Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

MEDIAT GJENDJE CIVILE

Sikur të mos mjaftonin 2-3 ditët me lajme, në krye të faqes, për beben që i lindi çiftit Linda dhe Edi Rama (i dyti qëllon të mbajë këtë periudhë edhe postin e lartë të kryeministrit të Republikës), ia behën sot edhe lajme të freskëta për martesa në familjet elitare të ish-presidentit Bamir Topi dhe të super-gazetarit Filip Çakuli.

Lindja e një bebeje, sikurse martesa e një biri a bije, a një datëlindje jubilare janë ngjarje me rëndësi për personat dhe familjet përkatëse – prandaj edhe festohen me të madhe, me miq dhe dashamirës.

Por mediat – ku i gjeta lajmet për ngjarjet e gëzueshme më sipër dhe plot të tjera të ngjashme – japin si rregull lajme me rëndësi publike, ngjarjet me rëndësi private – p.sh. lindje, martesa dhe vdekje – i përcjellin në hapësira të caktuara, zakonisht përkundrejt një pagese të palës së interesuar.

Nga ana tjetër, në shoqëritë e sunduara vërtet ose simbolikisht nga një aristokraci e trashëguar, lindjet dhe martesat kanë rëndësi publike, sepse trashëgimtari i sapolindur i mbretit ose i lordit është jo vetëm bebe e bukur, por edhe potencialisht mbreti ose lordi i ardhshëm.

Shoqëri të tilla i kushtojnë rëndësi martesave dhe riprodhimit familjar të elitave, sepse atje një pjesë e pushtetit trashëgohet në linjë familjare; dhe kjo prek dashur pa dashur publikun mbarë.

Përkundrazi, Shqipëria nuk ka kastë aristokratike (me ndonjë përjashtim arkeologjik). Ardhja në jetë e fëmijës së kryeministrit doemos përbën gëzim të madh për atë vetë, familjen e tij, miqtë dhe dashamirët; por kjo është ngjarje private, që meriton të konsumohet në kufijtë e privates.

Fëmija i kryeministrit nuk ka status publik të veçantë.

Për të njëjtën arsye, nuk besoj se i bëhet kujt vonë, nga ata që lexojnë gazetën, se po martohen fëmijët e Bamir Topit dhe të Filip Çakulit; sepse kush duhej të gëzohej nga këto martesa, do ta ketë marrë lajmin tashmë me rrugë private.

embassyGazetat që nxjerrin në faqet e para lajme të tilla të parëndësishme, duket sikur ndihmojnë për të krijuar idenë, përshtypjen a psikozën, se pushteti dhe hierarkitë në Shqipërinë e sotme janë të trashëguara.

Një çudi më tepër ishte edhe urimi i ambasadës së ShBA, për djalin që i lindi çiftit Linda dhe Edi Rama. Nuk besoj se i ka hije ambasadës amerikane të hallakatet kështu, duke u dërguar përshëndetje dhe urime funksionarëve të lartë të republikës, për ngjarje të rëndësishme në jetën e tyre private.

Sikurse nuk besoj se i takon ambasadës amerikane të dërgojë kartolina urimi për bebet që lindin në Shqipëri dhe që kanë ende fatin të vijnë në këtë botë me të drejta dhe mundësi të barabarta.

U tha, në gazetat e Tiranës, se Edi Ramës i lindi trashëgimtari. Duke pasur parasysh se personi Rama përbën lajm ngaqë është kryeministër, jo për shkak të ndonjë funksioni trashëgimor që mund të ketë, atëherë lajmi është i gënjeshtërt: meqë personin që do të trashëgojë postin e sotëm të kryeministrit të Republikës e përcaktojnë zgjedhjet e ardhshme ose Parlamenti; jo materniteti.

3 Komente

  1. Me vjen vertet mire qe kjo hapesire virtuale po trajton me kembengulje nje ceshtje delikate dhe strategjike sic jane mesazhet qe percjell media. Eshte pikelluese qe mediat tona nuk arriten kurre te realizonin kercimin e madh te kualitetit po ngelen ne nivelin e raportimeve kuintal per herktar, takime vellazerore te proletareve revolucionare dhe cjerrjen e maskave te tigrave prej letre.

  2. Kishte edhe nje detaj tjeter mjaft interesant, qe mbeshtet idene e ketij shkrimi. Rreth nje jave me pare u fol gjate per “çiftin kryeministror” qe priste nje femije. Vereni paralelen me çiftin mbreteror, anglez a te vendeve te tjera qe prisnin te njeten ngjarje. Pastaj, si perfundoi ky mesazh i ambasades ne thonjte e shtypit shqiptar? Ka aq detaje te çuditeshme, sa nuk me duket gjesendi krejt e rastit, e pa orkestruar diku, te pakten nga ndonje “dashamires kryeministror”.

    1. Mediat, me dorë shumë të rëndë siç mund të merret me mend, i trajtojnë liderët politikë si të ishin celebrities – por kjo nuk kapërdihet dot kollaj. Celebrities, p.sh. një këngëtare që fillon të zhvishet sapo të shohë ndonjë kamera diku përreth, e riprodhojnë statusin e tyre duke këmbyer, pa ndërprerje, privaten dhe publiken; duke luajtur me diferencat mes njërës sferë dhe tjetrës; çfarë te politikani dhe lideri nuk përballohet dot, sepse këta të fundit udhëheqin, nuk zbavitin, prandaj as mund të udhëheqin duke zbavitur publikun, as mund të zbavitin duke udhëhequr. Ka një kufi të hollë, por kritik, që duhet ruajtur. Një politikan, bie fjala, që toleron ose nxit përdorimin publik të jetës së vet private në favor të imazhit ose kushedi të çfarë programi tjetër, i ekspozohet edhe rrezikut, shumë real në Shqipëri, që nesër jeta e tij private të përdoret kundër tij, me impunitet; ose, çfarë nuk është më pak e padenjë, që të mbahet mend vetëm për bëmat e veta rozë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin