Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TË THEM TË DREJTËN

Kur na thonë: “është e drejta e XX që të veprojë kështu ose ashtu”, duke të kujtuar të drejtën e dikujt, zakonisht ngatërrohemi mendërisht, duke e marrë edhe rezultatin e ushtrimit të së drejtës të dikujt si diçka të drejtë në vetvete. Një pjesë e fajit për këtë do t’i mbetet gjuhës, e cila përdor të njëjtën fjalë për të drejtën si sanksionim i lirisë individuale për veprim dhe të drejtën si diçka moralisht të mirë.

Sidoqë shqipja nuk është e vetmja gjuhë që i përzien këto koncepte, fjala e drejtë në gjuhën tonë, së bashku me kuptimet përkatëse, është mbingarkuar tashmë, duke krijuar pështjellime, si ai që përmenda më lart. Sepse e drejta shënon edhe diçka korrekte, si në “përgjigje e drejtë” ose “e drejta dhe gabimi”; sikurse shënon të vërtetën, si në “thuaj të drejtën!”; dhe më në fund, një tërësi organike ligjesh, si në “e drejta civile”. Shto këtu edhe kuptimin gjeometrik të fjalës – për të marrë me mend shtrirjen e fjalës.

Përkundrazi, një gjuhë si anglishtja i shpreh këto koncepte me fjalë si straight, right, just dhe fair; ndërsa italishtja, me fjalë si diritto, dritto, retto dhe giusto.

Mbingarkesa ka të bëjë pikërisht që, për shkak të polisemisë dhe të afërisë kuptimore, mund të shtyhemi të mendojmë se diçka që na duket se kemi të drejtë që ta bëjmë, është edhe e drejtë; madje jo vetëm e drejtë, por edhe e saktë dhe e vërtetë. Tek e fundit, diçka subjektive dhe e diferencuar, siç është e drejta individuale, përfundon në një shprehje të drejtësisë dhe së vërtetës.

Të marrim, bie fjala, rastin kur dikush “ka të drejtë” që të shkruajë çfarë të dojë kundër teje (me kusht që t’u përmbahet rregullave elementare të komunikimit); p.sh. të thotë se tema jote e doktoratës është plagjiarizuar nga një vepër e Zacharia Mayani-t.

Me rezervë, do të pranojmë se këtë farë denoncimi e përfshin e drejta e fjalës; por kjo nuk e bën gjë të drejtë akuzën, në kuptimin “të vërtetë”; dhe aq më pak vetvetiu moralisht të drejtë, meqë nesër mund të zbulohet se në fakt plagjiaturë nuk ka pasur dhe personi në fjalë ka ushtruar të drejtën e fjalës padrejtësisht.

Kjo vlen edhe për të ashtuquajturat të drejta pozitive, si e drejta për strehim ose e drejta për punë, të cilat disa herë edhe pranohen me ligj; por edhe sikur t’ia njohësh dikujt të drejtën për strehim, kjo nuk e bën vetvetiu të padrejtë shoqërinë ose sistemin ku personi në fjalë është i pastrehë (personi në fjalë mund edhe të kërkojë pastaj strehë në shtëpinë tënde). Përndryshe, do të thoshim se çdo e drejtë (civile) e dikujt shoqërohet vetvetiu me një detyrim kushtetues ose moral të dikujt tjetër, çka për mua është kontradiktë.

Kanë thënë që forma gjuhësore e konceptit të së drejtës dhe të drejtësisë në shoqëritë moderne mbështetet mbi metaforën e vijës së drejtë si diçka të dëshirueshme, çfarë i ka rrënjët në kulturën e ndërtuesve (muratorëve), që nga Egjipti i lashtë e këtej (spangoja e tërhequr, plumbçi etj.). Ta bësh murin drejt do të thotë edhe ta bësh mirë; një mur i shtrembër nuk e mban dot peshën e çatisë; te një shkallë e shtrembër e tempullit mund të pengohet kryeprifti dhe të rrëzohet; deri edhe trupi duhet mbajtur drejt dhe dhëmbët duhen drejtuar me tela.

Që këtej edhe metaforat e drejtë = e duhur, e drejtë = e bukur (e shëndetshme); dhe e drejtë = e vërtetë; dhe më tej krejt koncepti i drejtësisë, i cili lidhet sa me etikën (justice), aq edhe me të vërtetën (truth). Jo më kot prej sistemit gjyqësor pritet që të japë (prodhojë) drejtësi nëpërmjet zbulimit të së vërtetës (fakteve). Për shkak të konflagracionit të kuptimeve, besojmë edhe se rruga drejt së vërtetës është më e shkurtra (si vija e drejtë që është më e shkurtra midis dy pikave, së paku në universin tonë njerëzor).

Tek e fundit, edhe fëmijës në shkollë, kur i japin penën në dorë, gjëja e parë që i mësojnë është si të bëjë vija të drejta; pa folur pastaj për vizoren, vizat anash faqeve, palën e pantallonave, vijën e flokëve të krehur dhe rreshtat e nxënësve në oborrin e shkollës. E drejta shërben kështu si metaforë, por edhe si hyrje udhëzuese në sistemet e koercionit social – që nga shkrimi, deri te veprimet korale: parada, rreshtorja, parakalimi.

Ky zhvillim është i kundërt, si koncept, me atë të së drejtës, si sanksionim i lirisë individuale për veprim; nga një anë kemi konformimin, nga ana tjetër mundësinë për të shkelur lirisht çdo rregullsi të supozuar. E megjithatë, kemi të drejtë edhe ashtu, edhe kështu. Mund të jetë kjo një nga paradokset e pashmangshme të qytetërimit.

Në romanin fantashkencor pulp The Engines of Gods, autori Jack McDevitt përfytyron një forcë kozmike armiqësore ndaj qytetërimit teknologjik anembanë universit, e cila periodikisht bën shkrumb e hi çdo planet ku janë shfaqur, në sipërfaqe, vija të drejta – meqë vijat e drejta: rrugët, ndërtesat, etj., janë shenja të pagabueshme të një inteligjence funksionale.

penrose-triangleKoncepti është më i thellë se ç’e lejon zhanri: mjaft të hedhim sytë përreth, për të parë sundimin e vijës së drejtë: në muret, në dritaret, në mobiljet, në planimetrinë e qyteteve. Për shkak të gjuhës, priremi – e theksoj, priremi – të besojmë edhe se ky lloj organizimi gjeometrik i botës është edhe ai i duhuri; dhe pastaj e metaforizojmë më tej, për ta projektuar në sistemin social e deri për të arritur të vërtetën.

Në shqipe, e drejta me kuptimin “e vërtetë” shfaqet më tepër në bashkëlidhje me ligjërimin: thuaj të drejtën, të them të drejtën, fol drejt, etj. Kur themi për dikë ka të drejtë, i referohemi zakonisht asaj çfarë ka thënë, jo asaj çfarë ka bërë. Gati-gati, mund të thuash se vija e drejtë është e vetmja metodë për të arritur të vërtetën.

Nga ana tjetër, konflagracioni mes drejtësisë si “diritto”, dhe drejtësisë si “giustizia” na shtyn të besojmë se sistemi i drejtësisë, i cili ka të bëjë me ligjet, është edhe në zotërim të drejtësisë si “giustizia”, ose në komandë të së mirës dhe të së keqes; dhe kjo prek deri në kockë raportin tonë me autoritetin, meqë pushtetin mësohemi ta shohim edhe si të varur nga epërsia etike e liderit dhe nga raporti i tij i privilegjiuar me të vërtetën, jo nga një marrëveshje formale që kemi bërë me të.

Thjesht disa refleksione për kurthet që mund të ngrejë leksiku, sidomos ai abstrakt; i bindur se kolegët, me përgatitje dhe kulturë juridike, do ta lexojnë këtë material krejt ndryshe.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin