MANIA E APLIKIMEVE

aplikimPas hapjes së aplikimeve për përzgjedhjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, fillimisht nga ana e Kryeministrisë e fill më pas nga Presidenca, në Shqipëri ka plasur mania e aplikimeve, ose e quajtur ndryshe aplikimania.

Para se të arrijmë në garën që hapi qytetarja Reçele Gjitoni në faqen e vet të internetit, duke i ftuar të gjithë meshkujt nga 37,4 deri 45,2 vjeç të aplikonin për vendin bosh në certifikatën e martesës dhe në krevatin e saj dopjo, pasi e kapi burrin duke vjedhur reçel nga frigoriferi për t’ia dhënë komshiut pa lejen e saj, le të kujtojmë arsyet e fenomenit dhe rastet më të njohura.

Deri pak kohë më parë në Shqipëri fenomeni i aplikimeve as që njihej fare. Indigjenët nuk e kishin dëgjuar asnjëherë. U soll në vend nga jashtë, nga shtegtimet e burokratëve perëndimorë që sollën edhe fjalën përkatëse, tashmë e përhapur në mënyrë virale. Në pak vite, fjala e importuar u përhap kudo, nga institucioni më i lartë deri tek roja e kopshtit. Veçse aplikimi i aplikimeve u bë vetëm formalisht.

Pjesa më e madhe e aplikuesve ishin aktorë filmash e teatrosh tashmë të papunë, që paraqiteshin në konkurset e hapura, ose i dërgonin dokumentet false në adresat e duhura, si figurantë, pra sa për numër. Shtireshin si të interesuar, pyesnin për vendin e punës, kërkonin informacion demek për rrogën. Fituesin e dallonin për së largu: ishte ai që nuk dinte ta luante pjesën, se ishte militanti i radhës. Ky nuk pyeste për asgjë, se i dinte të gjitha, përveç punës që do të bënte më pas. Për shërbimin e kryer aplikuesit figurantë merrnin diçka si pagesë, gjithsesi më mirë se aktorët e vërtetë të skenës së Teatrit Kombëtar.

Mirëpo, pas aplikimeve të hapura nga institucionet qendrore të vendit, për vendin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, edhe institucione të tjera e panë të arsyeshme të hapin konkurse të ngjashme. Banka e hapi për të njëjtin vend, me arsyetimin se “po nuk e hapa unë garën kush do ta hapë?”. Kuvendi u detyrua t’i hapë aplikimet jo vetëm për Guvernatorin e Bankës (“meqë e kanë hapur të gjithë”), por ftoi njëkohësisht qytetarët shqiptarë të aplikojnë për 140 vendet bosh të deputetëve. Sipas komunikatës për shtyp, aplikimet duhet të dërgohen pa afat kohor në adresën elektronike aplikime140vendebosh@kuveni.al.

Aplikimet kanë filluar të mbërrijnë, mirëpo ka një paqartësi të vogël, sepse nuk kuptohen nëse aplikuesit do t’i zëvendësojnë përgjithnjë deputetët, apo vetëm kur shkojnë në banjë, tek biznesi, apo tek dashnorja. Shumë aplikues, në faqen e hapur posaçërisht, u shprehen se mund t’i zëvendësojnë me sukses gjatë votimeve, por jo gjatë rrahjeve mes tyre. Për këtë të dytën duhen aftësi të veçanta e përgatitje në kohë. “Nuk mund të bëhesh deputet pa marrë çmim në boksin profesionist, ose minimumi brezin e kaltër në karate”, tha Nok Nreu, deputet i porsa pezulluar nga Kuvendi për shkak se kishte përdorur goditjen e gjarprit ndaj kolegut të partisë tjetër. Për aplikuesit, në rastin e zëvendësimit gjatë kacafytjeve të shpeshta në kuvend, ofrohet rrogë me 6% rritje.

Tani aplikimet po kthehen në modë. Shkollat hapin gara për aplikim për drejtorë, mësues, pastruese. Kulmin e arriti njoftimi i shkollës “Han pa porta” në fshatin Lenie, e cila hapi javën e shkuar aplikime për vendet e nxënësve. Sipas të njëjtës direktivë, Spitali Civil në repartin ushtarak të Dibrës së mesme, u kërkoi qytetarëve që të bënin aplikime si pacientë, kurse pacientëve u kërkoi të aplikonin për mjekë. Këta të fundit i ftoi të aplikonin për vendet bosh si farmacistë. Vendi i atij që jep para nën dorë ka mbetur ende vakant. Ndërkohë burgu i mbyllur i Spaçit, në kuadrin e projektit “Të ruajmë kujtesën”, të financuar nga Fondacioni “Jemi gati kurdoherë”, ka hapur aplikime për gardianë, drejtorë, të burgosur dhe hafije.

Megjithatë ka pasur edhe raste dështimesh, siç ishte gara për doktoratura që hapën Universiteti i Euroazisë dhe Universiteti Qelqi me seli në Selitë. Asnjë aplikim nuk erdhi në adresë të universiteteve të njohura, çka u shpjegua me kriteret shtrënguese që kishin vënë – meqë nuk lejoheshin kandidatë nën moshën 20 vjeç dhe jo më pak se dy botime në gazetë për secilin çift –, dhe me shaptilografimin masiv të diplomave të doktoraturës për qytetarët shqiptarë.

Procesi i pandalshëm i aplikimeve pa kufi, ka ngecur për faj të një kleçke juridike. Kush i merr në shqyrtim kërkesat e aplikuesve? Po kur bëhet fjalë për aplikime të larta si vendet e Presidentit, Kryeministrit, Ministrave, bodigardëve, votuesve, e kështu me radhë? Dikush tha se duhet ngritur një komision i posaçëm vlerësues. Atëherë, ia ktheu dikush tjetër, duhet të hapim aplikime për komisionin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin