Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë

PHO(S)TOXIN

Para disa ditësh, kur protestat e shqiptarëve në Maqedoni kishin nisur tashmë, gazeta Tema botoi një fotolajm, me titullin: “A po protestojnë shqiptarët apo arabët në Shkup?”

Fotoja tregonte një grup njerëzish, kryesisht djem të rinj, disa edhe me fytyrat të mbuluara duke ecur në një rrugë qyteti dhe shpalosur flamuj të gjelbër me mbishkrime arabisht; të shoqëruar edhe me diciturën “arabët protestojnë në Shkup”, e cila pas gjase ishte shtuar në sajtin nga ku ishte marrë fotoja.

arabet

Vetë pyetja në titullin e lajmit vinte me shumë nënkuptime: kundërvënien midis shqiptarëve dhe arabëve, dhe ngatërresën mes myslimanëve dhe arabëve; si dhe akuzën, e heshtur, për të gjithë ata që ngatërrojnë çështjen kombëtare shqiptare me fenë.

Mirëpo disa komentues në faqe vërejtën që fotoja ishte e vitit 1912 – pra nuk u referohej protestave të tanishme.

Nuk jam në gjendje të verifikoj sa autentike është fotoja, por edhe nuk lexova ndonjë përgënjeshtrim të komentuesve nga redaksia e gazetës.

Përkundrazi, lexova disa komentues që ngulnin këmbë se në protestë, së paku atë ditë, nuk kishin parë asnjë flamur fetar, me përjashtim të flamurit shqiptar.

Për fat të keq, ose edhe qëllimisht, shumë vizitorë të faqes e përdorën faqen për të lëshuar një mori akuzash, fyerjesh dhe sharjesh kundër myslimanëve shqiptarë të Maqedonisë.

U quajtën, me këtë rast, “racë e qelbur”, “racë e poshtër islamike”, “maxhupi i Arabisë”, “fara e flliqt”, “racë e dhjerë islamike”, “fundërrina”, “kafshë të besimit arab”, “alkaidas”, “jeniçerë”, “fëlliqësira”, “ndyrësira”, “xhihadistë”, “morrat e profetit”, “farë islamiko-arabe”, “shqiptarë të tredhur”, “mbeturina të perandorisë osmane”, “legena të fëlliqur arabë”, “turkoshakë anadollakë”, etj.

Një foto, pas gjase e trukuar, bëhet shkas për këtë valë vreri, nga komenti në koment; fjalë të lëshuara në ajër që fluturojnë sot si pështyma dhe si kakë majmuni, por nesër mund të fluturojnë edhe si plumba.

E kam të vështirë të besoj se kjo gjuhë urrejtjeje mund të jetë vërtet e mirëfilltë; më shumë ka të ngjarë që hapësira e komenteve të jetë marrë peng nga një grusht provokatorësh, të cilët kërkojnë të përpunojnë opinionin publik.

Dhe në këtë pikë hipoteza nuk mund veçse të ndahet më dysh: sepse provokimi mund t’u interesojë qarqeve anti-myslimane mes shqiptarëve dhe në shtetet fqinjë; sikurse mund t’u interesojë edhe qarqeve islamike radikale, të cilat veç përfitojnë nga radikalizimi i konfliktit.

Për fat të keq, dhe për ta thënë me një metaforë tashmë të konsumuar, hapësirat e pamoderuara të komenteve, në faqet e gazetave shqip online, janë kapur tashmë nga forca të errëta; dhe po përdoren për të kultivuar bimë toksike.

Hashashi i Lazaratit është fare beninj, në krahasim me këto helme që i jepen lexuesit online për konsum.

Mjafton një lexim i shpejtë i komenteve, në këtë faqe por edhe në plot të tjera, për të kuptuar se publiku që i frekuenton hapësira të tilla nuk është në gjendje të reagojë vetë ndaj gjuhës së urrejtjes; dhe se klika fare të vogla, njerëzish në rastin më të mirë sociopatë dhe në rastin më të keq provokatorë të paguar ose vullnetarë, ia kanë dalë të sigurojnë forume falas, për të përhapur helmet dhe nxitur urrejtjen – në këtë rast ndërfetare.

Dhe nëse lexuesit vetë nuk ndërhyjnë dot për t’i dhënë fund këtij palaçollëku, atëherë ndoshta duhet ndërhyrë nga një drejtim tjetër – për të kërkuar që fjalës publike shqip t’i jepet dinjiteti i duhur; dhe për të mbrojtur palët e treta nga dhuna verbale e papërgjegjshme.

Sikur të mos mjaftonte skandali i këtij “fotolajmi” dhe i pisllëkut që e përcolli, sot lexoj, sërish në Tema, se dhjetëra të rinj kishin dalë të protestonin në Tiranë me parullën “Shkupi është zemra e Shqipërisë.” (!)

3 Komente

  1. Nga një anë kemi papërgjegjshmërinë e mediave, të cilat ende nuk e kanë kuptuar se me mesazhet nuk luhet bixhoz për qejf, sepse fjalët e imazhet, pavarësisht nga inflacionimi që kanë pësuar kohët e fundit, e kanë prapë peshën e vet dhe ata që duan t’i përdorin e bëjnë shumë mirë. Nga tjetra kemi keqpërdorimin e hapësirës së komenteve ku shpeshherë strehohet histeria e disa individëve e grupeve ende të paqarta. Komentet më ngjajnë me disa kërpudha – se parazite janë – që kanë efekte halucinogjene, kur nuk janë krejt helmuese. E të mendosh se shumë njerëz që nuk kanë njohuritë e duhura, shkojnë e i mbledhin në vendet ku mbijnë dhe ushqehen përditë me to. Pasojat përfytyrohen lehtë.

  2. Tema ka vite qe lejon ose perdor provokatore per te rritur klikimet e rrjedhimisht te ardhurat.
    Duke pare kunder-reagimin agresiv te Gruevskit ndaj reagimit te vonuar e apelues (dmth te dobet) te Rames, Tema i bie te beje nje loje pro-Gruevskit e rrjedhimisht kunder interesave te shtetit e kombit.

    Merua i di vete punet e tij, por duhet te beje kujdes se ka raste kur behet fjale per jete njerezore jo per gallate qe i shton te ardhurat.
    Te Ballkanwebi sondazhi ka perfshire opsionin ndikime fetare i cili ka marre 16% te votave. Tani pyetja eshte ai sondazh nuk mund te dilte per bukuri edhe pa opsionin e ndikimeve fetare ? Mandej edhe sikur te kete ndonje perberes fetar a nuk e di sondazhuesi se perberesi fetar eshte pjese e konfliktit shekullor persa kohe qe sllavet e kane bere ortodoksine e tyre mjet agresiv lufte ndaj shqiptareve ?

    Nejse, te shpresojme se Rama do dije si t’i pergjigjet Gruevskit pa e kaluar me pare tekstin tek Rruga e Elbasanit, se po e kaloi andej prape ndonje shpulle syve do marre prej Gruevskit, e 2 shpulla prej Maqedonise eshte turp.

  3. Duhet kujtuar se parullën “Shkupi është zemra e Shqipërisë.” (!) e ka lançuar së pari zoti Schmitt ( në një
    fjalim të gjatë programatik në Akademinë e Kosovës apo në një intervistë po aq të gjatë, në mos po në të dyja; flasim për kohët moderne se për më thellë në të shkuarën duhet parë).

    Interesante shumë do të ishte të dihej nëse këta të rinj në Tiranë e kanë rizbuluar për së dyti në mënyrë të pavarur “zemrën” e Shqipërisë apo kanë përvehtësuar pikpamjen e zotit Schmitt…. Se dihet në këtë botë që fara hidhet në vjeshtë po prodhimi korret në verën tjetër…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin