Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

LETËR E RREME, IDHUJ OBORRI

Para pak ditësh, një numër i madh gazetash në Shqipëri dhe gjetiu botuan një kinse letër të dorëshkruar të Enver Hoxhës, drejtuar kryetarit të Partisë Komuniste të Brazilit, João Amazonas, në urim të fitores së Kampionatit Botëror nga Brazili, në verën e vitit 1970.

Letra thuhet se është gjetur në “Akrivën [sic] e Komitetit Qendror të PPSh”; dhe në përgjithësi është përcjellë prej mediave me profesionalitetin dhe delikatesën e një shitësi ambulant bajamesh të pjekura.

AMA-NEWS thotë, mes të tjerash, që Hoxha ia drejtonte letrën “presidentit brazilian të atyre viteve, Joao Amazonas”; edhe Koha.net ngatërrohet, dhe e bën Amazonas-in “president të Brazilit”; ndërsa gazeta të tjera, përfshi edhe Temën, ia japin emrin brazilianit si Zheao.

letra per AmazonasNatyrisht letra është hoax – madje nga më të trashët: dhe, mes të tjerash, i mungon çdo shenjë që ta “autentifikojë” si dokument të dalë nga dora e sekretarit të parë të KQ të PPSh. Enigma në këtë mes është se kush e ka marrë mundimin të falsifikojë këtë paçavure, dhe për ç’qëllim.

Rrenën ia nxjerr letrës në shesh edhe vetë përmbajtja, ku Hoxha flet për “fitoren e djemve të thjeshtë të popullit brazilian” dhe e siguron kolegun e vet përtej oqeanit se “populli shqiptar ka qënë me mish e me shpirt në keto ditë pranë popullit brazilian dhe kombëtares së tij të futbollit.”

Në fakt, vetë João Amazonas-i, po t’i kish lexuar këto gjepura, do të ishte shqetësuar shumë; dhe me plot të drejtë: diktatura e djathtë, në fuqi aso kohe në Brazil, e kish vënë futbollin në flamurin e vet dhe sukseset e seleção-s i përdorte për t’u legjitimuar në sy të publikut.

Siç rrëfen Dave Zirin, në librin e botuar së fundi Brazil’s Dance with the Devil: The World Cup, the Olympics and the Fight for Democracy, Haymarket Books, 2014, diktatori ushtarak i Brazilit, Emílio Garrastazu Médici e quajti fitoren në Botëror si “formën më të lartë të patriotizmit”; dhe e teproi kaq shumë me përpjekjet për t’i shfrytëzuar politikisht fitoret futbollistike të skuadrës braziliane, sa – vëren Zirin – “shumë nga të rreshtuarit politikisht majtas, në vend, nisën të bënin tifozllëk për kundërshtarët e Brazilit.”

Me një fjalë, gjasat janë që Amazonas-i të ketë veshur fanelën e Italisë, gjatë finales së famshme…

Vazhdon Zirin: “Pikërisht në kohën kur qeveria e Médici-t po rraste në burgje disidentët politikë, gjeti kohën të prodhonte një poster gjigant të Peles duke shënuar një gol me kokë, të shoqëruar me sloganin: Ninguém mais segura este país – askush nuk mund ta ndalë më këtë vend.”

Vetë Peléja, ky “djalë i thjeshtë i popullit brazilian”, po t’i besojmë letrës së rreme të Hoxhës, pat deklaruar në 1972: “Nuk ka diktaturë në Brazil. Brazili është vend liberal, vend i lumturisë. Ne jemi popull i lirë. Udhëheqësit tanë e dinë çfarë është më e mira për ne dhe na qeverisin me një frymë tolerance dhe patriotizmi.”

Shton Zirin: “pikërisht kur Peléja po i thoshte këto, Dilma Rousseff-in njëzet e pesë vjeçare (Presidenten e tanishme e Brazilit) po torturonin në burg.”

Ndoshta këto marifete latino-amerikane me futboll-politikën kish parasysh edhe sozia e Enverit, Jorge Luis Borges-i, kur pat vërejtur një herë, duke ekzagjeruar, se futbolli “es popular, porque la estupidez es popular…”, pas gjase i neveritur nga lidhjet e ngushta mes futbollit dhe nacionalizmit.

4 Komente

  1. Pas një diskutimi që sapo pata, në lidhje me hoax-in e letrës, po dua ta shtoj një hipotezë timen, sado spekulative, për motivet e mundshme të falsifikatorëve. Në fakt, dikush ka harxhuar kohë dhe mund, për një dokument në dukje qesharak dhe pa bazë historike – dhe meqë të tilla punë rrallë bëhen nga budallallëku, unë do ta shihja falsifikimin më shumë si një psy-op, ose një orvatje të hollë për ta mbajtur Hoxhën me çdo kusht në vëmendje të publikut, duke e lidhur edhe me futbollin botëror – i cili tani është në gojën e të gjithëve, edhe me Brazilin, një ekip që shqiptarët gjithnjë e kanë ndjekur me simpati të madhe. Rrena e letrës vendos kështu një lidhje midis njërës temë dhe tjetrës, duke mundësuar që një pjesë e konotacionit pozitiv që bart Brazili futbollistik, i djeshmi dhe i sotmi, t’i kalojë edhe Hoxhës, thjesht falë pranëvënies, ose metonimisë. Tani që afrohet edhe 70-vjetori i Çlirimit, duhet të presim edhe të tjera marifete të tilla – që mbeten megjithatë zbavitëse.

  2. Xhaxha, edhe unë kam përshtypjen që letra është e rreme. Në këtë pikë mund të na vijë në ndihmë kontekstualizimi që i bëre ngjarjes, pra duke shpjeguar se për çfarë periudhe po flasim, por mund të na ndihmonte ndonjë ekspert kaligrafie, pa bezdisur ata të grafologjisë.

    Mirëpo problemi nuk qëndron këtu. Ta zëmë se dorëshkrimi është i vërtetë, origjinal, i certifikuar. Ta zëmë, për një çast se Hoxha e ka shkruar me dorën e vet. Ok. Pyetja është kjo: Përse u dashka botuar sot në gazetat shqiptare? Çfarë kurioziteti apo interesi ka publiku aktualisht për letrën e dikurshme drejtuar kryetarit të Partisë Komuniste të Bazilit? Me çfarë informacioni pasurohet?

    E vetmja hipotezë mbetet ajo e ndikimit në sferën emotive, sepse asnjë logjikë nuk ka për sa i përket lajmit që ajo letër përmban. Ose është shfaqje e atij psudoshtypit të patinuar që merret vetëm me thashetheme. Po qe kështu, më mirë të jetë e para.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin