Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Muzikë

RRETH DISA TERMAVE SHQIP TË MUZIKËS

nga Ilir Polena

Dihet së muzika është art i veçantë, që shprehet me tinguj, por që asocacionet e tyre nuk janë aq të drejtpërdrejta sa asocacionet e fjalës, gjuhës letrare në përgjithësi, si dhe jo aq konkrete sa figurat e pasqyrimit të dukurive dhe objekteve të botës reale në artet figurative. Prandaj ka lindur nevoja mbase më tepër se në artet e tjera, që përmbajtja, konceptet, si dhe mjetet shprehëse të muzikës të jepen me terma të veçanta muzikore, të cilat lindën dhe u kristalizuan gjatë gjithë historisë së zhvillimit të artit muzikor. Për rrjedhojë, njohja e terminologjisë muzikore për muzikantët profesionistë, amatorët e muzikës, dëgjuesit e thjeshtë, si dhe nxënësit e rinj muzikantë bëhet faktor i rëndësishëm për të komunikuar, diskutuar, analizuar dhe studiuar probleme të ndryshme teorike dhe praktike të muzikës, të cilat hasen në analiza, studime, tekste shkollore didaktike dhe çfarëdolloj materiali teorik muzikor.

Krijimi i terminologjisë muzikore ekzistuese, ashtu si dhe vetë krijimi dhe zhvillimi i muzikës si krijimtari, ka karakter historik. Çdo term muzikor i përgjigjet një përmbajtjeje të caktuar, një epoke e stili apo rryme të caktuar muzikore, të kristalizuar në rrethana të caktuara historike. Së bashku me mendimin muzikor ka lindur dhe është përtërirë edhe terminologjia muzikore. Në kuadrin e kësaj dukurie dialektike, disa terma jetuan më pak, sepse ishin të një epoke artistike-historike të shkurtër, ose të përkohshme, prandaj dhe koncepti, mjeti shprehës, ashtu si dhe forma muzikore apo instrumenti kishin jetë të përkohshme. Të tilla janë p.sh. “Base albertievë”, “Kantus firmus”, “Viola de gamba”, “Riçerkar” etj. Por, në fondin e gjerë të terminologjisë muzikore takohen dhe terma të tillë, si “Diapazon”, “Ritëm”, “Orkestracion”, “Dinamikë”, “Melodi” etj. të cilat, tashmë janë bërë atribute dialektikisht të pandashme nga çdo lloj prirje e re ose e vjetër e artit muzikor. Në faza të mëvonshme, evoluimi i përmbajtjes muzikore, ndryshimi, mohimi ose ripërtëritja e koncepteve krijuese estetike e pasuroi fjalorin muzikor dhe me terma të reja, si :Realizëm”, “Modernizëm”, “Dodekafoni”, “muzikë elektronike” etj.

Muzikologjia jonë relativisht e re, që e filloi rrugën e saj vetëm në vitet 1940-1950, e ka përvetësuar terminologjinë nga burime të ndryshme teorike, që vijnë nga gjuhë, epoka dhe rryma të ndryshme historike, duke u përdorur paralelisht ose të alternuara në literaturën teorike muzikore të botuar në gjuhën shqipe. Duke patur parasysh dhe mungesën e kompetencës profesionale,  në përdorimin e terminologjisë muzikore vihen re mjaft paqartësi, kontradikta dhe probleme konceptuale, për të emërtuar, p.sh. stile muzikore, lloje të muzikës, forma muzikore, vihem re shprehi të pasakta gjatë punës pedagogjike, në studime teorike ose interpretative, si mungesa të një unifikimi terminologjik, madje dhe probleme të shqipërimit, të drejtshqiptimit ose drejtshkrimit të termave muzikore, që kërkojnë zgjidhje të shpejta nga shkenca muzikore në bashkëpunim me shkencën gjuhësore.

Në emërtimin e stilit dhe të shtjellimit muzikor, nuk ka ende ide dhe koncepte të qarta e të unifikuara, për të dalluar, p.sh. polifoninë nga  homofonia ose homofoninë nga monofonia. Kështu, këngët popullore të jugut përfshihen në termin “këngë polifonike”, kur në fakt elementet polifonike te disa këngë (sidomos në këngët popullore toske) zënë një vend të vogël, ndërkohë që këngët popullore labe janë të gërshetuara edhe me stilin homofonik dhe dallohen shumë qartë nga stili polifonik i mirëfilltë. Gjithashtu thjeshtohet problemi edhe për këngët popullore të krahinave të veriut, të cilat përmblidhen në një term të vetëm “këngë homofonike”, kur dihet se një pjesë e mirë e tyre janë shumë larg stilit homofonik, sipas konceptit të kristalizuar dhe një “zë udhëheqës (melodia) i shoqëruar me fakturë ritmiko-akordike”. Siç shihet nuk është thjesht një pasaktësi terminologjike, por dhe një problem shkencor e konceptual i rëndësishëm.

Konfondime dhe keqinterpretime ndodhin dhe në termat që i përkasin përcaktimit të llojeve të artit muzikor. Kështu, termat “Gjini”, “Zhanër” hasen të përdorura në mënyrë të njëjtë, p.sh. “zhanri (gjinia) i simfonisë”, “gjinia (zhanri) e këngës”, “gjinia (zhanri) i koncertit” etj. Njëkohësisht, fjala “zhanër” në disa raste përdoret për të karakterizuar një krijim muzikor me prejardhje nga gjinitë muzikore popullore, si p.sh. “zhanri i valsit”, “zhanri i mazurkës”, “zhanri i kabasë” etj. Dihet se fjala “zhanër” vjen nga frëngjishtja “genre” – lloj,tip, mënyrë – e shqipëruar –“gjini” (?!).

Vështirësi për të emërtuar llojin e muzikës që do të interpretohet paraqiten dhe në gjuhën folëse në Radiotelevizion, në koncerte të ndryshme, si dhe kur shpallen shfaqje muzikore.

Dëgjojmë ose lexojmë, p.sh. “muzikë klasike”, i cili në fakt përdoret në tre kuptime të ndryshme:

  1. rryma artistike e klasiçizmit;
  2. muzikë kombëtare e nivelit më të lartë, që shënon epokë në historinë e një kombi të dhënë;
  3. muzikë e shkruar në gjini të tilla, si: opera, simfonia, koncerti, sonata, kuarteti.

Megjithëse, termi mund t’i përmbajë të tria këto kuptime, për vetë nevojën e përcaktimit të qartë në përdorim, lind nevoja për një klasifikim terminologjik më adekuat.

Te ne ka hyrë dhe termi “muzikë e lehtë”, i cili në fakt e ka origjinën nga muzika e ashtuquajtur “ritmike” e predestinuar për çlodhje, argëtim, e lidhur sidomos me disa gjini të muzikës vokale dhe instrumentale të xhezit, me këngë, romanca, potpuri, opereta, etj. Por, përdorimi i këtij termi në gjuhën shqipe për të emërtuar disa këngë me tema aspak “të lehta” ose me karakter joargëtues, lë për të dëshiruar.

Në terminologjinë muzikore, që përdoret për të karakterizuar momente të ndryshme të formës muzikore, ndihet nevoja jo vetëm për saktësim, por dhe për shqipërim termi, kur vetë fjala shqipe e luan mirë rolin e saj. Disa përpjekje janë bërë. Megjithatë hasen shpesh dhe prirje purizmi gjuhësor (përkthehen fjalë si allegro, andante, adaxhio) ose përdorime bilinguistike (ekspozicion-paraqitje, reprizë-rikthim), por dhe përdorime të pasakta shkencërisht, si p.sh. “tema e parë” (parti kryesor), tema e dytë (parti sekondar), kur dihet se përmasa e plotë e partit kryesor përfshin dhe temën si mendim ekspozues dhe zhvillimin e saj fillestar të mëtejshëm.

Gjatë analizës tekniko-harmonike të veprës muzikore për të emërtuar planet e mëdha tonale, tonalitetin bazë ose akordet e veçanta,tek ne janë përdorur dy sisteme shkrimi: a) antik me shkronja, b) emërtimi me rrokje i notave të shkallës (C dur – do maxhor, fis moll – fa dies minor etj.).

Të dyja sistemet janë njësoj praktikë dhe shkruhen shkurt (sidomos i pari). Megjithatë, duke qenë se ne përdorim si shkrim bazë sistemin e perfeksionuar të Guido D’Arecos, ku emërtimi i tonalitetit është i lidhur me të njëjtin emërtim të akordit bazë të Tonikës së veprës, ky sistem na duket më i përvetësueshëm e më praktik. Por, meqenëse këto emërtime janë thjesht konvencione, fjala është më tepër për një njohje të barabartë të tyre, se sa për të diskutuar se cila duhet të përdoret përfundimisht.

Aspekt i rëndësishëm për t’u diskutuar është komunikimi i muzikantëve gjatë përgatitjes interpretuese të një vepre, si gjatë punës së mirëfilltë profesionale të dirigjentit me kolektivin e ekzekutuesve, ashtu dhe gjatë punës pedagogjike me studentin apo nxënësin. Në këtë rast, bazë e mirë janë shenjat dinamike dhe agogjike të shënuara në fillim ose gjatë zhvillimit të veprës (tradicionalisht në gjuhën italiane), të cilat duhet të njihen mirë nga çdo muzikant, drejtues, pedagog, ekzekutues, student (apo nxënës) interpret. Prirja për të shqipëruar terma të tilla, si “andante”, “alegro”, “rubato” është thjesht shprehje e purizmit gjuhësor, sepse ato, tashmë e kanë humbur kuptimin e tyre të mirëfilltë dhe janë të lidhura me një kohë të matur saktësisht me metronom. Mendoj se përdorimi i shprehjeve të tilla (nuk mund të jenë terma), si p.sh. “per prima volta”, “per sekonda volta”, nuk mund të quhet kulturë terminologjike. Ato do të luanin të njëjtin rol edhe të përkthyera në shqip.

Paqartësi janë krijuar dhe në diferencimin e domosdoshëm ndërmjet tri termave “ritmi”, “metri” e “tempi”. Hasen ende shprehje të tilla, si “ritmi ¾”, kur më saktë do të ishte “masa ¾” ose “metri ¾”, ose “ritëm më i shpejtë”, kur grada e interpretimit shpejt ose ngadalë lidhet me tempin.

Problem shumë të rëndësishëm mendojmë se përbën krijimi i koncepteve të qarta për terma që shprehin aspekte të punës krijuese të kompozitorit. Ende nuk është i qartë ndryshimi ndërmjet orkestracionit, stilizimit, harmonizimit dhe transkriptimit. Ky problem merr rëndësi ose lidhet me një çështje të rëndësishme, siç është krijimi i raportit të drejtë ndërmjet artit të kultivuar dhe atij popullor.

E lidhur me kulturën gjuhësore është edhe kërkesa për një shkrim dhe shqipërim të unifikuar në emërtimet e instrumenteve dhe gjinive muzikore etj., duke ju referuar fjalorit të madh të gjuhës shqipe. Shpesh thuhet ose shkruhet “Hoboja” në vend të “oboja”, “klarineti” në vend të “klarineta”, “gradi i V” në vend të “grada e V”, “poemi simfonik” në vend të “poema simfonike”, “sinfonia” në vend të “simfonia” etj.

Dicka duhet konsoliduar dhe në shkurtimet e termave, të cilat paraqiten në mënyra të larmishme, sidomos shkurtimet e shkrimit të instrumenteve në partiturën orkestrale. Pra, problemet e saktësimit, stabilizimit dhe unifikimit të terminologjisë muzikore janë të shumta dhe rëndësia e zgjidhjes së tyre është e padiskutueshme. Por, ky problem merr rëndësi të veçantë kur pasaktësitë vazhdojnë të vihen re në tekstet shkollore dhe bëhet më shqetësuese, kur këto pasaktësi vihen re në studime, shkrime dhe botime të veçanta teoriko-muzikore.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin