Lajmi ka marrë dhenë: një ndihmës i deputetit të PS-së dhe magnatit të mediave K. Kokëdhima i ka kërkuar një qytetareje që, përkundrejt vendit të punës, kjo t’i sigurojë seks me të bijën e mitur, por është regjistruar fshehurazi nga gruaja, pas gjase me sugjerim të një televizioni privat ose gazete.
Personin në fjalë, një Agron Cane, tani e kanë arrestuar.
Siç ndodh në raste të tilla, histeria që duket të ketë pushtuar mediat, e fsheh kuptimin e çfarë ka ndodhur, në vend që ta qartësojë.
Duket se A. Cane akuzohet për dy krime: (1) ka kërkuar favore përkundrejt një shërbimi (korrupsion) dhe (2) ka kërkuar të bëjë seks me një të mitur.
Natyrisht, të gjithë po merren me krimin e dytë, i cili i shkakton të kruara vetëdijes morale të publikut; edhe pse akti pedofilik i mirëfilltë ka mbetur i synuar.
Në një koment të vetin në FB, Artan Fuga vërente se lajmi i mirëfilltë këtu nuk është pedofilia (“ka plot pedofila nëpër rrugë”, thotë ai); as abuzimi (“abuzues ka në çdo cep”); por që
[K]emi një sistem që përpjekja për punësim kalon nëpërmjet mekanizmave politike, nëpërmjet shkëmbimit me vota, nëpërmjet trafiqesh elektorale, dhe jo nëpërmjet tregut dhe kritereve formale për punësim.
Nuk di sa mund të qëndrojë kjo; pse ne, në fakt, kemi një sistem që krijon vende pune jo aq duke nxitur ekonominë, sesa duke fryrë burokracitë dhe administratat shtetërore – në mënyrë që punësimi të kontrollohet pastaj drejtpërdrejt nga përfaqësuesit e pushtetit.
“Erotika nuk fsheh dot politikën,” thotë Fuga; por erotika tërheq publikun mu atje ku e dëshiron politika.
Dhe unë nuk besoj që ky i tanishmi të jetë lajmi i përshtatshëm për t’ia përcjellë publikut problemin e punësimit.
Më shqetësuese është, përkundrazi, që gruaja në fjalë, e zënë ngushtë nga priapizmi alarmant i Canes, nuk u drejtohet organeve të rendit, as bën denoncim në prokurori – por shkon të qajë hallin me mediat.
Tregon, në mos tjetër, mosbesim ndaj organeve të rendit për të vendosur drejtësi; dhe shpresë se vetëm bërja publike e një krimi nëpërmjet mediatizimit, ose nxitja e skandalit, mund të ndihmojnë për ta vënë të drejtën në vend.
Si edhe herë të tjera, skandali përftohet nëpërmjet një skenari të njohur, ku bëhet publike diçka private, nëpërmjet një regjistrimi të fshehtë të ndërmjetësuar, në mos të nxitur nga mediat.
Meqë personi që ka kryer regjistrimin ka qenë drejtpërdrejt pjesë e tentativës për korrupsion, vështirë që dialogu të konsiderohet nga hetuesit si autentik, sa kohë që gruaja edhe regjistruese edhe e regjistruar thjesht ka luajtur pjesën.
Regjistrimi fshehurazi ka edhe këtë të keqe: dimë çfarë është thënë gjatë takimit të regjistruar, por nuk dimë çfarë i ka paraprirë, as mund të ndërtojmë dinamikën e marrëdhënieve midis këtyre njerëzve.
A mund ta vendosin drejtësinë mediat? Them se mund të ndihmojnë, me kusht që të mos përzihen në procesin hetimor, siç dëshmohet edhe nga përvoja e shumë vendeve me institucione të konsoliduara, si ato në Perëndim.
Javët e fundit, të gjithë ndoqëm procesin e linçimit të guvernatorit të Bankës Kombëtare, Ardian Fullanit, nga media të cilat nuk ia kursyen këtij as fëmijët; një proces që e la pas edhe drejtësinë edhe politikën, dhe i vuri institucionet para fakteve të kryera.
Çfarë duhej të kish ndodhur, idealisht, para një komisioni parlamentar, u konsumua në faqet e tabloidëve.
Të parë nga ky kënd vështrimi, njerëzit duken të dëshpëruar: e kërkojnë drejtësinë në mënyrë abstrakte, nga publiku; ose shpresojnë heshturazi te frika e autoriteteve ndaj opinionit publik.
Prandaj, për ta thënë me retorikën e filozofit të Tiranës, lajmi është se qytetarët në Shqipëri nuk kanë besim në institucionet e tyre.
Por edhe ky, natyrisht, nuk është lajm: dhe që nuk është lajm, kushedi është vërtet lajmi më i hidhur.
Per nje shoqeri normale skandali eshte i shumefishte, duke nisur nga fakti qe vendet e punes kalojne nga zyrat e deputeteve, se nuk eshte vetem Kokedhima qe ka kete privilegj, por ne çdo territor duhet te kalosh se s’ben nga zyra e deputetit te zones, sigurisht nqs s’je kusheri apo mik shpie i ndonje drejtori, i cili e zgjidh vete me deputetin.
Kjo eshte risia e kesaj legjislature, sepse me pare drejtoret kane pasur me shume pushtet dhe ishin deputetet te cilet u kerkonin punesimin e x-it apo y-it. Tani po dha ok deputeti i zones, drejtori duhet te zbatoje ne rastin me te pare te mundshem urdherin.
Kemi nje risi ne hierarkine e punesimit, qe ka sjelle bashkimin e aq zyrave te punes sa drejtore ka qyteti e rrethi ne aq zyra pune sa deputete ka zona, me drejtorat qe kalojne nga fuqiplote ne vartes. Ka shume qe irritohen me drejtorat, te cilet i drejtojne kah zyrave te deputeteve, sepse nuk e kane kuptuar ende si duhet risine e mendojne se drejtorat po ua fusin. Sigurisht qe te gjithe kalojne nga konkursi, pavaresisht se eshte informal, konkuron secili me kontributet, dhuntite, vetite, cilesite, aftesite dhe disponueshmerine psikike e fizike.
Rasti ne fjale, ka gjasa te vere ne krize besueshmerine e zyrave te reja te punes, te drejtuara nga deputetet, meqe s’paska kufi per kerkesat. Normalisht, kur krijohet nje zyre kaq e pushtetshme, nje institucion apo nje praktike e ketille, krijuesit kujdesen qe t’i vendosin disa kufij njerezve qe ushtrojne nje pushtet kaq te madh. E verteta eshte se keto zyra jane me te fuqishmet ne territor, por nje pushteti te madh nuk i eshte kundervene balanca e nje kontrolli te forte.
Vete kam dyshime te forta ne rilindjen e politikes se kuadrit, ku çdo gje do kalonte nga zyrat e partise, edhe punesimi i nje pastrueseje, megjithate çfare i eshte bere ketij populli dhe nuk e ka pranuar ne kurriz. Te shohim…
Struktura paralele per t’iu gjendur prane njerezve qe kerkojne pune; nga njera ane qeveria me riaktivizimin apo ringjaljen e zyrave te punesimit ne cdo qender administrative dhe nga ana tjeter deputetet e partive ne pushtet nepermjet zyrave private te tyre ne zonat ku u emeruan nga kryetaret respektive. Dhe meqe pune nuk ka, te pakten perpiqen te kenaqin hallexhinjte apo hallexheshat me nga nje oferte seksuale. Me beri shume pershtypje miresjellja e ish ushtarakut ne pension, aktualisht vullnetar ne zyren private te deputetit 2K, i cili kerkon t’ua u beje qejfin te dyjave nene dhe bije. Tamom rilindje, por rilindje seksuale e nje 62 vjecari qe e shikon vehten edhe kryetar bashkije pas nje viti!!
Në një kohë shumë të shkurtër paskemi kaluar nga një çudi në tjetrën, apo më mirë nga një tmerr në tjetrin. Fillimisht, një ish-i dënuar për proksenetizëm bashkë me zyrtarë të PS detyrojnë dy gra të dorëhiqen dhe bëhet vetë deputet. Pastaj na tregojnë mediat se dy zyrtarë të lartë, njëri guvernator banke dhe tjetra gjykatëse zotërojnë pasuri marramëndëse të cilat nuk mund ti kenë krijuar me rrogat që marrin prej shtetit. Prokuroria dhe institucionet e tjera që duhet tï kontrollonin nuk i kanë shqetësuar ndonjëherë, madje as tani që lajmi ka marrë dhenë nuk po i shqetësojnë. Pas kësaj vjen më qesharakja, dikush me doktoraturë fallco zgjidhet për të kontrolluar QSA dhe vete e kontrollon me të vêrtetë e na nxjerr perla të tipit, – nuk mund të ketë doktoraturë “Humori në këngët popullore”. Pas kësaj një Ali Pashë i vogël lokal që nuk merret vesh se çfarë pushteti ka i kërkon vajzën 14 vjeçare një fatkeqeje, në këmbim të një vendi pune!
Të presim kush do të jetë çudia e rradhës? Ndpshta Rama që ju thotë familjarëve të të vrarëve në 21 janar, – ne i dënuam vrasësit, i nxorëm në pension!