Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

AKADEMI ME ÇMIM TË ARSYESHËM

Një mik më solli në vëmendje një artikull të botuar në blogun Scholarly Open Access, me titullin Bogus “Center” Provides Quick, Easy, and Cheap Publishing, dhe ku flitej për tre revista shkencore të botuara nga the Mediterranean Center of Social and Educational Research: Mediterranean Journal of Social Sciences, Journal of Educational and Social Research dhe Academic Journal of Interdisciplinary Studies.

Sipas autorit të blogut, Jeffrey Beall – që është bibliotekar në Auraria Library, University of Colorado, Denver – këto revista botojnë artikuj akademikë përkundrejt një pagese modeste ($200 për një artikull, ose $280 për dy artikuj).

Çfarë i kish bërë përshtypje mikut tim, ishte – veç të tjerash – edhe prania e madhe e studiuesve shqiptarë në të paktën një prej këtyre revistave.

Në fakt – sikurse e ka vënë në dukje Jeffrey Beall në shkrimin e tanishëm – vetëm në volumin 4, nr. 6 (2013) të revistës Mediterranean Journal of Social Sciences, një studiues i quajtur D.S. ka botuar gjashtë artikuj, si bashkautor.

Tryeza e lëndës e këtij numri mund të shihet këtu; sikurse edhe mund të verifikohet se D.S. ka botuar aty artikujt e mëposhtëm (si bashkautor): Albania’s Integration in EU, Legal Innovations to the Strasbourg Court and the Decision Qama versus Albania, The Right and Justice Between What is Right and What is Useful, The Right of the Children to Know Their Origin in Adopting and Medically Assisted Reproduction, Family Reunification in Albania: A Comparative Study in the Context of Albanian Integration in the EU, Free Movement of Albanian Goods within the European Union. New Challenges in the Context of Integration;(*) mjaft aktiv rezulton, në këtë numër edhe autori A.V., me shtatë artikuj si bashkautor: The Democratic Impact of European Integration: Case Study of Albania,  Albania’s Integration in EU, Legal Innovations to the Strasbourg Court and the Decision Qama versus Albania, The Role of Monarchy in the State-Building Process of Albania, The Right and Justice Between What is Right and What is Useful, Family Reunification in Albania: A Comparative Study in the Context of Albanian Integration in the EU, Free Movement of Albanian Goods within the European Union. New Challenges in the Context of Integration.

CaptureNatyrisht, nuk kam arsye të dyshoj për cilësinë akademike të këtyre punimeve, as për integritetin e autorëve të tyre – por më duhet të pranoj se, edhe mua, ky numër kaq i lartë artikujsh nga të njëjtët persona, në të njëjtin numër, më duket i tepruar.

Beall dyshon se këto tre revista janë operacione komerciale për të botuar “me shumicë” artikuj akademikë nga vende pa tradita studimore dhe akademike, por ku botime të tilla u hyjnë në punë studiuesve për të bërë karrierë shkencore.

“Në shumë vende, karriera akademike nuk bazohet më në meritë,” shkruan ai, “por në aftësinë për të krijuar artikuj që duken sikur janë akademikë, dhe për t’i botuar këto artikuj në scholarly vanity presses, si MCSER.”

Sa e vërtetë është kjo për rastin në fjalë?

Beall mendon se botimi i këtyre revistave është një “operacion shqiptar”, në bazë të informacionit që jepet për pagesën – llogaria nën emrin e një shqiptari në një bankë në Romë; dhe një llogari në një bankë në Tiranë.

Në komentet që pasojnë shkrimin gjen edhe informacione të tjera me interes. Një komentues thotë se ka gjetur të njëjtat tekste që përsëriten nga një artikull në tjetrin – duke sjellë prova për këtë. Një komentues tjetër thotë se adresa e menaxherit të këtij operacioni në Romë (Via Fonte Bandusia, 18) nuk ekziston (të tjerë shkruajnë se ekziston, diku jashtë qytetit të Romës – por si adresë e një hoteli). Një komentues i tretë vëren se lidhja e shpallur, mes këtyre botimeve dhe universitetit të Romës La Sapienza, nuk konfirmohet nga ndonjë burim informacioni i tretë.

Nuk jam në gjendje të them nëse artikujt e mësipërm kanë apo jo mangësi studimore dhe akademike – për fat të mirë, ata janë të botuar dhe mund të konsultohen lirisht. Ndonjë artikull me natyrë linguistike, i botuar në revistën Journal of Educational and Social Research nuk më la përshtypje të mirë – por nuk dua t’i jap vetes rolin e gjykuesit, që nuk më përket. Anglishtja në disa nga përmbledhjet e artikujve m’u duk e një niveli të papranueshëm; njëlloj si anglishtja në disa artikuj të tjerë – dhe kjo, edhe pse nuk paragjykon cilësinë e artikullit vetë, vë një pikëpyetje të madhe mbi procesin editorial dhe të peer review.

Ja një shembull i një abstrakti që më la gojëhapur (po e riprodhoj tale quale):

Vacabularies are art work, in which can be done a lot of works with different themes and can be donne observations, various scientific studies, form the descriptive ones to the deep scientific ones. In our study we used this marvelous treasure of Albanian language, together with its features and occurences. Vocabularies are not only registrars of the word and phraseology, the lexicology treasure and semantics, but they play an important role in the dominnation of the albanian language and in the expansion of linguistic and communicating competencies. During the last century and the begining of this century, the vocabulary of albanian language has dramatically developed in all its aspects, developments that stand out in two directions: in the continous enrichment and the endurance to the foreing languages with which it is in contact, an endurance that mainly shows signs of alarms of threats.

Megjithatë, nuk është synimi i shkrimit tim të demonstrojë nivelin e ulët të botimeve ose të anglishtes në këto revista – sepse një vlerësim i tillë kërkon qasje të një lloji tjetër dhe përgjegjësi akademike që unë nuk i kam. Tani për tani, desha vetëm të sinjalizoj për këtë debat, që bëhet publikisht në një blog mjaft të ndjekur si Scholarly Open Access dhe të ftoj të interesuarit e përfshirë, nga pala shqiptare, t’i përgënjeshtrojnë akuzat për “pseudo-akademizëm”, mundësisht edhe duke iu përgjigjur shkrimit drejtpërdrejt.

Botimet e shkallës industriale në revista “mikpritëse”, ku mund të nxjerrësh gjithçka përkundrejt një pagese, jo vetëm dëmtojnë rëndë integritetin e karrierave akademike, por edhe korruptojnë vetë institucionet – universitetet dhe qendrat kërkimore-shkencore (tani vonë edhe Universiteti i Prishtinës u përfol në kontekstin e një skandali për botime akademike në revista bogus). Shumëzimi absurd i universiteteve private për qëllim fitimi dhe shtimi, po aq absurd, i doktorëve të shkencave, në një vend si Shqipëria ku shkenca praktikisht nuk ekziston më, nuk do të mund të ndodhnin, pa bashkëfajësinë e tregjeve të tilla të pleshtit akademik.

(*) Midis dje kur u botua ky shkrim dhe sot (1 tetor 2014), tryeza e lëndës e numrit të cituar të revistës u “përditësua” – dhe D.S. tani figuron si bashkautor i vetëm dy artikujve (nuk di ç’ndryshime të tjera mund të jenë bërë). Lutemi klikoni këtu, për të parë faqen cache të tryezës së lëndës, ashtu siç m’u shfaq mua dje.

Shënim: Të nderuar miq – jeni të mirëpritur që ta përcillni këtë shënim në faqet tuaja, në blogjet tuaja ose edhe në media të tjera që të dëshironi. Por, ju lutem, tregoni aq kortezi sa të përmendni burimin – dhe të vendosni linkun përkatës.

Pa Komente

  1. Në 18 shtator, 2014, kanali 3sat transmetoi një emision kryesisht rreth epidemisë së plagiateve, por një sekuencë trajton problemin e akademisë së shitur. Këtu mund të shihni emisionin, sekuenca që po veçoj nis në minutën 20-të:

    http://www.3sat.de/mediathek/?mode=play&obj=45341

    Sillet shembulli i një agjensie Ghostwriter në bash të Zyrihut, që merr përsipër të shkruaj çfarëdo lloj shkrimi akademik përkundrejt pagese. Një pjesë e mirë e autorëve fantazma janë të doktoruar në fushat përkatëse, frymë që duan të mbijetojnë duke përhapur dijen shtigjërisht. Kjo agjensi nga më të mëdhatë në Evropë, prodhon 1000 punime akademike në vit dhe kërkon për shërbimin e saj 300-30.000 Euro, në varësi të shkrimit. Në një pikë, emision është disi i prapambetur, sepse thotë se jetojmë në epokën akademike “Publish or Perish”. This would be good news, indeed! Sepse, nëpër seanca profesionalizimi pasuniversitare, i qahet halli këtij brezi shkencëtarësh të rinj, që mbajnë kryet mbi ujë me kontrata të përkohshme, pa shpresë pozicionesh permanente, paçka se listat e publikimeve i kanë të gjata. Pra, “Publish AND Perish”, i bie më në të.

    Sa për publikimet shqiptare, botova para disa vitesh një artikull në “Studia Albanica”, të cilin para se ta dorëzoja në këtë revistë, ma kishin komentuar dy profesore, një britanik, një kanadez. Por nga trupi editorial shqiptar i “Studia Albanica” nuk mora asnjë koment. Për të botuar, e botuan.

  2. Nuk eshte dicka e panjohur pagesa qe duhet te besh ne nje reviste shkencore, edhe psh ne Journal of Applided Physics po te duash te botosh nje artikull duhet te paguash. Ne kete rast revista nuk ve kusht qe lexuesi ta bleje artikullin qe te kete access. Por kjo nuk ka te beje me cilesine e artikullit te derguar per botim. Revista ka nje bord nderkombetar qe drejtohet dhe artikujt e derguar u jepen per oponence (review ) studjusve te ndryshem te cilet kane nje bakraund te njohur . Dhe keta reviewer nuk paguhen per oponencen e tyre dhe as kane njohje me autoret. Nuk ka arsye qe nje profesor universiteti psh ne Rome apo San Francisko te jape nje vleresim pozitiv per nje artikull te nje shqiptari qe ai te botohet.

    Ku me mire se ne nje reviste si ajo “Mediterrean…” mund ti dergojne shqiptaret artikujt e tyre ne keto fusha?

    Prandaj kam mendimin qe perpara se ti futemi statistikave, le te vleresojme permbajtjen shkencore te artikujve per te cilen behet fjale. Keshtu ne vend qe te dyshojme se si eshte e mundur qe nje studjues te botoje 6 artikuj ne nje reviste nderkombetare, duhet te vleresojme perpjekjet e tij.

    Sigurisht nje reviste nderkombetare vleresohet nder te tjera dhe nga impact factor. dhe nje artikull vlerosohet nga numiri i citimeve qe marrin keta artikuj nga autore te tjere (dmth qe tregon sa influencon nje artikull ne punimet e autoreve te tjere. Promovimi i studjuesve nga universitet shqiptare duhet te reflektoje thellesisht keta te dy faktore.

    Persa i perket anglishtes se perdorur, kjo ndodh, autoret jo gjithmone kane anglishte te perkryer dhe ndonjehere kalojne edhe artikuj me anglishte te dobet. Kjo rrit ose ul reputacionin e revistes

    1. Cilësinë e artikujve të botuar duhet ta gjykojnë lexuesit dhe përdoruesit e revistës, edhe pse praktikat e dyshimta të botimit (të evidentuara në blogun e cituar) vënë një pikëpyetje edhe mbi cilësinë e materialit të botuar. Mua më duket pak e ekzagjeruar që i njëjti autor të ketë gjashtë ose shtatë artikuj në një numër, pse në revistat që shfletoj unë kjo nuk ndodh, por kolegët mund të më korrigjojnë. Edhe autorit të publikimit burimor e ekzagjeruar i ishte dukur – dhe ai punon si bibliotekar në një universitet amerikan. Por mbase edhe ai e ka gabim.

      1. Ne fakt po te shohesh sitin perkates, per volumin 4, nr. 6 (2013) të revistës Mediterranean Journal of Social Sciences, studiuesi i quajtur Darjel Sina ka vetem dy artikuj ne bashke-autoresi me Arjan Vasjarin. Eshte ky i fundit qe figuron ne gjashte artikuj si bashkeautor i dyte (ky i dyti vetem ne nje artikull figuron si autor i vetem) dhe jo Darjel Sina ! Kjo gje eshte mjaft e perhapur ne revistat me prestigjioze, sidomos kur nje reviste pranon kerkesen per te botuar punimet e nje simpoziumi, supervisori (Arjan Vajsari ne kete rast) mund te jete bashkeautor ne gjithe artikujt e grupit qe ai udheheq (http://www.mcser.org/journal/index.php/mjss/issue/view/6).
        Mund te jete dhe politika e revistes per te botuar artikuj nga i njejti vend ne te njejtin numer, duke i lene hapesire tematikave te tjere ne numra te tjere.
        Ajo qe me habiti mua ishte qe nuk munda te kem acces tek artikujt qe te mund te gjukoje lexuesi nivelin e artikullit , ndonse ata jane paguar -kjo eshte makuteri e revistes!

        1. ke nje link aty “full text PDF” ose kur te hapet table of contents, ne krah mbi numrin e faqes, kliko mbi PDF

        2. Margarit,

          artikujt qe citohen si nga blogu amerikan si nga ky blog ishin publikuar edhe me emrin e D. Sines si bashkeautor. Pas daljes se postit ne kete blog, cuditerisht kane bere nje spastrim dhe qyqari Sina mbeti vetem me dy artikuj. Sa per prestigj… nuk dua te zgjatem se nje reviste qe boton mbi nje mije artikuj ne vit eshte biznes i piste ne kurriz te shkences se vertete.

          1. Doktorr, kjo me le shume te habitur qe revista te ndryshoje emrat e nje artikulli pas procesit te botimit. Asgjekundi nuk ndodh nje gje e tille! Po te jete e vertete kjo, atehere dyshimet ndaj prestigjit te kesaj reviste jane te arsyeshme dhe normalisht nje reviste e tille duhet te falimentoje.

            1. Dicka tjeter qe me duket teper e dyshimte: nje dore e mire e autoreve jane pedagoge tek Universiteti Europian i Tiranes. Si pak institucione te tjera, ky universitet paraqet biografine dhe publikimet e cdo pedagogu. Cuditerisht, nje dore e mire e atyre qe kane botuar tek MCSER nuk i kane ato artikujt te perfshire ne listen e publikimeve te tyre. Ndoshta per arsyen e thjeshte qe nuk kane gjetur akoma momentin e duhur per ta perditesuar listen e publikimeve.

  3. Desha nje sqarim. Xha xhai thote: “këto revista botojnë artikuj akademikë përkundrejt një pagese modeste ($200 për një artikull, ose $280 për dy artikuj)”.
    Pra, xha-xha , eshte revista qe paguan autorin me keto shuma, apo eshte autori qe paguan revisten?

  4. Problemi kryesor në këtë mes është që në Shqipëri çdo institucion është i mbushur me sharlatanë të cilët kanë tituj shkencorë të pamerituar.
    Pasi kanë marrë titujt shkencorë të pamerituar janë kthyer në barrikadë për këdo tjetër.
    Pra, parimi i tokës të zënë.
    Pothuaj në çdo institucion “shkencor” në shqipëri ka njerëz të cilët për shkak të një lidhje apo një tjetre janë punësuar dhe janë paguar me rroga për dekada për të shkruar një doktoraturë.
    Njerëz që janë paguar me rroga me vite për mos bërë gje tjetër përpos një punimi shkencor. Në fund në shumicën e rasteve përsëri është dorëzuar plagjiaturë.
    Është bërë tashmë zakon që dikush i dalë nga fakulteti i shencave humane ta gjejmë papritur profesor në një fakultet të shkencave sociale.
    Se si ndodhin kapërxime të tilla ndërdisiplinore vetëm një perëndi e di.
    Njerëy që mbarojnë ekonomikun bëhen shefa me titullin profesor në sociologji. Njerëz që mbarojnë juridikun menjëherë i gjen të emëruar në gjeografi.
    Për të mos thënë se në shumicën e rasteve, instititucionet akademike si psh ato që varen nga QSA, janë të mbushura me njerëz të cilët vijnë nga përvoja si mësues shkollash mjaft perfike pët ët mos thënë shkollash fshati.
    Në spektrin e disa vjetëve këta kanë kaluar titujt doktorë shkencash, docentë e profesorë.
    Nuk kam paragjykime për mësuesit e fshatrave dhe padyshim që kushdo është i lirë të evolojë në formimin e tij, por kapërxime të tilla nga njëri titull në tjetrin dhe nga nnjëri fakultet në tjetrin, më duken specifikë e çuditshme.
    Mjafton të shohësh departamentin e psikologjisë në universitetin e Tiranës për të mbetur i pataksur.
    Rasti epokal është shembulli i njohur kur një matematicien u shndërrua sa hap e mbyll sytë në dekan të psikologjisë. Po bëhet fjalë pë njeriun qe një ditë u bë edhe ministër kulture.
    Se si një matematicien, megjithë inteligjencën e pa mohueshme të tij, arrin të marrë titullin profesor në psikologji, me të njëjtin ritëm se si ish komunistët u shndërruan në anti komunistë, mbetet një mister që ndoshta vetëm kolegët e tij të ngjashëm të të njëjtit fakultet apo qoftë të fushave të tjera mund të na e shpjegojnë ndoshta pak më hollësisht.
    Lutem miqësisht dhe shqiptarisht hapnani sytë që të mos vdesim budallenj!

  5. Një lexues i blogut nga Italia më shkruan në privat sa vijon:

    Ministria italiane ka nje databaze me titujt dhe numrat ISSN te revistave shkencore ku kerkuesit italiane mund te botojne artikuj shkencore. Nese i botojne ne revista qe nuk perfshihen ne ate liste, nuk merren parasysh ne vleresimin e punes shkencore dhe ne konkurse. Qe nje reviste e re te perfshihet ne ate liste, duhen vite pritjeje dhe shume perpjekje. Revistat brenda listes nuk vleresohen te gjitha njesoj. Ato bejne pjese ne grupe te veçanta sipas cilesise se tyre.

    Nese studiuesit italiane paraqesin botime ne ato revista qe ke permendur ti, jo vetem qe nuk u njihen zyrtarisht, por kjo do te ndikonte negativisht ne gjykimin e pergjithshem mbi ta. U leverdis me mire te mos paraqesin fare botime, sesa te paraqesin botime ne keto revista. Nuk jane italianet me te ndershem se shqiptaret, por eshte sistemi italian i tille qe i parandalon keto lloj dredhish.

  6. Nuk e kuptoj perse duhet te bazoheni ne nje blog te nje individi i cili nuk perfaqeson asnje institucion per te dhene nje gjykim mbi nje qender kerkimore prestigjoze. Revistat ne bote vleresohen nga indexe nderkombetare si Scopus, Ebsco, Proquest, IBSS, etj, te cilet kane nje ekip vleresuesish te perbere nga eksperte te fushave te ndryshme dhe nuk vleresohen nga mendime personale te nje bibliotekari ne amerike apo kudo qofte ai. Nese kontrolloni ne web do te gjeni me qindra blogje te tjera te cilat flasin kundra ketij bibliotekari i cili merr shuma marramendese revistave per te hequr emrin e tyre nga lista e tij. Dhe ne shume raste e ka bere kete gje sipas komenteve te gjen ne web. Ai eshte personi qe duhet denoncuar dhe per te cilin duhet bere artikull dhe jo fakti qe nje person paska 4 5 apo 6 artikuj te botuar ne nje reviste. Ku eshte problemi nese nje supervizor dhe udheheqes temash publikon artikujt e studenteve te tij dhe e vendos emrin si bashkeautor?? Ka ndonje krim ne kete mes? Nuk di te kete ndonje ligj qe ndalon te publikosh disa artikuj nejheresh si autor i pare dhe bashkeautor. Pastaj sa duhet te paguaje nje autor per te pasur nje artikull te botuar kur 200 usd na qenkan modeste? Ka revista qe marrin 500-800 euro per nje artikull, cilido eshte i lire te shkoje ku te doje por kete urrejtje smirre dhe zili nuk e kuptoj. Nese nuk ju duken te pershtatshme keto revista mos dergoni asnje artikull ne to, askush nuk obligohet ta beje kete gje..Per ta mbyllur, lexoni me pare si indexohen revistat si vleresohen, cilet jane parametrat e vleresimit dhe me pas ejani dhe beni komente per to, Hidhini nje sy indexeve nderkombetare dhe shikoni ne sa prej tyre jane te indeksuara keto revista…

    1. Nuk ka as urrejtje, as smirë as zili në shkrimin tim. Ju siguroj edhe se jam në gjendje të jap një mendim për nivelin shkencor të një kategorie artikujsh që janë botuar atje (ato nga fusha e gjuhësisë), por nuk ishte ky qëllimi i shkrimit tim. Desha vetëm të informoja për një dukuri që tashmë është vënë re.

      E them këtë jo për t’u shfajësuar, por sepse dëshiroj që vlerësimin e nivelit shkencor të artikujve të botuar në ato revista nga studiues shqiptarë ta bënin institucionet përkatëse në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe meqë ra fjala, nëse ju jeni palë e interesuar gjithashtu, do të ishte mirë që ta shpallnit këtë haptazi.

      Thoni se është fjala për një “qendër kërkimore prestigjioze” – dhe kushedi ashtu është vërtet. Por a më shpjegoni dot, gjithnjë nëse keni dijeni, pse kjo qendër kërkimore prestigjioze paraqet si të vetën adresën e një hoteli të rrethuar nga gjelbërimi?

  7. Ministria italiane i ka ndare ne grupe revistat, Fascia A, Fascia B etj. Dhe keto grupe ndahen sipas indeksimit te tyre. Revista te cilat jane te indeksuara ne Thomson reuters dhe ne Scopus jane automatikisht revista te klasifikuara si me te mirat dhe jane ne Fascia A, pra ne grupin e pare,(Mediterranean Journal of Social Sciences eshte e indexuar nga Scopus dhe ne Itali eshte e klasikuar si e klasit A) me pas vijne te tjerat gjithmone sipas indeximeve te tyre por asnjehere sipas mendimeve te nje blogisti si ky i cili ka shkruar ne amerike dhe ka bere nje liste te stergjate me te gjithe revistat open access. Ky eshte thjesht nje sulm qe i behet revistave te tilla pasi lobet e medha si Spring, Elsevier etj qe duan te monopolizojne tregun e shkences, po i sulmojne qe te mos u ikin “klientet” te cilet shkarkojne nje artikull per 40-50 dollare. Nese revistat do te ishin te gjitha open access Elsevier Spring dhe shoket e tyre to te falimentonin. Eshte thjesht ligji i te madhit qe han te voglin. Edhe Elsevier ka botuar artikuj ku ka pasur raste plagjarizmi, edhe Spring ka pasur probleme editimi etj, ska fushe ku te kete perfeksion, por ne cdo rast secili mundohet te permiresohet dhe te mesoje nga gabimet e kaluara. Gabimi i MCSER me shqiptaret eshte se ka ndihmuar cdo pedagog apo doktorant qe ka pasur nevoje te publikoje 2 artikuj shkecor ne revista nderkombetare per te permbushur detyrimet e doktoratures,(vetem ne shqiperi e gjen kete). Nese do liheshin te lire pedagoget te punonin me temat e doktoratures nuk do kishte dyndje per publikuar artikuj shkencore ku nuk dine se cfare te bejne me pare pedagoget e shkrete te botojne artikuj, te merren me temen e doktoratures te bejne kerkime, te permbushin detyrimet familiare apo ato ne pune ku shumica japin mesim ne universitete. Keto revista qe po citohen publikojne artikuj nga shkencat sociale ku cdo gje eshte subjektive dhe nuk ka pse te kritikohet cilesia e nje artikulli kur secili mund te dale me nje ide dhe me nje teze.

    1. “Vacabularies are art work, in which can be done a lot of works with different themes and can be donne observations, various scientific studies, form the descriptive ones to the deep scientific ones.”

      Cilësia përtokë e këtij formulimi është subjektive? Apo ajo e të shkruajturit njëherë Albanian e një tjetër albanian? Apo “dominnation”? Apo “donne”? (më kujtoi poetin John Donne) Edhe ku? Në abstrakt, që është sinteza dhe kartvizita e artikullit, merre me mend ç’bëhet më poshtë.

      Ju mund të njihni botën e indekseve dhe të lobeve, por s’e keni haberin e kërkesave, punës dhe metikulozitetit të një bordi editorial dhe “peer review” kompetent. Aq më pak të jetës së atyre që shkruajnë PhD në universitete serioze, të cilëve ju fshikullon çdo semester kamzhiku i drejtuesve që kërkojnë raport në sa konferenca referuan, se kur dhe ç’do botojnë atë vit, që nesër kur të dalin në “job market” të kenë me çfarë të profilohen për të zënë vend pune. Pa botime, s’të hedh q… njeri, le pastaj të të punësoj si pedagog të përhershëm.

    2. Me fal por nje “artikull” prej 4 faqesh nuk eshte kurre nje artikull “shkencor”. E kuptoj fare mire deshiren e XhaXhait per tu perqendruar tek MCSER dhe tek sasia e botimeve nga autore te caktuar por me duket se tashme duhet pare dhe niveli i disa prej artikujve qe eshte kaq i dobet sa une nuk e di si mund te pranohen si te denje per te permbushur detyrimet e doktoratures.

      Albaniatirana, praktika perendimore “publish or perish” eshte e tille qe detyrimet per publikim jane kryesisht ne sherbim te marrjes se “tenure”. Pra, vete grada “doktor” bazohet ne leksionet e ndjekura, punen kerkimore si dhe tezen perfundimtare, dhe mesimdhenia. Gjate kesaj kohe dhe me pas, kjo teze, si dhe tema te ngjashme, mund te ricklohen ne artikuj qe botohen per te pasuruar CV-ne dhe per te siguruar vendin e punes. Me ndihmo te kuptoj nese ne rastin shqiptar, vete botimi i artikujve eshte kriter qe duhet permbushur per te perfituar titullin doktor, krahas atyre qe permenda me siper.

      1. Ne rastin shqiptar eshte kusht i domosdoshem qe doktorantet te botojne nje numer artikujsh (nje apo dy) ne revista “te jashtme”, perveçse ne ato te brendshmet. Rregullorja me duket se nuk quan “te jashtme” revistat qe botohen ne Kosove dhe Maqedoni. Keshtu qe doktorantet detyrohen te perdorin marifete te tilla, se nuk kane nga t’ia mbajne. Perndryshe nuk e marrin doktoraten. Kjo vlen edhe per titujt e tjere akademike.
        Ketu nuk kane faj autoret, por sistemi shqiptar. Ne Shqiperi ka me dhjetra ne mos me qindra doktorante. Duhen shume revista shkencore “te jashtme” te rezervuara vetem per doktorantet dhe kandidatet shqiptare qe te kenaqen kerkesat e te gjitheve.

        Eshte sistem absurd!

        1. Faleminderit per sqarimin. E dija qe artikujt kerkoheshin edhe per ate qe quhet doktorature kumulative qe shkurtimisht eshte nje titull qe i jepet nje personi qe ka MA dhe ka botuar te pakten 3 artikuj ne revista te huaja me faktor impakti 1.0 (cdo te thote kjo?) dhe i paraqet si pune doktorature. Me ka rene ne dore nje prej ketyre doktoraturave kumulative dhe nuk mund tu besoja syve. Nje kolazh pacavuresh!

          Kjo rregullore besoj eshte rezultat i nje vendimi qe edhe mund te rrezohet: nuk eshte e mundur qe ky vendim te na duket vetem ne absurd. Nuk e kuptoj pse keta doktorante jane te gatcem te shesin shpirtin per te perfituar doktoraten nderkohe qe kjo i bie te mos kete me asnje kuptim! Sipas nje llogjike racionale i bie qe shume pak do ti futeshin nje rruge qe eshte kaq absurde. Por kam frike se nje pjese e mire as qe e kane idene se si ne fakt duhet te funksionoje procesi dhe niveli intelektual qe pritet ne kete shkalle, nderkohe qe nje pjese tjeter eshte formuar ne perendim (Itali kryesisht) e di fare mire dhe prap ben sikur nuk e ka idene! Fakti qe # i doktoranteve vjen duke u shtuar me thote qe ky absurditeti i dy artikujve nuk eshte dhe aq i papranueshem per ta, sidomos ngaqe e kane kuptuar se niveli qe kerkohet eshte aq medioker sa me qyl te botojne nga keto artikujt sesa te kerkojne standarde te reja ose te terhiqen fare nga kjo pune qe nuk e kane dhe aq seriozisht. Dhe kur bie fjala pastaj ankohen se keshtu eshte sistemi. Keta riprodhojne sistemin dhe mediokritetin brenda dhe jashte tij. Dhe mua sistemi ketu ne USA per sigurimin e fondeve per punen kerkimore dhe erozioni e pozicioneve full tenure track ne akademi me trishton aq shume sa hoqa dore!

          Kot sa per krahasim: kam pasur footnotes ne kapitullin te pare te tezes MA aq tekst ca ckane keta ne nje artikull.

        2. Relapso, mendoj se kriteri per te botuar dy artikuj ne revista nderkombetare eshte me se normal. Nqs kandidatet per PhD nuk mund te botojne te pakten dy artikuj ne revista nderkombetare, atehere le te merren me ndonje pune tjeter. Irani psh e ka kete kusht 3 artikuj dhe jo dy. Madje mund te vihet dhe nje kusht i dyte, qe revistat ku botohen keta artikuj te kene impact factor psh >0.7. Dhe per promovimin ne pozicione si assistent profesor dhe profesor duhet te marrin parasysh edhe citimet qe jepen ne “scopus” apo analoge te scopus””.
          Aktualisht per vitin qe jemi ne vazhdim revista “Mediterranean Journal of Social Sciences” eshte pranuar te pasqyrohen artikujt e saj ne scopus, prandaj gjerat nuk duken te jene aq te zesa per kete reviste sa thuhet ketu nga ndonje komentues

          1. Desha te bej dhe nje shtese, para disa vitesh studjuesit nga disa universitete si Berkli, California1 etj ne USA vendosen te refuzonin te benin review te artikujve per te cilet madje detyrohen ti blejne nga revistat me nje cmim nga 25-40 $. Kjo beri te mundur te linde tendenca e re me open access, ashtu si revista per te cilen behet fjale. Eshte nje lufte per egzistence midis modelit ku perfitimet i kane shtepite botuse dhe modelit ku perfitimet i kane studjuesit, te cilet nuk jane te detyruar ti blejne artikujt. Bibloteka e instituteve kerkimore dhe uiteteve paguajne miliona evro ne vit per te pasur access on line ne shume revista.

    3. “Ministria italiane i ka ndare ne grupe revistat, Fascia A, Fascia B etj.”

      Mos ia fut kot! Keto fascia-t qe thua ti jane te gjitha online. Per dy sekonda i gjen ne google. Ja, qe te mos lodhesh ti, po ta jap une linkun e fashos A.

      http://anvur-miur.cineca.it/?q=it/riviste—classe-a

      Revista “Mediterranean Journal of Social Sciences” nuk gjendet as ne fasha e as ne ushkure.

  8. Nuk te akuzova ty personalisht per zili ore jo, e them ne pergjithesi, adresa e vendosur nuk besoj se jane aq idiote sa te vendosin adresen e nje hoteli por une e kerkova ne google dhe ajo adrese me del e disponueshme dhe nuk me del hotel, me del nje hotel me emrin e rruges por ne nje rruge tjeter. shikoje mire 🙂 sa per cilesine, nuk po mbroj gje, po them qe ka artikuj te mire ka dhe artikuj jo cilesore. dhe po te shikosh jane kryesisht artikujt nga shqiperia qe nuk jane aq cilesore. Pastaj pse nuk shihen qendra te tjera,sa ka revista neper bote (shiko david publishing)..ik e bej nje xhiro aty ke artikuj plot nga shqiperia dhe david publishing gjithashtu eshte ne listen e publikuar nga bibliotekari i denverit..dhe raste si ky ka plot, shiko ne maqedoni ke nje reviste te tille qe publikon gjithshka sidomos nga shqiptare..gjithsesi edhe nejhere po e them nese do ti por edhe te tjeret te gjykojne mbi nje reviste duhen se pari te nisen nga indeksimet e saj..me pas te shohin sa artikuj ka botuar nje X person ne nje numer ka 4 5 opo 6..

    1. “sa per cilesine, nuk po mbroj gje, po them qe ka artikuj te mire ka dhe artikuj jo cilesore. dhe po te shikosh jane kryesisht artikujt nga shqiperia qe nuk jane aq cilesore.”

      Atehere si mund te flitet per indeksimin e ketyre revistave nese edhe ti e pranon qe cilesia e artikujve nga autore shqiptare eshte ne pergjithesi e dobet, pa permendur pastaj raste ku mbi 80% e artikullit eshte kopjim. Sinqerisht nuk ma ndjen fare per obligimet qe paskan keta doktorante e pedagoge te nderuar nese me vetedije botojne artikuj te nje niveli undergrad. Vertete shkencat sociale jane subjektive por shume prej artikujve u mungon rigoriziteti akademik qe pritet ne kete nivel.

  9. Për çudi, tryeza e lëndës e revistës Mediterranean Journal of Social Studies, Vol 4, No 6 (2013) ndryshoi brenda natës.

    Nëse deri dje njëri prej autorëve rezultonte me gjashtë artikuj, sot i janë lënë dy artikuj vetëm.

    Shikojeni vetë:

    Duke klikuar këtu do të shihni tryezën e lëndës të atij numri, ashtu siç del sot në ueb.

    Ndërsa duke klikuar këtu do të shihni tryezën e lëndës ashtu siç dilte dje, që unë e rikuperova nga Google Cache.

    Numërojini vetë frekuencat.

    1. Eshte e cuditeshme vertet qe mund te hiqen e vihen emra pas procesit te botimit. Kjo, e kam shprehur edhe ne nje koment me lart, perben nje problem serioz te revistes.
      Nga ana tjeter, te jesh bashkeautor ne disa artikuj, kjo eshte normale, nuk behet fjale per punen direkte te te personit ne fjale por per punen e te tjereve ku emri i tij eshte futur ndoshta per hater nga autori, apo ndoshta me verejtjet apo komentet ka kontribuar tek artikujt e kolegeve te tij, apo ndoshta ka kontribut thelbesor ne artikull-kete nuk mund ta dime. Mendoj se duhet ta shohim ne total punen e ketij grupi dhe nqs nuk ka verejtje shkencore per artikujt, ky grup pune duhet pergezuar.

      1. Dakord – le të mos paragjykojmë. Por shtatë artikuj në një numër, edhe si bashkautor, tërheqin vëmendjen.

        Por pastaj sheh se e njëjta revistë, vetëm për këtë vit (2014), ka nxjerrë deri më sot 14 numra (http://www.mcser.org/journal/index.php/mjss/issue/archive)
        dhe secili nga këta numra ka rreth 500-800 faqe.

        Jemi në nivele prodhimi industrial.

        Në këtë kontekst, shtatë artikuj si bashkautor në një numër të vetëm tërheqin edhe më shumë vëmendjen.

  10. Ja edhe një paragraf i marrë rastësishëm, nga një artikull, te kjo revistë, për çështje të semantikës së tekstit (besoj). Lexojeni dhe nxirrini vetë përfundimet. Më vjen keq të përmend emra, pra: prandaj tash për tash po mjaftohem me të famshmin Noma Nhomsky.

    Also, this makes the hypothesis go forward that the process of “understanding a sentence” can be partly explained according to the notion of of the linguistic level. Especially, to understand a sentence it is important to know the basic sententes from where they originate (more exactly the last lines that are in the base ofthese sentences) and the structure of the syntagma of each of the first componentsas well as the history of tansforming the given sentences into the basic ones (Noma Nhomsky,(1957)2011;113).The structure of syntagma signs the starting point of fulfilling the functions of the words in the lexical and grammatical aaspect. In the traditional linguistic such structures are named word groups, in modern linguistic they are named syntagma.The semantic relations of the words in the group of syntagmas are formed being based on the naturallity of connections known from the linguistic consciousness(the independent grammar from
    the lexical meaning), always meaningful and formal (Noma Chomsky,(1957)2011;113).

    Ose edhe:

    Metaphor is showed as the prime principle of the meaningful movement.This is noticed in all kinds of
    metaphors.The absolute metaphor springs from a a prime situation,original,which calls for experience in order to remember the compasision of a view in a short period of time(the presence of a meaning in a short period of time,or of a meaningful relationship unforgettable for its own nature)A concrete situation in which the metaphor is present starts and disappears gradually in the importance of the metaphoric connection although the first nouns faint in the adjective quality.

    Këto tekste nuk i ka parë askush pasi janë shtypur, madje as autorët vetë – meqë të paktën një kontroll ortografik anglishtes do t’ia kishin bërë. Të paktën.

  11. Xha Xha! Te faleminderit per kohen qe harxhon per te qemtuar tema te tilla por mos humb me energji per te bindur disa ketu se revista ne fjale nuk eshte serioze. Kjo sepse cdo person me nje pervoje te paket akademike e kupton fare mire sapo lexon nje artikull te fushes se tij te publikuar nga kjo reviste se me cfare malli kemi te bejme. Kjo reviste nuk eshte serioze dhe pike. Akrobacirat ala ballkanase te tipit, liri-demokraci, i madhi kunder te voglit, pisllek eshte ngado etj. jane thjesht justifikime nga njerez qe nuk e dine se per cfare po flasin apo qe u djeg se mund te kene publikuar vete ndonje artikull aty.

    Natyrisht qe ka nje problem sot me shtrenjtesine e artikujve per ata qe duan t’i perdorin dhe me aksesin e tyre por kjo s’ka lidhje me rastin ne fjale. Eshte gjithashtu afermendsh se ndonje artikull me vlere mund te kete ne kete reviste por kjo nuk e ben reviste serioze, aq me teper te klasit A. Ashtu sic nje lojtar i mire mund te gjendet edhe ne ndonje ekip fshati po kjo nuk e ben ekipin cilesor.

    Nje rast i ngjashem ndodh me njefare David Publishing qe denoncohet nga i njejti blog:

    http://scholarlyoa.com/2012/02/29/david-publishing-flipping-its-model/

    Edhe keta kane nje sere revistash ku mund te botoje shumekush. Kane nje menyre shume interesante se si te afrohen dhe mund ta hash karemin kollaj. Edhe aty kam vene re nje numer te konsiderueshem artikujsh nga autore shqiptare. Nese per rastin qe permendet ne shkrim dyshohet per autoresi shqiptare, ky rast qe po permend une dyshohet per autoresi kineze. Pra sepaku shqiptaret nuk kane gisht ne organizimin e tij. Por ka nje numer te konsiderueshem qe botojne aty kundrejt pageses. Personalisht besoj se disa prej tyre jane thjesht “viktima” te cilet kane nevoje te deshperuar te botojne. Une besoj se ia vlen te diskutohet se cfare po ndodh ne ambientet akademike shqiptare qe i ben ata kaq te prirur drejt ketyre lloj revistave. Aq me teper qe ne kete blog eshte diskutuar per arsimin dhe madje eshte hedhur ideja alternative se masivizimi nuk ka dhe aq faje ne kete mes.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë