A na duhen vërtet presjet, kur shkruajmë?
Deri 20-30 vjet më parë, kjo pyetje do të ngrinte shumë vetulla – por sot jo më; dhe “fajin” që dyshime të tilla i shprehim lirisht e ka, siç mund të merret me mend, komunikimi elektronik: kompjuterët, telefonat celularë, tabletat, ose çdo medium tjetër ku të shkruarit përpiqet – me mundim – që të përcjellë dinamikat e gjuhës së folur.
Deri edhe një gjuhëtar i njohur, së paku në ShBA, si John McWorter, ka shkruar tani vonë se “ne mund t’i heqim presjet nga një numër i madh tekstesh… dhe kaq pak humbje të qartësisë do të ketë, sa edhe të bëhet e mbrojtshme ideja që presjet mund të mos i përdorim më fare.”
Arsyet për këtë, veç karakteristikave të mediumit dhe të alfabetizimit të përciptë të shumë atyre që s’i përdorin më presjet online, kanë të bëjnë me paqartësitë në vetë rregullat e përdorimit të presjes, së paku në anglishte. Të gjithë dimë t’i përdorim pikën dhe pikëpyetjen – por presja na ofron një hapësirë të lirisë në përdorim, të cilën fare mirë mund ta përdorim edhe për ta hequr qafe vetë presjen.
Pavarësisht nga ato raste të njohura, dhe të cituara kudo, kur përdorimi i kësaj shenje pikësimi lejon të shmangen keqkuptimet.
Kjo do të thotë edhe për shumë prej nesh, sidomos për ata që nuk janë mësuar t’i shprehin mendimet e tyre me shkrim në rrugë tradicionale (p.sh. duke përgatitur një temë kursi në universitet ose një artikull për një revistë shkencore), pikësimi është si vijat e bardha, ose pirja e duhanit në kafene: detyrim i mërzitshëm. Ndokush madje mund ta shohë pikësimin, dhe kushedi edhe e ka parë, si manifestim të pushtetit të gramatikanëve mbi gjuhën; në kuptimin që çdo shenjë pikësimi që përdorim, shërben si njohje prej nesh e atij pushteti.
Ergo, le të rebelohemi, pra.
Anne Curzan, nga universiteti i Michigan-it, jep – besoj unë – shpjegimin e drejtë për çfarë po ndodh: në komunikimet e lirshme online dhe në mesazhet tekst, shumë shenjave të pikësimit ua kemi riformuluar funksionin (shih artikullin e lartcituar, në Slate). Me presjen kjo nuk ka ndodhur. Trepikëshi (ose elipsi), për shembull, ka mbijetuar, madje po lulëzon, si mjet shprehës i pasigurisë, ose i skepticizmit; pika për të shprehur seriozitet ose zemërim; por për presjen nuk është formuluar dot funksion i ri.
Natyrisht, çfarë vlen për anglishten mund të mos jetë njëlloj e vërtetë për gjuhë të tjera, me rend fjalësh më të lirshëm, si shqipja. E megjithatë, që presja është rralluar dhe madje zhdukur krejt nga një kategori tekstesh shqipe online, si komentet në faqet ueb të gazetave, e kemi konstatuar të gjithë.
Çfarë duket edhe më paradoksale, është që kjo bjerrje e presjes nuk është shoqëruar me ndonjë drejtvizim të ligjëratës; përkundrazi, tekstet në komentet mbeten të copëtuara, ose të ndërtuara me blloqe të shumta të pranëvëna – që nuk arrijnë të ngjiten mes tyre.
Në shembullin më poshtë, të nxjerrë nga një faqe e rastësishme, ende gjen tek-tuk ndonjë presje, por të përdorur në vend të pikës; ose si shenjë ndërprerjeje universale. Nga ana tjetër, aty nuk mungojnë vetëm presjet, por edhe, natyrisht, pikat, apostrofët; dhe, sidomos, shkronjat e mëdha të shtypit.
Arsyeja si të thuash “fiziologjike” për të gjitha këto lidhet me ekonominë e të shprehurit: për tekste të shkruara nëpërmjet celularit, çdo shkronjë e madhe kërkon dy “trokitje” (shift + shkronjë). Për të njëjtën arsye, ose duke qenë pikësimi i arritshëm nëpërmjet një tastiere të dytë, çdo shenjë pikësimi do të kërkonte tre “trokitje”.
Dua të them: në mjediset e uebit 2.0, veçanërisht kur komunikohet nëpërmjet pajisjeve mobile (telefona, tableta, etj.), pasiguria e përdoruesve në pikësim amplifikohet nga vështirësitë (relative) për t’i përftuar shenjat e pikësimit.
Arsyetimit të Curzan, më lart, unë do t’i shtoja vetëm që edhe rrallimi, edhe riformulimi i funksioneve të shenjave të pikësimit tregojnë se një pjesë e mirë e teksteve të tilla nuk janë më as të ligjëratës së shkruar, as të asaj të folur; por të një kategorie të tretë, së cilës i duhet gjetur emri; dhe që nuk mjafton të merret si një përzierje e dy kategorive të tjera, që i paraprijnë.
Në parim, pikësimin kaq “krijues” në tekstet shqip online dhe të mesazhimit celular unë nuk do ta quaja si shmangie nga norma; meqë norma e kësaj forme të re komunikimi ende nuk është kristalizuar. Njëlloj do të ishte sikur të denonconim mungesën e presjeve në ligjëratën e folur, ose të intonacionit në ligjëratën e shkruar.
Kjo që them ka edhe implikime praktike: në vend që t’u themi të tjerëve, sidomos fëmijëve, se bëjnë “gabim” kur i pikësojnë thëniet e tyre online në mënyrë aq krijuese, më mirë do të ishte t’u shpjegonim, me këmbëngulje, se ku pikërisht, ose në ç’medium e në ç’kontekst, duhen respektuar rregullat tradicionale të pikësimit.
Pra bëhet e nevojshme edhe një qasje e re ndaj alfabetizimit (literacy): jo më si kufi social që ndan botën e shkruar nga oralja, por si aftësi për të përdorur rregulla të ndryshme gjuhësore në ligjëratë, sipas mediumit dhe kontekstit.