Ergys Mërtiri, gazetar dhe pedagog, ka publikuar një kritikë mbi masivizimin e arsimit të lartë. Kritika e Mërtirit fokusohet në:
- Pasojat e masivizimit të arsimit të lartë mbi cilësinë e studentëve dhe universitetet publike;
- Pasojat e liberalizimit të arsimit të lartë në sektorin e arsimit privat, sidomos në lidhje me cilësinë e kualifikimit profesional dhe akademik në këto institucione;
- Instrumentalizimin e arsimit të lartë për politika elektorale.
Kritika e Mërtirit është përfaqësuese për një sërë artikujsh që kritikojnë masivizimin e arsimit të lartë. Këto kritika fokusohen kryesisht mbi numrin e madh të studentëve dhe cilësinë e njohurive të tyre akademike në hyrje të shkollës së lartë (shih këtu edhe Shezai Rrokaj që ankohet mbi cilësinë e maturantëve.)
Fillimisht duhet sqaruar se në literaturë dallohet ndëmrjet (1) sistemeve universitare elitiste (me deri nën 15% të moshave 18-25 të regjistruar në arsimin e lartë – Gross Enrollment Rate, GER); (2) sistemeve massive të arsimit të lartë (15-50% GER); (3) dhe sistemeve universale (mbi 50% GER). Rritja e numrit të studentëve është një trend anembanë botës (shih Grafik 1).
Mërtiri kritikon masivizimin e sistemit të arsimit të lartë dhe politikat e qeverisë Berisha.
Shqipëria është sot praktikisht vendi me shifrat më të çmendura të studentëve që ndjekin arsimin e lartë. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, 73 përqind e maturantëve të sapodalë nga bankat e shkollave të mesme u regjistruan ne universitetet publike këtë vit akademik. Aktualisht janë rreth 31 mijë studentë të tillë, nga rreth 42 mijë maturantë, pa llogaritur këtu ata që janë regjistruar në universitetet private apo ata që kanë shkuar të studiojnë jashtë shtetit. … Kjo është një çmenduri ekskluzivisht shqiptare, e paparë në asnjë vend tjetër.
Në fakt Shqipëria në krahasim me vendet e tjera ka një përqindje të lartë të maturantëve që regjistrohen në arsimin e lartë por jo të pazakonshme (p.sh. shih SHBA, 73%). Domethënëse është treguesi Gross Enrollment Ratio, pasi shifra e maturantëve që regjistrohen nuk kap ata që regjistrohen më vonë, ata që shkëputen etj. Për këtë tregues Shqipëria është madje mbrapa.
Shtimi i numrit të studentëve rrëfen historinë e trazirave sociale në Shqipëri. Gjatë viteve 70, fill pas “pranverës çeke” shifrat e studentëve u ulën ndjeshëm dhe u rritën pas viteve 80 (studentët e viteve 90 ishin produkti i zgjerimit të arsimit të lartë).
Nga ana tjetër Shqipëria ka ende shifrat më të ulta në rajon përsa i përket viteve të shkollimit për moshat 15 vjeç e sipër (Barro & Lee, 2010).
Burimi: Banka Botërore, 2014, Shqipëria nga unë.
Mërtiri gjithashtu pretendon se masivizimi i arsimit të lartë ka shkaktuar dëme të mëdha shoqërore. Sipas tij „reforma në arsim e ndërmarrë nga qeveria Berisha, rezulton një nga krimet më të mëdha që i është bërë shoqërisë shqiptare viteve të fundit. Politika e ndjekur nga ajo ka qenë ajo e masivizimit të universitetit, e aplikuar për qëllime elektorale.“
Por dihet botërisht se rritja e aksesit në arsimin e lartë është e lidhur me zhvillimin ekonomik. Grafiku i paraqitur më poshtë, tregon se përfitimi nga arsimi i lartë, sidomos në rrafshin individual është disa herë më shumë se nivelet më të ulëta të arsimit (shih ilustrimin nga OECD).
Shkurtimisht, është e lehtë të kritikohet masivizimi dhe liberalizimi i arsimit të lartë, por shifra të tjera duhen për të vlerësuar efektin e tyre mbi sistemin ekonomik dhe cilësinë e arsimit të lartë në vend.
Kalimi nga edukimi universitar elitist ne edukim masiv e me pastaj ne edukim universal shkon dore me dore me ndryshimet rrenjesore qe ndodhin ne shoqeri (interneti gelon me kurse universitare falas edhe po sfidon establishmentin tradicional akademik). Verejtja juaj empirike ndaj qasjes disi elitiste te Mertirit megjithese e drejte, kam pershtypjen qe i mungon qasja kritike.
Edukimi universal sigurisht do te thote nje terheqje nga modeli elitist e madje edhe nje shtyse pertej aspiratave te klases se mesme per edukim masiv (fenomen qe ju e vereni ne vitet 80, 90). Ne fakt promovimi i “lifelong learning” nuk perben ndonje gje thelbesisht “te lige” per aq sa i mban mendjet vemendjeshkurtra te ketij brezi larg nga rruget, e pavaresisht cilesise, ne nje ambient akademik.
E megjithate, kur i hedhim nje sy sistemit arsimor, cfare ofrohet dhe c’prishmeri ka neper universitetet publike e private, eshte e qarte qe nuk eshte tamam ajo c’kish ne mendje Gramshi kur thoshte se edukimi “elitist” duhet te ofrohet per te tere, me rezultatin e krijimit te “punetorit intelektual”. Ne fakt ajo cfare Gramshi do verente sot (dhe ajo qe shume kritike qe vijne nga e majta kane parasysh kur flasin per rolin progresiv dhe emancipues te edukimit) do ishte nje sistem ne dukje demokratik, por me nje kurrikulum qe tradheton ashiqare vlerat progresive te edukimit ne shkenca dhe art dhe nuk ben gje tjeter vecse replikon te njejtat klasa sociale.
Pra pyetjet qe duhen shtruar ketu jane: A mundeson ky sistem edukimi masiv apo universal universitar “social mobility” (ngjitje shkallesh?!)? A ka pritshmeri te larta per studentet dhe a eshte i bazuar ne meritokraci? A eshte masivizimi simptome e nje inflacioni ne edukim qe prodhon semundjen e dimplomave?