Nuk di a i mbani mend ca komente jashtëzakonisht agresive, që u postuan në blog tek tema e artikullit tim të refuzuar nga revista akademike Hylli i Dritës.
Nuk di edhe a i mbani mend akoma se cilët ishin komentuesit më aktivë gjatë debatit që pasoi.
Me siguri jo, sepse këta autorë më parë krejt të panjohur, që dolën në skenë me maskat “Risus.Sardonicus” (mbi 10 komente në një shkrim), “komentuesi00120013” (mbi 10 komente në një shkrim), nuk u kthyen pastaj më në blog.
Erdhën, bënë rrokopujë, dhanë këshilla dhe qortuan, shkruan gjatë dhe polemizuan fort, dhe siç u shfaqën ashtu edhe u zhdukën.
Ky lloj operacioni, në anglishte, quhet raid.
Kam të drejtë të mendoj, për mënyrën si u krye ky raid, se ardhësit ishin të porositur dhe se detyra e tyre konsistonte në turbullimin e ujërave, pas mini-skandalit që ndodhi me artikullin.
Nuk mund të spekuloj se kush i porositi këta kolegë, as se ç’interesa të fshehta por kapitale përfaqësuan me egërsinë e tyre mercenare – por tashmë e kam të qartë se trolli mbetet troll, edhe kur vjen me shall të ylbertë intelektuali në qafë.
Siç e tregoi edhe debati vetë, unë s’jam nga ata që u shmangen përplasjeve dhe polemikave – por me trollët të shkon energjia dëm. Më kollaj të debatosh me qenin ose me një lopë – se këta, tek e fundit, mund t’i bësh edhe miq, në proces e sipër.
Dhe këtu kam një lutje për komentuesit e rregullt në blog – çka edhe më shtyu ta nxjerr këtë njoftim: pavarësisht se sa ndiheni dhe shpreheni në kundërshtim me mua, për çështje të ndryshme (për çfarë ju mirëpres), mos u entuziazmoni nga teatri komik i disave që zbarkojnë në blog nga hiçi; sepse ashtu më dëmtoni edhe mua, edhe blogun.
Dhe sidomos: ruajuni nga supernovat, ose llafazanët e papritur dhe të menjëhershëm në tema delikate; çfarë mund ta bëni këtë më mirë se unë që, si administrator i komenteve për temat e mia, i kam shpesh duart e lidhura.