Lexoj sot në faqet online të mediave të Tiranës për vrasjen, në mes të kryeqytetit, të bankierit Artan Santo.
Krim shumë i rëndë, që trondit jo vetëm ata që e njihnin të ndjerin, por edhe institucionet e shtetit, duke filluar nga ato të Rendit publik.
Jam i bindur se qeveria dhe vetë kryeministri Rama i kanë dhënë përparësinë e duhur zbardhjes së këtij krimi, duke filluar nga kapja e autorëve, identifikimi i porositësve dhe zbardhja e motiveve.
Pjesë e kësaj përpjekjeje për të vënë drejtësi, duhet të jetë edhe administrimi i informacionit në mediat.
Vrasja me atentat e një bankieri nuk është njëlloj si humbja e një personaliteti të njohur, nga një sëmundje e rëndë ose edhe nga një aksident automobilistik a një vetëvrasje.
Është një akt që vë në pikëpyetje strukturat e shtetit ligjor dhe sigurinë e qytetarëve.
Nëse ka një gjë që nuk duhet të ndodhë, është pikërisht kjo që po ndodh tani: politikanët, qeveritarët dhe personalitetet e tjera shtetërore që mbajnë radhë pranë mikrofonëve të TV-ve, për t’i rrëfyer publikut se çfarë ndiejnë ata përballë këtij krimi.
Natyrisht të gjithë këta janë edhe njerëz dhe mund ta kenë njohur personalisht të ndjerin; është e drejta e tyre të reagojnë emocionalisht dhe personalisht ndaj kësaj vrasjeje; sikurse është e drejta e tyre që këto reagime t’i mbajnë private dhe e drejta e publikut që t’i kursehet sentimentalizmi herë i ndier dhe herë i shtirë, por gjithnjë pa vend, i të gjithë atyre që nuk kanë gjë për detyrë të vajtojnë publikisht të vrarët, as janë zgjedhur për këtë dhe as paguhen si vajtojca.
Nuk kish gjë më revoltuese, sa të lexoje sot ish-kryeministrin Berisha, tek e shfrytëzonte edhe këtë ngjarje të rëndë për kapital politik dhe për të sulmuar qeverinë dhe legjislaturën e tanishme si të kapur nga krimi.
Pas operacionit shembullor të bonifikimit të Lazaratit, organet e ruajtjes së rendit dhe qeveria treguan se janë në gjendje të kontrollojnë situata të vështira dhe të drejtojnë me sukses operacione të vështira të neutralizimit të krimit.
Ndryshe nga administrata e mëparshme, që la pa zbardhur një numër të frikshëm krimesh të nivelit më të lartë, kjo e sotmja po i tregon publikut një qasje të re ndaj krimit dhe paligjshmërisë, për çka edhe gëzon përkrahjen e njerëzve anembanë.
Përkundrazi, mediatizimi i reagimeve dhe sentimentalizmi, në një kohë që duhet veprim i shpejtë, inciziv dhe shumëplanësh, është një mbeturinë e trashëguar nga praktika të mëparshme, ku pafuqia mbulohej me populizëm dhe bashkëfajësia me sentimentalizëm.
E gjithë kjo kërkon edhe profesionalizëm nga ana e mediave, çfarë përfshin edhe respekt ndaj të vrarit, familjes së tij dhe institucioneve.