Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PRINC WIED-IN TA LUTËSH…

Flitet këto ditë për një guvernator të huaj për Bankën e Shqipërisë, a thua se është fjala për një lojtar të huaj që do ta shpëtojë skuadrën tonë lokale nga rënia në kategorinë e tretë.

Normale do të ishte, në fakt, të flitej për një guvernator të mirë: të përgatitur, të aftë, të virtytshëm, me profilin e nevojshëm brenda dhe jashtë vendit. Nëse këto kritere i plotëson maksimalisht një qytetar i Burkina Faso-s, pse jo? (Edhe pse ligji i tanishëm duhet ndryshuar, por nuk do të ishte hera e parë, as e fundit, që ligjet ndryshohen ad hoc).

Çështja nuk është tek të qenit i huaj apo jo i guvernatorit të mundshëm, por te fakti që të qenit i huaj po sillet në vështrim si kriter i favorshëm për përzgjedhjen.

Një gazetë, para pak ditësh, fliste për “një princ Wied për financat shqiptare” – pa çka se krahasimi është kaq i palumtur, po të kujtojmë fundin e princ Wied-it të mjerë!

Dhe, për më tepër, ata që e duan ose e përsiatin këtë guvernator mercenar, e bëjnë jo ngaqë kanë ndonjë gjigand në mendje, por ngaqë nisen nga premisa se shoqëria shqiptare e ka praktikisht të pamundur që t’i përzgjedhë elitat nga vetja me paanësi.

Vetëm një outsider, por me autoritetin e nevojshëm, do të mund të garantonte, sipas këtij këndvështrimi, lirinë relative nga vetot e kryqëzuara dhe varësinë ndaj partive politike, grupeve parakriminale dhe grupeve të tjera të interesit.

Pa çka se kjo do të thotë se shoqëria shqiptare nuk arrin dot të nxjerrë ndonjë përfitim çfarëdo nga sovraniteti.

Dikur, në vitet e largëta të autarkisë totalitare, flitej sotto voce për virtytet e “privatit”; sot flitet për virtytet e tjetrit, ose të atij që vjen nga jashtë, për të rregulluar punët e brendshme.

Ka edhe një analogji tjetër me totalitarizmin, që duhet bërë: në atë kohë, nëse duhej të lëvizte diçka, duhej ndërhyrja e “të madhit” – në kuptimin që sistemi nuk arrinte dot të reagonte ndaj sfidave të reja dhe të papritura, pa komandën e kujt qëndronte jashtë sistemit vetë: Enver Hoxhës.

Rolin e liderit suprem sot e ka marrë i huaji – jo si i tillë, ose si bartës i një kulture politike dhe teknike të caktuar, por si i jashtëm ndaj sistemit; dhe që mund të jetë individ, si në rastin e guvernatorit; por mund të jetë edhe kompani (si në rastin e doganave), institucion (gjykata ndërkombëtare e Hagës), shtet mik (“Amerika”) ose organizatë ndërkombëtare (NATO, BE-ja).

Gjymti i rëndë i shtetit shqiptar sot është se nuk arrin të përftojë autoritet.

Mediat përcollën, para pak ditësh, lajmin se edhe personi i implikuar me skandalin e pedofilisë në Sarandë, që tani gjendet në burg, kish vendosur që t’i drejtohej Hagës – meqë nuk kish besim se gjyqësori shqiptar do të mund ta gjykonte paanësisht.

Ne nuk i respektojmë institucionet që nxjerrim vetë, sikurse nuk respektojmë politikanët që i votojmë vetë; por ëndërrojmë të qeverisemi, qoftë edhe përdhunshëm, nga një forcë e largët dhe e padukshme.

Modeli ynë i kujdesit institucional është sqetulla.

Gjetiu e kam quajtur këtë mani tonën për t’i marrë urdhrat nga larg si sindromë të “perandorisë zero”; në kuptimin që elitat tona refuzojnë ta shohin veten si të zgjedhura prej qytetarëve; duke parapëlqyer të jenë të zgjedhura prej të fortëve të botës – Amerikës, NATO-s, BE-së.

Efekti i kësaj sindrome ndaj shëndetit social nuk mund të jetë veçse shkatërrues: qytetari shtetin e vet kërkon ta ketë sovran. Në fakt, akti i fundit i rëndësishëm që jo vetëm shprehu sovranitetin e republikës, por edhe dëshmoi se çfarë efekti gjallërues ka ky sovranitet në vetëdijen qytetare, ishte refuzimi i armëve kimike të Sirisë nga kryeministri Rama. Janë akte të tilla që e mbajnë gjallë shpirtin qytetar – jo gatishmëria për t’u rreshtuar, për të thënë “edhe ne”, për të ulëritur pionierçe si qëmoti: “gjithmonë gati!”.

Jetojmë në një botë të rrjetëzuar si kurrë më parë; kufiri që na ndan nga Tjetri ripërkufizohet çdo ditë. Por ky fiksim absurd me të huajin, që do të vijë të na ndreqë punët, nuk është veçse ana e përkundërt e autarkisë së djeshme, kur kërkonim të ndërtonim gjithçka “me forcat e veta.”

Përndryshe, kjo humbje e përgjithshme besimi në elitat dhe në institucionet e drejtuara prej tyre logjikisht do të çonte – herët a vonë – në propozimin a në dëshirën e heshtur që edhe krejt vendi t’i lihej në dorë një administratori të huaj; një komisioneri a komisari, një teknokrati të BE-së ose i OKB-së – që të ndërmjetësojë, nga njëra anë, midis elitave dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe nga ana tjetër, midis po këtyre elitave dhe qytetarëve.

Pas një shekulli të tërë, rrezikojmë kështu të kthehemi mbrapsht në fazën e gjakimit për Princ Wied-in (madje edhe Haxhi Qamilët i kemi gati).

Deri më sot, të huajve u është besuar jo vetëm futbolli, por edhe sektorë të tjerë me impakt të madh në imazhin e institucioneve dhe të shtetit – që nga administrimi i aeroportit kombëtar e deri te konkurset që organizohen, me studio të arkitekturës nga gjithë bota, për deri edhe një nevojtore publike a një shatërvan.

Të huajt ndërtuan rrugën “e kombit”; tani do të ndërtojnë rrugën “e Arbrit”; të huajt na kontrollojnë detyrat e shtëpisë çdo javë; të huajt do të rregullojnë hidrocentralet dhe termocentralet; të huajt do të sjellin tramin dhe teleferikun; të huajt do të ndërtojnë stadiumin dhe ujësjellësin; të huajt do të sjellin makinën e syneteve; të huajt do të heqin plehrat e plazhit dhe do të mbledhin qentë e rrugëve dhe do të zbardhin ujërat e zeza; të huajt do të disiplinojnë doganat dhe do të moderojnë komentet; të huajt do të ndalojnë duhanin në mejhanet; të huajt do të hetojnë krimet e mëdha të shekullit…

(Po ne? Ne do të rrimë!)

Pa folur për hapësirën ndonjëherë revoltuese që u jepet ambasadorëve gjithfarësh, në komunikimin publik dhe në marrëdhëniet mes forcave rivale, në kokë të shtetit.

Pa folur edhe për makinën fotokopjuese, të shndërruar në autoritetin ligjvënës de facto më të lexuar e më të respektuar.

Roli që duket sikur i kanë gjetur vetes elitat, në këtë sistem të mbrapshtë, është ai i mëkëmbësit a i qehajait.

Çështja që mund të debatohet, në këtë mes, është nëse institucionet e tanishme, ashtu siç i kemi kërkuar dhe siç na i kanë sugjeruar të tjerët, mund të prodhojnë sovranitet; dhe vetëm më tej, nëse ky sovranitet është diçka e dëshirueshme apo diçka e rrezikshme, për një shtet të papjekur, si Shqipëria.

Në praktikë, përndryshe, çështja shtrohet ndryshe: dhe pikërisht, se kush do t’i marrë vendimet. Dhe nëse vërtet do të ngulim këmbë, me këtë dëshirë që vendimet më të rëndësishme të merren në tryezat “asnjanëse” dhe të përtejme, të organizmave që nuk përgjigjen para qytetarit shqiptar, atëherë sovranitetin e kemi humbur, dhe bashkë me të, edhe marrëdhënien organike të mirëbesimit midis qytetarëve dhe institucioneve.

 

Pa Komente

  1. S’po mësojmë nga e kaluara. Dje kisha në dorë “High Albania” të Edith Durham dhe në kapitullin e parë që shërben si përmbledhje shpejtë e shkurtër e historisë së shqiptarëve, ajo bën këtu e 100 vjetë një analizë të serialit shqiptar “Në kërkim të Guvernatorit të humbur”. Fjalët e saja: ” Scutari swarms with foreign consuls, and the Albanian has acquired the bad habit of crying to one and the other for help.” (Shkodra gëlon me konsuj të huaj, dhe shqiptari ka përvetësuar zakonin e keq që i qahet për ndihmë sa njërit-tjetrit.) Si duket ndaj pati aq jetëgjatësi filiozofia “me forcat tona, veç me forcat tona dhe me asgjë tjetër veç forcave tona”. Pa të dashur të marrë anën e asnjë skaji, sepse të kalosh nga njëra tek tjetra është si të hidhesh nga shiu në breshër, nëse qoftë larg duhej zgjedhur mes këtyre të dyjave, ndoshta është më e preferueshme të vuash konsekuencat e gabimeve të tua, se sa ato të të tjerëve.

  2. “PRINC WIED-IN TA LUTËSH…”

    Kokës i ke rënë me këtë, Xhaxha-i. Me trajtimin special që i bëmë Fullanit, kandidatët e jashtëm e lanë vrapin të gjithë për në Tiranë, dhe po presin jashtë derës, për intervistë, tek Kryeministri.

    “Dhe, për më tepër, ata që e duan ose e përsiatin këtë guvernator mercenar, e bëjnë jo ngaqë kanë ndonjë gjigand në mendje, por…”

    Kësaj nuk i dihet… 🙂 Për cdo rast, ja një gjigand për vendin vakant te guvernatorit. Dominique Strauss-Kahn, me profil të spikatur dhe përvoja të mëdha në fushën e Financës, Juridikut (!) dhe në ca fusha të tjera, po ashtu të spikatura… Alo, Rama?

  3. Milo deklaron se pjesen e komunizmit dhe ate te luftes do e shkruajne historianet te huaj
    http://www.gazetatema.net/web/2014/09/17/intervista-milo-pjesen-e-komunizmit-dhe-ate-per-luften-do-e-shkruajne-historianet-e-huaj/

    Realisht ka plot studiues te huaj qe kane objekt studimi Shqiperine dhe ne pjesen me te madhe kane bere pune per t’u pershendetur dhe nuk do te ishte aspak e cuditcme qe vetvetiu te perfshiheshin ne nje perpjekje si rishikimi i historise por ka dhe historiane shqiptare te pergatitur jashte qe do te ishin po aq te denje per kete detyre. Nje prej tyre eshte Elidor Mehilli, Princeton University, qe eshte i barabarte, ne mos edhe me i pergatitur se “te huajt”.

      1. Perfundimi eshte ai qe ka thene Gjorgjeviçi te “Shqiptaret dhe Fuqite e Medha”, se shqiptaret nuk jane ne gjendje te qeverisin veten e tyre.

        1. Deri diku i vertete, por qe duhet shpjeguar. Fenomen jo vetem shqiptar, por ballkanik.

          1. Keto jane zakonisht klishe raciste qe vijne nga zonat imperialiste, me prapavije te tipit, vijme ne t’ju qeverisim, dmth grabisim.
            Nuk dime, do mesojme, kush ka lindur i mesuar. Do behen gabime , do zgjatet nxenia, po pune e madhe, sikur e kemi me norme. Mire do ishte te mesonim shpejt, me sa me pak gabime, po ashtu kane rrjedhur gjerat, sikur keta kengetaret vijne nga kombe qe ne 2000 vjetet e fundit u ka hecur gjithnje fjolle, gjithnje pararoje e mireqeverisjes. Ja ashtu me breke neper kembe kane hecur per shumicen derrmuese te kohes, derisa arriten te hipin ne fik.

            Keto citime duhen shumezuar me zero, s’kane as seriozitet e as rigorozitet, ne rast se s’jane klithma raciste, jane renkime hallexhiu.

          2. Mire e ke ti po si i behet me kryeministrin tone qe ngul kembe per nje guvernator te huaj te bankes? Qysh kur eshte krijuar shteti shqiptar nuk kemi pasur kurre ne krye te bankes nje te huaj.

  4. Miloja ben si shakaxhi i rishikimit, Perderisa ka nje komision per rishikimin, atehere çdo presje do marre bekimin e Milos si kryetar komisioni, keshtu qe daktilografi ndaç te jete i huaj e ndaç vendas apo Mehilli dora vete.
    Miloja ne vend te beje qyfyre, te jape doreheqjen e te perpiqet te vendoset kryetar komisioni nje i huaj, i cili pranohet si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, pa keshtu me role daktilografesh le te vije edhe nga qendra e Universit.
    Miloja si kryetar komisioni eshte garanci e qarte qe rishikimi do te jete sipas midese se majte dhe kete s’e luan topi.

    Persa i perket guvernatorit, çdo shqiptar qe ka pozicion te larte, dmth eksperience e kualifikim, gezon mbeshtetjen e x apo y partie, keshtu qe do i duhet te beje lojen e x apo y partie, ndoshta edhe te dyjave bashke si bente Fullani.
    Po e more te huaj, vete natyra peshkaqense e bankierit e financierit , duke pare rrumpallen shqiptare do e shtyje te shqyeje sa te munde.
    Nga kjo gjendje mund ta nxirrte vetem Rama me raprezalje, po ai e ka mendjen te mbroje Golemin se eshte grua, a thua se hajduteria e krimi na paska gjini.
    Me raprezalje nenkuptoj shkarkimin e menjehershem prej Kuvendit te Fullanit, Golemit e nja 2-3 anetareve te keshillit mbikqyres qe sa doli skandali, hetim parlamentar me rrenje e rremballe, mbledhje provash e degdisje ne burg sa me pare. Presion politik ndaj gjyqesorit, nga 10 vjet burg te gjitheve dhe Guvernatori i ri e gjithe zinxhiri drejtues do te ishte shembullor, le t’i caktonte edhe Sala.

    Po nuk bere raprezalje, jo po pavaresia, ajo eshte grua, ky i pafajshem derisa ta shpalle fajtor gjykata, ehe le te vendosesh edhe Krishtin bashkeguvernator me Muhametin, s’ka per te ndryshuar gje.
    Keshtu si ka vajtur muhabeti, popullorçe i thone lirohu se lirohesh mire.

  5. Komisioni i Ekonomisë ka mirtuar sot kërkesën e një grupi deputetësh të PS-së, për të hequr ndalimin që u bëhej shtetasve të huaj për të qenë anëtarë të Këshillit Mbikqyrës në BSH.

    Kjo i hap rrugën zgjedhjes së një guvernatori të huaj.

    “Shtetësia shqiptare për Guvernatorin apo anëtarët e Këshillit Mbikqyrës nuk përcaktohet në Kushtetutë dhe për këtë arsye nuk ka pse të jetë e përcaktuar as në ligjin për Bankën”, është argumentuar nga Komisioni i Ekonomisë.

    29 deputetë të PS dërguan pesë ditë më parë në Kuvend nismën për të ndryshuar ligjin, duke propozuar që të bëhet shfuqizimi i fjalëve “shtetas të Republikës së Shqipërisë” në ligjin e Bankës së Shqipërisë.

    Gjithashtu në draftin e paraqitur propozohej që shtetësia shqiptare të mos jetë kusht as për anëtarët e Këshillit Mbikqyrës.

    http://www.gazetadita.al/guvernatori-i-huaj-hiqet-kriteri-i-shtetesise-2/

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin