Në një shkrim në MAPO kushtuar Petro Zhejit përkthyes dhe dijetar, Astrit Cani gjen rastin për të parashtruar, dhe ndonjëherë përsëritur, disa prej pikëpamjeve të veta jo-konvencionale për gjuhën shqipe, të cilat këtë herë bashkëtingëllojnë edhe me pikëpamjet e ngjashme të dijetarit që Cani ka zgjedhur t’i prezantojë lexuesit, ose Zhejit vetë.
Cani vëren se “dimensioni kryesor i gjuhës […] asht tingulli” dhe se shqipja mund të jetë “enklavë në leksikun e saj”, por ama “në sistemin e saj tingullor asht perandori.”
Dhe pse ndodh kështu? Po ia lë fjalën Canit vetë:
Gjuha asht në dimensionin e saj parak, arketipor dhe metafizik, fonî. Kjo fonia, për të cilën flet Saussure, përkthehet simbas helenishtes, herë si tingull, por ma saktësisht si zhurmë. Pra zhurmë, pra onomatope. Por shqipja asht e vetmja që ka foljen me folë, e cila jep veprimin e të bamunit foni. Gjuha asht folnî. Tridhetë e gjashtë folnitë e shqipes, na lejojnë ne shqiptarëve me kenë poliglotët ma të natyrshëm në botë. Kjo nuk vjen prej faktit se jemi ma të meçëm se të tjerët, çka nuk ka si me qenë e vërtetë, por për faktin e thjeshtë se gjuha jonë amtare ka nji shtrimje fonike prej 360 gradë.
Sa më lart, nuk është veçse një pikëpamje e vjetër, pak a shumë folklorike, se shqipja me 36 fonemat e saj ka një nga sistemet më të pasura fonologjike; e servirur me pak salcë etimologjike popullore, që bashkon foninë me folninë; dhe e shoqëruar me përfundimin grotesk se shqiptarët qenkan “poliglotët ma të natyrshëm në botë.”
Për mua këto nuk janë veçse gjepura.
Kush ka edhe njohuritë më elementare nga fonetika historike, e merr vesh se φωνή-ja e greqishtes, që ka dhënë edhe foninë, fonemën dhe telefonin, nuk ka fare lidhje me shqipen flas; dhe aq më pak me neologjizmin folni, që sajon Cani me këtë rast.
Më tej akoma, nuk ka asgjë të shënueshme, në faktin aritmetik se shqipja e sotme standard ka 36 fonema; meqë ky numër është rezultat, më një anë, i aksidenteve historike në sistemin fonologjik të kësaj gjuhe (përfshi këtu edhe kontaktet me gjuhë të tjera); dhe më anë tjetër, i vendimeve pak a shumë arbitrare të atyre që përcaktuan sistemin fonetik të standardit dhe alfabetin e shqipes së njësuar.
Me 36 fonemat e saj, shqipja zë një vend fare të ndërmjetëm, mes gjuhëve të botës – çfarë nuk duhej ta kish lejuar Canin të fliste, çapraz, për “poliglotët ma të natyrshëm”; mjaft të kujtoj këtu se vetëm anglishtja përdor 13 deri 21 fonema zanore (në krahasim me shtatë të shqipes standard); ndërsa gjuha Ubykh, e Kaukazit veri-perëndimor, numëronte 81 fonema bashkëtingëllore (të cilat megjithatë nuk e penguan që të shuhej si gjuhë, para pak vjetësh).
Për më tepër, nuk ka ndonjë lidhje midis numrit të fonemave dhe pasurisë artikulative të një gjuhe – pse kjo varet nga kombinatorika dhe nga afiniteti që kanë fonemat për njëra-tjetrën: nuk ka nevojë të jesh matematikan, për ta kuptuar këtë.
Rrejshmëria (fallacy) e Cani-t do të ilustrohej me pyetjen që vijon: a është më i mirë një tren me 32 vagona, apo një tren me 24 vagona?
Teorikisht, një gjuhe do t’i mjaftonin dy fonema, le t’i quajmë 0 dhe 1, për të shprehur çdo lloj kombinimi tingujsh të mundshëm; edhe pse kjo do t’i bënte fjalët relativisht të gjata. Përkundrazi, një gjuhë me, të themi 50 mijë fonema, do të mund të shënjonte çdo fjalë me një fonemë të vetme, ashtu duke kursyer edhe letër.
Këto spekulime ndihmojnë për të kuptuar se numri i fonemave të një gjuhe është një kompromis mes nevojës për ekonomi dhe nevojës për redundancë (ose mbrojtje ndaj zhurmave/humbjeve në komunikim); dhe nuk ka as mund të ketë ndonjë kuptim tjetër “mistik”, si ai që kërkon t’i japë Cani.
Natyrisht, misticizmi i Canit në këtë artikull lidhet drejtpërdrejt me temën: Petro Zhejin, si gnostik, metafizicien dhe autor i librit Shqipja dhe sanskritishtja, i cili tonit i duket “me randësi epokale.”
Si gjuhëtar, unë nuk jam në gjendje ta vlerësoj këtë vepër – pse ajo nuk i përket gjuhësisë, ashtu siç praktikohet kjo dije sot në botë. Më duket e pakuptueshme, vende-vende krejtësisht absurde; dhe jam i prirur të besoj se këto janë karakteristika të veprës vetë dhe jo të paaftësisë sime intelektuale.
(Veprën e palexueshme Roland Barthes-i e ka quajtur “kalë Troje” të shkencave humane.)
Megjithatë, dhe pavarësisht nga mendimi im ose i Canit për veprën diturore të Zhejit, fakt është se ajo ende nuk ka lënë kurrfarë gjurme në kulturën shqiptare – dhe aq më pak në gjuhësinë historike, dijen etimologjike dhe në përgjithësi, albanologjike.
Nëse Petro Zhejin sot e kujtojmë me nderim, këtë e bëjmë jo ngaqë ai ka “shqipëruar etimologjinë e shqipes”, por për punën e tij të admirueshme si përkthyes dhe gjuhë-krijues.
Përkundrazi, përpjekjet etimologjike të Zhejit kanë ngecur, tani për tani, në limbon e dijes, krah për krah atyre të Mayani-t, Nermin Vlora-Falaschi-t, Catapano-s dhe të tjerëve autorë të albanologjisë alternative, të cilët qëndrojnë jashtë dijes akademike.
Për fat të mirë, dhe këtë e them pa ironi, Shqipja dhe sanskritishtja e Zhejit është kaq e padepërtueshme nga lexuesi, sa vetvetiu i mban larg të gjithë ata amatorë që lektisen pas hipotezave pelazgjike, etruske dhe të shqipes “mëmë” e të gjitha gjuhëve; çka e mbron njëfarësoj nga vulgarizimi, por pa i dhënë ndonjë garanci si vepër shkencore.
Shtoj këtu se nuk më duket që Cani e ka kualifikimin e duhur, për t’u shqiptuar seriozisht rreth vlerave të kësaj vepre (po kush do ta kishte vallë?); çka nuk mund ta pengojë, megjithatë, që t’i thurë lavde në faqet e MAPO-s.
Çfarë ua nxjerr kallajin këtyre metafizikëve është se, në momentin që largohen sadopak nga zhargoni i tyre frikë-ndjellës për arketipet dhe folnitë, bien në banalitete të tipit të “36 fonemave” të shqipes, që i bëkan shqiptarët poliglotë të natyrshëm; dhe në folklorizma të tjerë, që do të kishin qenë zbavitës, sikur të mos ua bllokonin mendjet atyre që i kultivojnë.
Sa për Petro Zhejin etimolog të shqipes dhe revolucionarizues të dijes indo-europiane nëpërmjet shqipes, unë nuk kam parë as dëgjuar ndonjë dijetar të fushës, që ta marrë sado pak në konsideratë – dhe nuk besoj që të ketë ndonjë komplot për ta lënë në heshtje. Më gjasë ka që vepra e tij Shqipja dhe sanskritishtja të jetë shkruar për të mos u lexuar dot.
Shënim: pavarësisht nga kritika më lart, dua të theksoj këtu se MAPO-ja u soll padenjësisht me Canin, kur e akuzoi për “shpifje” ndaj I. Kadaresë, në lidhje me Don Kishotin: lexuesi i artikullit e kupton se nuk është fjala për shpifje, por më shumë për një pasaktësi krejt të falshme. Dua ta siguroj autorin, se reagimi histerik i gazetës u la shumëve një shije të hidhur.
“Për fat të mirë, dhe këtë e them pa ironi, Shqipja dhe sanskritishtja e Zhejit është kaq e padepërtueshme nga lexuesi, sa vetvetiu i mban larg të gjithë ata amatorë që lektisen pas hipotezave pelazgjike, etruske dhe të shqipes “mëmë” e të gjitha gjuhëve; çka e mbron njëfarësoj nga vulgarizimi, por pa i dhënë ndonjë garanci si vepër shkencore.”
Xha Xha, ti e ke pare si te padepertueshme e te pakuptueshme vepren e Zhejit sepse i je qasur asaj si gjuhetar dhe je munduar ta lexosh si veper gjuhesie. Ajo nuk ka te beje me gjuhesine. Nuk i perket asnje lloj shkolle a mendimi gjuhesor.
Libri i Zhejit qendron ndaj gjuhesise sikurse qendron te themi paragrafi i pare i ungjillit te Shen Gjonit ndaj gjuhesise dhe teorise se evolucionit:
“Ne fillim qe fjala, dhe fjala ishte te Hyji dhe Hyji ishte fjala… dhe gjithçka u be permes saj”.
Libri i Zhejit duhet lexuar me kete fryme, si veper mistike dhe jo si gjuhesi.
Me sakte do te thosha se libri i Zhejit eshte diçka midis mistikes dhe poezise. Ne llojin e vet eshte nje kryeveper. Por pavaresisht nga titulli, nuk duhet ta lexojme ate si veper shkencore e aq me pak si veper gjuhesore.
Kur Zheji e paraqiti vepren per botim, doreshkrimin ia dhane Çabejt per nje mendim. Çabej nuk e hodhi poshte, por me shume elegance u pergjigj se nuk ishte ne gjendje te jepte nje mendim sepse ajo veper nuk i perkiste shkolles gjuhesore qe ndiqte ai vete.
“Shtoj këtu se nuk më duket që Cani e ka kualifikimin e duhur, për t’u shqiptuar seriozisht rreth vlerave të kësaj vepre (po kush do ta kishte vallë?);”
Kur u botua per here te pare vepra e Zhejit (pjesa e pare) aty nga 1996 apo 1997 te gjithe filluan ta kritikonin si te ishte veper gjuhesore. U botua edhe nje artikull te Hylli i Drites qe asokohe drejtohej nga A. Plasari, ku analizohej me kompetence filozofike vepra e Zhejit, por behej edhe nje perpjekje per ta futur ne lemin e gjuhesise nga dera e pasme.
Mbaj mend qe me thirri pater Zef Pllumi per nje pune dhe shkova ta takoj pas darke. Me ate rast folem edhe per librin e Zhejit dhe artikullin e Hyllit. I thashe se autori i artikullit (qe nuk dua ta permend) ia kishte futur kot kur e kishte pare si veper gjuhesore.
Pater Zefi, qe nderkohe e kishte rrekellyer nje gjysme shisheje rakie, duke ma mbushur goten edhe mua me tha:
“Lene, lene, s’ash pune giuhsie ajo, pater. Ai e ka lexue librin, por nuk ka marre vesh kurrgja!”
E filloi te me shpjegonte gjere e gjate me nje qartesi dhe erudicion te jashtezakonshem mistiken e Petro Zhejit.
Nga ajo bisede jam i bindur edhe sot se vetem Pater Zefi e kishte kuptuar vertet librin e Zhejit.
”’Libri i Zhejit duhet lexuar me kete fryme, si veper mistike dhe jo si gjuhesi.”’
Do thoja si veper iniciatike ne metafiziken e shqipes. Gjuhesia e krahasuar eshte vene ne funksion te filozofise se shqipes, nqs mund te kete pasur synimin e anasjellte (e pabesueshme per nga trajtimi e volumi), nuk ia ka arritur qellimit. Per nga veshtiresia e mendimit spekullativ, s’mund te jete as per gjuhetaret e as per lexuesin e thjeshte. Ndonese si lende, metafizika e shqipes mund te jete trajtuar nga shume autore, Petro Zheji eshte i pari dhe i vetmi qe zhvilloi nje veper te mirefillte, me nje ide qendrore dhe jo thjesht yjesi mendimesh e te thenash. Per fat te keq si ne çdo fushe ku gjerat ngelin ne fazen ”hyrje ne”, edhe pasi ndjek shtegun e Zhejit ose humbet ose kthehesh prapa per te gjetur nje shteg tjeter.
Shkruan:
Hyllin, cili, sipas mendimit tënd, do të ishte lexuesi ideal i kësaj vepre?
Secili eksperiencen e tij:
Une librin ne fjale e kam lexuar kur doli, ne fundvitet ’90. Me kujtohet te ma kene derguar enkas me poste!
Asokohe u mrekullova dhe nuk mu duk aq i padepertueshem sa ç’thuhet ketu. Biles mua me duket se dhe vete Zheji, nuk pretendon per asnje moment te vetem se libri i tij eshte mistik, metafizik.. etj etj : qofte dhe ne parathenien e tij, ai ngul fort kembe se kemi te bejme me gjuhesi dhe pike.
Tani qe kane kaluar vite qe kur e kam lexuar, per nje gje jam i sigurt: tani me vjen te qesh jo vetem me Zhejin, por… me veten (me kujtohet qe jo vetem e pata lexuar dy a tri here, por i kthehesha pjeseve te caktuara me shume pasion! – e kam fjalen per vellimin e pare, qe eshte nje liberth i vogel; kam degjuar se autori do te botonte dhe vellimin e dyte, por nuk di te jete botuar nje i tille). Shkurt: tani me vjen VERTET te qesh me veten time.
Xhaxhai permend ne tekstin e tij Mayani-n, Nermin Vlora-Falaschi-n dhe Catapano-n por ka harruar Robert D’Angely-në (me “Enigmen” e tij, te cilen po ashtu, çuditerisht e kam lexuar pak a shume ne te njejten periudhe, pra andej nga fundi i viteve ’90) qe eshte pothuaj e njejta gje me “Shqipen dhe sanskritishten” e Zhejit.
Shkurt, bej habi se si mund te vazhdohet te diskutohet ende per pune te tilla. Une nuk e njoh Canin, autorin e shkrimit per Zhejin, por bej habi (jo pa nje doze nenqeshjeje dhe autoironie) se si mund te vazhdohet ende sot te merren seriozisht te tilla gjera, qofte dhe duke i trajtuar si mistike dhe poetike (te cilat, e perseris, vete Zheji nuk i ka revendikuar asnjehere). Ato thjesht jane nje zero me xhufke dhe nuk meritojne as me te voglin debat.