Galeria e komentuesve në internet po pasurohet gjithnjë e më shumë, ngaqë vetë hapësira virtuale zgjerohet dita ditës. Në shkrimin humoristik “Siluetat e komentit” u përpoqëm të bënim një farë bilanci për komentet në internetin shqiptar, duke përvijuar disa profile komentuesish, që shfaqen në diskutimet virtuale në shqip. Natyrisht, asnjë pretendim shterues nuk kishte, përveçse marrjen e buzëqeshjes.
Nuk ka dyshim, gjithashtu, se gazetari italian që ka shkruar artikullin “Nga komplotisti tek inkontinenti. Ja profilet e luanëve të tastierës” – që ma sinjalizoi një kolege shqiptare – nuk është frymëzuar aspak nga shkrimi ynë, meqë tundimi për t’i kategorizuar mjeshtërit e tastierës i prek herët a vonë të gjithë ata që merren me komunikimin online. Gazetari e pasuron galerinë e komentuesve, megjithëse nuk e ka shumë të pasur në numër. Kështu ai fut si kategori “komplotistët”, “kundërshtuesit”, “menefregistët”, “dashamirësit” e ndonjë tjetër që përputhet disi, ose mbivendoset pjesërisht, me siluetat tona të dikurshme. Bota e komentit është gjithnjë e larmishme, kurse nëna e komentuesit është gjithnjë shtatzënë.
Mirëpo, në qoftë se ne ishim nisur nga një këndvështrim humoristik e gjithsesi duke i parë komentuesit me dashamirësi, meqë blogu nuk mund të jetojë pa komente, dhe njeriu nuk mund të mbijetojë pa dialog, gazetari në fjalë niset nga një premisë tjetër. Kjo vërteton edhe një herë që nuk ka asnjë lidhje me shkrimin tonë, për ekzistencën e të cilit, për arsye gjuhe, sigurisht artikullshkruesi italian nuk është në dijeni.
Pyetja që ai bën është kjo: “Çfarë i transformon baballarët e qetë familjarë, gratë e edukuara shtëpiake, studentët e ndrojtur në luanë të tastierës, që e përdorin pa fre fjalën e keqe dhe sharjen?”. Përgjigjja luhatet nga motoja karteziane “shaj si rrjedhim ekzistoj”, deri tek ndjesia e pandëshkueshmërisë që prek përdoruesit e mjeteve virtuale. Atje ku çdo gjë është virtuale (miqësia, puna, seksi…) gjithshka merret me lehtësi. Si rrjedhim, thotë gazetari italian, njerëzit shkruajnë gjëra që personalisht, pra në fytyrë, nuk do t’i thoshin.
Megjithatë ka një problem (gjithnjë ka një problem). Në rrjetet sociale e kudo në internet, çdo gjë që shkruajmë lë gjurmë. Sipas interpretimeve të fundit juridike sharjet në internet mund të konsiderohen si fyerje e shpifje (siç ndodh në shtyp), si rrjedhim janë të dënueshme nga ligji. Të fshihesh pas një pseudonimi çfarëdo, ose ndonjë profil të rremë në Facebook, nuk të shpëton nga përgjegjësia, meqë po të duan ta gjejnë identitetin real.
Shembulli që jepet është flagrant. Në qytetin italian Livorno një vajzë vendase, e nxehur jashtë mase ndaj punëdhënësit që e kishte pushuar nga puna, i paska shkruar në internet: “Sei un albanese di m…” që mund të përkthehet pak a shumë si “Shqiptar m…!”. Fraza i paska kushtuar vajzës një gjobë prej njëmijë eurosh, plus tremijë dëmshpërblim për personin e fyer.
Cilat mund të jenë mësimet që nxjerrim nga kjo histori? Së pari, para se ta përdorim tastierën le ta fusim trurin në prizë; së dyti, për t’u bërë tigra nuk mjaftojnë disa vija në fytyrë; së treti, mos kujto se duke shkruar në shqip të tjerët nuk të lexojnë.