Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

36 – 2 = KAOS

Sot ka dy sisteme për shkrimin e shqipes: ai që mbështetet në alfabetin 36-shkronjësh dhe një tjetër, më i ri, që përdor një alfabet të thjeshtuar, 34-shkronjësh, ku ë-të dhe ç-të janë zëvendësuar, përkatësisht, me e dhe c.

Kemi shkruar shpesh për këtë dukuri, duke vënë në dukje – sado pa nevojë – se ky zëvendësim nuk ka ardhur gjë nga ndonjë nevojë e brendshme, ose organike, e shqipes së shkruar për thjeshtim, por vetëm e vetëm ngaqë këto shkronja u mungojnë tastierave të kompjuterëve që përdoren prej shqipshkruesve.

Asnjë logjikë dhe largpamësi nuk ka, te kjo zgjidhje e sajuar me bricolage, si përpjekje e skajshme për t’ia përshtatur shqipen e shkruar një alfabeti të rastit.

Me shtrirjen e Web 2.0 edhe ndër shqipshkruesit anembanë botës, sasia e teksteve të shkruara rishtas me alfabet të gjymtuar vjen duke u shtuar; dhe bashkë me të, edhe trysnia e këtij gjymtimi në mënyrën si funksionon shqipja e shkruar në komunikim.

Standardit të 1972-shit vijnë dhe i përballen tani së paku tre alternativa jostandarde: shqipja e shkruar me gabime drejtshkrimore, por që gjithnjë përpiqet të ndjekë standardin; shqipja e shkruar “me dialekt”; dhe, më në fund, shqipja e shkruar me alfabet të thjeshtuar.

Këto alternativa kanë rrethprerje mes tyre, por problematikat i sjellin të ndryshme. Kështu, shumë nga ata që e shkruajnë shqipen me alfabet të thjeshtuar, e zotërojnë mirë drejtshkrimin; unë vetë, në komunikimet private me e-mail, e përdor tashmë rregullisht këtë formë të shkrimit shqip, për arsye kohe.

Ndërkohë, mungojnë studime të mirëfillta të impaktit që ka kjo shqipe me alfabet të thjeshtuar, mbi rendimentin e komunikimit me shkrim.

Më poshtë kam sjellë një shembull çfarëdo të një teksti të shkruar me alfabetin 34-shkronjësh, por që përndryshe përpiqet të ndjekë normën drejtshkrimore të shqipes, me fare pak gabime.

text

Shkronja ë jo vetëm është nga më të dendurat në përdorim, por edhe kundërvënia e/ë luan rol kritik në shprehjen e disa funksioneve gramatikore, si dallimi midis rasave të drejta dhe atyre të zhdrejta për një kategori emrash femërorë (mollë/molle, punë/pune), ose ai i gjinisë në shumësin e emrave të vepruesit ose që tregojnë profesione, etj. (punëtorë/punëtore, banorë/banore) etj.; ose për të shënjuar diferencën gramatikore në disa forma të zgjedhimit (shkojë/shkoje, etj.)

Pa pëmendur pastaj çiftet minimale me fjalë nga më të rëndomtat në shqipe, si më/me, në/ne, të/te, kë/ke etj.

Të gjithë biem dakord se rrafshimi i këtyre dallimeve e dëmton komunikimin, meqë krijon pengesa në “marrje”.

Por ka edhe më. Që në fillimet e shtypshkrimit të vet, shqipja ka adoptuar dhe ndjekur parimin fonetik në të shkruar (në vija të trasha), sipas të cilit “fjalët do të shkruhen ashtu siç shqiptohen” – çka do të thotë edhe se shkronjat e një teksti të shkruar u përgjigjen, pak a shumë, fonemave të ligjërimit të folur (ose njësive të sistemit të dytë të artikulimit).

Pa dashur të zgjatemi këtu në diskutimin e këtij parimi në vetvete, po vërejmë vetëm se kalimi i menjëhershëm nga alfabeti 36-shkronjësh në atë të thjeshtuar e ka shfuqizuar, vetvetiu, parimin fonetik, sepse fjalët – në tekstet me alfabet të thjeshtuar – nuk shkruhen më ashtu siç shqiptohen, por ashtu siç ishin shkruar më parë, me disa modifikime thjeshtuese.

Në fakt, prirja për t’i shkruar fjalët ashtu siç janë shkruar më parë ndeshet në të gjitha gjuhët që kanë një traditë shkrimore të konsoliduar dhe nuk ka shumë lidhje me parimin fonetik, i cili ka vlerë, para së gjithash, në momentin kur fillon të shkruhet një gjuhë, jo në praktikën e përditshme. Gjithsekush prej nesh, kur vihet të shkruajë, nuk është se transkripton rrjedhën e folur që ka në mendje, por vetëm sa i riprodhon trajtat e shkruara të fjalëve, ashtu siç i ka mësuar në shkollë. Për këtë arsye, kur dikush shkruan keq (ose “në dialekt”) nuk themi se po e zbaton ndryshe ose në mënyrë krijuese parimin fonetik, por vetëm se nuk është i alfabetizuar si duhet.

Gjithsesi, thjeshtimi i ë-ve dhe i ç-ve e ka futur në krizë parimin fonetik, por pa e zëvendësuar me ndonjë parim tjetër; meqë ky thjeshtim nuk ka ardhur ngaqë e kanë vendosur specialistët, as ngaqë e ka kërkuar vetë gjuha; por për shkak të një aksidenti teknologjik.

Për pasojë, funksionimi i shqipes së shkruar, si sistem, po ndesh në vështirësi potencialisht serioze, të cilat u kushtojnë lexuesve (“marrësve”) energji.

Ironike, në këtë mes, është edhe që, teksa gjetiu diskutohet në nivelin akademik për çështje të vogla, si mënjanimi në drejtshkrim i ë-së së patheksuar në fjalë si anëtar, etj., shqipja po shkruhet në praktikë, gjithnjë e më gjerësisht, me alfabet të cunguar, i cili mes të tjerash ka ndërruar edhe vetë parimin në themel të drejtshkrimit të vitit 1972, i cili – paradoksalisht – po thirret në ndihmë për të përligjur ndryshimet kozmetike të propozuara.

Edhe sa kohë mund ta shpërfillim këtë shmangie, kaq masive, nga norma drejtshkrimore, fajtorë për të cilën jemi të gjithë ne që përdorim tastierat për të shtypur shqip?

Mu nën hundët tona, një gabim i thjeshtë administrativ – mungesa e një ligji për tastierat e kompjuterëve që do të tregtoheshin në Shqipëri – ka çuar, brenda pak vjetësh, në konsolidimin e çfarë unë do ta quaja një “dialekt i shkruar” për shqipen – i cili tashmë është rrënjosur në përdorim, në kontekste të caktuara sociale; aq sa shumë prej të ashtuquajturve digital natives nuk janë më në gjendje ta shkruajnë më shqipen me alfabet të rregullt, pse e kanë çmësuar kodin.

Siç e kemi thënë edhe më parë, kjo shqipe me alfabet të thjeshtuar nuk është sistem i mëvetësishëm, por sistem që paraziton mbi standardin me 36-shkronja. Pavarësisht se mungojnë studimet dhe testimet e mirëfillta shkencore, logjika dhe introspeksioni sugjerojnë që përdoruesit, kur përballen me tekste të shkruara me alfabet të gjymtuar, i rindërtojnë mendërisht trajtat e rregullta të fjalëve, në bazë të çfarë kanë mësuar në shkollë.

Në parim, alfabeti i shqipes mund të thjeshtohet, qoftë edhe duke ia ndërruar parimin bazë; por alfabeti i thjeshtuar, që përdoret sot kaq gjerësisht dhe me lehtësi, do të ishte kandidati më i papërshtatshëm për këtë thjeshtim – meqë tekstet e shkruara me alfabetin 34-shkronjësh kërkojnë zotërimin e normës së shkruar, me 36 shkronja, për të funksionuar.

Njëlloj si stenografia, alfabeti i thjeshtuar mund të na ndihmojë për të shkruar më shpejt, por faturën për këtë shërbim e paguajnë “marrësit” e teksteve, të cilëve u duhet punë shtesë, për t’i deshifruar.

Pa Komente

  1. Ti thuaj shyqyr qe ata burrat qe vendosen alfabetin shqip per te dhene tigujt “dh”, “th”, “nj”, “gj”, etj. kesisoji sajuan kombinimet dyshe te shkronjave tashme egzistuese ne alfabetin latin se vaj hallit çdo te kishim hequr sot ne dhe alfabeti…….

  2. Une kam pershtypjen se kjo dukuri kufizohet vetem ne perdorimin e postes elektronike, te sms-ve dhe te komenteve ne blogje. Apo e kam gabim?

    1. Kam frikë se në Shqipëri po hartohen shumë dokumente me këtë alfabet të gjymtuar: kontrata, tekste të tjera me vlerë juridike, akte ligjore dhe nënligjore, certifikata dhe të tjera në kufirin që ndan privaten nga publikja. M’u desh një ditë të noterizoja një deklaratë timen (heqje dorë nga një pronësi), të cilën e kisha shtypur me kujdes, me të gjitha shkronjat e nevojshme; por teksti që shtoi aty noterja – një tekst standard, të cilin ajo e kopjoi dhe e ngjiti nga një skedar tip – ishte i tëri me alfabet të gjymtuar.

        1. Katastrofe! Kur fillon e shkruan edhe administrata publike keshtu, do te thote se po e merr ferra uraten!

          Ketu, besoj une, nuk ka nevoje per ligje te posaçme. Mjafton qe qeveria te leshoje disa urdheresa te brendshme drejtuar administrates dhe gjykatave, si edhe te marre masa qe kompjuterat ne Shqiperi te shiten me tastiera shqipe. Fjala vjen, do te mjaftonte qe ministria e financave te vendoste nje takse doganore me te larte per kompjuterat qe nuk kane tastiera shqipe. Pra do te mjaftonte pak vullnet nga ana e qeverise, pa e sekelldisur parlamentin.

          1. E mba mend njeri kete nisme te Kryeministrit.

            Kryeministri i zgjedhur Edi Rama është angazhuar t’i ndryshojë paraqitjen shtetit shqiptar edhe në shkresat zyrtare që e përfaqësojnë atë.

            Duke e vlerësuar se deri tani gjuha e përdorur në shkresat shtetërore ka qenë një deformim i shqipes letrare, Rama ka kërkuar që çdo institucion shtetëror të asistohet në formulimin e shkresave nga redaktorë të gjuhës shqipe.

            Kryeministri i zgjedhur ka kërkuar përgatitjen e një konkursi për 24 redaktorë të gjuhës shqipe. Mësohet se në kryeminstri dhe në çdo ministri do të vendoset nga një redaktor për të siguruar seriozitetin e gjuhës zyrtare dhe për t’i dhënë fund masakrës së shkresave të shtetit shqiptar.

            Ndërsa një ekip prej tre redaktorësh do të shërbejnë si njësi kontrolli e gjuhës së shkruar shqipe në çdo dikaster dhe agjensi. Rama ka kërkuar vendosjen e gjobave për shpërdorim letre dhe kohe për hartuesit e dokumentacionit që bëjnë gabime drejtshkrimore në shkresat zyrtare. Duke e theksuar shpesh se shteti ynë duhet të jetë i vetmi shtet në Europë ku ka një kaos të vërtetë në paraqitjen dhe në shkrimin e gjuhës, Rama beson se duhet një paraqitje dinjitoze për një shtet edhe në këtë element për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjendjes së rëndë të materialeve gjuhësore të dokumentacionit zyrtar.

            http://top-channel.tv/artikull.php?id=262613

  3. Përveç këtyre gafave të tmerrshme, has shpesh edhe fjali të pakumtimta, sidomos në faqet zyrtare të pushtetit lokal, siç është rasti i mëposhtëm: file:///C:/Users/C.R.C/Desktop/Screenshot_1.png

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin