Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

TREGU I DIJES

Qeveria Rama ka shpallur së fundmi kuotat dhe tarifat dhe për ciklin e dytë të studimeve (programet master) për vitin akademik 2014-15. Si edhe për ciklin e parë të studimeve, të cilat u shpallën në gusht, qeveria ka ulur ndjeshëm numrin e programeve, kuotat e studimeve dhe ka rritur tarifat. Por cilat janë disa prej efekteve që do të kenë këto ndryshime që distancohen dukshëm nga politikat e rritjes se kuotave së qeverisë Berisha?

Këto politika përveç se prekin direkt aspiratat e studentëve, kanë edhe ndikim në të ardhurat e universiteteve, pasi rritja e tarifave ende nuk mbulon koston e plotë të studimit në ciklin e pare, mesatarisht rreth 74 000 lekë në vit për student. Reduktimi i kuotave cenon efektin e ekonomisë së shkallës në universitete të mëdha si ai i Tiranës. Por ndoshta justifikon uljen e shpenzimeve publike në universitete apo programe studimi që nuk tërheqin studentë, ose që regjistrojnë studentë të dobët.

Shpenzimet buxhetore për arsimin e lartë janë ulur rreth 7% nga viti 2013 në 2014. Buxheti i arsimit për 2014 zë 8.8%, nga 9.54 në 2013. Në vitin 2011 të ardhurat totale të universiteteve, pa transfertat e shtetit, ishin rreth 57% të buxhetit të shpenzuar në arsim. Realizimi i të ardhurave nga të ardhurat dhe shërbime të tjera për universitetet variojnë nga 80 në 85% prej atyre të planifikuara (p.sh. në Akademinë e Arteve shkojnë nën nivelin e 70%). Një pjesë e madhe e bursave të studimit mbulohen gjithashtu nga buxheti i universiteteve publike.

A e kompenson rritja e tarifave dhe ulja e barrës publike reduktimin e numrit të studentëve, që përbëjnë të ardhura të konsiderueshme për universitetet? Me të dhënat që janë publike mund vetëm të spekulojmë. Ministria e Arsimit nuk ka publikuar shpërndarjen e buxhetit për universitetet publike prej nga mund të përllogarisim të ardhurat dhe shpenzimet për kokë (student) nga buxheti dhe nga tarifat.

Por le të spekulojmë mbi të dhënat e vitit 2011 me Universitetin e Tiranës. Sipas të dhënave të mia, Universiteti i Tiranës shpenzoi rreth 3 miliardë lekë për vitin 2011. Shpenzimet për student ekuivalent me kohë të plotë (35,000 FTE) për këtë përllogariten të jenë diku tek 88,000 lekë për student. Për vitin 2011 të ardhurat e institucionit përbënin rreth 47%, nga ku vetëm tarifat e shkollimit dhe regjistrimit zinin rreth 93% të të ardhurave totale. Për një buxhet të balancuar (përfshirë edhe investimet kapitale), UT ka planifikuar se të ardhurat totale për vitin 2011 duhet të ishin rreth 3,4 miliard. Atëherë, nëse kostoja për student është 88,000 lekë, për një plan të qëndrueshëm financiar (e nëse shpenzimet do të ishin konstante), një student duhet të sjellë mesatarisht afro 98,000 lekë në vit. Studenti me tarifat aktuale (2014), pa taksën e regjistrimit, mbulon mesatarisht vetëm 30%, ndërsa shteti mbulon mesatarisht rreth 42% (nëse nuk do të zbritej efekti i 7% i uljes së buxhetit për arsimin e lartë, inflacioni etj.). Pra UT-ja ose duhet të rrisë numrin e studentëve, në mënyrë që të rrisë të ardhurat, ose duhet të rrisë tarifat edhe njëherë mbi 30%, ose shteti duhet të rrisë seriozisht kontributin e tij.

P.sh. nga 2011 në vitin 2012 rritja e numrit të studentëve duhet të ishte rreth 70% nëse nuk rriteshin tarifat e studimit, por UT u rrit vetëm me rreth 18% dhe tarifat e kontributi i shtetit nuk u rritën. Për vitin 2014 UT-ës i është reduktuar numri i prurjeve me 12% dhe tarifat i duheshin rritur mbi 50%, por ato janë rritur me 25% dhe kontributi i shtetit është ulur me 7%.

Me këto të dhëna, edhe pse tabloja është e paplotë për mungesë të shifrave aktuale, kuptohet që në planin afatgjatë modeli aktual i zhvillimit të UT-ës (me ulje të kontributit të shtetit, ulje të numrit të studentëve dhe rritje minimale të tarifave) nuk është i qëndrueshëm. Kjo do të trembte çdo rektor. Prandaj kemi klasa të tejmbushura, pedagogë të mbingarkuar, një administratë të acaruar dhe  raport diplomimesh nën 30% në vit. Kjo analizë mund të përdoret edhe për universitete të tjera.

Ndërkohë, për vitin 2014-15 numri i programeve, edhe i ai kuotave janë reduktuar  ndjeshëm në ciklin e parë dhe të dytë. Në ciklin e parë reduktimi i kuotave në Universitetin e Gjirokastrës, Korçës, Vlorës dhe Durrësit është më shumë se 40%, por edhe tarifat në këto universitet janë rritur mesatarisht me mbi 40%. I vetmi fitues është Universiteti i Sporteve, i cili nuk ka reduktim kuotash për mësues fizkulture, por i janë rritur tarifat me 46%. Humbësi më i madh është Universiteti i Gjirokastrës, të cilit i janë ulur kuotat me 82% dhe rritur tarifat me 39%.

Imazhi 1

Imazhi 2

Po ashtu janë reduktuar kuotat për ciklin e dytë të studimeve me rreth 40% për masterin profesional dhe rreth 30% për atë të shkencave e të arteve të bukura. Nga një vështrim i përgjithshëm tarifat janë rritur nga 15% deri në 30%. Transferimet gjithashtu nuk kanë marrë parasysh numrin e madh të studentëve nga ish-institucionet e arsimit të lartë privat që u mbyllën me vendim qeverie.

Imazhi 3

Imazhi 4

E gjithë çështja është nëse ka ndonjë në universitetet publike që llogarisin efektet financiare të politikës së kuotave e tarifave. Ose ndoshta rektorët janë dakord të ulin shpenzimet, çfarë do të thotë reduktim të vendeve të punës, të investimeve kapitale (prokurimeve) etj.

[Shënim: titulli është i PTF.]

Pa Komente

  1. Ka tre elementë në këtë shkrim: 1) rritje e tarifave të studimit, 2) ulja e financimeve buxhetore, 3) heshtje publike varri në përgjigje të dy politikave paraprirëse, – tre elementë të ndërlidhur që ilustrojnë më së miri se çfarë ka vdekur e është varrosur njëherë e mirë në Shqipëri, edhe në pastë qenë gjallë ndonjëherë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin