Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

SELFIES KOLEKTIVE

Nga përftesat më të përsëritura gjatë transmetimit live të ndeshjeve të Botërorit: kamera ndalet për një çast në pamje të afërta të njerëzve në shkallët e stadiumit, zakonisht goca të bukura, të stolisura me gjithfarë shenjash dhe ngjyrash kombëtare; këto e pikasin inkuadrimin që u bëhet në ekranin e madh të stadiumit dhe menjëherë shpërthejnë në fishekzjarrë entuziazmi, duke përshëndetur me të madhe… jo kamerën, por ekranin vetë.

Madje e bëjnë këtë edhe sikur të kishin qenë me lot në sy ose duke kafshuar thonjtë, edhe sikur ekipi i tyre sapo të ketë pësuar gol e të jetë në prag të eliminimit: përshëndetja drejtuar mega-ekranit merr përparësi ndaj rolit prej publiku të përfshirë në dramën e ndeshjes vetë.

Jetojmë në epokën e selfies-ve, ose kur shumë prej nesh kanë zgjedhur ta masazhojnë identitetin duke fotografuar veten dhe pastaj duke e publikuar fotografinë në rrjetet sociale përkatëse, sipas motos vetë-fotografohem, pra jam. Nuk di ç’refleks a instinkt i shtyn njerëzit të njëjtësojnë ekranin ku u shfaqet kalimthi fytyra me syrin që i ka parë a retinën që i ka fiksuar, por edhe nuk besoj që kjo të ketë të bëjë me fantazinë e Orwell-it me telescreens e kundogjendura dhe frikëndjellëse, në Londrën e vitit 1984; pajisje edhe dhënëse, edhe marrëse; edhe të këqyrura, edhe këqyrëse. Ndoshta bindja se televizori, ose edhe çdo ekran tjetër, na sheh teksa e shohim është e rrënjosur në mënyrën si e kundrojmë botën; në kuptimin që çdo imazh na sodit, në atë masë që e soditim.

Por këto të stadiumit janë gjithsesi collective selfies; sepse kamerat televizive, që përcjellin imazhet, janë aty – të paktën në teori – jo për publikun e ulur në shkallët, por për ne të tjerët, që në stadium nuk kemi shkuar dot; pa çka se imazhi i transmetuar prej tyre e gjen pastaj rrugën edhe te mega-ekrani në stadium, si një dyzim hiper-real i ndeshjes që sheh publiku drejtpërdrejt; ose si konfirmim se çfarë kemi para syve në fushë ekziston vërtet, sepse po e filmojnë edhe kamerat.

Dhe qarku vërtet vjen e mbyllet, në momentin kur kamerat kthehen drejt publikut, jo vetëm për t’i treguar publikut mungues pamje të publikut të pranishëm, por edhe për ta lejuar këtë të fundit të shohë veten, nëpërmjet një selfie të mirëfilltë, në mega-ekranin e stadiumit: të njerëzve që shohin, që shihen dhe që shohin vetveten – ose të tri diatezat e konsumit vizual: veprore, pësore, vetvetore.

4 Komente

  1. Kam parë dikur një film amerikan ku spektatorët në shkallët e stadiumit, një çift më duket, ose dy tipa, bënin çmos që t’ia tërhiqnin vëmendjen telekamerës që të dilnin në ekranin e madh.

    Në filmat amerikanë është tashmë klishè që të dashuruarit të përfundojnë në mega-ekranin e ndeshjes, mundësisht duke u puthur e me zemra të kuqe përreth. Kemi të bëjmë edhe këtu me një lloj selfie, sidomos kur poza nuk është zgjedhur nga regjizori i telekamerave, por është inskenuar nga vetë aktorët.

    Sa për ato vajzat e stolisura, apo djemtë e pikturuar në stadium, kam përshtypjen se shkojnë të grimuar në atë farë feje pikërisht për të dalë në ekran e për t’i thënë vetes, jo të tjerëve, se ishin atje. Me përjashtimet e duhura, natyrisht.

  2. Pertej nivelit metaforik, ka nje arsye the thjeshte teknike pse shikohet ne ekran dhe jo ne kamera. Eshte shume e veshtire te dish se ku eshte kamera dhe se cila kamera po te inkuadron. Mos harrojme se numri i kamerave ne stadiumet e sotme eshte vertet i madh. Gjithashtu ka te beje koha e shkurter, shpejtesia me te cilen levizin imazhet sot ne bote. Spektatori e di qe kamera do te fokusohet ne te vetem per nje cast te shkurter dhe nuk humbet kohe te gjej se ku eshte kamera por shfrytezon mundesine ne ato pak sekonda. Eshte nje marrdhenie me teper rrethanore por qe ka pas vetes edhe pak semiotizem. Ne kohen e sotme ku gjithcka leviz shpejt eshte nje mundesi qe ne ato pak sekonda t’i besh te gjitha, pra te jesh edhe i vezhguar edhe vezhgues i vetes. Perndryshe po te harxhosh kohe te zbulosh ku eshte kamera i humbet te gjitha.

    1. Kushedi trupi ynë, ose mënyra si komunikojmë fizikisht me mjedisin, nuk janë përshtatur dot (ende) me mediat elektronike.

      Në një film që po shihnim mbrëmë, kapiteni i anijes iu drejtua ekipazhit nëpërmjet qendrës së zërit.

      Nuk ishte fare çudi që, me të filluar të fliste kapiteni, marinarët e ndërprenë punën dhe u kthyen me fytyrë nga altoparlantët – një veprim i palogjikshëm për mendjen, por ende i nevojshëm për trupin.

  3. Sot, Kryeministri italian Matteo Renzi, në fillim të fjalimit të tij për prezantimin e gjashtëmujorit italian në BE, përdori metaforën e selfie-t për të shpjeguar gjendjen europiane: “Më lini ta them me një batutë. Sikur Europa të bënte sot një selfie, çfarë imazhi do të dilte? Do të dilte fytyra e lodhjes dhe e rasenjimit. Me një fjalë e mërzisë“. Ka edhe kështu. Selfie kolektive metaforike.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin