Cilat janë fjalët më të përdorura nga mediat shqiptare? Vështirë ta thuash, por në listën e gjatë nuk mund të mungojë togfjalëshi “automjeti me targë”. Ka vite që e pyes veten përse mediat shqiptare, kur japin ndonjë lajm që ka të bëjë me automjetet ua përmendin detyrimisht targat.
Po t’i dëgjoni e t’i lexoni me kujdes mediat elektronike e gazetat do të vini re se targat e automjeteve jepen rëndom gjatë lajmeve. Automjeti ka dalë nga rruga? Komunikohet menjëherë targa. Ka ndodhur përplasje makinash? Jepen targat e automjeteve të sakatuara. Mikrobusi është rrëzuar në greminë? I jepet në televizor numri i targës, në shenjë kujtimi. Shoferi kapet i dehur duke drejtuar makinën? Publiku mëson targën e automjetit, që të kenë kujdes herë tjetër. Hajdutët çmontojnë automjetin? Jepet numri i targës, si i vetmi objekt i mbetur. Shpërthen makina? Targa e mbijetuar bëhet e famshme. Dikush shtypet nga makina? Jepet emri i të aksidentuarit dhe targa e automjetit. Nuk ka paguar taksën e qarkullimit? Nxirret në shesh targa e turpit. Ka edhe raste të tjera, kur targa nuk mjafton, madje jepet edhe lloji i automjetit: për shembull tip Benz ose Bmw. Kam parë një lajm që jepte edhe targën e makinës së policisë. I paarritshëm.
Çfarë informacioni i jepet publikut duke i dhënë numrin e targës? A mund të jepet lajmi ku përfshihet automjeti çfarëdo pa i komunikuar lexuesit targën? Mendoj se numri i targës, në pjesën dërmuese të rasteve, nuk i shton asgjë lajmit, sepse nuk jep informacion më shumë. Rasti flagrant e i njohur ishte ai i vrasjes së Artan Santos në qendër të kryeqytetit. Mediat dhanë vazhdimisht targën e automjetit që viktima drejtonte, ndërkohë që publiku priste vetëm targën tjetër, pra të atyre që kryen atentatin. Por mund të përmenden edhe raste të tjera, ku targa nuk ka asnjë rol në informacion.
Me disa përjashtime të caktuara, numri i targës zakonisht duket i tepërt, ridondant, i kotë. Edhe nga pikëpamja funksionale, vetëm sa e rëndon lajmin. Në qoftë se në gojën e zëdhënësit të shtypit të Ministrisë së Rendit numri i targës, lloji i automjetit, e përse jo numri i shasisë, tingëllojnë disi normale, të pranueshme për burokratishten e institucionit, në faqet e gazetave dhe në lajmet televizive nuk kanë asnjë kuptim.
Po përse lajmet jepen zakonisht duke përmendur targat? Këtu mund të bëjmë vetëm hipoteza e spekulime, për sa kohë nuk kemi dëshmi të operatorëve të mediave shqiptare. Sipas gjasës, targa jepet për t’i treguar publikut se lajmi është i detajuar, deri në atë pikë sa jepet edhe hollësira si puna e targës. Në këtë rast media kërkon të kumtojë edhe profesionalizëm. Dhënia e targës mund të jetë thjesht një traditë, nga koha kur automjetet ishin të paktë në numër. Mirëpo kjo hipotezë nuk qëndron kollaj ngaqë pikërisht numri i paktë i automjeteve e zbraz funksionin e targës në njohjen e makinës. Lajmi me targën mund të jepet edhe për t’i qëndruar besnik komunikimit zyrtar, që vjen nga institucioni përkatës.
Sidoqoftë, ka diçka që nuk shkon tek fiksimi i mediave shqiptare me targat. Besueshmëria nuk rritet duke dhënë hollësi të parëndësishme për publikun, saktësia nuk komunikohet me kopjo/ngjit-jen e komunikatave zyrtare të shtypit.