Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KEQPËRDORIME FLAMUJSH

Çfarë po ndodh me protestat, pas vrasjes së Ilia Karelit në Greqi, kërkon të analizohet me qetësi.

Tani së fundi, ka një precipitim të revoltës qytetare, në Tiranë, kundër krimit të kryer nga policët grekë ndaj një personi që kishin nën kujdes.

Megjithatë – ka përherë një megjithatë – duket se shteti grek ka reaguar tashmë në mënyrë adekuate, ndaj kësaj vrasjeje.

Jeta e çdo njeriu është e çmuar dhe e pazëvendësueshme, edhe ajo e kriminelit më të urryer.

Në këtë kuptim, çdo qytetar, pavarësisht nga identiteti kombëtar, ka të drejtë të kërkojë që ndaj vrasësve të Karelit të zbatohet ligji.

Nëse këtu ka apo vend për ta trajtuar krimin në fjalë si etnikisht të ngjyrosur, unë nuk e di; por di që kuadri ligjor për këto lloje krimesh nuk mungon, as në Greqi.

Policët grekë vranë – pasi e torturuan çnjerëzisht – një person i cili kish vrarë një kolegun e tyre, gardian burgu.

Kush e njeh botën e punonjësve të rendit, e di edhe sa e rëndë është për këta punonjës kur ua vrasin një koleg.

Në ShBA ka një kategori të caktuar vrasësish, cop killers, të cilët ndiqen me egërsi dhe këmbëngulje të veçantë, nga organet e rendit.

Ma merr mendja që kjo mendësi gjallon në çdo vend të botës, ku ka policë dhe vrasës.

Jo se ajo përligj torturat dhe vrasjen që ia bënë një personi të pambrojtur; por të paktën i vendos ato në kontekst.

Edhe krimi i Karelit, që u bë shkak për këtë ekzekutim, u vendos prej mediave në kontekst: u tha se ai e vrau gardianin, ngaqë ky nuk i kish dhënë leje të shihte nënën; ose, më keq akoma, ngaqë gardiani e kish mashtruar, duke i marrë nuk di sa mijë euro rryshfet, dhe pastaj nuk e kish mbajtur fjalën.

Ngado që ta rrotullosh këtë histori, aty elementet njerëzore përzihen me elemente marrëdhëniesh kriminale dhe mafioze.

Është turp i madh, për shtetin grek, që një i dënuar në burgjet e tij të vritet prej kujdestarëve.

Çfarëdo që të kish bërë Kareli, jeta dhe integriteti i tij fizik nuk duheshin prekur, sidomos nga përfaqësues të institucioneve të një vendi anëtar i BE-së, si Greqia.

E gjithë kjo më sjell në mendje një fushatë të dikurshme të Partisë Radikale, në Itali: Nessuno tocchi Caino, të drejtuar kundër dënimit me vdekje anembanë botës; por që tani, si thirrje, më duket se vlen edhe për viktimën e dhunës së policisë greke – Kareli nuk duhej prekur, edhe sikur të mishëronte vetë të keqen; madje, nuk duhej prekur, veçanërisht sepse mishëronte të keqen.

Një shtet i qytetëruar, siç pretendon të jetë Greqia, në situata si kjo do ta tregonte shkallën e qytetërimit të vet – sepse të burgosurit gjithnjë janë në besë të shtetit.

Nga ana tjetër, protestat në Shqipëri morën menjëherë ngjyra dhe përmasa groteske – që nga momenti kur trupi i të ndjerit u përcoll në varr i mbështjellë me flamurin shqiptar – a thua se ky kish rënë në mbrojtje të atdheut.

Pavarësisht nga mënyra si u ekzekutua dhe pavarësisht nga rrethanat e krimit të fundit që kreu; dhe pa llogaritur as krimet për të cilat po vuante burgun në Greqi, Kareli ishte vrasës ordiner – dhe vrasësit ordinerë nuk varrosen të mbështjellë me flamurin kombëtar.

Përndryshe, një pjesë e pengut moral për vrasjen i kalon edhe flamurit.

Më tej akoma, i ndjeri nuk më duket personi më i përshtatshëm, për t’u përdorur si poster child i protestave të tanishme kundër shtetit grek – dhe kjo ngaqë (1) shteti grek duket se po reagon në mënyrë profesionale, sikurse ka reaguar mirë edhe shoqëria civile dhe mediat në vendin fqinjë; dhe sidomos ngaqë (2) nuk shkon që qytetarët, në Shqipëri të identifikohen kaq haptazi me elementin thjesht kriminal mes shqiptarëve etnikë jashtë Shqipërisë.

Përndryshe ky solidaritet kaq i bujshëm dhe ky heroizim i një viktime që, kur ishte gjallë, kish vrarë ai vetë për motive të dobëta, do të duket si një lloj solidariteti mafioz.

Dhe akoma më e rëndë do të ishte, për qytetarinë në Shqipëri, sikur opinioni publik të pranonte dhe të mësohej me idenë e mbrapshtë se, kur vjen puna për të gjykuar publikisht një krim, kriteri etnik merr përparësi ndaj kriterit thjesht njerëzor, dhe kriterit formal juridik.

Kemi të drejtë t’i kërkojmë qytetari shtetit grek në qëndrimet institucionale ndaj emigrantëve shqiptarë – por le të mos harrojmë se kjo kërkesë do të ketë ndonjë farë vlere vetëm po të bëhet nga pozitat e qytetarisë, jo të tifozllëkut kombëtarist.

Dhe, sidomos, le t’i mbajmë larg flamujt, ndaj kësaj historie kaq të trishtuar.

Pa Komente

  1. Në kësi rastesh gjëja më e mirë është të mbahet gjakftohtësia. Siç dihet, ka plot njerëz e forca politike që janë të gatshëm për t’i instrumentalizuar sipas interesave. Nga ana tjetër reagimi emotiv nuk i shërben askujt, edhe pse duket i natyrshëm. Forca e parimeve dallohet pikërisht kur ndodhin ngjarje të tilla.

  2. Tendenca jone vete-nenshtruese ndaj Greqise gjate 2+ dekadave te fundit eshte vertet interesante.

    Ne e dime shume mire se ne Greqi shqiptaret konsiderohen si njerez te kategorise se dyte, sidomos nga shteti, vecanerisht nga Policia. Eshte kjo qasje qe behet ‘autorizim’ per lloj-lloj trajtimesh ndaj shqiptareve, si, fjala vjen, njeriu nuk tregon te njejtin respekt apo kujdes ndaj qenit ashtu si ndaj njeriut, se qeni ne fund te fundit qen eshte, dhe kur te kafshon edhe mund te vritet, ndryshe nga njeriu.

    Ama kjo s’na pengon qe ne te shprehem qytetarine duke e pare veten (ironikisht) si njerez te kategorise se dyte dhe duke e gjetur fajin kryesisht tek vetja, apriori madje, edhe kur behet fjale per krime monstruoze ndaj nesh.

    Ne lidhje me rastin ne fjale, kjo mendoj se ilustrohet me se miri me fjalet “shteti grek ka reaguar tashmë në mënyrë adekuate” te 2xh. Po kur reagoi shteti grek ne menyre adekuate, kur e masakroi te burgosurin dhe e la te vdese te lidhur me pranga, kur ja hoqi zemren nga kraharori kufomes para se ta dergonte ne Shqiperi, apo tani kur po i liron gardianet duke i gjykuar ne gjendje te lire?

    1. Shkruan:

      Po kur reagoi shteti grek ne menyre adekuate, kur e masakroi te burgosurin dhe e la te vdese te lidhur me pranga, kur ja hoqi zemren nga kraharori kufomes para se ta dergonte ne Shqiperi, apo tani kur po i liron gardianet duke i gjykuar ne gjendje te lire?

      Janë liruar vërtet gardianët? Më jep dot ndonjë link për këtë? Se lajmet që kam parë unë flasin për lirim të disa gardianëve, gjë që më duket pjesë normale e hetimit. Por jam i sigurt se ti do t’i kesh të sakta këto që thua – prandaj më sqaro, të lutem.

      1. Reagimi minimal adekuat per Greqine do ishte tregimi i nje vullneti te sinqerte per te parandaluar te tilla barbarizma ne te ardhmen, jo vetem ndaj shqiptareve, e kjo behet duke marre masa konkrete. Sidomos po te kemi parasysh qe Greqia eshte shtet me nam per keto pune, edhe pa ndodhur ky skandal, i cili eshte vetem i fundit ne vargun e nje sere skandaleve shtererore (si fjala vjen ajo videoja ku ushtaret greke trajnoheshin duke kenduar se do ti benin litare zorret e shqiptareve dhe turqve).

        Perkundrazi, Greqia beri cmos qe te mbuloje skandalin, sic thashe deri aty sa i hoqi zemren kufomes, per te minimizuar evidencen e barbarizmit. Kjo pra ndodhi pasi shteti grek analizoi me gjakftohesi se cfare kishte ndodhur ne ate burg.

        Lirimi i gardianeve me pas eshte per te thene qe as per sy e faqe (PR) nuk ‘i plas’ Greqise, dhe eshte vetem nje detaj ne kete ceshtje. Po, disa liroi, jo te gjithe, ca nje dite e ca nje dite tjeter. Kur te vije puna e gjyqit, le te shohim nese verdiktet dhe masat do jene me pak qesharake sa rastet e tjera kur jane dhunuar shqiptaret.

  3. Këtu mund të gjeni një dokumentar shokues për mënyrën sesi trajtohen emigrantët shqiptarë në Greqi. Shikoni me kujdes – fatkeqësisht është në greqisht, sa u përmend Greqinë, emigrantët shqiptarë fillojnë e qajnë…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin