Vizitat e Papës kanë gjithnjë aspekte festive, kremtuese e ceremoniale, që varen nga një sërë motivesh: rëndësia e figurës së tij në rang botëror, rrallësia me të cilën zhvillohen, liturgjia që ia shoqëron aktivitetet, vëmendja mediatike globale, e të tjera si këto, ku vend të veçantë zë pa dyshim gëzimi i besimtarëve katolikë. Siç është njoftuar nga media, Papa Françesku vjen në Shqipëri në shtatorin e këtij viti.
Në qoftë se është e vërtetë që në Shqipëri të gjitha vizitat nga jashtë rrezikojnë të paraqiten nga mediat sipas një modeli të caktuar dhe të konsumohen nga publiku vetëm në planin pamor, duke e dekodifikuar vizitën vetëm nga pamjet televizive, takimet institucionale e duarshtrëngimet protokollare, atëherë duhet thënë se të paktën vizita e Papës duhet t’i shpëtojë këtij rituali post-modern homologues. Paradoksalisht, pikërisht vizita e Papës, kaq e mirëpritur nga publiku shqiptar, rrezikon më shumë në këtë drejtim, sepse telekamerat do ta amplifikojnë pa masë vizitën, porse duke vënë në pah disa aspekte që i interesojnë veçanërisht atyre, ose që i duken të dobishme për ligjërimin publik mbizotërues.
Lajmet që vijnë nga Tirana e përforcojnë më shumë idenë se ka nga ata që duan ta shndërrojnë vizitën e Papës Françesku në show të vërtetë, në platformë spektakolare, ku mundësisht të marrin ndonjë rol të rëndësishëm. Nuk është risi, ngaqë nuk duhet kujtesë e fortë për t’i parë personalitetet e ndryshme të kërkojnë një copë vend pranë Papës, ose pranë të mëdhenjve të botës, ulur ose në këmbë nuk ka rëndësi. Nga pikëpamja mediatike dhe politike kjo ka shumë rëndësi, e tani për tani nuk është nevoja për shpjegime të hollësishme, përveç faktit se nuk kemi të bëjmë me diçka të jashtëzakonshme, në kuptimin që është dukuri e njohur në botë.
Nuk e dinë vetëm vatikanistët, por i gjithë opinioni publik ndërkombëtar, se figura e Papës Françesku është përnjimend e jashtëzakonshme, e rëndësishme, inovative, që gëzon respekt e admirim, por që ka natyrisht edhe një farë “peshe” në botë. Këto tipare, e të gjitha ato që e karakterizojnë papatin e tij, do ta amplifikojnë detyrimisht jehonën mediatike e publike, duke e shtuar vëmendjen ndaj vizitës.
Për shembull, njoftimet e krijimit të një komisioni shtetëror për vizitën e Papa Françeskut, ku marrin pjesë një sërë institucionesh shqiptare, sikurse lajmi se sheshi Nënë Tereza, ku pritet të zhvillohet një meshë publike e Papës, do të ndryshojë rrënjësisht pamje, tregojnë se vëmendja është e përqendruar në aspektet organizative të vizitës, pra të formës, të dekorit, dhe jo përbrendësore, pra të mesazhit që do të jepet. Në fakt, ka nga ata që e vunë re që në fillim vëmendjen e dyshimtë të politikës, madje u ankuan se vizita meritonte më shumë fjalë e diskutime publike (shiko shkrimin e Frano Kullit, Papa Françesku, gjërat e vogla dhe… statusi, Panorama, 11 Korrik, 2014). Deri më sot nuk ka pasur rrahje mendimesh për qëllimet e vizitës, domethënien e ardhjes së tij, ose për çka presim ne nga Papa, tani në vitin 2014.
Përgatitja e përkryer e vizitës është detyrë e çdo shteti, sidomos në raste të tilla, porse obsesioni ndaj skenës tradhton orvatjen e shndërrimit të saj – qoftë në mënyrë të pavetëdijshme – në një spektakël për t’u shijuar vetëm nga ana estetike. Precedenti i fotolajmit të dikurshëm, që e paraqiti Papën me flamurin kuqezi mbi supe, tregoi midis të tjerash se ka një farë vëmendje të sëmurë, një lloj egocentrizmi mediatik, që e shikon Papën vetëm kur shikohet në pasqyrë, por që nuk pyet as veten, as të tjerët për domethënien e akteve. Nëse fotografia rastësore e Papës Françesku me flamurin shqiptar në qafë mund të konsiderohet sot si “paralajmërim” për ardhjen e tij zyrtare në vendin tonë, paraqitja mediatike e asaj fotografie mund të shihet pa problem si pararendësja e vizitës.
Është e kuptueshme që përfaqësuesit e institucioneve, laike e fetare, sikundër personalitete të tjera të Shqipërisë të kërkojnë ta takojnë e mundësisht të kenë dukshmëri gjatë eventit. Kjo bën pjesë në lojën publike, sepse ja në rolin përfaqësimtar, ja në detyrën shtetërore, ja në cilësinë e personalitetit, takimi bëhet i detyrueshëm. Po kështu shikueshmëria. Përkundrazi, prekja e duarve të tij kërkohet me dëshirë edhe nga besimtarët e thjeshtë, të cilëve nuk u intereson aspak telekamera apo objektivi aty pranë. Papa ua jep dorën të gjithëve, është misioni i tij, por jo të gjithë ata që ia japin dorën e bëjnë për qëllime të pastra. Por nuk është rasti të flasim për përvetësim të takimit, për tërheqje nga mënga, për captatio benevolentiae… Do të ishte paragjykuese.
Në mars të këtij viti, Papa kremtoi një meshë në bazilikën e Shën Pjetrit ku kërkuan të marrin pjesë edhe politikanët italianë, deputetë, senatorë e personalitete të ndryshme. Mesha bëri bujë të madhe, jo aq për orarin “e sikletshëm” që kishte caktuar (filloi në orën shtatë të mëngjesit, por hyrjet ishin planifikuar më parë), se sa për atë që tha gjatë meshës. Fjalët e tij tingëlluan si kamxhikim ndaj politikanëve të korruptuar, sepse foli shumë qartë dhe hapur. Papa Françesku citohet të ketë thënë: “Mëkatarët e penduar falen. Të korruptuarit jo, sepse refuzojnë t’i hapen dashurisë”. E më tutje: “Në kohën e Jezu Krishtit ekzistonte një klasë drejtuese që ishte larguar nga populli, e kishte braktisur atë, e paaftë për asgjë, vetëm për të ndjekur ideologjinë e vet dhe për të shkarë drejt korrupsionit”. Fjalët e Papës nuk kishin si të mos shkaktonin debat të ndezur, së pari sepse po u fliste drejtpërdrejt 518 parlamentarëve italianë, së dyti sepse edhe nga ana teologjike kishte diçka të re në arsyetimin e tij, saktësisht në dallesat midis mëkatit e korrupsionit, duke e dënuar rreptësisht këtë të fundit. Nga ana tjetër, tema si kjo, apo siç është etika publike e vlerat shoqërore, janë tejet aktuale, si për besimtarët ashtu edhe për laikët e ateistët, në Itali, Shqipëri e gjetiu.
Siç shikohet, fjalët e Papës Françesku dallohen për nga qartësia, thjeshtësia, çiltëria, por edhe nga forca, vendosmëria, aktualiteti. Do të ishte vërtet mëkat, e jo vetëm për veshët tanë, sikur fjalët e tij në Shqipëri të mbyteshin nga moria e pamjeve mediatike dhe virtuale, ose të humbnin nëpër ritualet protokollare dhe retorike.