Ka lajme që ta tërheqin vëmendjen vetvetiu, kështu që artikulli në shtypin italian me titull “Krahina Marke me drita të kuqe, prostitutat trajtoheshin më mirë nga shqiptarët se sa nga italianët: kishin edhe ditën e pushimit” (Il Messaggero, 13 prill 2014), nuk mund të kalonte pa u vënë re, sidomos nga ata që e shikojnë kombësinë e vet të nxjerrë në plan të parë.
Shkrimi e nxjerr përfundimin që në fillim: “Shfrytëzuesit shqiptarë i respektojnë të drejtat e prostitutave më shumë se sa ‘kolegët’ italianë”. Më pas shpjegohet se nga hetimet e policisë së Ankonës dhe të karabinierëve në Senigalia për ndarjen e territorit nga ana e dy bandave gangsterësh, njëra shqiptare e tjetra italiane, nxorën në dritë pikërisht dallimin e mësipërm. Të dyja bandat kanë “menaxhuar” rreth 50 vajza të reja, të gjitha rumune.
Sipas kontrolleve të policisë – thotë gazeta italiane – klani shqiptar paska qenë veçanërisht i vëmendshëm për të mos i “shtrydhur” shumë prostitutat. Secilës i kërkohej 50 euro në ditë për vendin e punës në shesh dhe ‘shërbime’ të tjera, nga gjetja e shtëpisë deri tek transporti. “Secilës vajzë i lejohej edhe një ditë pushimi në javë. Të gjitha prostituta shumë të bukura e të kërkuara, që mund të arrinin të fitonin deri 500 euro në ditë”. Të kujdesshëm kanë dalë edhe ata të klanit italian, por që u kërkonin prostitutave një përqindje të caktuar sipas fitimit, pa lejuar asnjë përfitim tjetër.
Një nga konkluzionet me karakter sociologjik ka të bëjë me ndryshimin e tregut të prostitucionit. Sipas medias së cituar, fitimet e shfrytëzuesve rriten nëse prostitutat nuk trajtohen si skllave të seksit, por si profesioniste të dashurisë. “Ato të rivierës adriatike ishin profesioniste të vërteta. Kur ndaloheshin nga policia, thoshin se ishin të kënaqura nga puna e tyre, që u mundësonte mbledhjen e një pasurie të tërë në pak vite pune, për t’u investuar në veprimtari ‘të pastra’ në vendin e tyre”.
Nuk është vendi këtu të hapim debatin e zakonshëm për legalizimin e prostitucionit, megjithëse lidhjet nuk mungojnë. Por këtu bie në sy vështrimi afarist ndaj prostitucionit, në një farë mënyre normalizues, madje nënvizohet si biznes i suksesshëm, fitimprurës, kur respektohen disa rregulla me natyrë sindikale, siç është dita javore e pushimit.
Edhe krahasimi midis klaneve të ndryshme lë një lloj shije të çuditshme, sepse mund të perceptohet si lavd për njërin dhe paaftësi për tjetrin, meqë shqiptarët qenkan më të zotë në shfrytëzimin e prostitutave. Ironikisht mund të pyesnim nëse imazhi i shqiptarëve përmirësohet nga ky artikull që ua njeh inteligjencën në biznes. Megjithatë, përqasja e rregullit sipas të cilit trajtimi i mirë i punonjësve rrit prodhimtarinë në punë, nuk i shkon për shtat fushës së prostitucionit, përderisa kemi të bëjmë me një aktivitet të paligjshëm e të dënueshëm nga kodi penal. Në të dyja anët e Adriatikut.
Keqkuptimi me skllavërinë moderne, që shkon përtej prostitucionit, duhet kërkuar në kulturën bashkëkohore, që lidhet ngushtë me konceptimin e konsumizmit dhe të pasurisë. Skllevërit nuk janë më pak të tillë nëse vishen bukur, ose prangosen me zinxhirë të praruar.