Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Sociologji

VAJI I BYLBYLIT (II)

Kur po krahasoja mënyrën si ishte dhënë anglishtja whistleblower në gjuhë të ndryshme të Europës, më bëri përshtypje që Wikipedia jepte gola profonda për italishten, një zgjidhje që m’u duk e stisur, dhe jo vetëm ngaqë vinte si kalk i anglishtes deep throat, por edhe ngaqë në anglishte deep throat ka kuptim të ndryshëm nga whistleblower.

Pa përmendur pastaj që metafora deep throat, në amerikanishten e Watergate-it, sillte me vete edhe një citim, jo dhe aq të maskuar, të titullit të një filmi porno-chic skandaloz, Deep Throat, i cili në Itali gjithashtu ish shfaqur me titullin Gola Profonda.

Në fakt, përkthimi i Wikipedia-s italisht nuk është i vetmi, as më i sakti; në burime të tjera kam gjetur, për whistleblower, edhe versionet segnalante, informatore dhe denunciante; të cilat, në mos tjetër, tregojnë se disa koncepte nuk e kanë të lehtë të kapërcejnë barrierat deri edhe mes kulturave të afërta mes tyre.

Për kulturën anglo-saksone, whistleblower-i është ai person që informon, zakonisht autoritetet por edhe mediat dhe në përgjithësi publikun, për shkelje të ligjit ose të kodit etik brenda një organizate ose institucioni. Nuk do shumë mend për të deduktuar se figura dhe veprimtaria e whistleblower-it lidhen me nocionin dhe praktikën e tejdukshmërisë, si parim komunikativ që e redukton sekretin institucional ose administrativ brenda caqesh të arsyeshme; prandaj edhe whistleblower-ët fitojnë rëndësi në ato kontekste ku e drejta e publikut për t’u informuar konsiderohet si e drejtë qytetare dhe garantohet.

Përndryshe, në shoqëri ku institucionet, organizatat e biznesit dhe grupet e tjera operojnë në sekret, ose jashtë mbikëqyrjes së palëve të treta ose publikut, një whistleblower do të konsiderohej vetvetiu si tradhtar i interesave të grupit, spiun, informator e kështu me radhë. Në Itali, kushdo që do të denonconte praktika kriminale ose kundërvajtëse ose jo-etike brenda organizatës së vet do të përballej menjëherë me të ashtuquajturën omertà, një farë praktike sociale e rregulluar, që mbështetet mbi kodin e heshtjes dhe të mos-interferencës me problemet dhe statusin legal të së tjerëve. Letizia Paoli, në Mafia Brotherhoods: Organized Crime, Italian Style, (Oxford University Press, U.S.A., 2003) e ka përkufizuar omertà-në si “ndalimin kategorik të bashkëpunimit me autoritetet shtetërore ose të mbështetjes në shërbimet e këtyre, madje edhe kur dikush ka rënë viktimë e një krimi” (f. 109).

Praktika dhe tradita e omertà-së në shoqërinë italiane, veçanërisht në zonat e prekura nga kriminaliteti dhe para-kriminaliteti mafioz përbëjnë një pengesë serioze për drejtësinë italiane; që këtej edhe rëndësia që iu dha figurës së pentito-s, ose një personi të akuzuar për një krim, i cili është “penduar” dhe ka vendosur të bashkëpunojë me autoritetet, për të zbuluar strukturat e fshehta të krimit të organizuar. Sot e kësaj dite, në Italinë e Jugut, pentito-t dhe familjet e tyre trajtohen si tradhtarë të komunitetit dhe çnderues të kodeve tradicionale të sjelljes, dhe shpesh janë objekt atentatesh vdekjeprurëse; kjo ngaqë vetë mafia, ose çdo lloj tjetër organizate kriminale, nuk mund të funksionojnë veçse mbi bazën e sekretit, ose të “kodit të heshtjes.”

Nga Italia në Shqipëri distanca është e pakët, madje edhe kur është fjala për praktika dhe tradita të tilla të ruajtjes së sekretit të grupit dhe të informimit të autoriteteve. Natyrisht, në shoqërinë shqiptare nuk ka pasur kurrfarë tradite të informimit të publikut dhe aq më pak të së drejtës për t’u informuar; sekreti ka qenë praktika default (me parazgjedhje) e jetës institucionale dhe organizative; ndërsa informimi i mbikëqyrur rreptë.

Në vitet 1960, kjo lloj omertà-je relativisht beninje u sulmua në dy drejtime: nëpërmjet aparatit të informatorëve të Sigurimit të Shtetit, të plotësuar nga letrat anonime; dhe nëpërmjet sistemit të denoncimit publik nëpërmjet fletë-rrufeve, i cili u nxit drejtpërdrejt nga Enver Hoxha. Në fakt, mund të bëhet një krahasim midis praktikës së fletë-rrufeve të atëhershme (“cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të thotë atë që mendon…”) dhe praktikës së tanishme të whistleblowing, sepse në të dy rastet shpërfaqja (disclosure) e paligjshmërisë ose e sjelljes joetike iniciohet ose kryhet jashtë strukturave normale të trajtimit të krimit. Madje paralelizmi mund të çohet edhe më tej, meqë si në rastin e fletë-rrufeve, ashtu edhe tani, komunikimi i paligjshmërisë ose i krimit bëhet zakonisht me ndërmjetësinë e mediave, të cilat ia amplifikojnë zërin whistleblower-it, madje duke e bërë atë publik, paradoksalisht e mbrojnë nga reperkusionet e grupit të shënjestruar.

Nëse në totalitarizëm fletë-rrufetë, ngjashëm me dazibao-t në Kinën Popullore, synonin të godisnin elitat burokratike dhe intelektualët (në Kinë edhe kuadrot partiakë), për të forcuar dhe konsoliduar pushtetin e liderit, sot whistleblowing-u mund të shfrytëzohet, dhe në fakt është shfrytëzuar, për t’u dhënë më shumë pushtet mediave dhe, tërthorazi, grupeve që i kontrollojnë këto media.

Mirëpo në Shqipëri e drejta për t’u informuar dhe nevoja për tejdukshmëri të punëve publike ende nuk janë kristalizuar, si imperativë të brendshëm; nëse qëllon që të kërkohen dhe të zbatohen, kjo bëhet më tepër për të kënaqur Perëndimorët. Kur kryeministri i atëhershëm Berisha propozoi që mbledhjet e qeverisë së vet të bëheshin publike, ose nën praninë e kamerave, kjo s’bëri gjë tjetër, veçse i shndërroi ato mbledhje në teatër kukullash; në të njëjtën mënyrë, prania e kamerave në sallën e Parlamentit, e cila duhej t’u garantonte zgjedhësve të drejtën për të marrë vesh se çfarë bëjnë dhe thonë të zgjedhurit e tyre, e ka kthyer në fakt Parlamentin në vaudeville. Ashtu edhe omertà-ja karakteristike e politikanëve të kallëpit para-demokratik arrin t’i hapë vend edhe tejdukshmërisë, por vetëm pasi e ka karnevalizuar veprimtarinë e institucionit që “tejduket.”

Të gjitha këto shëtitje parentetike kushedi ndihmojnë për të kuptuar pse gazetat, kur dëgjuan të flitej për bilbilfryrës, ua shpjeguan këta lexuesve menjëherë si spiunë; jo sepse mediat kanë ndonjë arsye të veçantë për t’iu druajtur praktikës në fjalë, por ngaqë spiuni zë ende vend qendror, në imagjinatën kolektive të shqiptarëve; dhe do të vazhdojë ta mbajë këtë vend qendror, sa kohë që institucionet do të vazhdojnë ta themelojnë veprimtarinë e tyre mbi sekretin dhe do të gënjejnë publikun sistematikisht sa herë që t’u kërkohet të informojnë. Nga ana e vet, ky realitet e shtyn pastaj publikun vetvetiu dhe pashmangshëm drejt teorive të komplotit, sipas të cilave të gjithë personat publikë protagonistë të jetës shqiptare janë edhe “spiunë” të armiqve tradicionalë (dhe mitologjikë) të shqiptarëve, punojnë për serbin dhe për grekun dhe për turkun, marrin pará prej tyre dhe udhëzohen si të punojnë, për ta dëmtuar dhe më në fund shkatërruar shqiptarinë – çfarë lidhet edhe me mënyrën si e përjeton shumica prej nesh patriotizmin publikisht të angazhuar. Kjo do të thotë edhe që, mungesa e një whistleblowing-u të mirëfilltë, si akt qytetar i virtytshëm dhe sakrificë e dhimbshme, kompensohet për bukuri nga mizëria e denoncimeve qesim dhe përbaltjeve që u bëhen ritualisht politikanëve dhe të tjerëve persona publikë, 24 orë në ditë, në mediat dhe në kafenetë.

Terapia individuale e përgojimit të gjithkujt në pushtet nuk i lë pra vend terapisë institucionale, të cilën mëton të sigurojë whistleblowing-u. Është pikërisht ky konteksti social me të cilin do të përballet figura e whistleblower-it te ne; dhe mes shqiptarësh kjo figurë kaq e rrezikuar nuk do të ketë shans të mbijetojë as të shndërrohet në model, sikur të përfytyrohet si dikush që i fryn bilbilit.

4 Komente

  1. Rasti me i bujshem i whistleblowing ne Shqiperi eshte ai i Dritan Priftit qe publikoi videon me Ilir Meten.
    E pame si perfundoi Prifti.

    Ironia eshte se propozimin per te mbrojtur “bilbilat” (keshtu do t’i quaja une) e ben pikerisht qeveria aktuale qe mbahet gjalle me votat e Metes. S’di i ziu njeri ç’te beje me pare, te qeshe a te qaje!

  2. unë kisha menduar “borizan”. Sa për tragjikomedinë, ndoshta do hequr dorë nga gjetja e një ekuacioni që shpjegon distribucionin shqiptar; S’ka regresion që e mbledh tejdukshëm për shumicën, ndërsa binome whistleblower/media kanë shbërë lëmshe më të mëdha

  3. Spiunimi ”i mire” nuk ndryshon nga spiunimi ”i keq”, nqs gjerat jane ne duart e te keqinjve. Do jete mjet per te goditur me perzgjedhje x,y apo z,

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin