Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Letërsi

NGA FILOLOGU TE LEXUESI

Gianni Belluscio, që pata fatin ta takoj sërish pas kaq vitesh në tubimin e Pogradecit, më tha mes të tjerash se Universiteti i Kalabrisë, ku ai edhe punon si studiues albanolog, i kish vënë tanimë në dispozicion të lexuesit, falas në linjë, një pjesë të mirë të veprave të botuara të De Radës, në këtë faqe.

Një shërbim i madh për studiuesit dhe gjithë të interesuarit, por edhe një përkujtesë si gjuha, materje e detyruar e çdo poeti, mund të përfundojë në një kafaz dhe t’ia mbyllë fjalën, nëpërmjet trajtave të vështira, lokale dhe të vjetëruara, ose edhe zgjedhjeve alfabetike të pafan.

Vargjet e para të poemës Milosao, botim i vitit 1836,

Vargjet e para të poemës Milosao, botim i vitit 1836,

Në faqen e lartcituar, gjen tri versione të ndryshme të Këngëve të Milosaos, të botuar gjatë një hapësire gati 40-vjeçare.

Këtë vit edhe shqiptarët në Ballkan e kremtuan 200-vjetorin e lindjes së De Radës, me një varg veprimtarish akademike. Grupi i studiuesve arbëreshë, që takova në Pogradec: Altimari, Mandalà-ja dhe Belluscio, vinin nga një program i ngjeshur tubimesh, konferencash dhe festimesh të tjera kushtuar poetit të madh.

E megjithatë, siç m’u kujtua në bisedë me Belluscio-n, De Rada mbetet një nga poetët më kriptikë e më pak të lexuar, të poezisë shqipe – pa çka se, paradoksalisht, ndoshta më i miri në sens absolut.

Breza të tërë lexuesish dhe studentësh, në Shqipëri dhe në Kosovë, i kanë njohur Këngët e Milosaos nëpërmjet përshtatjeve që ua kanë bërë studiuesit – Sh. Demiraj, J. Kastrati, Dh.S. Shuteriqi; përshtatje që kanë prekur alfabetin, gramatikën dhe leksikun, për t’i bërë këto tekste të lexueshme.

Fillimi i versionit të dytë të Milosaos, botuar në 1847.

Fillimi i versionit të dytë të Milosaos, botuar në 1847.

Po çfarë ndodh vërtet, kur i ndërhyjmë në gjuhë një poeti?

Kur kam qenë në Napoli, në fillim të viteve 1990, mbaj mend një artikull, të një studiuesi arbëresh që sot nuk ia kujtoj dot emrin, botuar në revistën Katundi ynë; në këtë artikull, pak me shaka pak me tërë mend, arbëreshi bënte një listë me 7-8 emra, mes arbëreshëve anembanë Italisë, që sipas tij kishin qenë në gjendje ta lexonin De Radën në origjinal.

Për fat të mirë, arbëreshët – siç më tha Gianni Belluscio – gjithnjë mund të lexonin versionin italisht të poemës; një përkthim, njëlloj siç do të lexonim ne më pas, në anën tjetër të Adriatikut, përkthimet brendagjuhësore të filologëve të shqipes.

E megjithatë, De Rada nuk është nga ata autorë klasikë që, sikurse e ka thënë një sarkastik i mençur, të gjithë i lëvdojnë por askush nuk guxon t’u qaset për t’i lexuar.

Këngët e Milosaos – nuk më ka mbetur mua që ta them këtë – është një gur i çmuar i poezisë shqipe; por edhe unë, që e lëvdoj kështu, nuk e kam lexuar dot në origjinal, por vetëm në versionin e Shuteriqit.

Fillimi i versionit të tretë të Milosaos, botuar në 1873.

Fillimi i versionit të tretë të Milosaos, botuar në 1873.

Milosao i ka ardhur kështu, letërsisë shqipe, si një nga ato tekstet fort të lashta, të padepërtueshme, hieroglifike, që kërkojnë ndërmjetësim për t’u aktualizuar.

Dhe kjo ndoshta i shkon një vepre sakrale, por jo një vepre që përndryshe do të kish qenë nga më të dashurat për ne. Them “përndryshe,” në kuptimin “sikur të kish qenë shkruar me një shqipe më të depërtueshme”; në fakt, vështirësitë e leximit janë vetëm një nga faktorët që na e mbajnë disi larg veprën, a thua se një poemë pak fragmentare, vende-vende e errët, si kjo, nuk mund të ishte shkruar, veçse me një kod gati të fshehtë.

Por Milosao e ka ndikuar mjaft poezinë moderne shqipe, madje duke e ndihmuar të kapërcejë deskriptivizmin dhe folklorizmin e Rilindjes: brezi poetik i viteve 1980 gjeti te De Rada një pararendës të çmuar, dhe meloditë e kangjeleve i ndesh sot e kësaj dite, në vargjet e poetëve më të rinj, të të gjitha ngjyrave të spektrit.

E megjithatë, do të ngulim këmbë dhe do të pyesim: cili De Radë?

Pasazhi që kam sjellë, në versione të ndryshme, i Këngës së 1-rë të poemës, na ndihmon për të krijuar një ide se çfarë do ta priste lexuesin, madje edhe përtej problemeve të alfabetit, të cilat janë, në thelb, mekanike.

Versioni i tejshkruar i Shuteriqit.

Versioni i tejshkruar i Shuteriqit.

Për fat, varianti i Shuteriqit që kam në shtëpi përmban edhe tekstin të transliteruar (pak a shumë), i cili i zgjidh, së paku, vështirësitë e alfabetit.

Do t’ju lutesha të shpenzoni pak minuta, për t’i krahasuar versionet mes tyre, dhe pastaj me transliterimin dhe përshtatjen në shqipen moderne – për të izoluar, mendërisht, çfarë ka mbetur gjatë transformimeve, çfarë ka humbur, dhe çfarë është shtuar.

Në të njëjtën kohë, pak a shumë, kur shkruhej dhe botohej poema e De Radës, Franca kish Lamartine-in dhe Hugo-in; Britania e Madhe Byron-in, Shelley-in dhe Keats-in; Italia Leopardi-n dhe Carducci-n; Amerika Edgar Allan Poe-n.

Të gjitha këto kultura, duke ruajtur vijueshmërinë e tyre, duke u kujdesur të riprodhohen vit pas viti dhe dekadë pas dekade, dhe duke mos u gënjyer nga eksperimente politike të “reformave”, kanë mundur t’ua japin thesaret e tyre brezave të rinj të lexuesve, pa qenë nevoja për priftërinjtë ndërmjetës, që t’ua lexojnë dhe interpretojnë, masave syleshe, “arabishten” e traditës.

Versioni i përshtatur nga Shuteriqi, të cilin e kanë lexuar dhe shijuar shumica e shqiptarëve pas viteve 1960 e këtej.

Versioni i përshtatur nga Shuteriqi, të cilin e kanë lexuar dhe shijuar shumica e shqiptarëve pas viteve 1960 e këtej.

E shumta dy shekuj na ndajnë, nga gjuha e De Radës, e megjithatë ne nuk i qasemi dot më, pa arsenalin që kanë përgatitur filologët, kritikët dhe gjuhëtarët; pse koha dhe historia ia kanë mbyllur poetit të madh fjalën në kafaz; ose më keq akoma, në një akuarium, ku nuk futemi dot veçse me mjete të komplikuara zhytësish.

Ne nuk i qasemi dot më dhe arbëreshët vetë nuk munden gjithashtu. Për shkak të rrethanave, duket sikur poeti i mbyllte vargjet e veta me dryn dhe hidhte pastaj çelësin në det.

Ky hendek, kjo humnerë që na e ndan peizazhin kulturor kombëtar përgjysmë nuk është veçse shenjë e fatkeqësisë së popujve të vegjël, që e kanë shkruar vonë gjuhën e tyre dhe po aq shumë kohë kanë humbur, për të arritur një marrëveshje, nga një fshat në tjetrin, nga bokërrimë në tjetrën, nga një varosh në tjetrin. Të ndarë nga gjeografia dhe nga historia, nuk mund të mos e fillonim letërsinë tonë po aq të ndarë – mes katolikëve të Veriut, poetëve bejtexhinj, filologëve të shkronjës greke dhe arbëreshëve të Italisë; ishuj të një arkipelagu që as e kishin ditur se i përkisnin një njësie eprore.

Do të doja që të kishte një moral kjo fabul e trishtë; dhe që ky moral të mos thuhej me fjalë, por të gjendej pikërisht në krahasimin mes teksteve që kam sjellë më lart.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin