Në vijim të udhëtimit gjuhësor nëpër shqipen e anonimatit online, veçanërisht të asaj në forumet e uebit 2.0, dua të ndalem pak në një shenjë pikësimi që do ta quaja specifike për këtë mjedis: shumëpikëshi.
Ndryshe nga elipsi (…), i cili i ka funksionet të mirënjohura dhe të përkufizuara mirë, shumëpikëshi – që duket sikur rrjedh prej elipsit – ka marrë përsipër funksione të tjera, të reja; duke u shndërruar tani si një nga shenjat patognomonike të shqipes 2.0.
Le të shohim shembullin më poshtë, të nxjerrë në mënyrë të rastësishme nga një forum komentesh online:
Teksti përmban tripikësh dhe shumëpikësh (këta të fundit të ndërtuar me 4, 5, 6 dhe më shumë pika); por edhe një shenjë me funksion të ngjashëm, të ndërtuar këtë herë me pranëvënie presjesh (,,,,,,,) – çfarë dëshmon se thelbi i kësaj shenje pikësimi (le ta quajmë shumëpikësh) nuk është ndonjë shenjë pikësimi e caktuar (p.sh. pika), por përsëritja e lirshme e një shenje pikësimi që përdoret për të shënjuar kufij – dhe që, në raste të caktuara, mund të jetë edhe presja.
Meqë flasim për kufij, në shqipen e shkruar kufijtë mes fjalëve i shënon hapësira fjalëndarëse; ndërsa mes fjalive pika; ka edhe raste të ndërmjetme, si presja dhe pikëpresja që shënojnë kufij më të butë – pauza të frymëmarrjes, ose ndërprerje të paplota të mendimit.
Nga shembulli që sjellim, duket sikur ka një konflikt të lehtë midis hapësirës fjalëndarëse dhe shumëpikëshit: ndonjëherë hapësira paravendoset, ndonjëherë tjetër pravavendoset, dhe ndonjëherë mungon krejt.
Përndryshe, kemi të bëjmë me një tekst që i ndjek disa konvencione të shqipes së shkruar – për shembull, duke i ruajtur distancat midis fjalëve.
E megjithatë, siç e përsiata edhe në një shkrim tjetër, unë do t’i quaj këto as manifestime të shqipes së shkruar, sikurse nuk do t’i quaj tejshkrime të shqipes së folur; dhe as përpjekje për të shkruar të gjysmë-analfabetëve. Kemi të bëjmë, përkundrazi, me një lloj të ri ligjërate, që i plotëson kriteret për t’u trajtuar veçan.
Për shkak të përdorimit sistematik të shumëpikëshit, teksti në shembullin që sollëm i paraqitet syrit si i ndërtuar me segmente, të cilat janë lidhur njëfarësoj me pikësim, por lidhja vetë nuk është ngurtësuar. Segmentet e veçanta mund t’i marrim, në këtë rast, si thënie – që shpesh ka kryefjalën dhe kallëzuesin e vet, p.sh.: Çdo sistem ka të mirat dhe të këqiat e tij.
Në raste të tjera, shumëpikëshi ndan segmente të cilat nuk qëndrojnë dot më vete si fjali, p.sh.:
sot e ke xhepin plot me diploma false … dhe mendjen bosh ….. Vetëm një aspekt …….. një paralelizëm …. dhe ça disniveli …..
Këtu të gjitha segmentet, përveç të parit, nuk kanë predikativitet; dhe nëse i dyti (dhe mendjen bosh) mund t’i bashkëngjitet të parit për të përftuar një fjali me pjesë të bashkërenditura (Sot e ke xhepin plot me diploma false dhe mendjen bosh), të tjerat pluskojnë të lira, pa çka se shumëpikëshit vazhdojnë sa t’i ndajnë, aq edhe t’i bashkojnë me njëra-tjetrën.
Doemos, kjo mënyrë ndarjeje shënjon edhe ajo pauzë; ose ftesë që i bëhet lexuesit për të reflektuar mbi çka është thënë deri tani; sikurse shënjon një mungesë ngjizjeje ose artikulimi logjik të mendimit tek folësi. Për nga forma, ky lloj teksti vjen dhe i afrohet artikulimit të lirë ose asaj që surrealistët e quanin écriture mécanique. Sikurse e kanë vërejtur, ky lloj ligjërimi i lënë qëllimisht i pa-artikuluar, në të vërtetë nuk arrin të shprehë veçse klishe, siç ndodh edhe në shembullin tonë. Duket sikur subjekti i thëniezimit (ose personi që e përfton këtë tekst) e lë veten të flitet nga shqipja rutinë; qëllimisht, ose për t’u paraqitur si tribun i mendimit popullor.
Të vërehet, këtu, edhe natyra aforistike ose proverbiale, e disa prej segmenteve: sot po nuk shkele mbi kufoma nuk bëhesh i pasur; një popull po humbi vlerat ka humbur identitetin; janë sistemet që përcaktojnë pozicionin njerëzor; sot e vetmja parullë është ‘Vdekja jote …. jeta ime’. Edhe për proverbin, e kanë vënë re prej kohësh natyrën e tij citacionale, ose mënyrën si funksionon në thënie duke iu referuar jo subjektit të thëniezimit, por një burimi kolektiv a depozite të dijes dhe të urtësisë.
Mënyrës së funksionimit të proverbit – si ligjëratë e normalizuar e Tjetrit – i afrohen edhe disa thënie të tjera, që në fakt janë edhe ato ligjërata të zhdrejta, ose kanë natyrë mimetike, meqë rimarrin fjalët e të tjerëve:
sot… njerëz pa ideale….. s’ka të majtë e të djathtë… thjesht …… na …. nëm të jap kaq dollarë nëm një vend pune …. të jap kaq dollarë nëm një tender,,,,,,,,,, të jap kaq dollarë ,,,,,, më jep një gomar.
Të gjitha segmentet në të pjerrëta janë, në fakt, mimetike, meqë rimarrin fjalë të së tjerëve, duke i sjellë si mostra të një mendësie të caktuar.
Struktura e teksteve të tilla është më e ndërlikuar se ç’mund ta sugjerojë mediumi; bashkërendimit ose pranëvënies (parataksës), që sinjalizohet edhe nga shumëpikëshit, i përgjigjet një hierarki tjetërlloj, më e shtresëzuar, në thellësi.
Ndonjëherë, duket sikur shumëpikëshi nuk ka funksion tjetër, përveçse t’i japë vetë folësit kohë që ta vazhdojë mendimin – po të kemi parasysh se tekste të tilla thjesht prodhohen në mënyrë lineare, pa u përpunuar si tekst i shkruar standard; dhe pa ardhur gjë si rezultat i ndonjë përgatitjeje paraprake.
Për shembull:
Edhe njerëzit ishin më të drejtpërdrejtë……. kishte kundër dhe pro …. atij sistemi ….. sot ….njerëz pa ideale….
Edhe pse kjo të kujton një lloj teknike të rëndomtë që shkrimtarët përdorin për të dhënë me shkrim të folurit përçart, nuk mund ta likuidojmë kështu çfarë kemi përpara. E megjithatë, nuk është e lehtë të merret me mend funksioni i shumëpikëshit midis pro dhe atij sistemi; sepse është një shumëpikësh që ndan çfarë zakonisht nuk ndahet: parafjala nga emri përkatës. Hipoteza që të vjen në mend, është dëshira e folësit (shkruesit) për t’i dhënë tekstit një farë efekti ajsberg; ose për të lënë të kuptohet se çfarë po thuhet është vetëm një përqindje e vogël e çfarë mund të ishte thënë.
Nga pikëpamja tipologjike, teksi që kemi sjellë si shembull paraqitet si monolog; dhe kur e lexon, pothuajse edhe dëgjohet si monolog. Dhe ky monolog na vjen i shkruar vetëm e vetëm sepse mediumi që detyrohet të përdorë autori i tij nuk lejon alternativë tjetër – përndryshe, kushedi forma e folur do të kish qenë më e përshtatshme, për të angazhuar audiencën (publikun). Po të përdorim kriteret e dendurisë leksikore të M. A. K. Halliday-t (Spoken and Written Language, O.U.P., 1992), përkatësia e tij në shqipen e folur nuk do të vihej në dyshim.
Megjithatë – dhe kjo ka rëndësi – përdorimi krijues dhe i pashembullt i pikësimit, përfshi këtu edhe shumëpikëshin por pa u kufizuar me të – tregon se përdoruesit e mediumit janë të vetëdijshëm për mundësitë e reja shprehëse që u ofron tastiera – e cila veç shkronjave (që u përgjigjen fonemave të vargut të folur), përmban edhe shenja pikësimi.
Kësisoj, përdorimi krijues i pikësimit, së bashku me disa risi të tjera – që do t’i trajtojmë veçan, si ajo e shkronjës së madhe ose e fjalëve me shkronja të përziera (baMIRësi), ose emotikonat dhe loja me fontin: të theksuara, të pjerrëta, etj. – i ofrojnë këtij lloj ligjërimi armaturën grafike të nevojshme, për t’u përftuar dhe konsoliduar si formë e pavarur, edhe pse ende hibride, e përdorimit të gjuhës.
Shënim: Me kumtesën që mbajta në tubimin albanologjik të Pogradecit (qershor 2014) preka disa aspekte teorike të përdorimit aktual të shqipes në Internet, kryesisht në ballafaqim me standardin e shkruar. Atje mbrojta idenë se shmangiet nga standardi i sotëm nuk janë vetëm shenja të alfabetizimit të pamjaftueshëm ose të mospërfilljes për rregullat gjuhësore a revoltës ndaj tyre; por edhe tipare të hapësire të re, specifike, të përdorimit të shqipes në mediumin elektronik. Shumëpikëshi është ilustrim i kësaj ideje; por vetëm një nga të shumtit; që bind se shqipes së Internetit nuk mund t’i qasemi si të ishte formë aberrante e shqipes së shkruar.
Tekste të tilla e ballafaqojnë analistin me një detyrë disi paradoksale: hulumutohet një ligjëratë as e shkruar as e folur me mjetet e këtyre të dyjave. Mirëpo vetë ligjërata e improvisuar (po e quaj kështu), e shkrehur prej rrjetit elektronik, përdor mjetet e të shkruarës dhe të folurës: gërma, shenja pikësimi, gramatikë, sintaksë, etj. Por në të njëjtën kohë i përdor këto mjete në mënyra që shpesh sfidojnë ligjet e së shkruarës e së folurës (p.sh. fillimi i fjalive me shkronjë të madhe, paçka se imitohet rrjedhshmëria dhe automatizmi i mendimit). Zor të arrish të përkufizosh ligjet që sundojnë ketë ligjeratë të re.
Ajo që duket haptazi është se ky lloj komunikimi do të bjerë në sy, p.sh. të tërheq vëmendjen përdorimi idiosinkratik i thonjëzave here njëshe, herë dyshe, dhe të presjve në grup që visualisht evokojnë thonjëzat. Pra, ka një karakter parodik, që i jep identitet dallues, dhe, them, se do të mbetet hibrid dhe i prirur për eksperimente anarkiste. Aq më tepër, sepse vetë medium i rrjetit i ofron hapësira të lira folëses/folësit të mbështillet me mjegullën e frazave impersonale, si klishet e përmendura më lart, dhe të luaj (here përçartazi, here esëll) me tastjerën, pa u përballur me përgjegjësinë që kërkon normativisht ligjërata e shkruar apo e folur.