën më të tejdukshme të mundshme.
Komentatorin e ESPN-it unë e shoh më shumë si viktimë të këtyre përpunimeve shpesh automatike; por pa dashur, duke riprodhuar të njëjtën narrativë që nuk i përgjigjet më realitetit, por i përgjigjet atij imazhi të realitetit të përqafuar nga opinioni publik pak a shumë asnjanës, bëhet edhe ai agjent i riprodhimit të një zinxhiri ngjarjesh veç e veç të qena, por të lidhura bashkë në mënyrë të tillë, që e qena të shndërrohet në të paqenë.
Sapo po lexoja që të gjitha rrëfimet, sado komlekse, duke kaluar nga një transmetues tek tjetri përfundojnë në fund në një farë skeme, që mund të përmblidhet me fjalët “situatë fillestare – element çrregullues – shtjellim – element zgjidhjeje – situatë finale”. Pazakonshmëria e hyrjes së dronit në atë kontekst e paksa vendosur në postin e “elementit çrregullues”, megjithëse në fakt çrregullimi kishte ndodhur më parë se të dilte në skenë!
dimri nuklear (https://en.wikipedia.org/wiki/Nuclear_winter) eshte nje shembull per kete situate. Kur SHBA do te vendoste raketat Pershing ne Gjermani, KGB sajoji nje model shkencor mbi efektin qe do te kishte pluhuri i shkaktuar nga bombardimi nuklear i Gjermanise dhe e percolli ne nje reviste, e cila e mbeshtetur nga nje shkencetar gjerman (jo i perfshire me KGB, por ndoshta i shqetesuar per efektet e bombave), mori seriozitetin e duhur per botim. Artikulli gjeti simpatizante ne levizjen anti-atomike te SHBA-se dhe pas u perhap si dije shkencore (ne fakt ka informacione se artikulli qarkulloi perpara se te botohej).
Ne filmin Inception (http://www.imdb.com/title/tt1375666/) ilustrohet shume bukur ideja se ngahere behemi percjelles te padeshiruar te nje ideje qe na implantohet ne koke ne forme te ndergjegjshme ose jo (liber: the meme machine).
Kur behet fjale per te treguar histori thjeshte me nje shkak e pasoje, njerezit pervetesojne skema te thjeshta e nuk e lodhin koken te rremojne, sidomos ne kete kohe ku truri i robit nuk mund te barazohet me serverat e Google. Por pak here njerezit reflektojne mbi prevalencen e nje alternative ndaj tjetre.
Eshte shembull per shkruajtjen e historise dhe manipulimin e saj. Sepse nje sqarim si, ndeshja u nderpre per faj kontraditash etnike, do ishte e panjeanshme dhe e asimilueshme nga opinioni publik qe s’di e as ka nerv per hollesira. Po dronit i meshuan serbet, dronin perqafuan tanet, perdronin na e futi UEFA, dhe me dronin u futem ne histori. Histori fantazmagorike.